ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Zgjedhjet mund të përsëritën, rezultati mund të thellohet në favor të LVV-së

    Kurti: Zgjedhjet mund të përsëritën, rezultati mund të thellohet në favor të LVV-së

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka folur për bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe vështirësitë që të sigurojë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut.

    Kurti s’ka përjashtuar zgjedhjet e reja dhe sipas tij mund të përsëriten zgjedhjet, mund të përsëritet rezultati, por edhe mund të thellohet në favor të partisë së tij.

    “Zgjedhjet mund të përsëritet. Por edhe rezultati jo vetëm që mund të përsëritet por edhe mund të thellohet në favor të VV-së”, ka thënë Kurti.

  • Zelensky mirëpret liderët evropianë në përpjekje për të siguruar armëpushimin

    Zelensky mirëpret liderët evropianë në përpjekje për të siguruar armëpushimin

    Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë vizituan Kievin për një vizitë simbolike në Ukrainë, një ditë pasi Vladimir Putin organizoi një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq.

    Vizita ka ardhur në një moment të tensionuar, pasi SHBA-ja ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm ajror të madh ndaj Ukrainës, sipas informacioneve të inteligjencës.

    Keir Starmer, Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Donald Tusk kanë mbërritur në Kiev me tren, duke iu bashkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdalje përmes një armëpushimi.

    Udhëheqësit e katër vendeve u takuan të premten në mbrëmje në qytetin polak të Rzeszow, përpara se të udhëtonin drejt Kievit. Ata zhvilluan bisedime me Zelenskyn, duke kërkuar mundësi për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike në luftën që ka përfshirë Ukrainën dhe Rusinë.

  • Aksident mes tre automjeteve në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, lëndohen tre persona

    Aksident mes tre automjeteve në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, lëndohen tre persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur, rreth orës 09:15 të mëngjesit, në segmentin rrugor të Shupkovcit, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.

    Aksidenti përfshiu tre automjete dhe shkaktoi dëme materiale të konsiderueshme.

    Përveç dëmeve materiale, tre persona kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar menjëherë për tretman mjekësor.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Rreth orës 09:15 është raportuar për aksident trafiku i shkaktuar në  rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtine segmenti rrugor në  Shupkovci. Në aksident janë përfshirë tre automjete. Përveq dëmeve materiale  ĺëndime ka pësuar tre persona.”, tha ai.

  • 27 vjet nga Beteja e Llapushnikut

    27 vjet nga Beteja e Llapushnikut

    27 vjet më parë në Llapushnik të Drenasit u zhvillua beteja e ashpër ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, betejë kjo e njohur si Beteja e Grykës së Llapushnikut.

    Beteja u zhvillua për tri ditë me radhë, 7 deri më 9 maj 1998, dhe ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

    Lufta e zhvilluar në Grykës së Llapushnikut për kontrollin e kësaj zone, ka qenë më e rëndësishmja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi e bënte të pakalueshme për forcat serbe rrugën Prishtinë – Pejë.

    Gryka e Llapushnikut u mbajt e bllokuar për muaj me radhë, duke u mundësuar luftëtarëve të UÇK-së që të lëvizin të lirë në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës dhe kjo ua mundësoi që të organizohej dhe të furnizohej me armatime.

  • 13 përpjekje, ende pa zgjidhje – Kuvendi rikthehet nesër me një tjetër tentim

    13 përpjekje, ende pa zgjidhje – Kuvendi rikthehet nesër me një tjetër tentim

    Seanca e cila ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, nuk nisi në kohën e caktuar. Kryesuesi i seancës dhe deputeti më i moshuar, Avni Dehari, kërkoi nga partitë politike të propozojnë nga një anëtar për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë. Mirëpo, në mungesë të propozimeve të reja, Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit me emrat e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, raporton Gazeta Sinjali.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë kohës që ajo ishte në foltore për të sqaruar qëndrimin e partisë së saj lidhur me komisionin për votim të fshehtë, Dehari ia ndal fjalën.

    “Dola këtu për të thënë se mundesh me na thirrë çdo 48 orë dhe me propozu dikë”, deklaroi Bajrami, duke theksuar se LDK-ja nuk do të propozojë asnjë anëtar për këtë komision.

    Si çdo herë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e foli asnjë fjalë për mediat, por njëri nga deputët e partisë së tij, Hekuran Murati, para fillimit të seancës shpresonte që opozita të ketë reflektuar.

    “Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar”, ka thënë ai.

    Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar se AAK-ja do t’i çojë në Kushtetuese vendimet e Kuvendit.

    “Sot jemi në konsultime me PDK-në dhe LDK-në për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Haradinaj para nisjes së përpjekjes së 13-të për konstituimin e Kuvendit.
    E, Fatmir Limaj u shpreh “koxha” i ashpër për t’u mbajtur edhe njëparë zgjedhje të reja.

    “Çka o kjo po dojna me shku në zgjedhje? Njerëzit kanë votu”, u deklarua Limaj.

    Ndërsa, pas dështimit të formimit të Kuvendit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se vullneti i qytetarëve është duke u dhunuar nga qasja e Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Po bëhen tre muaj që vullneti i qytetarëve është duke u dhunuar nga qasja e Lëvizjes Vetëvendosje. Është vështirë të gjenden fjalë për ta përshkruar këtë situatë,” deklaroi Krasniqi për mediat, duke e akuzuar LVV-në për zvarritje të procesit.

    E ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se partia e tij ka bërë një propozim për të adresuar këtë situatë, duke ftuar për një takim gjithëpërfshirës që të çojë në një zgjidhje për krizën politike.

    “LDK-ja ka propozuar një iniciativë, jo për protagonizëm, por për të ofruar mundësinë e organizimit të një takimi, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është të gjejmë një zgjidhje dhe jo të vazhdojmë këtë cirk. Partitë qëndrojnë në pozita që krijojnë një situatë të ngatërruar, dhe ndonëse i kuptoj pozitat e tyre, realiteti është se askush nuk ka shumicën në Kosovë,” ka thënë Abdixhiku.

    Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh më 11 prill, në orën 10:00, ku është caktuar seanca e ardhshme, a do të ketë ndonjë risi nga ky proces apo vetëm një ripërsëritje.

  • Shqipëria në heshtje elektorale

    Shqipëria në heshtje elektorale

    Mbrëmja e së premtes shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Shqipëri, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit më 11 maj.

    Pas javësh të ngarkuara me premtime politike, tubime masive dhe retorikë të nxehtë, vendi ndodhet tani në një moment reflektimi, ku fokusi zhvendoset nga partitë te qytetari dhe zgjedhja e tij në kutinë e votimit.

    Partia Socialiste përmbylli zyrtarisht fushatën e saj me një miting të madh pranë Parkut Olimpik në Tiranë.

    Në të njëjtën kohë, koalicioni opozitar zhvilloi tubimin final në Bulevardin e Ri, duke dhënë mesazhin e fundit përpara betejës së votës.

    Këtë të shtunë ndalohet çdo aktivitet politik publik, në përputhje me ligjin zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.

    Zgjedhjet e 11 majit janë historike jo vetëm për peshën e garës elektorale, por edhe sepse për herë të parë, diaspora shqiptare është përfshirë në procesin e votimit./tch/

  • Moti për sot: Me diell e vranësira, temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C

    Moti për sot: Me diell e vranësira, temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C

    Sot parashikohet që në orët e para të 24-orëshit të ketë reshje lokale shiu, kryesisht në sasi të pakta. Dita do të vijojë me diell dhe vranësira, ndërsa rreth zonave malore pritet të ketë rrebeshe të izoluara shiu, kryesisht të përqëndruara në perëndim të vendit.

    Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe verilindja me shpejtësi prej 10-35 km/h, raporton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale nga 16 deri në 21°C.

  • Në Ditën e Evropës, Osmani: Kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës

    Në Ditën e Evropës, Osmani: Kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës

    Në Ditën e Evropës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, duke theksuar se ato janë të padrejta dhe përbëjnë pengesë për një të ardhme të përbashkët evropiane, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një reagim me rastin e 9 Majit, Osmani tha se kjo ditë për popullin e Kosovës përfaqëson përkushtimin e palëkundur ndaj projektit evropian, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur vendi.

    “Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive gjatë këtij rrugëtimi”, deklaroi presidentja.

    Ajo kërkoi nga BE që, me një qasje të drejtë dhe të balancuar, të largojë sanksionet ndaj Kosovës dhe të veprojë kundër politikave destabilizuese të Serbisë, duke përmendur edhe faktin se presidenti serb Vuçiq zgjodhi të shënojë Ditën e Evropës në Moskë, te presidenti rus Vladimir Putin.

    “Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, theksoi Osmani.

    Presidentja përfundoi reagimin e saj me një thirrje për fundin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ndaljen e tolerimit të politikave proruse të Serbisë.

    “Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, shkroi Osmani.

  • Kryetarja e Gjykatës Speciale më 13 maj në Kosovë, mban konferencë për media

    Kryetarja e Gjykatës Speciale më 13 maj në Kosovë, mban konferencë për media

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, do të qëndrojë të martën për vizitë në Kosovë, ku do të mbajë një konferencë për media, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas një njoftimi, konferenca do të mbahet më 13 maj në orën 12:00 në Prishtinë.

    “Kam kënaqësinë t’ju ftoj që të dërgoni një gazetar në informimin për median të Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, më 13 maj në orën 12:00, në hotelin Sheraton, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Rrahje në sheshin e Podujevës, lëndohet një person

    Rrahje në sheshin e Podujevës, lëndohet një person

    Një incident ka ndodhur mesditën e së premtes në qendër të Podujevës, ku dy persona janë përleshur mes vete.

    Në këtë rast lëndime trupore ka pësuar një nga personat e përfshirë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ahmeti shtoi se policia i ka shoqëruar të dy në polici, njëri ishte i lënduar.

    “Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën për një rrahje në Sheshin e qytetit në Podujevë. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes një person është lënduar. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor dy persona (njëri nga ta i lënduar) të cilët ishin të përfshirë në rast”, tha zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

    Tutje bëhet e ditur se aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.