ATV

Category: Lajme

  • ​Nesër mblidhen ministrat e KiE-së, anëtarësimi i Kosovës nuk figuron në agjendë

    ​Nesër mblidhen ministrat e KiE-së, anëtarësimi i Kosovës nuk figuron në agjendë

    Kosova edhe këtë vit e ka humbur mundësinë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kjo, pasi aplikacioni i saj për anëtarësim në këtë organizatë nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së, i cili do të mblidhet më 13-14 maj.

    Sipas njohësve të këtij procesi, mostrajtimi i çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe mosformimi i institucioneve të reja ka ndikuar në mospërfshirjen e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave.

    Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk komentoi për KosovaPress rreth mospërfshirjes së anëtarësimit të Kosovës në agjendën e ministrave të Punëve të Jashtme të KiE-së, trupë kjo vendimmarrëse për anëtarësim, e cila mblidhet vetëm një herë në vit.

    Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se Kosovës “i ka ikur treni” për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Në prill të vitit të kaluar, Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mirëpo nuk e kaloi hapin final, pasi nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave për shkak të mosdërgimit të draft-statutit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

    Mosdërgimi i këtij draft-statuti në Kushtetuese, sipas Arifit, ka ndikuar që as këtë vit aleatët e Kosovës të mos e shtyjnë përpara agjendën për anëtarësimin e Kosovës në KiE, derisa nuk zbatohen kushtet e paraqitura.

    “Për Këshillin e Evropës, ajo agjendë është tejkaluar. Ne nuk jemi në agjendë, ndoshta, po të kishim pasur qeveri, do të kishim pasur një shpresë se mund të ishte lëvizur diçka. Ne jemi duke humbur botëkuptimin tonë për politikën e jashtme. Duke iu referuar Ambasadës gjermane në Prishtinë, e cila ka thënë publikisht që kushtet e paraqitura më herët mbesin valide, ata nuk mund të shtyjnë asnjë agjendë për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm derisa të zbatohen ato kushte. Ata s’kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin, por vetëm të dërgojë draft-statutin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Më pas, themelimi i tij mbetet ende çështje politike”, thekson Arifi.

    Në anën tjetër, profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu thotë për KosovaPress se edhe mosformimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka ndikuar që të mos ketë vendimmarrje në Kosovë në lidhje me kërkesën e aleatëve për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese.

    Sipas tij, sa më shumë që zgjat kriza politike në Kosovë, aq më të mëdha do të jenë ndikimet negative në faktorin e jashtëm.

    “Kjo formë e procesit është tepër negative, si për faktorin e brendshëm ashtu edhe për atë të jashtëm. Kam propozuar që sa më shpejt të krijohet qeveria, pasi këtë vit na presin punë të jashtëzakonshme. Duhet të kemi parasysh ndryshimin e administratës amerikane, i cili është ndryshim radikal dhe i paparashikueshëm. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm për formimin e një qeverie sa më parë”, thekson Kryeziu.

    Pengesë për t’u përfshirë në agjendë vitin e kaluar u bë përcaktimi i Kosovës për të mos përmbushur kërkesën e tri prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Institucionet në Kosovë nuk e kanë pranuar draft-statutin e hartuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin, derisa janë shprehur kundër dërgimit të tij për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në vitin 2022. /kp

  • ​Dita Ndërkombëtare e Infermiereve

    ​Dita Ndërkombëtare e Infermiereve

    Mirëqenia e stafit të infermiereëve do të jetë fokusi i Ditës Ndërkombëtare të Infermiereve për vitin 2025.

    Dita Ndërkombëtare e Infermiereve festohet çdo vit më 12 maj, që këtë vit do të ishte ditëlindja e 205-të e Florence Nightingale dhe përdoret për të festuar profesionin e infermierisë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat më të mëdha me të cilat përballen infermierët në mbarë botën, shkruan KosovaPress.

    Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (ICN) zbuloi se tema e vitit 2025 do të jetë “Kujdesi për infermierët forcon ekonomitë”.

    Ajo shënon vazhdimin e temës gjithëpërfshirëse shumëvjeçare të “Infermierëve tanë, e ardhmja jonë”, e cila synon të rrisë profilin e infermierisë dhe të tregojë se sa i rëndësishëm është profesioni për sistemet shëndetësore.

    Pamela Cipriano, presidente e ICN, tha se do të promovonte rëndësinë e mbështetjes së shëndetit fizik dhe mendor të infermierëve.

    “Infermierët përballen me sfida të shumta: fizike, mendore, emocionale dhe etike, dhe është e domosdoshme që ne t’i trajtojmë këto sfida në një mënyrë që promovon shëndetin e tyre të përgjithshëm,” tha Cipriano.

    Tema e vitit 2025 është zgjedhur për të nënvizuar se si një fuqi punëtore e shëndetshme dhe e sigurt infermiere është thelbësore për funksionimin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor.

  • Shtrenjtimi i rrymës dhe ndikimi në sektorin privat, AKB-ja mban konferencë për media

    Shtrenjtimi i rrymës dhe ndikimi në sektorin privat, AKB-ja mban konferencë për media

    Aleanca Kosovare e Bizneseve sot do të mbajë konferencë për media në orën 12.00 në lidhje me

    vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike si dhe për ndikimin e tij në sektorin privat.

    Më parë, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka vlerësuar se shtrenjtimi i energjisë elektrike 16 për qind nuk e arsyeton rritjen e çmimit të produkteve deri në 50 për qind.

    Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ky është keqpërdorim i situatës.

    “Në Gjermani, kafja është 2 euro e 40 centë, ndërsa pagat janë mesatarisht dy mijë euro. Në Kosovë mesatarisht një kafe është një euro dhe ky është çmim i përballueshëm për pagat që në Kosovë janë më të vogla, por nëse ka ngritje të çmimit 100 për qind,  atëherë duhet të lëviz Autoriteti i Konkurrencës që të shikojë se çfarë po ndodh”, ka thënë për EO, Shahini.

  • Mot i vranët, me intervale me diell

    Mot i vranët, me intervale me diell

    Sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Temperaturat do të lëvizin nga 4 deri 19 gradë Celsius.

    “E hënë- Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende do të shoqërohen me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 deri 7gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

  • Zgjedhjet në Shqipëri/ Deri në orën 07:00, 1355 qendra votimi të numëruara, PS me 52.84 % të votave, PD 34.26%

    Zgjedhjet në Shqipëri/ Deri në orën 07:00, 1355 qendra votimi të numëruara, PS me 52.84 % të votave, PD 34.26%

    Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka nisur tashmë, ndërsa janë numëruar 1355 qendrat e para të votimit nga 5225 në total në gjithë vendin.

    Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së nga numërimi i votave kryeson Partia Socialiste me 179 102 vota ose 52.84 % të tyre, ndërsa Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet e dyta me 116 120.

    Forca e tretë politike sipas të dhënave deri tani renditet Partia Social-Demokrate me 12 791 vota ose 3.77%.

    Koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka marrë 11 704 vota ose 3.45 %.

    Partia “Mundësia” ka marrë 8893 vota ose 2.62% të votave.

    “Lëvizja Bashkë” ka marrë 4213 vota ose 1.24%.

    Partia Koalicioni Euroatlantik ka marrë 3666 vota ose 1.08 %.

    Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka marrë 1148 vota ose 0.34%.

    Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare ka marrë 637 vota ose 0.19%.

    Lëvizja Atdheu ka marrë 423 vota ose 0.12%.

    Partia Aleanca Demokracia e Re ka marrë 253 vota ose 0.07%. /ATSH/

  • AAK-ja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për votimin e fshehtë në Kuvend

    AAK-ja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për votimin e fshehtë në Kuvend

    AAK-ja bëri të ditur se sot në ora 11:00 do të dërgojë lëndë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me c në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton EO.

    Një ditë më parë, deputetja e AAK-ja, Time Kadrijaj, tha se tashmë i kanë mbledhur dhjetë nënshkrimet e deputetëve për këtë lëndë.

    “Sot, në ora 11:00, deputetët e AAK-së do të dorëzojnë kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të të gjitha vendimeve të tjera me natyrë të njëjtë, të marra në seancat paraprake dhe të mëvonshme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar; “Transkript i Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025”, njoftoi Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e AAK-së.

  • Garë e nxehtë me votat e diasporës: I pari Sali Berisha, por tejet ngushtë me Ramën

    Garë e nxehtë me votat e diasporës: I pari Sali Berisha, por tejet ngushtë me Ramën

    Garë e ashpër po zhvillohet me votat e diasporës.

    Aktualisht janë numëruar mbi 1 mijë e 600 zarfe.

    PD-ja me Sali Berishën ka siguruar 726 vota, kurse PS-ja ka 705 vota.

  • Tragjedi në Prizren: 24-vjeçari dyshohet se i dha fund jetës me armën që e bleu

    Tragjedi në Prizren: 24-vjeçari dyshohet se i dha fund jetës me armën që e bleu

    Policia e Kosovës njoftoi se një person është gjetur i vdekur në Prizren, e sipas dyshimeve të para, ka vrarë veten me një armë që e ka blerë nga dy persona.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se dy persona, njëri 24 e tjetri 23-vjeçar, kanë takuar të dielën rreth orës 18:20 personin me inicialet A.T., 24-vjeçar, që në momentin kur ka marrë armën, ka shkrepur në drejtim të vetes.

    Autoritetet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa mjeku ka konstatuar vdekjen.

    Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Rasti po trajtohet ai “vdekje e dyshimtë” dhe “mbajtje, posedim apo kontroll i paautorizuar i armës”.

    “Sot më datë 11.05.2025 rreth orës 18:20 në Stacionit Policor Prizren- Veri, dy persona njeri 24 dhe tjetri 23 vjeçar, kanë raportuar se derisa janë takuar me një person të tretë – viktimën A.T. 24 vjeçar dhe ia kanë dhënë një pistoletë për të ia shitur. Viktima posa e ka marr armën ka shkrepur me armë në drejtim të vetes së tij”, thuhet në njoftimin e Bytyqit.

  • AAK-ja nesër i drejtohet Kushtetueses për çështjen e votimit të fshehtë

    AAK-ja nesër i drejtohet Kushtetueses për çështjen e votimit të fshehtë

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të hënën do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim vendimin e Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë.

    AAK-ja njoftoi nëpërmjet një komunikate se në Kushtetuese do të dorëzojnë “edhe të gjitha vendime të tjera me natyrë të njëjtë” që kanë të bëjnë me seancat e paraprake dhe të mëvonshme lidhur me këtë çështje.

    Partia që drejtohet nga deputeti Ramush Haradinaj tha se dokumenti me këtë përmbajtje quhet “Transkript i Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025.”

    Dorëzimi në Kushtetuese do të bëhet në orën 11:00.

  • Shpërthim i bombolës së gazit në Fier, katër persona të lënduar

    Shpërthim i bombolës së gazit në Fier, katër persona të lënduar

    Katër persona kanë mbetur të lënduar pas një shpërthimi të dyfishtë të bombolës së gazit në qytetin e Fierit, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 11:20 në lagjen “Konferenca e Pezës”. Sipas njoftimit të Policisë, në banesën e shtetasit E. H. ka shpërthyer një bombël gazi, ku si pasojë është dëmtuar vetë pronari i banesës, i cili ndodhet në spital për mjekim.

    Gjatë ndërhyrjes së Policisë dhe forcave zjarrfikëse, bombula ka shpërthyer sërish, duke lënduar edhe tre persona të tjerë: dy punonjës policie, shtetasit Xh. P. dhe I. K., si dhe një zjarrfikës, shtetasi Sh. K. Të gjithë janë duke marrë trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

    Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.