ATV

Category: Lajme

  • Çeku: Sportistët e Lojërave Mesdhetare do të akomodohen në konviktet ekzistuese të Prishtinës

    Çeku: Sportistët e Lojërave Mesdhetare do të akomodohen në konviktet ekzistuese të Prishtinës

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për Lojërat Mesdhetare 2030 është vendosur që sportistët të akomodohen në konviktet ekzistuese në Prishtinë, të cilat do të modernizohen për këtë qëllim.

    Ai deklaroi se vendimi është marrë në dakordim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që ka rekomanduar shmangien e ndërtimit të objekteve të reja të mëdha.

    “Nuk është qëndrim, është dakordim me ISMGJ-në, sepse kur e kanë vizitu ata Kosovën në fazën e aplikimit edhe i kanë pa konviktet, e kanë pa menzën, sallën një tetor dhe sallat e edukatës fizike të shkollave në një perimetër të caktuar të asaj zone, kanë thënë që kjo i plotëson kushtet, por duhet të rritet kapaciteti. Pra duhet të shtohet numri i dhomave, i shtretërve, për t’i akomoduar rreth pesë mijë sportistë dhe të tjerë që marrin pjesë në 2030,” tha Çeku.

    Ai tha se shumë shpejt do të fillojë partneriteti me Agjencinë Zhvillimore Franceze për realizimin e investimit në modernizimin e konvikteve dhe infrastrukturës përcjellëse.

    “Shumë shpejt fillon faza e partneritetit me Agjencinë Zhvillimore Franceze, fillimisht hartohet projekti, sepse aty nuk ka vetëm modernizim të kullave ekzistuese në konvikte, ka edhe infrastrukturë përcjellëse për ushtrime, përgatitje të atyre sportistëve që qëndrojnë aty dhe investim në rreth njëmbëdhjetë salla të edukatës fizike të shkollave në zonën afër,” u shpreh Çeku.

    Deklaratën e plotë të Hajrulla Çekut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Çeku i përgjigjet Përparim Ramës për akuzat se ka bllokuar objektet

    Çeku i përgjigjet Përparim Ramës për akuzat se ka bllokuar objektet

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, u përgjigj ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se ka bllokuar projektet në kryeqytet, duke theksuar se veprimet janë bërë sipas ligjit për mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

    Ai tha se institucionet që kujdesen për trashëgiminë nuk ndalojnë zhvillimin, por e kontrollojnë për të mos dëmtuar vlerat kulturore.

    “E ana jonë, vetëm politik nuk po bëhet me këto çështje, sepse mënyra se si vepron mekanizmi i trashëgimisë kulturore, ku përfshihet një numër i madh i institucioneve nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë në Prishtinë, te Instituti i Monumenteve, te Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore dhe mekanizma të tjerë përkatës. Është ky i njëjti, kështu ka vepruar në këtë mandat, kështu ka vepruar edhe më herët, pra po flasim për institucionet e trashëgimisë kulturore që kujdesen për zonat e mbrojtura, mbi një mijë e pesëqind të tilla në gjithë Kosovën dhe sa herë që ka zhvillime brenda këtyre zonave të mbrojtura këto institucione kujdesen që ato zhvillime, ato projekte nuk e cenojnë monumentin,” tha Çeku.

    Sipas tij, shteti ka për detyrë të sigurohet që projektet në zonat e mbrojtura të jenë të kontrolluara dhe të mos dëmtojnë vlerat historike.

    “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk nënkupton ndalim të zhvillimit, përkundrazi, vetëm se ky është një zhvillim i kontrolluar, sepse shteti kur e shpall një monument dhe një zonë në mbrojtje, e shpall për një arsye të caktuar historike, kulturore dhe të tjera. Prandaj, e ka për detyrë me u kujdes se çfarëdo që ndodhë brenda asaj zone është kontrolluar në mënyrë që mos cenohen këto vlera të cilat shteti i ka shpallë si vlera,” u shpreh Çeku.

    Deklaratën e plotë të Hajrulla Çekut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Çeku: Nuk jemi për zgjedhje si opsion i parë, por nëse s’ka qeveri, ato janë të pashmangshme

    Çeku: Nuk jemi për zgjedhje si opsion i parë, por nëse s’ka qeveri, ato janë të pashmangshme

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zgjedhjet nuk janë opsioni i parë për ta zgjidhur krizën, por nëse nuk formohet qeveria, atëherë ato bëhen të domosdoshme.

    Ai tha se duhet të lëvizin afatet kushtetuese pas konstituimit të Kuvendit, për të parë nëse është e mundur formimi i qeverisë.

    “Çfarë po themi ne, përveç asaj që zgjedhjet, natyrisht nëse mbeten si opsion i fundit, duhet ta bëjmë edhe atë, atë rrugëtim. Mirëpo ne nuk jemi për zgjedhje si opsioni i parë. Ne duhet të sigurohemi që lëvizin afatet kushtetuese dhe këtu afati i parë kushtetues që lëviz pas konstituimit të Kuvendit është që për Qeverinë. Është ai i mandatarit. Është dyjavshi i parë i fituesit të zgjedhjeve, pastaj është e drejta e presidentes për t’ia dhënë sërish të parit ose dikujt tjetër. Pra, në momentin që konstituohet Kuvendi, fillojnë afatet, nëse brenda atyre afateve nuk kemi qeveri, atëherë detyrimisht do të shkojmë në zgjedhje,” tha Çeku.

    Sipas tij, nesër është një mundësi e rëndësishme për deputetët që të zhbllokojnë situatën.

    “Fillimisht duhet ta bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe nesër është edhe një mundësi për partitë tash kushtimisht opozitë, sepse për momentin aty të gjithë janë të barabartë, janë deputetë, njëqind e njëzet, për ta zhblloku këtë situatë dhe për të ecur tutje,” deklaroi Çeku.

    Deklaratën e plotë të Hajrulla Çekut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Amerikani Robert Prevost zgjidhet Papa i ri

    Amerikani Robert Prevost zgjidhet Papa i ri

    Kardinalët e Kishës Katolike kanë zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut. Me daljen e tymit të bardhë nga Vatikanit, u bë e qartë se procesi i votimit ka përfunduar me sukses.

    Pas votimeve të mbajtura në Kapelën Sistine, është konfirmuar se Papa i ri është amerikan, Robert Prevost.

    Ndonëse në momentin e parë nuk u bë menjëherë publik emri, shenjat ishin të qarta – tymi i bardhë u ngrit mbi Vatikan, sinjal i zgjedhjes së re.

    Emri i Prevost u konfirmua brenda orës, pasi ai doli në ballkonin e Kapelës për t’u paraqitur si udhëheqësi i ri i Selisë së Shenjtë.

  • Çeku: Presidentja ka bërë përpjekje për zgjidhje, por përgjegjës janë 120 deputetët

    Çeku: Presidentja ka bërë përpjekje për zgjidhje, por përgjegjës janë 120 deputetët

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ftesa e Presidentes Osmani ka qenë përpjekje për ta zhbllokuar situatën politike, por përgjegjësia qëndron mbi të gjithë deputetët.

    Sipas Çekut, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për dialog, partitë politike nuk kanë treguar vullnet për lëvizje nga pozicionet e tyre.

    “Ne deri tash i kemi bërë disa përpjekje për të ofru zgjidhje, alternativa dhe mundësi për të dalë nga kjo situatë, e cila është një situatë e papëlqyeshme, duhet meqë të pranuar, por megjithatë është një situatë për të cilën kam përgjegjësi të njëqind e njëzet deputetët e zgjedhur, pra po flasim edhe për vetë Kushtetutën edhe për aktgjykimet e Kushtetutës edhe për një letër të Presidentes në fillim të përpjekjes për konstituim, është përgjegjësi e të gjithëve, prandaj edhe zgjidhja duhet të gjendet aty, brenda, në Kuvend,” tha Çeku.

    Ai shtoi se përpjekja e fundit për ta zgjidhur krizën ishte ideja për një votim të fshehtë në Kuvend.

    “Ne kemi bërë disa përpjekje edhe për dialog politik me grupet politike të përfaqësuara në Kuvend. kemi pasë ose refuzime për të ulur dhe për të biseduar ose takime të cilat nuk kanë dhënë rezultate, pra refuzim total për të lëvizur nga ky pozicion. Përpjekja jonë e fundit është votimi i fshehtë, pra një mundësi që vullnetet të jenë totalisht të lira,” deklaroi Çeku.

    Deklaratën e plotë të Hajrulla Çekut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​KE përgatit listën e produkteve amerikane për vendosjen e tarifave

    ​KE përgatit listën e produkteve amerikane për vendosjen e tarifave

    Komisioni Evropian ka nisur një konsultim publik për një listë të produkteve që importon nga SHBA-ja, ndaj të cilave mund të vendosë kundërmasa në përgjigje të tarifave amerikane nëse negociatat aktuale midis dy palëve nuk çojnë në një rezultat reciprokisht të dobishëm.

    Në të njëjtën kohë, KE nisi një mosmarrëveshje përpara Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) mbi tarifat dhe detyrimet reciproke të SHBA-së për automjetet dhe pjesët e tyre.

    KE ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë për konsultime, duke hapur kontestin para OBT-së, raporton KP.

    Ai thekson se tarifat e SHBA-së shkelin rregullat themelore të OBT-së dhe duke nisur mosmarrëveshjen ajo dëshiron të dërgojë një mesazh se sa e rëndësishme është të respektohen rregullat ndërkombëtare që anëtarët nuk mund t’i injorojnë në mënyrë të njëanshme.

    Lista e vendosur për konsultim ka të bëjë me importet nga SHBA me vlerë 95 miliardë euro, që mbulojnë një gamë të gjerë produktesh industriale dhe bujqësore.

    Ndër të tjera, rreth 6.4 miliardë euro kanë të bëjnë me importet e produkteve bujqësore dhe ushqimore, 10.5 miliardë për avionët, 10.3 miliardë për pjesët e automjeteve, 12.9 miliardë euro për produktet kimike dhe plastika, 7.2 miliardë për pajisjet elektrike dhe gati 12 miliardë për makineritë.

    Objekt i konsultimit publik, i cili do të jetë i hapur deri më 10 qershor, do të jenë kufizimet e mundshme për eksportin e disa produkteve nga BE-ja në SHBA, si mbetjet e çelikut dhe produkteve kimike me vlerë 4.4 miliardë euro.

    Bazuar në rezultatet e diskutimit publik, KE do të përgatisë një propozim për vendim dhe do të fillojë procedurën e miratimit nëse negociatat dështojnë.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 2 prill, vendosi tarifa reciproke 20 për qind për importin e mallrave nga BE-ja. Para kësaj, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 25 për qind për të gjitha importet e automjeteve dhe pjesëve të automjeteve, si dhe për importet e çelikut dhe aluminit.

    Më 9 prill, Trump njoftoi se po pezullonte tarifat reciproke 20 për qind për importet nga BE për 90 ditë dhe në vend të kësaj prezantoi tarifa 10 për qind që janë ende në fuqi sot. Tarifat për çelikun dhe aluminin, si dhe për automobilat dhe pjesët e automobilave, gjithashtu mbetën në fuqi.

    Ndërkohë BE-ja ra dakord për një kundërpërgjigje ndaj tarifave për çelikun dhe aluminin, më pas i pezulloi ato më 14 prill për t’i dhënë një shans negociatave.

    Aktualisht, 70 për qind e eksporteve evropiane në SHBA, 379 miliardë euro, i nënshtrohen tarifave të reja që kur administrata e re amerikane mori detyrën.

  • ​Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Italisë

    ​Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Italisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini.

    Osmani gjatë takimit ka përmendur raportet e mira midis dy vendeve mike dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në shtet-ndërtimin dhe forcimin e pozitës së shtetit tonë në fushën ndërkombëtare.

    Në takim u theksua rëndësia e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit reciprok në fusha të ndryshme, si dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

    Po ashtu, u nënvizua rëndësia jetike e ecjes përpara në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës, raporton KP.

  • ​Rritet numri i turistëve, ja cila është komuna më e vizituar

    ​Rritet numri i turistëve, ja cila është komuna më e vizituar

    Në mars të këtij viti, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj në hotele ishte 40 mijë e 239, prej tyre 37. 4 për qind ishin vendorë dhe 62.5 për qind ishin vizitorë të jashtëm, raporton KosovaPress.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me muajin mars të vitit 2024 sa ishin 39 mijë e 374 vizitorë, në marsin e këtij viti kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 2.2 për qind.

    “Numri i net-qëndrimeve ishte 84 mijë e 462, prej tyre 39,7 për qind nga vendorët dhe 60,2% nga të huajt”, njofton ASK.

    Numri i vizitorëve të brendshëm dhe net qëndrimet e tyre në hotele sipas rajoneve

    Sipas ASK-së, numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm në hotele e ka rajoni i Prishtinës me 4 mijë 931 vizitorë. Ndërkaq, me net-qëndrime, numrin më të madh e ka rajoni i Pejës më 14 mijë e 562 net-qëndrime.

    Numri i vizitorëve të jashtëm dhe net qëndrimet e tyre në hotele sipas shteteve prej nga vijnë

    Numri më i madh i vizitorëve ishte nga: Shqipëria, Turqia, Gjermania, Zvicra etj.

    “Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (Mars 2024) ka rritje të numrit të vizitorëve për 4.7 për qind. Në total, 25 mijë e 173 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga: Shqipëria, Turqia, Gjermania, Zvicra etj”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për kuvend dhe qeveri funksionale

    Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për kuvend dhe qeveri funksionale

    Tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Kosova vazhdon të ketë ngërç institucional kjo për faktin se për të dymbëdhjetën herë me radhë deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

    Situata e krijuar ka nxitur reagime të shumta.

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për një angazhim të menjëhershëm nga liderët politikë të Kosovës për të formuar një Kuvend dhe një qeveri funksionale.

    Ambasadori ka theksuar se pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet e fundit është koha për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të siguruar stabilitetin institucional të vendit.

    “Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesin kombëtar”, ka deklaruar ambasadori Hargreaves për Telegrafin.

  • Bill Gates do t’i dhurojë 200 miliardë dollarë për më të varfrit deri në vitin 2045

    Bill Gates do t’i dhurojë 200 miliardë dollarë për më të varfrit deri në vitin 2045

    Bill Gates premtoi të enjten se do ta dhurojë pothuajse të gjithë pasurinë e tij personale gjatë dy dekadave të ardhshme.

    Siç tha, rreth 200 miliardë dollarë do të shkojnë për më të varfrit e botës përmes fondacionit të tij, në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po shkurtojnë ndihmën ndërkombëtare.

    Filantropi 69-vjeçar dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it tha se po përshpejton planet për të ndarë pasurinë dhe për ta mbyllur Fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.

    “Njerëzit do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdes, por jam i vendosur që ‘vdiq i pasur’ të mos jetë njëra prej tyre”, shkroi Gates në një postim në faqen e tij të internetit.

    “Ka shumë probleme urgjente që duhen zgjidhur për të mbajtur burime që mund të ndihmojnë njerëzit”, theksoi ai.

    Në një kritikë të tërthortë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për shkurtimet në ndihmën e jashtme të Shteteve të Bashkuara – donatori më i madh në botë – Gates tha se dëshiron të ndihmojë në parandalimin e vdekjeve të foshnjave, fëmijëve dhe nënave nga shkaqe të shmangshme, të luftojë sëmundje si poliomieliti, malaria dhe fruthi, dhe të reduktojë varfërinë.

    “Është e paqartë nëse vendet më të pasura të botës do të vazhdojnë të mbrojnë më të varfrit”, shtoi ai, duke përmendur shkurtimet e ndihmave edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

    Gates theksoi se, pavarësisht buxhetit të madh të fondacionit, përparimi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverive.

    Ai vlerësoi reagimin e disa vendeve afrikane ndaj shkurtimit të ndihmave, të cilat kanë rialokuar buxhetet e tyre, por theksoi se, për shembull, poliomieliti nuk mund të çrrënjoset pa financimin nga SHBA.

    Gates e bëri njoftimin me rastin e 25-vjetorit të themelimit të fondacionit, të cilin e krijoi në vitin 2000 me ish-bashkëshorten e tij, Melinda French Gates, dhe më vonë iu bashkua investitori Warren Buffett.

    “Kam ardhur shumë larg që nga koha kur isha një djalë që nisja një kompani software-i me shokun tim nga shkolla e mesme”, tha ai.

    Që nga krijimi, fondacioni ka dhuruar 100 miliardë dollarë, duke ndihmuar në shpëtimin e miliona jetëve dhe mbështetur iniciativa si grupi për vaksinim Gavi dhe Fondi Global për Luftimin e HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries.

    Sipas Gates, fondacioni do të mbyllet pasi të ketë shpenzuar rreth 99% të pasurisë së tij personale. Fillimisht, themeluesit kishin parashikuar që fondacioni të vazhdonte për disa dekada pas vdekjes së tyre.

    Gates, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 108 miliardë dollarë, pret që fondacioni të shpenzojë rreth 200 miliardë dollarë deri në vitin 2045, me shifrën përfundimtare që do të varet nga tregjet dhe inflacioni.

    Fondacioni tashmë është një nga aktorët më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë globale, me një buxhet vjetor që pritet të arrijë në 9 miliardë dollarë deri në vitin 2026.

    Ai ka përballuar kritika për fuqinë dhe ndikimin e tepërt në këtë fushë, pa llogaridhënie të mjaftueshme – përfshirë edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

    Gates ka qenë gjithashtu objekt i teorive të konspiracionit, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19.

    Ai ka zhvilluar disa biseda me presidentin Trump muajt e fundit lidhur me rëndësinë e vazhdimit të investimeve në shëndetin global.

    “Shpresoj që edhe njerëzit e tjerë të pasur të mendojnë se sa shumë mund të përshpejtojnë përparimin për më të varfrit e botës, nëse rrisin ritmin dhe shkallën e dhurimeve të tyre, sepse është një mënyrë jashtëzakonisht e fuqishme për t’i dhënë diçka pas shoqërisë”, shkroi Gates. /REL