ATV

Category: Lajme

  • Dorëzimi i kallëzimeve penale kundër Kurtit, Zogiani i reagon LDK-së: U shkoi jeta pa asnjë kauzë

    Dorëzimi i kallëzimeve penale kundër Kurtit, Zogiani i reagon LDK-së: U shkoi jeta pa asnjë kauzë

    Zëvendësministri në detyrë i Financave, Avni Zogiani, reagoi ndaj LDK-së e cila sot ka dorëzuar sot në prokurori 17 kallëzime penale ndaj Albin Kurtit dhe ministrave të tij,.

    Ai tha se kjo parti po merret me veprime të vogla.

    “U shkoi jeta pa asnjë kauzë, veç me veprime të vogëla që lidhen me interesa të mbyllura e të ngushta! Gjynah!”, shkroi në fb, Zogiani.

  • Turqia do të marrë përsëri drejtimin e KFOR-it në Kosovë

    Turqia do të marrë përsëri drejtimin e KFOR-it në Kosovë

    Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, ka ka bërë të ditur se ky shtet ka përmbushur me sukses detyrën e Komandës së KFOR-it gjatë periudhës tetor 2023–2024, dhe njofton se do ta marrë sërish këtë detyrë për një periudhë njëvjeçare duke filluar nga tetori i vitit 2025.

    “Vendi ynë, i cili e ka kryer me sukses detyrën e Komandës së Forcës Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) gjatë periudhës tetor 2023–2024, do ta marrë përsëri këtë detyrë për një vit duke filluar nga tetori i vitit 2025.”

    Turqia, e cila ka përmbushur me sukses detyrën e Komandës së KFOR-it gjatë periudhës tetor 2023–2024, do ta marrë sërish këtë detyrë për një periudhë njëvjeçare duke filluar nga tetori i vitit 2025.

  • ​Nga 5 maji ndalohen bllokimet e gjobat arbitrare nga Prishtina Parking

    ​Nga 5 maji ndalohen bllokimet e gjobat arbitrare nga Prishtina Parking

    Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme me të cilin është aprovuar padia e datës 10 mars 2025, për shfuqizimin e pjesshëm të rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.

    Nga data 5 maj e tutje, ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, nuk do të ketë kompetenca për bllokim të veturave.

    Në një konferencë për media, hulumtuesi pranë organizatës GLPS, Liridon Salihi ka bërë të ditur se nëntë dispozita të aktit nënligjor të rregullores së Prishtina Parkingut janë në kundërshtim me të drejtat kushtetuese.

    “Nga data 5 maj e tutje Prishtina Parking, nuk ka asnjë kompetencë që të vendosë bllokada për shkak të mos pagesës së tarifës së parkingut nga ana e qytetarëve. Gjykata supreme ka vlerësuar se lirimi i Ndërmarrjes “Prishtina Parking” nga përgjegjësia për kompensimin e dëmeve që eventualisht mund të shkaktohen nga personeli i saj në vend parkingjet publike, është i kundërligjshëm. Pretendimi jonë si palë paditëse është e kundërligjshme që një ndërmarrje publike vetëm të përfitoj nga ana e qytetarëve dhe të mos jap asnjë garanci për dëmet. Prishtina Parking nuk ka asnjë kompetencë ligjore që të bëjë as bllokimin, as debllokimin dhe as bartjen e veturave që nuk paguajnë tarifën e parkingut, kjo kompetencë është direkt e policisë dhe inspektoratit”, tha Salihi.

    Ndërsa, hulumtuesja Ema Pula u shpreh se gjetjet e gjykatës sipas padisë së tyre, do të shërbejnë si precedent për të gjitha komunat e Kosovës.

    “Ky vendim i Gjykatës Supreme është një fitore e madhe për misionin e Qendrës në mbrojtjen e interesit publik nga aktet nënligjore të kundërligjshme të autoriteteve publike, dhe gjetjet e gjykatës sipas padisë sonë do të shërbejnë si precedent për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me rastin e miratimit të Rregulloreve për menaxhimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve publike”, u shpreh Pula.

    Nga Gjykata Supreme si dispozita të kundërligjshme dhe që cenojnë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë vlerësuar dispozitat e rregullores që përcaktojnë: kompetencën e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” të vendosë bllokada në vetura për shkak të mos pagesës së tarifës së parkingut; lirimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” nga përgjegjësia për kompensimin e dëmeve që eventualisht mund të shkaktohen nga personeli i saj në vend parkingjet publike; kompetencën e “Prishtina Parking” për bllokim, debllokim dhe bartje te veturave që nuk paguajnë tarifën e parkingut; kompetencën e “Prishtina Parking” për të menaxhuar me rastet e parkimit ilegal të veturave; kufizimin e kohës për shfrytëzimin e vend parkingjeve rezidenciale nga ana e vizitorëve dhe kufizimin e qasjes së qytetarëve në shërbime publike – vend-parkingje – duke lënë si mundësi të vetme pagesën përmes telefonit.

    Kujtojmë, më 10 mars 2025, GLPS kishte dorëzuar padi për shfuqizimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar nga Gjykata Supreme shfuqizimin e rregullores. /kp

  • KQZ-ja nuk e regjistroi partinë e re Lidhja Kosovare, nuk iu referua emrit kushtetues Republika e Kosovës

    KQZ-ja nuk e regjistroi partinë e re Lidhja Kosovare, nuk iu referua emrit kushtetues Republika e Kosovës

    Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e regjistroi partinë e re, Lidhja Kosovare (Kosovski Savez) e drejtuar nga Goran Marinkoviq, raporton EO.

    Pesë vota ishin për dhe katër abstenime. Kësisoj u refuzua rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e partive politike për regjistrimin e kësaj partie të re.

    Më parë, në mbledhjne KQZ-së, anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, bëri vërejtje te pjesa e programit politik të Lidhjes Kosovare se Kosovës nuk i referohet me emrin kushtetues Republika e Kosovës

    “Kosova nuk është term gjeografik, por është shtet”, tha Krasniqi.

    KQZ-ja hoqi nga rendi i ditës pezullimin e partisë politike Kosova Adalet Türk Partisi, për shkak se nuk e kishte dorëzuar brenda afatit ligjor, deri më 28 prill 2025, raportin e deklarimit financiar të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Siç u tha në mbledhje, pas këtij afati kjo parti ka dorëzuar raportin për deklarimin financiar të fushatës zgjedhore dhe rrjedhimisht kanë pushuar arsyet për pezullimin e saj. Ndaj këtij subjekti politik, për shkak të mosdorëzimit të raportit financiar të fushatës brenda afatit ligjor, më 2 maj 2025, Zyra ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurove.

  • ​Filarmonia e Kosovës do të performojë për herë të parë në Bullgari

    ​Filarmonia e Kosovës do të performojë për herë të parë në Bullgari

    Filarmonia e Kosovës do të performojë në Bulgari Hall në Sofje më 17 maj.

    Kjo është vizita e parë e orkestrës në Bullgari dhe koncerti shënon 25-vjetorin e themelimit të saj. Ngjarja simbolizon afrimin kulturor mes Kosovës dhe Bullgarisë, tha Filarmonia e Sofjes, raporton BTA, përcjell KosovaPress.

    Dirigjent do të jetë Maestro Nayden Todorov, i cili ka lidhje të ngushta me historinë muzikore të Kosovës. Atij do t’i bashkohen sopranoja Besa Llugiqi dhe saksofonisti Vitaly Vatulya si solistë.

    Në program do të shfaqen vepra nga Rexho Mulliqi – Baresha (Bariesha), Valton Beqiri – AlBalkanika, Giacomo Puccini – Un bel dì, vedremo (nga Madama Butterfly), Giuseppe Verdi – Overture to Nabucco-s dhe È strano… Semper libera (nga Lajmeti 2 dhe 2013) Manuel de Falla – Kapela me tre cepa, suita numër dy.

  • Kallëzimi penal ndaj Kurtit dhe ministrave, LDK lëshon komunikatë për media

    Kallëzimi penal ndaj Kurtit dhe ministrave, LDK lëshon komunikatë për media

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalur me komunikatë për media pasi sot kanë dorëzuar zyrtarisht kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe të gjithë ish-ministrave të Qeverisë së kaluar të cilët janë zgjedhur deputetë.

    Në pretendimin e LDK-së thuhet se Kurti me ministrat e tij kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

    “Sot, deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dorëzuar zyrtarisht kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe të gjithë ish-ministrave të Qeverisë së kaluar të cilët janë zgjedhur deputetë, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, i shkruar dhe miratuar nga vet ky pushtet, si dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Pas certifikimit të tyre si deputetë më 27 mars, këta zyrtarë kanë vazhduar të ushtrojnë funksione ekzekutive, duke marrë vendime të një natyre që ndalohet qartësisht nga neni 26 i Ligjit për Qeverinë, i cili kërkon dorëheqje të detyrueshme nga pozita qeveritare në rast të certifikimit si deputet. Duke mos u larguar nga funksionet ekzekutive dhe duke vazhduar të përdorin burimet institucionale të shtetit, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë prodhuar pasoja konkrete institucionale, financiare dhe juridike.

    Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe konsumojnë elementet e veprës penale të nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Deputetët e LDK-së kërkojnë nga Prokuroria që të nisë hetime penale ndaj të gjithë të dyshuarëve, të shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria pas datës së certifikimit si dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar përgjegjësi penale dhe politike.

    Kjo është një thirrje e qartë për përgjegjësi ligjore dhe integritet institucional. Për LDK-në askush, pavarësisht funksionit, nuk mund të vendoset mbi ligjin. Republika e Kosovës duhet të funksionojë mbi themelet e barazisë para ligjit dhe ndarjes së pushteteve” thuhet në njoftimin e LDK-së.

  • Parlamenti ukrainas ratifikon marrëveshjen për minerale me SHBA-të

    Parlamenti ukrainas ratifikon marrëveshjen për minerale me SHBA-të

    Parlamenti ukrainas ratifikoi marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për shfrytëzimin e burimeve minerale të vendit.

    Marrëveshja është pjesë e kuadrit më të gjerë të një fondi të përbashkët investimi për rindërtimin e Ukrainës, siç u njoftua të mërkurën e kaluar nga Departamenti i Thesarit i SHBA-ve.

    Fondi synon të mbështesë sektorët strategjikë ekonomikë të vendit të shkatërruar nga lufta dhe konsiderohet nga Kievi si thelbësor për ruajtjen e ndihmës ushtarake amerikane.

    Kujrojmë se Donald Trump i ka kërkuar vazhdimisht Ukrainës të kompensojë SHBA-të për miliarda dollarë të ndarë për mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.

    Arritja e një marrëveshjeje ekonomike si ajo me mineralet vepron gjithashtu si një përgjigje ndaj këtyre presioneve.

    Ukraina zë një vend të rëndësishëm në hartën globale të lëndëve të para. Përpara pushtimit rus të vitit 2022, mineralet si bakri, nikeli, litiumi dhe titaniumi përbënin 6.1% të PBB-së dhe 30% të eksporteve të vendit.

  • ​Realizohet fluturimi i parë certifikues në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

    ​Realizohet fluturimi i parë certifikues në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

    Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) pritet të shndërrohet në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.

    Sot u krye fluturimi i parë certifikues dhe u certifikua pista e aeroportit, e punimet do të vijojnë për ta bërë operacional me të gjitha shërbimet gjatë verës, sipas ATSH.

    Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    Ky aeroport do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit.

    Aeroporti po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë.

    Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.

    Ai është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike.

  • Stërvitje me litarë dhe zhytje: KFOR dhe Shoqata Malore zhvillojnë trajnim të përbashkët

    Stërvitje me litarë dhe zhytje: KFOR dhe Shoqata Malore zhvillojnë trajnim të përbashkët

    Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar trajnim të përbashkët me pjesëtarët e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

    Qëllimi i stërvitjes siç thuhet, ishte rritja e gatishmërisë për menaxhimin e emergjencave dhe forcimi i bashkëpunimit mes trupave të KFOR-it dhe ekipeve vendore të reagimit të parë. Trajnimi përfshiu kujdes mjekësor emergjent, shpëtim në lartësi, zbritje me litar dhe trajnim për zhytës.

    “KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë. KFOR vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX”, shkruhet tutje në njoftimin e KFOR-it në Facebook.

  • Sllovakia kundërshton planin e BE-së për të ndërprerë importet e gazit rus

    Sllovakia kundërshton planin e BE-së për të ndërprerë importet e gazit rus

    Sllovakia e hedh poshtë planin e Komisionit Evropian (KE) për të ndaluar importet e gazit dhe produkteve të tjera energjetike nga Rusia, tha sot kryeministri i saj Robert Fico, duke shtuar se masat janë “të papranueshme në këtë formë” për qeverinë sllovake.

    KE njoftoi dje se do të propozojë masa legjislative javën e ardhshme për të ndaluar plotësisht importet e gazit natyror rus dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) deri në fund të vitit 2027. Plani vlen edhe për importet e naftës dhe përfshin masa tregtare për uraniumin e pasuruar rus.

    Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të BE-së për t’i dhënë fund varësisë së saj energjetike prej dekadash nga Rusia, pasi ajo nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Fico tha se mbështet përpjekjet për të zvogëluar varësinë nga vendet e treta, por se propozimet e Komisionit do të dëmtojnë BE-në, do të rrisin çmimet e energjisë dhe do të kërcënojnë konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian.

    Kryeministri sllovak e quajti atë “vetëvrasje ekonomike” për shkak të “Perdes së re të Hekurt”. Ai njoftoi se Bratislava do të kërkonte ndryshime në planin e KE-së.

    Propozimet e Komisionit në qershor do të duhet të marrin mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe një shumice të kualifikuar të shteteve anëtare, që do të thotë se kundërshtimi nga një ose dy shtete anëtare nuk do ta ndalojë planin.

    Sllovakia mbështetet në gazin rus dhe është në një mosmarrëveshje me Ukrainën për shkak të vendimit të Kievit në fund të vitit të kaluar për të mos rinovuar një kontratë me Rusinë, duke ndaluar rrjedhën e gazit përmes territorit të saj drejt perëndimit.

    Rreth 19 për qind e gazit të Evropës vjen ende nga Rusia nëpërmjet tubacionit TurkStream dhe terminaleve të gazit natyror të lëngshëm. Në vitin kur Rusia nisi pushtimin e saj, kjo përqindje ishte 45 për qind.

    BE-ja ka vendosur sanksione mbi shumicën e importeve të naftës ruse, por jo mbi gazin, për shkak të kundërshtimit nga Sllovakia dhe Hungaria, vende që janë më pro-Kremlinit dhe të varura nga energjia ruse.