ATV

Category: Lajme

  • ​Ukraina sulmon Moskën me dronë, mbyllen aeroportet

    ​Ukraina sulmon Moskën me dronë, mbyllen aeroportet

    Ukraina sulmoi Moskën me dronë gjatë gjatës, thanë zyrtarët rus.

    Aeroportet në të gjithë kryeqytetin u mbyllën për disa orë, raporton BBC. Nuk u raportua për viktima.

    Nga Kievi nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm.

    Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin tha se të paktën 19 dronë ukrainas u shkatërruan – derisa ushtria ruse tha se ka rrëzuar më shumë se 100 në të gjithë vendin.

    Sulmet ukrainase vijnë disa ditë përpara një armëpushimi të përkohshëm që Rusia shpalli në fillim të kësaj jave, i cili do të zgjasë nga 8 maji deri më 11 maj.

    Armëpushimi përkon me paradat e Ditës së Fitores në Rusi.

    Ndërkohë, sulmet ruse në Ukrainë vazhdojnë, me të paktën një të vrarë në Odesa, dhe gjithashtu raportohen sulme në Harkiv.

  • Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

    Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

    Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

    Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

    Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

    Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

    Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

    Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

    Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

    Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

    AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

    Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

    “Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai. /REL

  • Sot mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjë dhe Hercegovinë

    Sot mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Bosnjë dhe Hercegovinë

    Sot në Nju Jork do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet për situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton Paparaci.

    Në seancën e sotme do të raportojë Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

    Qeveria e entitetit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës e quajtur Republika Serbe tashmë ka dërguar “raportin” e saj, në të cilin pretendohet se udhëheqja e RS-së “vepron me qëllim të ruajtjes së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, të cilën Republika Serbe e respekton plotësisht, si dhe Kushtetutën e BeH, e cila është pjesë përbërëse e saj”.

    Në raportin e kësaj qeverie të Dodikut, në mes tjerash pretendohet se “në vend që të respektohet Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, fryma e saj u interpretua në mënyrë arbitrare, me imponimin e vendimeve nga të huajt, veçanërisht nga Christian Schmidt”, të cilin e quajnë “të paligjshëm”.

    Aty gjithashtu pretendohet se “procedurat dhe vendimet e miratuara në Kuvend me qëllim të kthimit të kompetencave që i takojnë Republikës Serbe sipas Kushtetutës ishin përgjigje ndaj përpjekjes së “paligjshme” për dënimin me burg të kryetarit të RS Milorad Dodik dhe për rrënimin e institucioneve të Republikës Serbe”.

  • QKUK-ja jep detaje rreth gjendjes së 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se e theri me thikë babai i saj

    QKUK-ja jep detaje rreth gjendjes së 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se e theri me thikë babai i saj

    Një tragjedi familjare ka tronditur qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk dyshohet se ka privuar nga jeta vajzën e tij dhe më pas ka tentuar të vetëvritet. Ai ka lënduar edhe vajzën 10-vjeçare dhe bashkëshorten e tij.

    Naser Syla, shef i emergjencës ka thënë se gjendja e 10-vjeçares tani është stabile.

    “Gjendja e saj tani është stabile, po trajtohet këtu tek ne. Po kryhen të gjitha ekzaminimet”, tha shkurtimisht Syla.

  • Ndahet nga jeta politikania Kaqusha Jashari

    Ndahet nga jeta politikania Kaqusha Jashari

    U nda nga jeta Kaqusha Jashari, funksionare e lartë e Kosovës në vitet ’80, pikërisht në periudhën kur udhëheqja e atëhershme të Kosovës iu kundërvu në mënyrë të hapur politikës antishqiptare të Serbisë, të drejtuar nga Sllobodan Millosheviq.

    Kaqusha Jashari pas luftës së viteve 1998-1999 ishte një nga themelueset e PSD-së.

  • Studentët serbë kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare

    Studentët serbë kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare

    Studentët nga të gjitha universitetet në Serbi kanë bërë një kërkesë të drejtpërdrejtë për shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit të Serbisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare

    Sipas tyre, kjo kërkesë bazohet në nenin 109 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe vjen si reagim ndaj krizës së thelluar politike në vend.

    Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, studentët theksojnë se që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë përdorur mjete legjitime dhe të pa dhunshme për të arritur kërkesat e tyre, por se pushteti vazhdon të mos tregojë asnjë iniciativë për t’u përgjigjur, shkruan Danas.

    “Lëvizja studentore nisi protesta me përmasa të papara më parë. Ne treguam se zëri i të rinjve nuk është vetëm zhurmë, por një forcë që mund të sjellë ndryshim, të rikthejë dinjitetin dhe të zgjojë shpresën për drejtësi dhe liri,” thuhet në deklaratë.

    Studentët theksojnë se përmes veprimit të tyre kanë dëshmuar se sovraniteti i vendit është në duart e popullit, dhe jo të elitave politike.

    Hapat e radhës të kësaj lëvizjeje studentore do të bëhen publikë në ditët në vijim, ndërsa mesazhi i tyre mbetet i qartë: “Kjo është një betejë për një Serbi të drejtë, të lirë dhe me dinjitet për të gjithë.

  • Rusia raporton për sulme ukrainase me dronë, mbyllen katër aeroporte në Moskë

    Rusia raporton për sulme ukrainase me dronë, mbyllen katër aeroporte në Moskë

    Rusia thotë se Ukraina kreu një sulm me dronë gjatë natës së kaluar në shënjestër të të cilit ishte kryeqyteti Moskë për natën e dytë rresht.

    Katër aeroportet kryesore të kryeqytetit u mbyllën për disa orë për ta garantuar sigurinë, por më vonë u rihapën, tha autoritetit rus i aviacionit, raporton televizioni BBC.

    Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha në rrjete sociale se të paktën 19 dronë ukrainas u shkatërruan para se të arrinin në qytet “nga drejtime të ndryshme”.

    Sipas tij, një pjesë e mbetjeve ranë në njërën nga autostradat kryesore që të fusin në qytet, por nuk pati viktima në njerëz.

    Ukraina nuk ka komentuar ende. Megjithatë, kryetari i qytetit Kharkiv tha se Rusia gjithashtu kreu sulme ajrore me dronë ndaj këtij vendbanimi gjatë natës së kaluar, si dhe në zonën e kryeqytetit Kiev.

  • Vdekje e dyshimtë në Gjilan – një grua gjendet pa shenja jeta në oborrin e shtëpisë

    Vdekje e dyshimtë në Gjilan – një grua gjendet pa shenja jeta në oborrin e shtëpisë

    Një rast vdekjeje e dyshimtë është regjistruar në orët e mbrëmjes të së hënës në qytetin e Gjilanit, ku një grua është gjetur pa shenja jete nga familjarët e saj.

    Siç mësohet, familjarët e viktimës 62- vjeçare, kanë njoftuar autoritetet se e kanë gjetur familjaren e tyre të shtrirë në tokë, pa shenja jete.

    Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë ekipi i Emergjencës së Gjilanit, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Policia ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka informuar njësitë relevante. Në vend kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Krimeve të Rënda dhe Forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin e detajuar të rrethanave në terren.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe i është referuar hetimeve të mëtejshme nga NJHP.

  • Krimi i rëndë në Prizren: Theri me thikë dy vajzat e tij dhe gruan, njëra vajzë vdiq nga plagët, i dyshuari u arrestua

    Krimi i rëndë në Prizren: Theri me thikë dy vajzat e tij dhe gruan, njëra vajzë vdiq nga plagët, i dyshuari u arrestua

    Një krim i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Prizren. Policia bëri të ditur se i dyshuari theri me thikë dy vajzat e tij dhe gruan.

    Njëra vajzë vdiq nga plagët e marra, ndërsa vajza tjetër dhe gruaja u lënduan nga therjet me thikë.

    “Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën “Shotë Galica”. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se babai ka lënduar me thikë dy vajzat e tij, një 15 vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe një 10 vjeçare, e cila ndodhet në QKUK në gjendje të rëndë. I dyshuari tashmë është arrestuar”, tha zëdhënësi i policisë në rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi.

    Zëdhënësi i Policisë po ashtu njoftoi se i dyshuari dhe viktimat kanë shtetësi turke.

  • Abdixhiku deklarohet sërish për letrën e Kurtit

    Abdixhiku deklarohet sërish për letrën e Kurtit

    “Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë ju i dini”, tha shkurt para gazetarëve, Lumir Abdixhiku duke u larguar nga zyrat e LDK-së.

    Abdixhiku është pyetur nga gazetarët për ftesën për koalicion që i dërgoi Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të hënën.

    “Pritni keni durim, do të jem transparent si çdoherë tjetër. Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, tha shkurt Abdixhiku, raporton KP.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës.

    Kurti në këtë letër e pranon se 61 vota përveç formimit të qeverisë, duhet t’i ketë edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    “Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet në letrën e Kurtit.

    Sot, për herën e 11-të ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.