ATV

Category: Lajme

  • Turqia shpreh gatishmëri për të ndërmjetësuar armëpushimin mes Rusisë dhe Ukrainës

    Turqia shpreh gatishmëri për të ndërmjetësuar armëpushimin mes Rusisë dhe Ukrainës

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të pritur negociatat për një armëpushim dhe paqe të përhershme midis Rusisë dhe Ukrainës, shkruan Gazeta Sinjali.

    Këtë qëndrim, Erdogan e ndau gjatë një telefonate me presidentin francez Emmanuel Macron të dielën, sipas një njoftimi nga zyra e presidentit turk, raporton Reuters.

  • Zelensky mirëpret propozimin e Putinit për bisedime, por kërkon armëpushim të menjëhershëm për të vijuar dialogun

    Zelensky mirëpret propozimin e Putinit për bisedime, por kërkon armëpushim të menjëhershëm për të vijuar dialogun

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar pozitivisht ndaj propozimit të presidentit rus Vladimir Putin për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat do të zhvillohen më 15 maj në Stamboll, Turqi. Propozimi i Putinit ka për qëllim të adresojë “shkaqet rrënjësore të konfliktit” dhe të arrihet një “përfundim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të paqes”, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në reagimin e tij, Zelensky ka vlerësuar këtë hap si një “shenjë pozitive” që tregon se Rusia ka filluar të mendojë për përfundimin e luftës. Ai ka theksuar se kjo është një mundësi që e gjithë bota e ka pritur për një kohë shumë të gjatë dhe është një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës. Sipas tij, hapi i parë në çdo proces paqeje është arritja e një armëpushimi të plotë dhe të besueshëm.

    “Është një shenjë pozitive që më në fund rusët kanë filluar të konsiderojnë përfundimin e luftës. E gjithë bota e ka pritur këtë për një kohë shumë të gjatë. Dhe hapi i parë në përfundimin e vërtetë të çdo lufte është një armëpushim,” tha Zelensky.

    Megjithatë, Zelensky ka bërë të qartë se Ukraina do të jetë e gatshme të vazhdojë bisedimet me Rusinë, por vetëm nëse Rusia konfirmon një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë arsye për të vazhduar luftën edhe për një ditë të vetme, duke kërkuar që armëpushimi të hyjë në fuqi më 12 maj, pra një ditë përpara takimit të planifikuar të drejtpërdrejtë.

    “Nuk ka kuptim të vazhdohet vrasja qoftë edhe për një ditë të vetme. Ne presim që Rusia të konfirmojë një armëpushim – të plotë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm – duke filluar nga nesër, më 12 maj, dhe Ukraina është gati të takohet,” shtoi Zelensky.

  • Pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, KQZ publikon shifrat deri në orën 10:00

    Pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, KQZ publikon shifrat deri në orën 10:00

    Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i Shqipërisë ka publikuar të dhënat e para mbi pjesëmarrjen në votimet e 11 majit, shkruan Gazeta Sinjali.

    Deri në orën 10:00, sipas KQZ-së, pjesëmarrja në rang vendi ka arritur në 12.75% të votuesve, që konsiderohet e ulët.

    Qendrat e votimit u hapën zyrtarisht në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

    Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote gjithsej 3,713,761 shtetas shqiptarë, mes të cilëve 114 mijë janë votues për herë të parë.

  • Macron: Armëpushimi Rusi-Ukrainë duhet të ndodhë tani që të nisin bisedimet

    Macron: Armëpushimi Rusi-Ukrainë duhet të ndodhë tani që të nisin bisedimet

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke theksuar rëndësinë e ndalimit të menjëhershëm të luftimeve për të hapur rrugën e dialogut, shkruan Gazeta Sinjali.

    Sipas Macron, ai së bashku me liderë të tjerë evropianë dhe me presidentin amerikan Donald Trump, kanë propozuar një armëpushim 30-ditor pa kushte midis Rusisë dhe Ukrainës, që pritet të nisë të hënën.

    “Një armëpushim është i nevojshëm tani, në mënyrë që bisedimet të mund të fillojnë”, deklaroi Macron, duke shtuar se presidenti ukrainas ka rënë dakord me këtë nismë dhe tani presin një përgjigje të qartë edhe nga Rusia.

    “Nuk mund të ketë negociata teksa armët flasin”, përfundoi ai.

  • Kurti hesht para gazetarëve për krizën në Kuvend

    Kurti hesht para gazetarëve për krizën në Kuvend

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë përgjigje përballë pyetjeve të gazetarëve lidhur me zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

    Gjatë një paraqitjeje publike, Kurti nuk komentoi rreth dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit, duke lënë pa përgjigje pyetjen kyçe: “Sa do të vazhdojë kjo situatë?”.

  • Kusari-Lila: Bllokada në Kuvend është paradoksale, s’mund të kërkohen llogari pa u konstituuar institucionet

    Kusari-Lila: Bllokada në Kuvend është paradoksale, s’mund të kërkohen llogari pa u konstituuar institucionet

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar bllokimin e konstituimit si të pakuptimtë dhe paradoksal, shkruan Gazeta Sinjali.

    Duke iu referuar nismës së deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim dërgimin në Kushtetuese të dy vendimeve të ZRRE-së, Kusari-Lila tha se kjo është e papranueshme përderisa Kuvendi ende nuk është funksional.

    “Mbledhja e nënshkrimeve me ngrit çështje me ZRRE s’ka kuptim. Është e qartë kjo punë dhe e paraparë me rregullore. Po ZRRE raporton në Komisionin e Kuvendit. Por ne nuk kemi as kryetar e as nënkryetarë të Kuvendit e lëre më komisione. Të kryhet kjo fillimisht nga ata që po mbledhin nënshkrime. Kemi 48 orë tjera. Të hyjmë në proces që e zhbllokon këtë bllokadë të pakuptimtë e pasale”, u shpreh ajo.

    Kusari-Lila gjithashtu akuzoi deputetët e opozitës së legjislaturës së kaluar se me bojkotimin e seancave konstituive po shkaktojnë shkelje të Kushtetutës.

  • Pacolli kritikon deputetët: Hynë në Kuvend për pesë minuta dhe u larguan me pagesë – Tallje me qytetarët

    Pacolli kritikon deputetët: Hynë në Kuvend për pesë minuta dhe u larguan me pagesë – Tallje me qytetarët

    Ish-presidenti, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij, po abuzojnë me përgjegjësitë që i kanë marrë nga qytetarët, shkruan Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka shprehur indinjatën e tij ndaj faktit se deputetët hynë në sallën e Kuvendit vetëm për pesë minuta dhe më pas u larguan, pa zhvilluar asnjë diskutim apo marrë ndonjë vendim.

    “Pa pikë turpi, deputetët e Kuvendit të Kosovës hynë në sallë vetëm për t’u larguar pas pesë minutash, pa diskutim, pa vendim, pa përgjegjësi, por me pagese!!!”, ka shkruar Pacolli.

    Ai shtoi se kjo është një tallje e hapur me qytetarët dhe me shtetin, duke i bërë thirrje popullit që të reflektojë mbi zgjedhjet që ka bërë.

    “Kjo është tallje me qytetarët dhe me shtetin. Popull, a po e shihni kë keni votuar? A e kuptoni se këta përfaqësues nuk kanë as vullnetin, as guximin, as përgjegjësinë për ta zgjidhur as problemin më të vogël të vendit?”, përfundoi ai.

  • Krasniqi: Kurti po e mban shtetin peng për Albulena Haxhiun

    Krasniqi: Kurti po e mban shtetin peng për Albulena Haxhiun

    As përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk rezultoi me sukses, pasi mungoi konsensusi për zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ish-partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut si dhe procedurën e votimit të fshehtë, të cilën e cilësojnë si shkelje ligjore dhe kushtetuese.

    Pas përfundimit të seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të institucioneve.

    “Me 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë treguar nivel të lartë të pjekurisë, ajo që po bën Albin Kurti është e kundërta e kësaj, po vazhdojnë ta mbajnë shtetin peng për Albulena Haxhin e cila nuk ia ka votat. Se Albulena Haxhiu për Kurtin është më e rëndësishme se 1 milion qytetarë të Kosovës tashmë është e ditur. Albin Kurti nuk i ka numrat për kryeministër dhe po na mban peng këtu në Kuvendin e Kosovës çdo dy ditë”, deklaroi Krasniqi.

    Në të gjitha tentimet, Albulena Haxhiu nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje i nevojiten 61.

  • Kuvendi sërish pa kryetar – seanca e radhës më 13 maj

    Kuvendi sërish pa kryetar – seanca e radhës më 13 maj

    As në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetarin e ri, raporton Gazeta Sinjali.

    Për shkak të mungesës së marrëveshjes politike mes partive, procesi ka mbetur i bllokuar. Kryesuesi i seancës vendosi që mbledhja e radhës të mbahet më 13 maj, duke filluar nga ora 10:00.

  • Përpara fjalimit të parë, Papa Leo XIV viziton varrin e paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut

    Përpara fjalimit të parë, Papa Leo XIV viziton varrin e paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut

    Papa Leo XIV mbajti sot fjalimin e tij të parë para turmës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai recitoi lutjen Regina Caeli, në nder të Virgjëreshës Mari, pas njoftimit të zgjedhjes së tij me tym të bardhë të enjten, shkruan Gazeta Sinjali.

    Pasi mbajti meshën e së dielës, Papa Leo bekoj të mbledhurit në shesh dhe dha bekimet e tij.

    Më herët gjatë ditës, ai vizitoi një vend të shenjtë jashtë Romës dhe u lut para varrit të paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut, brenda bazilikës së Santa Maria Maggiore, transmeton BBC.

    Papa Leo do të inaugurohet zyrtarisht në një meshë në Sheshin e Shën Pjetrit javën e ardhshme më 18 maj.