Pas dështimit të 13-të me radhë të seancës konstituive për formimin e institucioneve të reja, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se si parti janë duke mbledhur nënshkrimet e deputetëve që formën e votimit të fshehtë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo tha se tashmë i kanë edhe nënshkrimet e LDK-së.
“Për shkak të shkeljeve ligjore, për shkak të ndryshimit të votimit, ne kemi mbledhur nënshkrimet që t’i adresohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë shkelje që po bëhet. Edhe pse e kanë shumicën nuk bënë të luajnë me qytetarët. Ne i kemi siguruar nënshkrimet. Të hënën do të dorëzohet në Kushtetuese. Momentalisht i kemi nënshkrimet edhe të LDK-së. Do të mbledhim nënshkrime edhe të dielën”, tha Kadrijaj.
Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish – në përpjekjen e tyre të trembëdhjetë – ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Dështimi më i fundit ndodhi të premten, pikërisht tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të premten kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.
Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.
Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se edhe sot do të provojnë të themelojnë Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit/es, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ne çdo ditë vijmë me vullnet pozitiv me shpresën që edhe partitë tjera do të reflektojnë. Ne edhe sot do të provojmë të themelojmë komisionin”, tha ai për media.
I pyetur lidhur me një takim të mundshëm të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, Peci u shpreh se janë të gatshëm për dialog, por se do të shqyrtojnë përmbajtjen e ftesës.
“Përveç ftesës është shumë e rëndësishme edhe përmbajtja e ftesës”, theksoi ai.
Deputeti konfirmoi se Vetëvendosje vazhdon të qëndrojë pas kandidaturës së Albulena Haxhiut për postin e kryeparlamentares: “E kemi të njëjtin emër për kryeparlamentare – Albulena Haxhiun.”
Papa Leo do të drejtojë meshën e tij të parë të shenjtë si papë këtë mëngjes, pasi tashmë bëri një vizitë surprizë për të parë stafin në ish-rezidencën e tij.
Në një ditë historike për Kishën Katolike dhe gjithë botën, Robert Prevost, kardinali 69-vjeçar i lindur në Çikago, është zgjedhur Papa i ri, duke marrë emrin Papa Leo. Ai u shpall pas një konklave të papritur që zgjati më pak se pritej dhe përfundoi me një shumicë të qartë prej dy të tretash, ndonëse nuk ishte në mesin e favoritëve.
Me tym të bardhë që mbuloi qiellin e Vatikanit, bota priti për të parë fytyrën e liderit të ri të 1.4 miliardë besimtarëve katolikë. Dhe kur u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, emocionet shpërthyen.
Papa Leo dha një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm, në fjalimin e tij të parë:“Paqja qoftë me të gjithë ju.”
Kjo frazë u përcoll me lot dhe duartrokitje nga mijëra besimtarë që kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit në një atmosferë të rrallë frymëzimi dhe uniteti.
Anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, propozoi një mënyrë se si mund të zhbllokohet situata aktuale dhe të formohen institucionet, duke thënë se partitë politike duhet të takohen në një tryezë të përbashkët nën moderimin e Presidentes.
Ai tha se presidentja nuk ka kompetenca kushtetuese për të imponuar vendime, por mund të luajë rol si moderatore në një takim gjithëpërfshirës mes partive.
“Nuk e besoj që ka zgjidhje pse po i thirr presidentja, sepse edhe ajo ka hallin e vet në këtë aspekt, por unë mendoj që është rruga më e vakët, do të thoja, më e mundshme që partitë të ulen dhe të hapin debatin në prezencë të Presidentes dhe ajo mund ta moderojë atë mbledhje. Përndryshe, ajo nuk ka asnjë obligim kushtetues dhe nuk ka asnjë kompetencë që t’i detyrojë partitë as të takohen, po as të marrin ndonjë vendim,” tha Haliti.
Sipas tij, kur nuk ka fitues të qartë, partitë duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët në interes të vendit.
“Nuk është që Kosova është në një krizë institucionale të thellë, por është një betejë politike. Nëse s’ka fitues, atëherë duhet me gjetë një zgjidhje së bashku. Zgjedhja së bashku po besoj që do të ishte e mundshme në tryezën që e ka thirr, ose që do ta thirrë. Por presidentja duhet ta ketë parasysh që mund të jetë vetëm moderatore dhe mund t’iu thotë dy-tre fjalë. Më shumë ndikimi i saj… nuk shkon,” deklaroi Haliti.
Deklaratën e plotë të Xhavit Halitit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi propozimet për votë të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, duke thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Ai tha se vetëm presidenti është zgjedhur me votë të fshehtë dhe se për të tjerët ka pasur procedura të qarta e transparente.
“Asnjëherë nuk është bo votim i fshehtë. Për kryetarin e Kuvendit s’është bo, as për kryeministrin, me sa di, po është bo për presidentin. Për presidentin,” tha Haliti.
Haliti tha se nëse partitë bien dakord për një formulë të re, duhet të sigurohet legjitimiteti me dy të tretat e votave, përpara se të bëhet votimi përfundimtar.
“Nëse bien dakord partitë të gjitha, atëherë mendoj se duhet me e pas një votim paraprakisht me dy të tretat që kalon, më së pari këtë mënyrë të votimit e mban drejt, e pastaj votohet,” u shpreh Haliti.
Deklaratën e plotë të Xhavit Halitit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vota e tij për Glauk Konjufcën si Kryetar i Kuvendit nuk ishte politike, por erdhi si respektim i Kushtetutës së Kosovës.
Ai sqaroi se vota e tij nuk ishte vendimtare dhe se e ka mbështetur vetëm për shkak të rregullit që kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese.
“Vota ime nuk ka qenë vendimtare lidhur me zgjedhjen ose moszgjedhjen e Glauk Konjufcës për Kryetar të Kuvendit. Vota ime ka qenë në respektim të Kushtetutës së Kosovës, që kryetari i Kuvendit i takon partisë që fiton shumicën ose koalicionit që fiton shumicën, respektivisht kandidatin e propozon partia fituese dhe ai duhet të zgjidhet ose të mos zgjidhet dhe të zëvendësohet me një tjetër,” tha Haliti.
Sipas tij, problemi real është politik dhe lidhet me zgjedhjen e qeverisë, që është hapi i ardhshëm urgjent pas konstituimit të Kuvendit.
“Zgjedhja, kjo beteja është politike, nuk është për individin. Problemi është që hapi tjetër është zgjedhja e Qeverisë. Hapet menjëherë ky obligim i dytë që është nga deputetët dhe afati është i shkurtër, është një muaj. Tani ose janë duke biseduar në margjina ose kanë një projekt të dyja palë, pozita e opozita, por e vërteta është që VV-ja nuk po lëshon rrugë,” deklaroi Haliti.
Deklaratën e plotë të Xhavit Halitit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, ironizoi me procesin e zvarritur të konstituimit të Kuvendit, duke e krahasuar me emisione satirike të viteve të kaluara.
Ai tha se përsëritja e tentimeve pa sukses për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit po ngjan me një skenë humoristike të njohur nga e kaluara..
“Unë mendoj që kjo puna e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit edhe e Qeverisë… kemi pasë dikur dy emisione për shëndetin dhe urime, që i dëgjosh njerëzit mirë. Dhe ka qenë ai emisioni ‘Imigjistrom’, që prapë ka qenë me humor satirik dhe ka qenë një emision i mirë. Tani parlamenti çdo dy ditë po e përsërit të njëjtën, tjetri skenar dhe njerëzit po kanë dëshirë me pa alkuj, kush e këqyr e këqyr,” tha Haliti.
Deklaratën e plotë të Xhavit Halitit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, reagoi ndaj kallëzimit penal të bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Prokurorinë Speciale, duke e quajtur këtë veprim absurd dhe pa asnjë bazë ligjore.
Sipas Çekut, LDK-ja po bën një interpretim të gabuar të situatës kushtetuese dhe të mandatit të qeverisë në detyrë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe zëvendësimin e tij me një ministër.
“Nuk ka telashe, sepse nuk ka bazë. Domethënë, nuk ka gjë më absurde sesa kjo kërkesa e Lidhjes Demokratike. Po i thonë kryeministrit lëshoje zyrën, sepse je betu tash si deputet, por kur po e pyesim ne kush duhet me e udhëheqë ekzekutivin derisa të bëhet qeveria e re, nuk dinë me dhënë përgjigje. Me i thënë kryeministrit ti largohu, e këta le të vazhdojnë me punu do zëvendësa aty, s’ka kurrfarë kuptimi, sepse kryeministri është Qeveria,” tha Çeku.
Ai sqaroi se ministrat aktualë janë ende në detyrë, pasi janë emëruar nga legjislatura e kaluar dhe mbesin në pozita derisa të formohet qeveria e re.
“Na jemi ministrat e Legjislaturës së tetë dhe deputetë të Legjislaturës së nëntë. Kur jam zgjedhë ministër, më ka përfundu mandati i deputetit, jam ministër. Sot jam në detyrë, kujdestaroj derisa të jem ministër i Legjislaturës së Nëntë. Është krejt e palogjikshme, por sidomos ditëve të fundit kemi parë qëndrime, deklarata dhe veprime të pamençura që po i bën Lidhja Demokratike në këtë situatë,” deklaroi Çeku.
Deklaratën e plotë të Hajrulla Çekut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Drejtori për investime kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, në emisionin CONTEXT në ATV, reagoi ndaj veprimeve të Ministrisë së Kulturës për ndërprerjen e projekteve të kryeqytetit, duke i quajtur ato abuzive dhe politike.
Ai tha se në shumicën e zonave të diskutuara, përveç Bibliotekës Kombëtare, nuk ka objekte të regjistruara si trashëgimi në kadastrin komunal.
“Komuna, zyra e urbanizimit, zyrat e planifikimit funksionojnë me dokumentacione shtetërore, e jo me çka shohin ëndrrat këta atje, qysh zbulojnë metoda për me blloku zhvillimin e projekteve në kryeqytet. I vetmi objekt në atë hapësirë, i cili është i regjistruar në katastër komunal, është Biblioteka Kombëtare. Objektet tjera, aty asnjëra nuk është, dhe planifikimi i komunës bazohet në dokumentacione të tilla,” deklaroi Havolli.
Ai njoftoi se Komuna e Prishtinës ka dorëzuar kallëzime penale ndaj ministrisë për veprime që, sipas tij, janë të jashtëligjshme dhe me prapavijë politike.
“Na kemi bërë kallëzimet tona penale, sepse këto veprime të ministrisë janë të gjitha shkelje ligjore dhe janë veprime të cilat praktikisht janë bllokuese politike dhe nuk kanë një qëllim tjetër. Ky është abuzim me pushtetin, sikur që është abuzu edhe atje. Ende nuk e ka Komuna e Prishtinës një vendim për bllokimin e punimeve, dhe çdo herë që janë blloku punimet, kanë ndryshuar edhe arsyetimet e tyre,” tha Havolli.
Deklaratën e plotë të Sokol Havollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: