ATV

Category: Lajme

  • PDK-ja e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e së enjtes të ftuar me të gjitha partitë nga Vjosa Osmani

    PDK-ja e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e së enjtes të ftuar me të gjitha partitë nga Vjosa Osmani

    Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ me të gjitha partitë politike të thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të enjten në ora 13:00.

    Faton Abdullahu, zëdhënësI i PDK-së:

    Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja.

    Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.

  • ​Presidentja Osmani fton liderët e partive politike për një takim kosultativ

    ​Presidentja Osmani fton liderët e partive politike për një takim kosultativ

    Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, ka bërë që presidentja e vendit, Vjosa Osmani të reagoi rreth kësaj situate në vendin tonë.

    Presidentja Vjosa Osmani tashmë ka ftuar në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend.

    Siç njofton Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, presidentja e vendit ka propozuar që takimi të mbahet më 15 maj.

    “Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, thotë Bekim Kupina, këshilltar për media i Vjosa Osmanit.

    Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi që deputetët kanë dështuar edhe në përpjekjen e 14-të, ta konstituojnë Kuvendin e ri.

    Dështimi më i fundit ndodhi të dielën e 11 majit, kur kanë kaluar tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

    Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të dielën kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

  • Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

    Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

    Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot një takim në objektin e Qeverisë të Kosovës, shkruan KosovaPress.

    Ambasadori francez, Olivier Guerot, ai i BE-së, Aivo Orav dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves kanë dalë tashmë nga objekti i qeverisë dhe janë larguar nga aty.

    Ndonëse këto takime ishin të zakonshme të hënave, kjo është hera e parë që ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në Qeveri, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    KosovaPress i ka dërguar pyetje qeverisë, gjegjësisht Zyrës për Informim për të mësuar më shumë lidhur me këtë takim dhe do të ju informojë në momentin që do të marrë një përgjigje.

    Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa deri më tash nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës. Propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare mbetet i papranueshëm për partitë e tjera (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës).

    Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përkatësisht votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

  • ​Aksionet globale rriten pasi SHBA-të dhe Kina ranë dakord të ulin tarifat për 90 ditë

    ​Aksionet globale rriten pasi SHBA-të dhe Kina ranë dakord të ulin tarifat për 90 ditë

    Aksionet globale janë rritur pasi SHBA-të dhe Kina ranë dakord të ulin tarifat për mallrat e njëra-tjetrës për 90 ditë, në një deeskalim të madh të luftës së tyre tregtare.

    Tarifat amerikane për importet kineze do të bien nga 145% në 30%, ndërsa tarifat kineze për mallrat amerikane do të bien nga 125% në 10%, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Është një ulje më e madhe se sa pritej, shkruan korrespondenti i BBC-së, – por 30% është ende një tarifë e lartë.

    13 orë më parë u raportua se zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë se arritën një marrëveshje tregtare me Kinën pas dy ditë negociatash në Gjenevë.

    Shtëpia e Bardhë njoftoi një “marrëveshje tregtare me Kinën” në një deklaratë sot, por nuk zbuloi detaje.

    Marrëveshja u arrit më shpejt sesa prisnin shumica e vëzhguesve pasi tarifat prej njëqind e dyzet e pesë për qind të Donald Trump mbi importet kineze praktikisht ndaluan gjashtëqind miliardë dollarë në tregtinë vjetore midis dy ekonomive më të mëdha botërore, raporton KosovaPress.

  • ​Ismaili takon presidentin e Deutsche Bundesbank, flasin për procesin e anëtarësimit në SEPA

    ​Ismaili takon presidentin e Deutsche Bundesbank, flasin për procesin e anëtarësimit në SEPA

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, u prit nga Presidenti i Deutsche Bundesbank, Dr. Joachim Nagel, në selinë qendrore të bankës në Frankfurt. Me këtë rast, Guvernatori Ismaili e informoi presidentin Nagel për zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës, për reformat institucionale dhe ato në sektorin financiar, si dhe për progresin në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, raporton KosovaPress.

    Sipas njoftimit, guvernatori Ismaili gjithashtu informoi lidhur me procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA, si dhe për zhvillimet në kuadër të sistemit të pagesave të shpejta – projektin TIPS Clone me Bankën e Italisë.

    “Në takim u diskutuan reformat e ndërmarra në sektorin financiar me qëllim përafrimin e rregullativës bankare të Kosovës me atë të BE-së, ku Guvernatori kërkoi mbështetjen e mëtejshme nga Deutsche Bundesbank në këto procese”, thuhet në njoftim.

    Siç njopfton BQK, të dy palët diskutuan mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në fushat e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.

    “Në përmbyllje të takimit, guvernatori Ismaili falënderoi Presidentin Nagel për mbështetjen e vazhdueshme që Deutsche Bundesbank ka ofruar ndaj BQK-së në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, menaxhimin e mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, operimin e linjës REPO në emër të Eurosistemit, si dhe në operacione të tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

    “Paraprakisht, si pjesë e agjendës së vizitës zyrtare, Guvernatori Ismaili u prit në Muzeun e Parasë të Deutsche Bundesbank nga Drejtori Dr. Ulrich Rosseaux”, thuhet në njoftim.

  • ​Aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për fajde, kanosje e posedim të paautorizuar të narkotikëve

    ​Aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për fajde, kanosje e posedim të paautorizuar të narkotikëve

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave të dyshuar për fajde, kanosje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.

    Sipas njoftimit të prokurorisë, bëhet fjalë për të dyshuarin me inicialet D.Sh dhe A.Sh.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri me datë 07.11.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit [dhënies së borxhit], duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr 3.000 € (tremijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 (treqind) euro kamata mujore”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se i dëmtuari për 6 muaj rresht vazhdon të paguaj nga treqind euro kamata mujore.

    “Pastaj në muajin mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 4.000 € [katër mijë euro], ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj shtatëqind euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej shtatëmijë euro, kërkon kamatë mujore në shumë prej njëmijë e pesëqind euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 [tetëmbëdhjetë mijë] euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur”, thuhet në njoftim.

    Me këto veprime, i njëjti thuhet ka kryer veprën penale “Fajdeja”.

    Po ashtu, i pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit “seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., me fjalë se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese”.

    “Gjithashtu, i pandehuri D.Sh., pasi arrestohet nga ana e policisë për veprën penale ‘Fajdeja’, pas kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur një mbështjellje me foli alumini të materies së bimës së tharë të llojit marihuanë dhe një filtër i cigares e cila dyshohej të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë, dhe pas testimit të kësaj substance, ka rezultuar të jetë pozitiv me përmbajtje të marihuanës, në peshë prej 1.2 gram”, thuhet në njoftim.

    “I pandehuri A.Sh., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit “seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K”. – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur, në atë mënyrë që i pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheq deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit ‘WhatsApp’, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K., [të miturit] mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen”, thuhet tutje në njoftim.

    Me këto veprime, thuhet se i pandehuri A.Sh. ka kryer veprën penale “Kanosja”.

    Prokurori i rastit ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të pandehurit D.Sh. t’i konfiskohen sendet të cilat i kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit./KP

  • Rama flet me Thaçin: Telefonata e vëllaut tim Hashim, ishte tejet prekëse

    Rama flet me Thaçin: Telefonata e vëllaut tim Hashim, ishte tejet prekëse

    Në vijim të procesit të numërimit të votave të zgjedhjeve në Shqipëri, ku Partia Socialiste ka dalë e para me mbi 52%, Kryeministri Edi Rama ka bërë një gjest simbolik që ka tërhequr vëmendjen publike.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se ka zhvilluar një telefonatë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë.

    “🇦🇱🫶🇽🇰 Telefonata e vëllaut tim Hashim ishte tejet prekëse dhe Komandanti ishte në formën e vet më të mirë ❤️”, ka shkruar Rama.

  • ​Zgjedhjet në Shqipëri, numërohen mbi dy mijë kuti, PS 100 mijë vota para PD

    ​Zgjedhjet në Shqipëri, numërohen mbi dy mijë kuti, PS 100 mijë vota para PD

    Janë numëruar 2135 kuti nga 5225 në total nga zgjedhjet e djeshme parlamentare të mbajtura në Shqipëri. Teksa kanë mbetur ende 3090 kuti për t’u hapur, PS vijon të kryesojë bindshëm. Sipas KQZ, PS është 101.020 vota para PD, e cila renditet forcë e dytë.

    Sipas KQZ, PS ka marrë 291608 vota, PD 190588 vota. Në vend të tretë renditet Partia Social Demokrate me 21949, ndërsa pas saj vjen Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 18428.

    Në vend të pestë qëndron Lëvizja Bashkë me 7258 vota, ndërsa në vend të gjashtë Partia Koalicioni Euroatlantik me 6329 vota.

  • ​Papa ka një thirrje për gazetarët

    ​Papa ka një thirrje për gazetarët

    Papa Leon XIV bëri thirrje për gazetari “paqebërëse”, duke i ftuar gazetarët të kërkojnë të vërtetën “me dashuri” dhe të refuzojnë “luftën e fjalëve dhe imazheve”.

    Ai theksoi se duhet të refuzojmë “paradigmën e luftës” dhe të angazhohemi për një komunikim që nuk kërkon konsensus me çdo çmim, nuk përdor fjalë agresive dhe nuk përqafon konkurrencën.

    Papa po ashtu shprehu solidaritetin e Kishës për gazetarët e burgosur për shkak të raportimeve të tyre dhe kërkoi lirinë e tyre.

    Ai nënvizoi se vetëm popujt e informuar mund të bëjnë zgjedhje të lira dhe se kjo është një sfidë për të gjithë ne, duke na kujtuar se “komunikimi është krijimi i një kulture, jo thjesht transmetimi i informacionit”.

    Sa i përket inteligjencës artificiale, Papa u shpreh se “kemi përgjegjësi për të drejtuar këto mjete për të mirën e njerëzimit”.

    Ai kërkoi që gazetarët të përqafojnë një komunikim të paqes dhe të largohen nga “Kulla e Babelit” e gjuhëve pa dashuri dhe ideologjive të njëanshme.

    Në fund, Papa Leon XIV falënderoi gazetarët për ndihmën që ofruan në largimin e stereotipeve për jetën e Kishës dhe të krishterimin dhe për transmetimin e vlerave të vërteta të Kishës në mbarë botën.

  • ​Ndryshimi i votimit për kryeparlamentarin, kërkohet interpretim nga Kushtetuesja

    ​Ndryshimi i votimit për kryeparlamentarin, kërkohet interpretim nga Kushtetuesja

    Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me mbështetje nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të saktësuar shkeljet e mudhshme kushtetuese gjatë tentimeve për ta zgjedhur kryeparlamentarin.

    Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se veprimet e ndërmarra në Kuvendin e Kosovës janë të patolerueshme dhe përbëjnë shkelje ligjore.

    “Ne sot si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës me nënshkrimet e deputetëve të Aleancës, Lidhjes Demokratike të Kosovës por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim të ndryshimit të votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Raporti është hartuar nga ekspertë të AAK-së, dhe ne kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet, duke konsideruar që është shkelje ligjore, po mendojmë që po zhvlerësohet edhe vlera e kuvendit duke mbajtur seanca plenare çdo 48 orë dhe seanca të cilat i konsiderojmë që po shkelet Kushtetuta e Kosovës. I lutem akterët që ta trajtojnë me prioritet, ndoshta edhe me një pezullim të përkohshëm, me një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa gjykata me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta merr një vendim”, tha ajo.

    Pas dorëzimit së lëndës në Kushtetuese, Kadrijaj tha se kryesuesi i seancës konstituive më 5 maj ka ndryshuar formën e votimit për kryeparlamentaren.

    “Ne gjithmonë i kemi respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht cilat janë. Ne asnjëherë nuk kemi thënë që një vendim që na konvenon ta pranojmë, e vendimet që nuk na pëlqejnë nuk i pranojmë. Dhe kjo qeveri ju e dini që është shkelësja më e madhe e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke bërë ligje anti-kushtetuese që kjo gjykatë i ka shpallur anti-kushtetuese dhe që kanë vazhduar t’i shkelin. Këta janë shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës së Kosovës. Ne, cili do që të jetë vendimi do ta respektojmë”, shtoi ajo.

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se i takon partisë fituese që të gjejnë zgjidhje në këtë situatë.

    “Po luhet me imazhin e Kuvendit të Kosovës, shiheni nëpër seanca çdo 48 orë nuk ka askush nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it apo zyrtarë që i përcjellin këto seanca, sepse po dihet rezultati, po dihet se çfarë po ndodhë. Kjo qeveri nuk ka reflektuar, ka pasur parti që kanë dhënë edhe opsione të tjera, që ndoshta ndonjë kandidat tjetër që është më konsensual do t’i kishte votat e opozitës, mirëpo këta po vazhdojnë me kandidatin e njëjtë. Është detyrë e tyre me gjet zgjidhje, nuk është detyrë e partive që kanë qenë në opozitë”, përfundoi Kadrijaj.

    Nesër në orën 10:00 është paraparë vazhdimi i seancës konstituive, ku për të 15-tën herë do të tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje sërish do të propozojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, e cila nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme. /kp