ATV

Category: Lajme

  • LDK-ja dorëzoi kallëzim penal në Prokurori ndaj Kurtit dhe ministrave që u bënë deputetë

    LDK-ja dorëzoi kallëzim penal në Prokurori ndaj Kurtit dhe ministrave që u bënë deputetë

    Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi ë enjten kallëzim penal ndaj ish-kryeministrit Kurti dhe ish- ministrave, të rizgjedhur deputetë, sipas LDK-së, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve, raporton EO.

    Kallëzimin penal në Prokuririnë Special e dorëzuan deputetet e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica- Xhelili.

    Sipas LDK-së, kallëzimi penal ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kjo parti thekson se, meqë Kurti dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive për t’u bërë deputetë, ata nuk kanë të drejtë të vazhdojnë ushtrimin e detyrës si pjesë e Qeverisë në detyrë.

  • Zëvendëspresidenti amerikan: Kontaktet e drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë duhet të jenë hapi tjetër

    Zëvendëspresidenti amerikan: Kontaktet e drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë duhet të jenë hapi tjetër

    Shtetet e Bashkuara po theksojnë nevojën për dialog të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Ukrainës si një fazë kyçe për përparimin drejt zgjidhjes së konfliktit.

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, gjatë Takimit të Liderëve të Mynihut të mbajtur në Uashington në vitin 2025, theksoi rëndësinë e afrimit të palëve përmes bisedimeve të drejtpërdrejta.

    “Ekziston një hendek i madh, siç parashikohet, midis vendit ku ndodhen rusët dhe ukrainasit, dhe ne mendojmë se hapi tjetër në negociata është të përpiqemi ta mbyllim atë hendek”, tha ai.

    Sipas tij, ndërmjetësimi i plotë nga ana e SHBA-së është i vështirë pa pjesëmarrjen direkte të palëve në konflikt.

    “Ne mendojmë se është ndoshta e pamundur për ne ta ndërmjetësojmë këtë tërësisht pa të paktën disa negociata të drejtpërdrejta midis të dyve, dhe për këtë arsye përqendrohemi”, shtoi Vance.

  • ​Pakistani akuzon Indinë për “akt të dytë agresioni’

    ​Pakistani akuzon Indinë për “akt të dytë agresioni’

    Në një konferencë për media në kryeqytetin Islamabad, një zëdhënës i ushtrisë së Pakistanit ka akuzuar Indinë për “një akt të dytë flagrant agresioni ushtarak” ndaj vendit. Sipas tij, që nga mbrëmja e së mërkurës, Pakistani ka rrëzuar 12 dronë të dërguar nga India.

    Sipas BBC News, Gjenerali Nënkolonel, Ahmed Sharif Chaudry, deklaroi se incidentet kanë ndodhur në qytete kryesore si Rawalpindi, Lahore dhe në një zonë pranë Karaçit, dhe se kanë shkaktuar një viktimë civile dhe një të plagosur. Ai tha se mbetjet e dronëve po mblidhen në të gjithë vendin.

    Ndërkohë, një zëdhënës i autoritetit të aviacionit civil të Pakistanit bëri të ditur se aeroportet kryesore në Karaçi, Lahore, Islamabad dhe Sialkot do të qëndrojnë të mbyllura deri në orën 18:00 me orën lokale, por nuk dha shpjegime për arsyen.

    SHBA dhe OKB u kanë bërë thirrje Pakistanit dhe Indisë të shmangin përshkallëzimin e mëtejmë. Por Pakistani thotë se është viktimë e – sipas fjalëve të tij – një tjetër “provokimi serioz”.

    Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm i Indisë, S. Jaishankar, ka deklaruar se India nuk ka “qëllim të përshkallëzojë situatën” me Pakistanin, por çdo sulm ushtarak ndaj saj “do të përballet me një përgjigje shumë, shumë të vendosur”.

    Jaishankar foli gjatë takimit të 20-të të Komisionit të Përbashkët Indi-Iran në Delhi, ku mirëpriti ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi. Dy vendet po shënojnë 75-vjetorin e Traktatit të Miqësisë Indi-Iran.

    “Po e vizitoni Indinë në një moment kur po reagojmë ndaj një sulmi veçanërisht barbar terrorist”, tha Jaishankar, duke iu referuar sulmit të muajit të kaluar ndaj turistëve indianë në Pahalgam. India ka fajësuar militantët me bazë në Pakistan për këtë sulm, një pretendim që është mohuar nga Islamabadi.

    Jaishankar i tha homologut të tij iranian, “Si fqinj dhe partner është e rëndësishme të keni një kuptim të qartë të situatës”.

    Irani kishte ofruar më herët të ndërmjetësojë mes Indisë dhe Pakistanit, shkruan BBC.

  • Supremja shpall pjesërisht të paligjshme rregulloren e Komunës së Prishtinës

    Supremja shpall pjesërisht të paligjshme rregulloren e Komunës së Prishtinës

    Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike -l platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, paraqitur kundër të paditurës Komuna e Prishtinës dhe palës e tretë N.P.L., “Prishtina Parking” SH.A., me seli në Prishtinë, raporton KP.

    Sips njoftimit, Kolegji i Gjykatës Supreme ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar pjesërisht nenin 1 të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, vetëm në pjesën që ka të bëjë më mënyrën e pagesës, si dhe nenin 14 dhe 15 të kësaj rregullore. Po ashtu ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe “ka shfuqizuar pjesërisht nenin 8 të kësaj Rregulloreje, vetëm në pjesën që ka të bëjë me parking të vizitorëve, në hapësirat rezidenciale, i cili parkim nga vizitorët nuk mund të jetë më herët se ora 16:00 dhe më vonë se ora 18:00.

    “…ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 12 paragrafët 1 dhe 9 të kësaj Rregulloreje; ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 22 paragrafët 1, 8 dhe 9 të kësaj Rregulloreje; ka refuzuar si të pabazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë së paditëses Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, për tej asaj që është gjykuara në pikat -I-, -II-, III-, -IV- dhe -V-, të dispozitivit të këtij aktgjykimi, më të cilën ka kërkuar që të shfuqizohet në tërësi, Rregullorja për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me këtë, sot në orën 13:30, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mban konferencën për media me rastin e pranimit të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme mbi padinë për shfuqizimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.

  • Lëshohen urdhra për përgatitjen e seancës së Apelit ndaj Pjetër Shalës

    Lëshohen urdhra për përgatitjen e seancës së Apelit ndaj Pjetër Shalës

    Pas caktimit të seancave në Gjykatën e Apelit të Speciales për 15 dhe 16 maj 2025 në çështjen ndaj Pjetër Shalës, gjyqtarja Michele Picard ka lëshuar disa urdhra për përgatitjen e kësaj seance, me anë të cilave kërkon nga palët që brenda fushëveprimit të tyre të ngritin disa çështje.

    Në vendimin e 5 majit 2025, thuhet se duke marrë parasysh vendimin e trupit gjykues lidhur me keqtrajtimin kolektiv të të ndaluarve dhe përmirësimin e kushteve të ndalimit dhe trajtimin e të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës menjëherë pas vdekjes së një personi rreth 5 qershorit 1999, të parashtrojnë se cilat të dhëna gjatë gjykimit tregojnë ose kundërshtojnë pretendimet se të ndaluari iu nënshtruan keqtrajtimit kolektiv dhe iu përmirësuan kushtet e ndalimit pas vdekjes së viktimës.

    Duke qenë se mbrojtja ka kundërshtuar dënimin e Shalës për torturë ndaj katër individëve specifik, paneli i Apelit ka kërkuar që pjesëmarrësit të parashtrojnë gjatë seancave se cilat prova të drejtpërdrejta të paraqitura gjatë gjykimit i mbështesin ose i kundërshtojnë këto pretendime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjithashtu, kërkohet që mbrojtja të elaborojë se pse mbështetja e trupit gjykues në ndonjërin nga burimet e së drejtës ndërkombëtare që është përmendur në paragrafët 942 dhe 942 të aktgjykimit për të interpretuar garancitë procedurale bazike të dytë dhe të tretë, sjellja e personit të privuar nga liria përpara një autoriteti kompetent në kohë të shpejtë dhe dhënia e mundësisë për të kontestuar ligjshmërinë, përbën gabim juridik.

    Si rrjedhojë, është kërkuar nga ZPS-ja që të ketë përgjigje në parashtrimin e mbrojtjes lidhur me këtë pjesë.

    Meqenëse trupi gjykues ka arritur në përfundime se të ndaluarit në Fabrikën e Metalit u arrestuan dhe mbaheshin mbi akuza të paqarta si bashkëpunëtorë, spiunë, tradhtarë ose që nuk mbështetësin përpjekjet e UÇK-së për liri, iu është kërkuar palëve që të tregojnë nëse mund të elaborojnë mbi provat e përdorura nga trupi gjykues lidhur mbi këto përfundime.

    “…a mund të elaborojnë Palët: i) mbi provat që u përdorën nga Paneli për të arritur në përfundimin se të ndaluarit në KMF “nuk ishin mbajtur në KMF sipas ndonjë akuze penale dhe se asnjë shqetësim për sigurinë nuk e bënte absolutisht të nevojshme ndalimin e tyre”; dhe ii) të japin mendimin e tyre nëse, në rrethanat e këtij rasti, provat ishin të mjaftueshme për të mbështetur këtë përfundim sipas standardit të duhur?”, thuhet në vendim.

    Gjithashtu është kërkuar që në rast që munden palët të shpjegojnë standardin “Mens rea” i cili është i nevojshëm për krimin e vrasjes dhe si ndikohet ky standard nga mënyra e përgjegjësisë juridike e përdorur veçanërisht tek pjesa e përgjegjësisë së një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

    Po ashtu, të tregohet nëse ZPS-ja mund të elaborojë mbi provat që trupi gjykues ka përdorur për të ardhë në përfundim se Shala kishte qëllime të drejtpërdrejta për kryerjen e krimit të vrasjes si pjesë e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”.

    Veç kësaj, u kërkua të tregohet se a mund të paraqesin palët mendimet e tyre nëse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Salih Mustafës të lëshuar më 17 prill 2025 ndikon në gjetjet e panelit lidhur me dënimin.

    “Paneli i Apelit thekson se parashtresat gojore duhet të mbështeten në gjetjet e Panelit Gjyqësor dhe në provat e regjistruara, kur janë të rëndësishme, si dhe në jurisprudencën përkatëse. Paneli ua kujton palëve dhe pjesëmarrësve se pritet që argumentet e tyre gojore të fokusohen në motivet e apelimit të ngritura në parashtresat e tyre dhe se seanca për apelimin nuk është rast për paraqitjen e argumenteve të reja mbi meritat e çështjes”, thuhet në vendim.

    Veç kësaj, u ftuan palët që sipas rastit të adresojnë gjatë seancës apelimet- çështjet e identifikuara si më sipër.

    Pjetër Shala ka apeluar vendimin e Themelores së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e cila e dënoi me 18 vjet burgim për krime lufte. Si rrjedhojë, 15 dhe 16 maji 2025 janë caktuar për mbajtjen e seancave të Apelit në këtë rast.

    Sipas vendimit, në ditën e parë, seanca do të fillojë nga ora 13:30 deri në 17:10, ndërsa në ditën e dytë nga ora 10:00 deri në 11:35.

    Në vendim thuhet se këto data janë caktuar pasi kanë përfunduar të gjitha afatet për dorëzimin e dosjeve nga palët. Aty thuhet se më 4 shkurt 2025 ka përfunduar dorëzimi i dokumenteve nga palët.

    Sipas agjendës, më 15 maj është planifikuar që 10 minuta të jetë deklarata hyrëse të kryetares së trupit gjykues, pastaj do të vijohet për një orë e 30 minuta me paraqitje nga mbrojtja. Pas pushimit 30 minuta, seanca pritet të vazhdojë për 1 orë e 30 minuta me parashtrimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Parashtrimet e mbrojtjes së viktimave do të bëhen për një orë në fillim të seancës së 16 majit. Pastaj, 20 minuta janë planifikuar hapësirë për mbrojtjen, për përgjigje.

    Të drejtën e fjalës e ka edhe vetë Shala, e që në rast se dëshiron që ta shfrytëzojë këtë të drejtë, i janë planifikuar 10 minuta për këtë.

    Seanca pritet të përfundojë me deklaratën përfundimtare të kryetares së trupit gjykues, e cila është paraparë të zgjasë rreth pesë minuta.

    Veç kësaj, në vendim është udhëzuar mbrojtja që deri më 5 maj në orë 16:00 të tregojë në rast që Shala dëshiron që të marrë pjesë në seancë.

    Ndryshe, më 28 mars 2025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

    Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

    Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

    Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

    Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

    Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Ngërçi politik, presidentja Osmani takon ambasadoren amerikane në detyrë

    Ngërçi politik, presidentja Osmani takon ambasadoren amerikane në detyrë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.

    Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe ecuria e formimit të institucioneve të reja.

    Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat me interes të përbashkët, në veçanti fushën e mbrojtjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

  • Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet anëtare me të drejta të plota e ACCF-së

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet anëtare me të drejta të plota e ACCF-së

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Asociacionin e Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF).

    Vendimi u mor gjatë Kongresit të 10-të të ACCF-së, mbajtur nga 6 deri më 8 maj 2025 në Bukuresht, Rumani.

    Ky anëtarësim forcon më tej bashkëpunimin ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila tashmë është pjesë e Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese dhe një nga themelueset e Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese.

  • Zeqiri: Bllokimi i Kuvendit po rrezikon pagat në Komunën e Zubin Potokut

    Zeqiri: Bllokimi i Kuvendit po rrezikon pagat në Komunën e Zubin Potokut

    Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po shkakton telashe serioze edhe në nivel lokal.

    Për tri komunat, Zubin Potok, Prishtinë dhe Gjilan, ky ngër politik po rrezikon funksionimin normal të tyre.

    Për pasojat konkrete në Komunën e Zubin Potokut ka folur kryetari Izmir Zeqiri.

    Ai theksoi se situata është tejet shqetësuese, sa rrezikohen edhe pagat për shërbyesit komunalë.

    “Neve, tri komuna të Republikës së Kosovës, jemi me probleme të njëjta. Por po flas specifikisht për komunën time , kjo na ka shkaktuar telashe të mëdha sepse nuk kemi mundur të ecim përpara me projektet kapitale. Dyshojmë se mund të rrezikohen edhe pagat e personelit dhe shërbyesve komunalë, sepse Kuvendi nuk është ulur që nga nëntori i vitit të kaluar, dhe kjo na sjell probleme serioze”, tha Zeqiri.

  • Haradinaj kujton komandant Drinin dhe të rënët e 8 majit

    Haradinaj kujton komandant Drinin dhe të rënët e 8 majit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot komandant Ekrem Rexhën – Drini, një prej emrave më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë më 8 maj.

    “Ekrem Rexha – Drini, ishte ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me aftësitë e tij si udhëheqës dhe vizionar, la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lavdishme. I afërt dhe i respektuar nga të gjithë, humbja e tij ishte një goditje e madhe për vendin dhe një dhimbje e thellë për familjen dhe bashkëluftëtarët,” shkruan Haradinaj në një postim në Facebook.

    Ai përkujtoi gjithashtu sakrificën e banorëve të fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, të cilët më 8 maj të vitit 1999, u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot.

    Në përvjetorin e kësaj date, Haradinaj përkujtoi edhe Betejën e Llapushnikut, të zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998, një ndër betejat që ndryshoi rrjedhën e luftës çlirimtare duke i ndërprerë armikut një ndër arteriet kryesore të furnizimit.

    “Me përulje e respekt kujtojmë dhe nderojmë 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës. Njëkohësisht, në ditën e tyre kujtojmë dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë,” u shpreh Haradinaj.

    “Gjaku i tyre u bë themel i lirisë sonë, dhe kujtimi për ta do të mbetet i gjallë brez pas brezi. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!”, përfundoi Haradinaj.

  • Dënohet me një vit burg e akuzuara për vdekjen e këmbësorit në Prishtinë

    Dënohet me një vit burg e akuzuara për vdekjen e këmbësorit në Prishtinë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Yllka Berishës, duke e dënuar me 1 vit burgim dhe dënim plotësues ndalimi i drejtim të automjetit në kohëzgjatje prej dy vitesh, për akuzën se shkaktoi aksident më 26 shkurt të vitit të kaluar, ku mbeti i vdekur një këmbësor.

    Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten, gjyqtari Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjyqtari Berisha njoftoi se të akuzuarës Berisha në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Ndaj vendimit të Themelores, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 17 korrik 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e akuzuara Yllka Berisha më 26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, nga pakujdesia e derisa ishte duke ngasur veturën e saj, ka vepruar në kundërshtim me nenin 53 LRTRR-së, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë gjatë kthimit gjysmërrethor, duke mos u siguruar se një veprim i tillë mund të paraqes rrezik jo vetëm për veten e vet, por edhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik dhe duke mos pasur përqendrimin e duhur rreth drejtimit të automjetit, nuk kishte marrë harkun e nevojshëm për kthim gjysmërrethor në mënyrë të sigurt.

    Aktakuza thotë se në kthim e sipër duke parë rrezikun frenon vrullshëm dhe nuk mund të ndalet, vazhdon derisa kalon mbi trotuar dhe mbi shtegun për çiklistë, pastaj vazhdon derisa me pjesën ballore të automjetit e kishte goditur shtyllën e semaforit që është ngjitur me vendkalim të këmbësorëve, me atë rast shtylla e semaforit ishte anuar dhe si pasojë me pjesën e sipërme e kishte goditur në kokë kembësorin- tani të ndjerin Sh.H., i cili në atë moment ishte duke qëndruar në vendkalim të këmbësorëve në afërsi të semaforit, me qëllim që të kalojë rrugën. Si pasojë e aksidentit, këmbësori kishte pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja vdekje në vendin e aksidentit.

    Për këto veprime, e akuzuara Berisha ngarkohej me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par.9 lidhur par 6 dhe par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.