ATV

Category: Lajme

  • ​Krimet zgjedhore, SPAK: 39 procedime penale të regjistruara

    ​Krimet zgjedhore, SPAK: 39 procedime penale të regjistruara

    Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë bilancin lidhur me krimet zgjedhore në Shqipëri gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Të dhënat janë deri me 11 Maj ora 19:00.

    SPAK informon se janë 156 materiale të administruara, ku mes tyre 39 procedime penale të regjistruara, raporton ATSH.

    Nga procedimet penale të regjistruara: 21 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit; 1 është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve; 8 janë nisur kryesisht nga SPAK; 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm; 3 janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore; 3 janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike.

    Krimet Zgjedhore – 156 materiale të administruara:

    39 materiale kallëzuese kanë kaluar në fazën e hetimit (janë regjistruar si procedime penale); 25 janë vendime për mosfillim të hetimit penal; 24 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore; 17 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë. (për informacion shtesë ose për kryerje të veprimeve të para); 1 material është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese.

    Krimet Zgjedhore – Veprat penale për 39 procedimet:

    33 procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje); 4 procedime janë regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje); 1 procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike); 1 procedim është regjistruar për nenin 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenin 248 (shpërdorimi i detyrës); 50 materiale (denoncime/sinjalizime) kanë ardhur në mënyrë elektronike (në portalin Denonco Krimin Zgjedhor dhe e-mail [email protected]); 5 sinjalizime kanë ardhur në numrin e gjelbër.

  • Organizatat e dala nga lufta për vizitën e Trendafilovës: E papranueshme dhe fyerje

    Organizatat e dala nga lufta për vizitën e Trendafilovës: E papranueshme dhe fyerje

    Organizatat e dala nga lufta kanë bërë edhe një reagim tjetër për vizitës e Ekaterina Trendafilova. Sipas tyre kjo vizitë është e papranushme dhe fyerje e rëndë ndaj “atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi.

    “Vizita e paralajmëruar e Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi. E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytëtarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën,përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike.”

    Në reagim thuhet se Gjykata Speciale ka heshur për krimet serbe mbi civilët shqiptare.

    “Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër!”

    Këto organizata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës “që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade”.

    “Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët. Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, poashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut.”

  • U përkujtua Agron Rrahmani, në 26-vjetorin e rënies, Kurti: Dëshmorët përbëjnë historinë e kombit

    U përkujtua Agron Rrahmani, në 26-vjetorin e rënies, Kurti: Dëshmorët përbëjnë historinë e kombit

    Qytetarë të shumtë, bashkëluftëtarë dhe të afërm bënë homazhe të varri i njërit nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Rrahmani, në 26-vjetorin e rënies së tij, raporton EO.

    Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri homazhe. Ai tha se vrasja e Agron Rrahmanit pas asaj të Bahri Fazliut, ishte një goditje e madhe për luftën çlirimtare, duke kujtuar se të dy kishin qenë bashkë në burg gjatë viteve ’89–’90 dhe më vonë u bashkuan në organizimin e UÇK-së.

    “Pesë ditë pas vrasjes së Bahri Fazliut është vrarë edhe Agron Rrahmani. Këto dy vrasje të heronjve tanë, të luftëtarëve të paepur të njerëzve aq të dashur, kanë qenë goditje shumë të mëdha për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Agron Rrahmani ka pasur edhe të njëjtën moshë me Bahri Fazliun. Gjatë viteve ‘89-‘90 kanë qenë të dy në burg në kohën e demonstratave dhe më pastaj janë organizuar bashkërisht me UÇK. Agron Rrahmani dhe të gjithë dëshmorët e kombit e përbëjnë historinë e kombit”, tha Kurti.

    Agron Rrahmani ka rënë gjatë luftimeve të zhvilluara kundër policisë serbe në mëngjesin e 12 majit të vitit 1998 në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë.

  • Vjosa Osmani, liderja e parë shtetërore e Kosovës që ftohet nga Këshilli Federal i Zvicrës

    Vjosa Osmani, liderja e parë shtetërore e Kosovës që ftohet nga Këshilli Federal i Zvicrës

    Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër. Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, pra nivel më i lartë se vizitat zyrtare dhe ndodhin shumë rrallë, prandaj edhe kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.

    Presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë.

    Në kuadër të agjendës zyrtare, presidentja Osmani do të mbajë takime me presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Po ashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

    Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve.
    Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër.

    Në Gjenevë, ndërkaq, presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.

    Vizita shtetërore e presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ato janë marrëdhënie të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, vlerat demokratike dhe një bashkëpunim të ngushtë shtetëror.

    Bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve.
    Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të proceseve demokratike, shtetndërtuese dhe zhvillimore të vendit tonë.

  • ​LDK dorëzon në ZRrE kërkesën për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës

    ​LDK dorëzon në ZRrE kërkesën për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykemete Bajrami dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, kanë dorëzuar sot në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, kërkesën e deputetëve të LDK-së dhe deputetëve tjerë mbështetës për anulimin apo shtyrjen e vendimit të ZRrE-së për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

    Me të njëjtën shkresë, është kërkuar edhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për ekonomitë familjare.

    Ata kanë bërë të ditur edhe kërkesat e deputetëve nënshkrues, të cilat përveç anulimit për së paku një vit, në mesin e tyre ishin edhe zbatimi i konsultimeve të hapura dhe publike, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë, dorëzimi i analizës së plotë në Kuvend, menjëherë pas konstituimit të tij, së bashku me vendimin për liberalizim të tregut dhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, me zotimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët.

    LDK thotë se ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë.

    Deputetët e LDK-së, paralajmërojnë edhe veprime të tjera, sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

  • Lansohet aplikimi elektronik për personat me aftësi të kufizuara

    Lansohet aplikimi elektronik për personat me aftësi të kufizuara

    Ministria e Financave ka njoftuar se është funksionalizuar aplikimi elektronik për njohjen e statusit dhe rivlerësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe atyre me dëmtim të shikimit. Ky zhvillim vjen pas lansimit të aplikimit online për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

    Sipas MF-së, pas miratimit të akteve nënligjore përkatëse, tashmë është mundësuar një procedurë e thjeshtuar që shmang burokracinë e mëhershme dhe u ofron qytetarëve më shumë lehtësi dhe efikasitet në procesin e aplikimit.

    “Qytetarët mund të aplikojnë përmes platformës zyrtare eKosova, duke ndjekur këto hapa: klikoni në “Shërbimet”, pastaj zgjidhni kategorinë “Familja”, ku do të gjeni formularët përkatës. Formulari i njëjtë shfrytëzohet si për aplikim të ri, ashtu edhe për rivlerësim të statusit ekzistues. Ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe përfshirjes më të madhe të personave me aftësi të kufizuara në proceset institucionale”, thuhet në njoftim.

  • Ndalohet një serb te Dheu i Bardhë, i sekuestrohen një shufër metalike, elektroshok dhe sprej

    Ndalohet një serb te Dheu i Bardhë, i sekuestrohen një shufër metalike, elektroshok dhe sprej

    Njësia policore së bashku me njësinë e Doganës, te Dheu i Bardhë kanë ndaluar një veturë që drejtohej nga një serb.

    Gjatë kontrollit, sipas policisë u gjet dhe u sekuestrua një shufër policore, një sprej dhe një elektroshok.

    “Njësia policore së bashku me njësinë e doganës gjatë kontrollit të përbashkët të një veture që drejtohej nga një mashkull shtetasi Serbisë, ka gjetur dhe sekuestruar një shufër policore, një sprej dhe një elektroshok. Në konsultim me prokurorin pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​Zbulohen detaje nga marrëveshja tregtare SHBA-Kinë

    ​Zbulohen detaje nga marrëveshja tregtare SHBA-Kinë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë vendosur që të ulin tarifat në 115%, njofton The Guardian.

    “Të dyja palët do t’i ulin tarifat me 115%”, tha sekretari i Thesarit të Shteteve, Scott Bessent, gjatë bisedimeve në Gjenevë.

    Vendimi vjen pasi dy vendet ishin pajtuar për një pauzë 90-ditore në lidhje me tarifat.

    Kjo marrëveshje shënon një de-përshkallëzim të rëndësishëm të luftës tregtare që shpërtheu muajin e kaluar. Para kësaj dite, SHBA-ja e kishte rritur tarifën ndaj Kinës në 145% (duke përfshirë një tarifë shtesë prej 20% për të trajtuar importet e fentanilit në SHBA), ndërsa Pekini kishte reaguar me tarifa prej 125% ndaj importeve amerikane.

    Bessent u tha gazetarëve se “të dyja palët treguan respekt të madh” gjatë bisedimeve dhe se “të dy kemi interes për tregti të balancuar”.

    Pala amerikane sugjeroi gjithashtu se kanë rënë dakord për një “mekanizëm shumë të mirë” për të shmangur përshkallëzimet me Kinën lidhur me tregtinë në të ardhmen.

  • Trendafilova sot në Kosovë, të martën mban konferencë

    Trendafilova sot në Kosovë, të martën mban konferencë

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, do ta vizitojë Kosovën nga e hëna deri të mërkuren e kësaj jave, raporton Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se përkohësisht mund të mbyllen edhe segmente rrugore gjatë vizitës së saj.

    Njoftimi i plotë:

    Me datën 12-14 maj 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

  • Sekuestrohen mbi 2 milionë euro pasuri në rastin “Mati”

    Sekuestrohen mbi 2 milionë euro pasuri në rastin “Mati”

    Mbi dy milionë euro pasuri janë sekuestruar gjatë hetimeve në rastin “Mati”, nën dyshimet për shpëlarje parash, njoftuan autoritetet e Kosovës të hënën, më 12 maj.

    Në kuadër të hetimeve intensive të zhvilluara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishin arrestuar tre persona, gjatë muajit shtator të vitit të kaluar.

    “PSRK njofton opinionin publik se në kuadër të këtyre hetimeve, deri tash pasuria e sekuestruar kap vlerën rreth 2,286,054.00 Euro”, thuhet në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.

    Sipas njoftimit, kjo pasuri shtesë është identifikuar gjatë hetimeve në bashkëveprim dhe mbikëqyrje të ngushtë me prokurorin e lëndës nga Prokuroria Speciale, në emrin e të dyshuarit Sh.C.

    Në njoftim thuhet se janë sekuestruar: njëzet njësi banesore në sipërfaqe të tërësishme 1788.41 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 1,788,410.00 Euro; dy lokale afariste me sipërfaqe të tërësishme 167.54 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 335,080.00 Euro; shtatëmbëdhjetë vendparkingje (garazha) me sipërfaqe të tërësishme 241.96 m², me vlerë të përafërt të tregut 145,176,00 Euro; gjashtë depo me sipërfaqe të tërësishme 28.87 m², me vlerë të përafërt të tregut 17,388.00 Euro.

    Rasti është nën hetime në drejtim të veprës penale “Shpëlarja e Parasë”./KP