ATV

Category: Lajme

  • ​LDK dorëzon sot kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave që u zgjodhën deputetë

    ​LDK dorëzon sot kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave që u zgjodhën deputetë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të dorëzojë sot, më 8 maj, kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që u betuan si deputetë.

    LDK-ja ka bërë të ditur se kallëzimi ka të bëjë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe “tejkalim të autorizimeve ndaj ish-kryeministrit Kurti dhe ish-ministrave, të rizgjedhur deputetë”.

    Kallëzimi do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës në orën 13:15.

    Dy javë më parë, LDK kishte bërë të ditur se do të ndërmarrë një veprim të tillë.

    Deputetja Hykmete Bajrami pati thënë se Kurti dhe ministrat në detyrë kanë bërë shkelje duke ushtruar funksionin në qeveri edhe pse kanë e kanë bërë betimin si deputetë.

    Deputetët e legjislaturës së nëntë janë betuar më 19 prill por ende nuk është arritur të bëhet konstituimi i Kuvendit.

    Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryeparlamentarit pasi Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat për Albulena haxhiun – e propozuar për kryetare të Kuvendit./KP

  • SHBA-ja dhe Britania e Madhe pritet të shpallin marrëveshjen për uljen e tarifave

    SHBA-ja dhe Britania e Madhe pritet të shpallin marrëveshjen për uljen e tarifave

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar pritet që sot të njoftojnë një marrëveshje për të ulur tarifat, raporton BBC, transmeton KP.

    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kërkuar një marrëveshje për të ulur tarifat që kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa për pothuajse çdo vend në botë muajin e kaluar.

    Presidenti Trump duket se aludoi për marrëveshjen kur postoi në mediat sociale të mërkurën në mbrëmje: “Konferencë e madhe për shtyp nesër në orën 10:00 të mëngjesit, Zyra Ovale, në lidhje me një marrëveshje të madhe tregtare me përfaqësuesit e një vendi të madh dhe shumë të respektuar. E para nga shumë të tjera!!!”.

  • ​Pakistani pezullon përkohësisht fluturimet në katër aeroporte

    ​Pakistani pezullon përkohësisht fluturimet në katër aeroporte

    Pakistani ka pezulluar përkohësisht të gjitha operacionet e fluturimeve në aeroportet në Islamabad, Karaçi, Lahore dhe Sialkot për shkak të “arsyeve operacionale” të enjten në mëngjes, tha autoriteti i aeroporteve të vendit, raporton BBC.

    Kjo vjen një ditë pasi India nisi sulme ajrore në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani në përgjigje të sulmit të muajit të kaluar në Pahalgam, ku u vranë 26 persona, transmeton KosovaPress.

    Të mërkurën, pati raportime se Pakistani mbylli disa aeroporte pas sulmeve. Por rregullatori i aeroporteve të vendit më vonë tha se hapësira ajrore e Pakistanit ishte e hapur dhe “e sigurt për aktivitetet e aviacionit civil”.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu, shkruan KosovaPress.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-22 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-7m/s.

  • ​Avioni i dytë luftarak amerikan u përplas në Detin e Kuq

    ​Avioni i dytë luftarak amerikan u përplas në Detin e Kuq

    Një F/A-18F Super Hornet i marinës amerikane u rrëzua në Detin e Kuq pasi nuk arriti të ulej në aeroplanmbajtësen USS Harry S. Truman, njoftoi NBC News, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.

    Sipas raportit, avioni doli në det të martën mbrëma pasi humbi telin e arrestimit. Të dy aviatorët u hodhën në mënyrë të sigurt dhe pësuan lëndime të lehta.

    Ishte i dyti Super Hornet i humbur nga e njëjta anije në pak më shumë se një javë. Një avion i mëparshëm u tërhoq aksidentalisht nga kuverta gjatë tërheqjes më 28 prill.

    Zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell tha të martën se agjencia vazhdon të monitorojë situatën për humbjen e avionit luftarak F-18.

    “Ne mund të konfirmojmë se ky avion nuk është goditur nga Houthis”, tha Parnell.

    Ai shtoi se një hetim është duke u zhvilluar dhe më shumë informacion do të vihet në dispozicion kur të përcaktohet shkaku i “kësaj fatkeqësie”, raporton KosovaPress.

    “Grupi Harry S. Truman Carrier Strike Group mbetet plotësisht i aftë për mision,” tha ai, raporton AA.

  • ​PE kërkon nga Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së

    ​PE kërkon nga Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së

    Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan sot raportet për Serbinë dhe Kosovën, të hartuara nga Tonino Picula dhe Riho Terras.

    Raportet janë përgjigja e Parlamentit ndaj Raporteve të Komisionit Evropian 2023 dhe 2024 për dy vendet kandidate, raporton KosovaPress.

    Raporti për Serbinë u mbështet nga 419 eurodeputetë, ndërsa 113 deputetë votuan kundër dhe 88 abstenuan. Ndërkaq, pro rezolutës për Kosovën votuan 353 eurodeputetë, kundër 145 dhe abstenuan 78.

    Votimit i ka paraprirë një debat në seancën plenare të PE-së në mbrëmjen e djeshme, gjatë të cilit raportuesit prezantuan gjetjet kryesore, ndërsa komisionarja Evropiane për Zgjerim Marta Kos prezantoi qëndrimin e saj.

    Të martën në mbrëmje, Parlamenti Evropian zhvilloi një debat për raportet e fundit për Serbinë dhe Kosovën, të prezantuara nga raportuesit Tonino Picula dhe Riho Terras.

    Thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras (EPP), deklaroi se vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimi i marrëdhënieve janë vendimtare për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu bëri thirrje për heqjen e sanksioneve të BE-së kundër Kosovës.

    “Mbajtja e dialogut është absolutisht thelbësore për ta mbajtur Kosovën në kursin e saj evropian”, tha Terras gjatë prezantimit të raportit të tij.

    Ai theksoi rëndësinë e një gjyqësori të pavarur, lirinë e shtypit dhe transparencën e pronësisë së mediave në Kosovë.

    “Këto dhe çështje të tjera kanë nevojë për përmirësim,” tha ai, duke shtuar se BE-ja gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj për të mbështetur agjendën e reformave të Kosovës.

    “Ne bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të sanksioneve të BE-së. Ato nuk kanë qenë kurrë të drejta dhe kanë qenë të panevojshme që nga fillimi,” tha Terras, duke theksuar se shumë programe mbështetëse të reformave në Kosovë varen nga financimi i BE-së.

    Ai shprehu shpresën se ngërçi institucional në Kosovë do të zgjidhet së shpejti me zgjedhjen e presidentit të ri dhe formimin e qeverisë që do të punojë për ringjalljen e dialogut me Beogradin.

    Terras gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë.

    Komisionarja Kos nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një kërkesë kyçe për rrugën evropiane të Kosovës. “Dialogu nuk ka alternativë. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht thelbësor për anëtarësimin e Kosovës në BE”, tha ajo në fillim të debatit për raportin e Terras, i cili pasoi prezantimin e raportit të Piculës për Serbinë.

    Ajo theksoi nevojën për një vazhdim “të fortë dhe konstruktiv” të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    “Kosova dhe i gjithë rajoni i përkasin BE-së dhe ne do të qëndrojmë pranë Kosovës në këtë rrugë”, tha ajo.

    Kos përshëndeti zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, duke theksuar se ato u mbajtën në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Ajo tha se vendi është gati të reformojë institucionet e tij dhe duhet të lëvizë shpejt për ta bërë këtë.

    “Duhet të nënshkruhet dhe ratifikohet marrëveshja për mekanizmin reformues. Kuvendi duhet ta mbështesë dhe është kusht për marrjen e fondeve të BE-së. Kosova duhet të përshpejtojë reformat ligjore”, tha Kos, duke theksuar se këto reforma do të mundësojnë përparim në rrugën drejt BE-së.

    Ajo vlerësoi gjithashtu përafrimin e Kosovës me BE-në për luftën në Ukrainë, duke e quajtur atë një demonstrim të qartë të orientimit strategjik.

    Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, prezantoi raportin e tij të parë mbi vendin, duke theksuar korrupsionin e përhapur sistemik, nepotizmin dhe mungesën e mekanizmave adekuat mbikëqyrës – të simbolizuar, tha ai, nga shembja tragjike e një tende në Novi Sad nëntorin e kaluar që mori 16 jetë.

    “Mediat nuk janë kryesisht as të lira dhe as të qasshme për të gjithë, REM (Autoriteti Rregullator për Mediat Elektronike) është jofunksional, gjyqësori zbaton drejtësinë në mënyrë selektive dhe ata që vënë në dukje problemet përballen me sulme publike,” tha Picula, duke përshkruar situatën politike në Serbi.

    Ai theksoi se raporti i tij është hartuar në kushte të karakterizuara nga praktika jodiplomatike, akuza të pabaza, manipulime dhe sulme personale.

    Edhe komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, iu drejtua Parlamentit, duke i kërkuar Serbisë që të përshpejtojë përpjekjet e saj dhe të japë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

    Ajo theksoi rëndësinë e shoqërisë civile, nevojën për të mbrojtur zërat e pavarur dhe përgjegjësinë kolektive për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin që gërryen besimin demokratik.

  • ​Sormaz apelon serbët në Kosovë: Hiqni dorë nga përkrahja e pushtetit të kalbur në Beograd

    ​Sormaz apelon serbët në Kosovë: Hiqni dorë nga përkrahja e pushtetit të kalbur në Beograd

    Ish-deputeti serb, Dragan Sormaz ka apeluar serbët që jetojnë në Kosovë që të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga Beogradi, duke theksuar të drejtat që gëzojnë në Kosovë.

    “Hiqni dorë nga mbështetja për pushtetin e kalbur në Beograd, Amerika dhe Evropa do t’ju mbështesin, krijoni partitë tuaja autentike, dilni në ato zgjedhje dhe fitoni ndaj shërbëtorëve që e quajnë veten ‘Lista Serbe’!”, ka shkruar ai.

    Në një shkrim autorial për The Geopost, Sormaz ka thënë se situata e sotme, ku ‘Lista Serbe’ ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, është dëshmi se Vuçiqi nuk ka më çfarë t’u ofrojë serbëve në Kosovë, transmeton KosovaPress.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës për të 12-ën herë sot. Sormaz ka thënë se institucionet e Kosovës kanë mundur të formoheshin më herët, por fakti se anëtarë të Listës Serbe ishin përfshirë në agresionin në Banjskë, ku ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ka pamundësuar një gjë të tillë.

    “Qeveria e Kosovës mund të ishte formuar prej kohësh, por asnjëra nga partitë shqiptare nuk dëshiron të dialogojë me Listën Serbe, pikërisht për shkak të përfshirjes së anëtarëve të saj të njohur në aktin terrorist në Banjskë!”, ka shkruar ai.

    Ndër të tjera ai ka folur edhe për protestat në Serbi, që shpërthyen në nëntor të vitit të kaluar pas shembjes së çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 16 persona.

    “Presioni i protestave në Serbi kundër sistemit të tij të korruptuar, fiasco-ja e Vuçiqit në SHBA, ku askush serioz nuk pranoi të takohej me të, çojnë në një përfundim – disi i pazakontë, por ndoshta mund të jetë zgjidhja!”, ka shkruar ai.

  • ​Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se vrau vajzën e tij

    ​Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se vrau vajzën e tij

    Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar 30 ditë paraburgim për shtetasin turk i cili dyshohet se ka vrarë vajzën e tij, dhe ka plagosur tjetrën.

    M.G nga Prizreni dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15-vjeçare, me mjet të mprehtë [thikë] të llojit ‘Bajonetë’, me ç ‘rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    Tutje thuhet se i njëjti, me dashje tenton t’i privojë nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore, më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre.

    Personi i dyshuar M.G gjendet në ndalim 48 orësh.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar të martën pas tragjedisë në Prizren duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me “forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës”.

    “Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet”, ka thënë Osmani.

  • Iotova: Trupat bullgare në Kosovë qëndrojnë si garanci e stabilitetit rajonal

    Iotova: Trupat bullgare në Kosovë qëndrojnë si garanci e stabilitetit rajonal

    Zëvendëspresidentja bullgare Iliana Iotova mori pjesë në një ceremoni që shënonte Ditën e Trimërisë dhe Ditën e Forcave të Armatosura Bullgare me kontingjentin ushtarak bullgar të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

    Duke iu drejtuar këtij eventi, Iotova tha: “Ju, ushtarët bullgarë në KFOR, jeni një garanci sigurie jo vetëm për Bullgarinë, por për të gjithë rajonin, i cili për fat të keq ende nuk mund të gjejë sigurinë dhe stabilitetin që të gjithë dëshirojmë.”

    Iotova uroi personelin ushtarak me rastin e festës dhe theksoi se për bullgarët, Dita e Shën Gjergjit është një festë edhe më e madhe pasi nderon Ushtrinë e guximshme Bullgare, e cila ka shënuar shumë fitore në beteja të vështira gjatë historisë së saj shekullore.

    Iotova u prit nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani. Të pranishëm ishin edhe Zëvendës Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Brigade Cahit Irican dhe Komandanti i kontingjentit bullgar në Kosovë, Nënkoloneli Hristo Vasilev./BTA-KosovaPress

  • Shpërthimi në parkingun e QKUK-së, arrestohet një person në Podujevë

    Shpërthimi në parkingun e QKUK-së, arrestohet një person në Podujevë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës ka arrestuar personin B.K. në Podujevë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Rasti ka ndodhur më datë 30 prill 2025 në oborrin e QKUK-së, kundër veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, operacioni policor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e shtetit është duke vazhduar në mënyrë të intensifikuar në disa lokacione të ndryshme për mbledhjen e provave për hetim.

    Organet e rendit mbeten të përkushtuar për të zbuluar motivet dhe zbardhjen e rastit në tërësi, raporton KosovaPress.

    Incidenti kishte ndodhur në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, ka shpërthyer.

    Ngjarja ka ndodhur gjatë përgatitjeve për fillimin e mbledhjes së Bordit Drejtues të SHSKUK-së, e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore.

    Dëmtimi i veturës ka ndodhur nën rrethana ende të panjohura dhe ka shkaktuar shqetësim për sigurinë në këtë ambient. Për incidentin janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kishte filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.

    ShSKUK ka shprehur shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse.