ATV

Category: Lajme

  • 1.2 miliardë euro në rrezik, bllokimi i Kuvendit po e fundos ekonominë e Kosovës

    1.2 miliardë euro në rrezik, bllokimi i Kuvendit po e fundos ekonominë e Kosovës

    Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit po krijon pasoja të thella dhe shumëdimensionale për vendin.

    Ndërkohë që vendimmarrja politike është bllokuar dhe institucionet nuk janë formuar ende, Kosova po humb mundësi të mëdha për zhvillim ekonomik, përfitim nga fondet ndërkombëtare dhe avancim drejt integrimit evropian.

    Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve paralajmërojnë për dëme që mund të jenë të pakthyeshme, duke përfshirë humbjen e qindra milionë eurove nga fondet ndërkombëtare, largimin e investitorëve të huaj, si dhe rrezik për tkurrjen e prodhimit vendor dhe ikjen e kapitalit.

    Në rrezik janë rreth 900 milionë euro nga Komisioni Evropian, të ndërlidhura me agjendën e reformave për zhvillim dhe integrim evropian, si dhe mbi 220 milionë euro nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që synojnë përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin ekonomik, si dhe investime kapitale në projekte strategjike si ai i autostradave dhe hekurudhave.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike që po i kanosen vendit për shkak të vonesave në konstituimin e Kuvendit dhe mungesës së formimit të qeverisë së re.

    “Vonesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të reflektojë shumë në ekonomi, si rezultat i mungesës së fondeve ndërkombëtare,” deklaroi Shala.

    Sipas tij, vetëm nga mandati i kaluar i Qeverisë janë 300 milionë euro të bllokuara për shkak të sanksioneve, ndërkohë që është pezulluar edhe thithja e fondeve evropiane në vlerë prej 800 deri në 900 milionë euro, të cilat ishin paraparë të investoheshin në infrastrukturë dhe mjedis.

    “300 milionë euro janë nga mandati i kaluar i Qeverisë të bllokuara për shkak të sanksioneve dhe pjesa tjetër thithja e fondeve evropiane që janë rreth 800-900 milion euro mjete që do të duhej të i alokonomin drejt infrastrurës dhe mjedisit. Në total ne kemi 1 miliard e 200 milion euro, mjete të cilat po të konstituohej Kuvendi dhe të bëhej qeveria, do të mund t’i merrnim në të mirë të vendit,” theksoi Shala

    Ai shtoi se përveç ndikimit në projekte zhvillimore, këto fonde do të kishin reflektuar pozitivisht edhe në stabilizimin ekonomik të vendit dhe në lehtësimin e krizës inflacionare.

    “Kjo do të reflektonte në zbutje të ekonomisë dhe ta stabilizonte pak a shumë inflacionin,” tha më tej deputeti i PDK-së.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për FrontOnline ka paralajmëruar pasoja të rënda në shumë fusha si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit dhe mungesës së institucioneve funksionale në vend.

    “Mungesa e krijimit të institucioneve në parlament dhe qeveri, është duke e dëmtuar Kosovën në disa dimensione. Është shqetësues efekti negativ i mos krijimit të institucioneve në aspektin politik, katastrofik në aspektin ekonomik dhe stopues në proceset integruese,” deklaroi Gërxhaliu.

    Ai e konsideroi të papranueshme që në një kohë me zhvillime të mëdha globale, Kosova të ngecë në formimin e institucioneve.

    “Në këtë dinamikë që po përcillen trendet globale, të eksperimentohet me themelimin e institucioneve është turp i madh,” u shpreh ai, duke shtuar se dëmi ekonomik është alarmant.

    Sipas Gërxhaliut, një ndër pasojat më të rënda është pezullimi i qasjes në fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën, një zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe bllokimin e projekteve strategjike.

    “Vet fakti që është pezulluar qasja në fondet për Kosovën nga Bashkimi Evropian është e rëndë,” tha ai.

    “Në mungesë të një dialogu publiko-privat, po dëmtohen bizneset – shto këtu edhe shtrenjtimin e rrymës për bizneset,” theksoi Gërxhaliu

    Ai paralajmëroi se situata aktuale po rrezikon seriozisht të çojë në tkurrje të eksporteve, ikje të kapitalit dhe të prodhimit ‘Made in Kosovo’, përveç migrimit të qytetarëve.

    “Është rrezik për tkurrje të eksporteve dhe për ikje, jo vetëm të qytetarëve, jo vetëm të kapitalit, por edhe të prodhimit ‘Made in Kosovo’, dhe këto do të lënë gjurmë për Kosovën,” përfundoi Gërxhaliu për FrontOnline.

  • Mot me diell dhe vranësira, vende-vende riga shiu

    Mot me diell dhe vranësira, vende-vende riga shiu

    Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku vende-vende mund të priten riga shiu, bëri të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë celsius, derisa ato maksimalet ndërmjet 18-21 gradë.

    Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-8 m/s, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës .

  • Vjosa Osmani e pret në takim Fatmir Limajn “pas kërkesës nga ai”

    Vjosa Osmani e pret në takim Fatmir Limajn “pas kërkesës nga ai”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetarin e Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limajn në zyrën e saj.

    Takimi, sipas Presidencës së Kosovës, u realizua pas kërkesës nga Limaj.

    “Në vazhdën e konsultimeve politike lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sot Presidentja Vjosa Osmani, pas këkesës së pranuar nga Nisma Soicaldemokrate, ka takuar kryetarin e saj, z. Fatmir Limaj”, thunet në njoftim.

  • ​Kur dhimbja shndërrohet në art, hapet panairi me produktet e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës

    ​Kur dhimbja shndërrohet në art, hapet panairi me produktet e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës

    Çdo punim simbolizon historinë e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. Punimet e tyre shumëngjyrëshe janë ekspozuar sot në “Panairin e fuqizimit-Produkte me histori jete dhe qëndrese”, në Prishtinë. Për tri ditë radhazi në sheshin “Adem Jashari”, do të promovohen dhe shiten produkte artizanale dhe bujqësore të punuara nga këto gra, raporton KosovaPress.

    Ky panair është organizuar nga “Medica Gjakova” me përkrahjen e Fondit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara dhe bashkëpunimin me organizatat partnere të platformës “Bëhu Zëri.

    “Qëllimi i panairit është të japim një histori tjetër të produkteve të të mbijetuarve, për shkak se dëshirojmë të japim fokus fuqizimit ekonomik. Të gjitha produktet që janë të ekspozuara këtu janë të bëra nga duart e të mbijetuarave, me të cilat ne punojmë. Dhe qëllimi jonë është që të kontribuojmë sa do pak në fuqizimin ekonomik të tyre, të avokojmë për fuqinë që ato kanë dhe të japim një ton tjetër historisë së dhimbshme që ato kanë kaluar dhe si këtë dhimbje ato e kanë kaluar në forcë”, tregon Dorina Babuni Krelani nga Medica Gjakova, trasnmeton KosovaPress.

    Piktura, korniza, gjergjefë, çanta, të gjitha të punuara nga duart e grave të dhunuara seksualisht në luftë. Veç tjerash, në panair janë ekspozuar edhe produkte agro-kulturore.

    “Njerëzit që vijnë këtu në panair, më duhet ta ceki që është tri ditë në Prishtinë, nga data 19 deri më 21 maj, mund të shohin produkte të ndryshme punëdore, si piktura, gjergjefë apo çanta të punuara me dorë. Po ashtu edhe produkte agro-kulturore, mjaltë, arra, reçelna të ndryshëm shtëpiak. Pastaj ka brosha të punuara me dorë, ka korniza të ndryshme, me dekore të ndryshme dhe çdo gjë që mund të imagjinohet nga puna e dorës mund të gjendet këtu”, shton ajo.

    Të gjitha të hollat e mbledhura nga shitja e këtyre produkteve do të shkojnë për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

    “Gjitha fitimet që ndahen nga shitjet e këtyre produkteve shkojnë tek të mbijetuarat që i kanë punuar. Dhe është shumë me rëndësi sepse fuqizimi ekonomik i jep një tjetër pozitë gruas në familje, i jep një tjetër pozitë të shërimit brenda vetës, sepse të gjithë e dimë sa më të fuqishëm ndjehemi kur jemi ekonomikisht më stabil. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kontribuojmë me blerjen e produkteve, sa do pak që është ajo vlerë, është e rëndësishme që të kontribuojmë për shkak se japim fuqi tjetër të mbijetuarave”, përfundon ajo.

    Ky panair organizohet në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, ku pas Prishtinës do të hapet në Gjakovë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë të Jugut.

    Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth njëzet mijë. Historitë e tyre nuk dihen sepse të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit, dhe heshtin.

  • Kurti takon ambasadorin e ri të Italisë, flasin për partneritetin e fortë mes dy vendeve

    Kurti takon ambasadorin e ri të Italisë, flasin për partneritetin e fortë mes dy vendeve

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. Në këtë takim të parë, ai e uroi ambasadorin për detyrën e re, teksa vlerësoi lartë kontributin e vazhdueshëm të Italisë për vendin tone, raporton KP.

    Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë bisedës u nënvizua partneriteti i fortë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht roli i rëndësishëm i Italisë në mbështetjen e paqes dhe sigurisë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s, KFOR.

    “U diskutua gjithashtu për nevojën dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në fushën e ekonomisë, sigurisë e mbrojtjes dhe shkëmbimeve kulturore”, thuhet në njoftim.

    Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

  • Veteranët e luftës i shkruajnë letër komisionarit të BE-së: Specialja u shndërrua në diçka tjetër

    Veteranët e luftës i shkruajnë letër komisionarit të BE-së: Specialja u shndërrua në diçka tjetër

    Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë dërguar letër edhe komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, pas asaj të ish-emisarit amerikan, Richard Grenell, lidhur me Dhomat e Specializuara.

    Ata kërkuan që të nisë një hetim ndërkombëtar dhe i pavarur mbi shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj të akuzuarve që po mbahen në Hagë.

    Në letër thuhet se Dhomat e Specializuara po bëjnë abuzime procedurale mbi këtë çështje, duke shtuar se procedurat janë njollosur nga paraburgime të tejzgjatura.

    “Sot, Dhomat e Specializuara nuk i ngjajnë më një institucioni gjyqësor të ndërtuar mbi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut. Ato janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht, që funksionon në izolim të plotë nga sistemi ligjor i Kosovës, institucionet e saj demokratike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kushtetuese.

    Procedurat e tyre janë të njollosura nga paraburgimet e tejzgjatura, redaktimet e tepruara të dokumenteve, vonesat në dorëzimin e provave dhe kufizimet në ndihmë juridike.

    Dhomat e specializuara refuzojnë të marrin parasysh edhe Avokatin e Popullit të Kosovës, institucionin që ekziston pikërisht për të mbrojtur të drejtat themelore dhe i cili ka të drejtë të plotë, si në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës, ashtu edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, të hetojë shkeljet e mundshme.

    Por qëndrimi i gjykatës është i qartë, ato nuk japin as përgjigje, as shqyrtim, as llogaridhënie”, thuhet në letrën e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në letër thuhet se ajo që kishte nisur si instrument drejtësie, është shndërruar “në diçka krejt tjetër”. Veteranët iu drejtuan komisionerit O’Flaherty se kjo çështje s’është ligjore, por e të drejtave të njeriut.

    “Por ajo që filloi si një instrument ligjor drejtësie është shndërruar në diçka krejt tjetër. Kjo nuk është thjesht një çështje ligjore. Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut.

    Ata që i nënshtrohen procesit nuk trajtohen më si qytetarë të pafajshëm deri në provën e fajësisë. Ata mbahen, për vite me radhë, në kushte që shkatërrojnë dinjitetin, familjet dhe të drejtat e tyre.

    Ata gjykohen jo vetëm përpara një trupi gjykues, por në një sistem ku prokuroria gëzon fuqi të pakufizuara, dhe ku të drejtat e mbrojtjes jo vetëm dobësohen, por pengohen aktivisht”, thuhet në letër.

  • BE-ja ka arritur pajtim për fond 150-miliardësh për mbrojtje, tha një diplomat evropian

    BE-ja ka arritur pajtim për fond 150-miliardësh për mbrojtje, tha një diplomat evropian

    BE-ja ka arritur pajtim për fond 150-miliardësh në fushën e mbrojtjes, thotë një diplomat evropian

    Shtetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar në parim rreth propozimeve për një fond me vlerë të 150 miliardë eurove me qëllim të fuqizimit të mbrojtjes së Evropës, tha të hënën një diplomat i BE-së.

    Ky fond njihet si Veprimi i Sigurisë për Evropën (SAFE), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Plani i propozuar nga Komisioni Evropian në mars do të financohet përmes borxheve të përbashkëta dhe me të do t’u jepen hua vendeve të BE-së dhe shteteve të caktuara të tjera si Ukraina për projekte që e fuqizojnë mbrojtjen e tyre dhe e forcojnë industrinë e armëve në Evropë.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një kohë të gjatë është ankuar se vendi i tij paguan barrë padrejtësisht të madhe për mbrojtjen e aleatëve dhe ka paralajmëruar se Uashingtoni nuk do t’i mbrojë ato shtete që shpenzojnë pak në këtë aspekt.

  • ​“Liderët evropianë e amerikanë, e shohin Edi Ramën si forcë stabilizuese në rajon”

    ​“Liderët evropianë e amerikanë, e shohin Edi Ramën si forcë stabilizuese në rajon”

    “Liderët evropianë e amerikanë, e shohin Edi Ramën si forcë stabilizuese në rajon”, shkruan The Telegraph. Artikull i botuar në The Telegraph, përkthyer dhe përshtatur nga Top Channel.

    Ai e modelon partinë e tij sipas Laburistëve të Rinj dhe e konsideron Sir Tony Blair si një këshilltar të ngushtë.

    Por kjo nuk e ndaloi Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë 1.98 metra të gjatë, që t’i hapte një ‘boshllëk legjislativ’ planeve të Sir Keir Starmer për të dërguar jashtë vendit azilkërkuesit e refuzuar.

    “Disa vende na kanë pyetur nëse jemi të hapur për këtë dhe ne kemi thënë jo ”, tha zoti Rama në një konferencë për shtyp në kryeqytetin e vendit, Tiranë, të enjten. Ai kishte rënë dakord të ngrinte vetëm dy qendra për Italinë “për shkak të marrëdhënieve tona shumë të ngushta”.

    Ishte lloji i qortimit televiziv që zëdhënësit (që kërkojnë të raportojnë pozitivisht në media) e Sir Tony-t do të kishin kërkuar me dëshpërim ta shmangnin, duke shpërqendruar vëmendjen nga ajo që supozohej të ishte një festim i një goditjeje të përbashkët kundër bandave të kontrabandës së njerëzve.

    Në të vërtetë, ekziston një element misteri se si mesazhi nuk i arriti Sir Keir përpara vizitës së tij të parë në vend.

    Sir Tony ende fluturon rregullisht për t’i ofruar këshillat e tij z. Rama. Njësoj si Alastair Campbell. Secili prej tyre mund ta ketë paralajmëruar Kryeministrin se nuk do të ishte e mençur të informonte GB Neës për planet e tij të “qendrës së kthimit” pak para nisjes.

    Ndoshta zoti Rama, i cili është shumë i fuqishëm, tani është thjesht në një nivel pushteti saqë nuk i duhet më t’i ndjekë fjalët e tij me shumë kujdes, pavarësisht se cili udhëheqës evropian qëndron në krah të tij.

    Të dielën, ish-basketbollisti profesionist fitoi një mandat të katërt si kryeministër, duke thelluar rekordin e tij si udhëheqësi më jetëgjatë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990.

    Partia e tij Socialiste siguroi 52 përqind të votave kundrejt vetëm 34 përqind të Partisë Demokratike, të udhëhequr nga Sali Berisha, ish-kryeministri 80-vjeçar.

    Berisha i kishte bërë thirrje familjes Maga (Make America Great Agai) për përpjekjen e tij të dytë për të rrëzuar nga posti kryeministrin në detyrë. Por punësimi i Chris LaCivita, menaxherit të fushatës Trump 2024, bëri pak për të bindur votuesit të mbështesnin një burrë të cilit i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për shkak të akuzave për korrupsion.

    “Të punësosh LaCivitën dhe të mendosh se mund të bëhesh Trump, është si të punësosh një parukier në Hollyëood dhe të mendosh se do të bëhesh Brad Pitt”, tha zoti Rama për Politico.

    Në samitet e liderëve botërorë, zoti Rama përshëndetet ngrohtësisht nga zyrtarët evropianë dhe amerikanë, të cilët e shohin atë si një forcë stabilizuese në rajonin ende të brishtë të Ballkanit.

    Si i ri, ai studioi art në Paris. Si kryeministër, ai ka thelluar përpjekjet e Shqipërisë për t’u shkëputur nga orbita e Rusisë dhe për t’u integruar me Evropën demokratike dhe kozmopolite.

    Afër fillimit të mandatit të tij në vitin 2013, ai postoi një selfie përkrah z. Campbell, duke festuar statusin e Shqipërisë si kandidate për anëtarësim në BE. Problemet e vazhdueshme me korrupsionin dhe ngurrimi i shteteve anëtare për të hapur derën e kanë lënë pas dore anëtarësimin e plotë: qëllimi tani është viti 2030.

    Ai shpreson se kjo kauzë do të ketë një mbështetëse në formën e Giorgia Melonit. Në janar, ai u ul në gjunjë për t’i dhuruar kryeministres italiane një shall të bardhë në ditëlindjen e saj të 48-të.

    Lideri rebel me atlete të bardha e ka quajtur znj. Melonin një “motër të vogël” të Shqipërisë, duke lavdëruar “karizmën e saj të madhe” pasi dyshja nënshkroi marrëveshjen për qendrat e kthimit të migrantëve në vitin 2023.

    Po atë vit, BE-ja nënshkroi gjithashtu një marrëveshje për sigurinë kufitare me Shqipërinë, duke lejuar rojet e Frontex-it të vendosen në kufijtë e saj.

    Ngjitja politike e zotit Rama filloi si kryetar bashkie i Tiranës, ku ai e dëshmoi veten një reformator të zellshëm.

    Duke punuar me një buxhet prej “zero, presje, diçka”, ish-studenti i artit e rilyeu arkitekturën gri sovjetike të kryeqytetit në nuanca xhazi portokalli dhe të gjelbër. (BE-ja, e cila siguroi fondet, u përpoq ta bllokonte skemën, thotë ai, për arsye rregullatore.)

    Edhe Shqipëria është riemërtuar. Tani është një komb pro-tregut, social-demokratik dhe, gjithnjë e më shumë, një destinacion turistik. Riviera Shqiptare tani tërheq më shumë se 10 milionë vizitorë të huaj në vit, duke u rritur me 35 për qind nga viti 2022 deri në vitin 2023.

    Është përdorimi i vijës bregdetare të Shqipërisë për qëllime ‘jo të mira’ që flet për problemet e saj të qëndrueshme. Diplomatët miqësorë të BE-së e përshkruajnë dështimin e zotit Rama për të çrrënjosur korrupsionin si çmimin e kryerjes së çdo pune në vend.

    Gjatë periudhës së tij të shkurtër në vend, zoti LaCivita theksoi akuzat, të cilat i mohoi me vendosmëri, se kryeministri kishte bashkëpunuar me krimin e organizuar për të ndikuar në zgjedhje, duke e quajtur Shqipërinë “narkoshteti i Edit”.

    Ai u akuzua se kishte bashkëpunuar me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e korruptuar të FBI-së, për të shënjestruar armiqtë e tij politikë, akuza që ai i mohon përsëri. Gazetarët përshkruajnë një goditje ndaj lirisë së shtypit nën maskën e ligjeve “kundër shpifjes”.

    Vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë se votimi këtë javë ishte transparent dhe i drejtë, megjithëse mandati i gjatë i socialistëve të zotit Rama kishte krijuar një “avantazh të padrejtë në pushtet”.

    Duke qëndruar më gjatë se kurrë, kryeministri shqiptar është i vendosur t’i thellojë këto avantazhe edhe më tej. Sir Keir, i cili me gjatësi është më i shkurtër se homologu i tij, mund të mos jetë vizitori i fundit që do të zhytet publikisht në ujë.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për pesë vepra të ndryshme penale

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për pesë vepra të ndryshme penale

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.B., nga komuna Prishtinës, për shkak të dyshimit të bazuar për disa vepra penale. Sipas Prokurosisë, N.B dyshohet për “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrimi”, “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “Deklarimet e rreme”, raporton KosovaPress.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data dy shkurt dymijë e dymbëdhjetë e në vazhdimësi në Shtime, i pandehuri N.B., gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës – drejtor dhe agjent i autorizuar i kompanisë “Tehno Invest” SH.P.K., në atë mënyrë që pas një marrëveshje paraprake në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij dhe personit tjetër, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

    “I njëjti nga data tre maj dymijë e dymbëdhjetë, e në vazhdimësi, pas një marrëveshje paraprake në bashkëveprim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij dhe personit tjetër, saktësisht ish të pandehurit si bashkëkryes M.Sh.,- tani më i ndjerë e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K, -kompanisë “Tehnopolis”, në atë mënyrë që duke e ditur se ish i pandehuri – bashkëkryesi M.Sh., nuk ka qenë pronar i paluajtshmërive, i pandehuri N.B., blen dhe siguron sendin, pasurinë e paluajtshme nga ish i pandehuri M.SH., të njëjtit realizojnë shitjen – blerjen e pasurisë së paluajtshme pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, me ç’rast të dëmtuarit B.K., dhe kompanisë “Techno Polis” i shkaktojnë dëm në shkallë të madhe, me këtë në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se i pandehuri me datë njëzet e katër prill dymmijë e njëzet e tre, e në vazhdimësi në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, saktësisht në Zyrën Noteriale – Notere Sh.S.,-T. i pandehuri me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij, e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K., në atë mënyrë që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës, drejtor dhe agjent i autorizuar i kompanisë “Tehno Invest” me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve të falsifikuara, ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, duke e ditur se janë dokumente me përmbajtje të rreme, fillimisht vë në lajthim Agjensionin e Regjistrimit të Bizneseve – ARBK, duke falsifikuar, përdorur dhe dorëzuar dokumentet e falsifikuara si të vërteta – origjinale ashtu që vë në lajthim zyrën noteriale të lartshënuar, duke përpiluar Kontratën për Shitblerjen dhe Transferimin e të Drejtës së Qirambajtjes për 99 vite të Paluajtshmërisë të datës 24.04.2023, me ç’rast të dëmtuarit B.K., i shkakton dëm në shkallë të madhe.

    “Ndërsa, me datë tridhjetë e një janar dymijë e njëzet e katër, në rrugën “Tahir Sinani”, në Shtime, saktësisht në Zyrën Noteriale të lartëshënuar, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij, e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K., në atë mënyrë që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës, drejtor dhe agjent i autorizuar i kompanisë “Tehno Invest” nga i dëmtuari, aksionar B.K., kompania “Tehnopolis” ashtu që me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve të falsifikuara, ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, duke e ditur se janë dokumente me përmbajtje të rreme, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm të madh, dëm substancial,- me këtë në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, thuhet në njoftim, shkruan KosovaPress.

    Kurse, sipas njoftimit nga data njëzet e katër korrik dymijë e dymbëdhjetë, e në vazhdimësi në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, saktësisht në Zyrën Noteriale të lartshënuar, i pandehuri duke keqpërdorur autorizimin, realizon shitjen e pasurisë së paluajtshme, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, përpilon kontrata për shitblerjen e paluajtshmërive, me ç’rast të dëmtuarit B.K., i shkakton dëm në shkallë të madhe.

    Ndërkaq, prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

  • ​Rusia e shpall Amnesty International “organizatë të padëshirueshme”

    ​Rusia e shpall Amnesty International “organizatë të padëshirueshme”

    Prokuroria e Përgjithshme e Rusisë ka vendosur ta shpallë Amnesty International “organizatë të padëshirueshme”, transmeton Anadolu.

    Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm lëshoi një deklaratë me shkrim në lidhje me aktivitetet e Amnesty International në Rusi.

    “Vendoset që aktivitetet e organizatës ndërkombëtare joqeveritare Amnesty International Limited, e regjistruar në Londër, të shpallen ‘të padëshirueshme’ në Rusi”, thuhet në deklaratë.

    Ky vendim nënkupton se Amnesty International është e jashtëligjshme në Rusi. Rrjedhimisht, sipas këtij vendimi, bashkëpunimi me këtë organizatë dënohet sipas ligjit rus.

    Deri në pesë vjet është dënimi me burgim për qytetarët rusë nëse bashkëpunojnë me organizata “të padëshirueshme”.