ATV

Category: Lajme

  • Brestovci: Arritëm marrëveshje për kontratë 1.5 milionëshe me “Pastrimin” për punë shtesë

    Brestovci: Arritëm marrëveshje për kontratë 1.5 milionëshe me “Pastrimin” për punë shtesë

    Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, pas takimit me përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi”, ka njoftuar se është arritur marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate në vlerë prej 1.5 milionë euro për punë shtesë, raporton EO.

    Ai theksoi se nëse krijohen kushtet, “Pastrimi” do të marrë përsipër 1/3 e regjionit të Prishtinës, duke e shtuar kapacitetin operativ krahas dy operatorëve ekzistues.

    Brestovci shtoi se Komuna është e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar subvencionimin e pagave për punëtorët.

    “Jemi dakorduar që nga sot, me një person të autorizuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milionë euro për punën shtesë. Ne u dakorduam që, nëse krijohen kushtet nga ndërmarrja ‘Pastrimi’ dhe ata kanë mundësi të dalin e të operojnë për të kryer shërbimin, ta kenë 1/3 e regjionit të Prishtinës, sepse aktualisht kemi vetëm dy operatorë ekonomikë. Nga ana jonë nuk ka asnjë hezitim. Ne shprehëm gatishmërinë që të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për ta sjellë sërish vendimin për subvencionimin e pagave për punëtorët. Natyrisht, duhet të punojmë bashkërisht”, ka thënë Brestovci.

  • ​Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë para komunës, Rama fajëson menaxhmentin

    ​Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë para komunës, Rama fajëson menaxhmentin

    Ani pse sindikata e pavarur e ndërmarrjes publike “Pastimi”, ka mbajtur një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, punëtorët e kësaj ndërmarrje po protestojnë para objektit të komunës, duke kërkuar që komuna t’ua kthej borxhin prej 2.7 milionë eurosh ndërmarrjes dhe të fillojnë punën.

    Në takim, Florim Cakiqi, kryetar i sindikatës se pavarur, tha se punëtorët janë duke u dëmtuar, pasi janë duke mbetur pa paga dhe pa punë.

    Ai kërkoi nga Rama që të mendojë vetëm për punëtorët e të lë politiken anash.

    Cakiqi: Punëtorët nuk duhen të dëmtohen

    Video:

    “Duhet me i shkarku nëse nuk punojnë, por punëtorët nuk duhen të dëmtohen, me u lenë pa punë, pa paga është vështirë, iu kisha lut mendoni vetëm për punëtorë”, tha Cakiqi.

    Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se faji është te menaxhmenti i ndërmarrjes e jo i punëtorëve.

    Rama tha se është e papranueshme të përdoret një institucion për përfitime politike dhe duke lënë kryeqytetin me mbeturina

    “Faji nuk është tek ju, as ne nuk i fajësojmë punëtorët, faji është te menaxhmenti dhe nuk duhet me udhëheq njerëzit të cilët nuk i din procesin…Punëtorët që nuk e kanë asnjë faj hynë në mes të tyre, keq i bjen punëtorëve, keq kryeqytetit… Me u përdor një institucion për përfitime politike të tyre, më lënë me bërllog të gjithë kryeqytetin, kjo është e papranueshme dhe sot dhe asnjëherë nuk do ta lejojmë”, u shpreh Rama.

    Teksa zhvillohej ky takim, punëtorët po protestonin para objektit.

    Adnan Sinani, vozitës tash e 24 vite në ndërmarrjen “Pastrimi”, tha se asnjëherë kryetari i Prishtinës nuk i ka mbrojtur punëtorët por vetëm ka akuzuar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje.

    Sinani shtoi se ka ende punëtorë që nuk e kanë marrë pagën e tyre të fundit.

    “Këto janë pallavra të këtyre udhëheqësve këtu. Asnjëherë nuk ka thënë kryetari i komunës për të mirën e punëtorëve vetëm për drejtorin që e udhëheq keq. Punëtorët duhet me punu si e kanë mbajtur ketë qytet gjallë.. i kemi marrë pagat por pak me vonesë, disa punëtorë nuk i kanë marrë ende”, tha Sinani.

    Ndërsa, Ilaz Rexhepi paralajmëroi se nëse nuk ka ndonjë ndryshim në protestë, do të marrin masa më të mëdha. E sipas tij, nuk i intereson edhe nëse dërgohet në burg sepse kërkon paratë për të mbajtur familjen e tij.

    Rexhepi tha se Rama ka paguar kompani private në mënyrë tinxare e partiake.

    “Ai ka kompani të veten personale. Edhe Bekim Brestovci me Kryetari Rama ka ngrenë para se unë politik nuk di, prej kompanive private edhe ua ka premtuar që do të falimentojë kompania Pastrimi. Me e pru në këtë gjendje kryeqytetin dhe 900 familje me i lënë për interesa të veta personale nuk e shoh të arsyeshme. Herën tjetër do të marrim masa çka nuk ka me e mendu as vet.. edhe në burg me shkuar pesë parë nuk i jap se unë jam duke e mbrojtur familjen time. Në mënyrë tinxare ka marrë kompanitë e veta që janë partiak politikë”, shtoi Rexhepi.

    Punëtorët janë duke pritur para komunës teksa po zhvillohet takimi i dytë mes kryetarit dhe sindikatës të re të ndërmarrjes publike “Pastrimi”. /KP

  • Basha: S’bëjmë koalicion me PDK-në, me LDK-në mund të bëjmë

    Basha: S’bëjmë koalicion me PDK-në, me LDK-në mund të bëjmë

    Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, tha se si parti nuk bëjnë koalicion me PDK-në, pasi kjo parti, sipas tij, nuk është reformuar, raporton EO.

    Ai tha se është e rëndësishme që sa më shpejt të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kërkesën e AAK-së për votimin e fshehtë në Kuvend.

    “VV-ja ka treguar që është konstruktive në të gjitha hapat që kanë pasur për qëllim zhbllokimin. Është i pakuptueshëm gjithë ky bllokim, që është duke ardhur nga opozita.

    Me PDK-në nuk bëjmë koalicion, pasi nuk është reformuar. Me LDK-në mundemi”, tha Basha.

  • Raportohet se një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në qese mbeturinash në Prishtinë

    Raportohet se një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në qese mbeturinash në Prishtinë

    Një ngjarje e rëndë është raportuar nga një qytetar ditën e sotme. Në lagjen Matiqan të Prishtinës, një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore.

    Siç raporton sinjalit me 19 maj 2025, rreth orës 10:30, në rrugën “Butofci”, pranë deponisë së mbeturinave, një qytetar ka vërejtur një qese të zezë brenda së cilës dyshohej se ndodhej një foshnje e vdekur.

    Sipas burimeve nga Prokuroria, në momentin që qytetari është afruar, ka zbuluar se në të vërtetë brenda qeses ndodhej një foshnje e porsalindur, pa shenja jete, e braktisur në mënyrë të tmerrshme.

    Menjëherë është kërkuar ndihma mjekësore dhe njësia emergjente është thirrur për të dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet përkatëse janë parë në vendin e ngjarjes, duke nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.

    Shkaku se pse është sjellë foshnja në atë lokacion dhe identiteti i personit që e ka braktisur mbeten ende të paqarta.

  • ​Krasniqi: Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që të zhbllokojë situatën në Kuvend

    ​Krasniqi: Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që të zhbllokojë situatën në Kuvend

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për zhbllokimin e krizës politike në vend.

    Pas dështimit për herë të tetëmbëdhjetë të konstituimit të Kuvendit, Krasniqi tha se legjislatura e nëntë do të mund të konstituohej për 24-orë nëse LVV-ja tërhiqet nga kandidatura e Albulena Haxhiut për këtë post.

    Megjithatë, ai ritheksoi pozicionin e tyre se nuk votojnë asnjë deputetë të LVV-së që ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar në katër vitet e kaluara.

    “Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që të zhbllokojë situatën. Shpreh keqardhjen ndaj gjithë qytetarëve që është bërë e tepërt dhe po dëmton vendin tonë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Bëj thirrje që LVV-ja dhe lideri i saj Albin Kurti të ndryshojnë kandidatin dhe të vijnë me një kandidat që mund të merr shumicën dhe të shkojmë tutje për konsitutimin e Kuvendit dhe themelimin e qeverisë”, theksoi ai.

    Duke folur për mundësinë e dërgimit të kësaj çështjeje në Gjykatë Kushtetuese, ai tha se nëse vazhdohet bllokda në Kuvend atëherë presidentja mund të dërgojë pyetje kushtetuese.

    Sipas tij, një gjë e tillë është diskutuar në takimin e javës së kaluar me presidenten Vjosa Osmani.

    “Ne s’kemi krizë juridike por krizë politike. Në këtë situatë edhe përgjigja duhet të ishte politike dhe zgjidhja e tillë. Nëse një gjë tillë mungon atëherë duhet dikush të merret me një adresim në Gjykatën Kushtetuese siç e ka bërë AAK-ja me mbështetjen e deputetëve të partive të tjera për mënyrën e votimit. Presidentja është brenda kompetencave që ia lejojnë një gjë të tillë dhe kam kërkuar në takimin me të që në zbatim të këtyre përgjegjësive t’i drejtohet me pyetje kushtetuese. Ajo vullnetin e ka shpreh që në një moment apo pikë të caktuar të kësaj bllokade të bëjë një gjë të tillë, por se kur nuk e di”, tha ai.

    Kurse sa i përket zgjedhjeve të reja, Krasniqi tha se nëse vjen ky rast atëherë PDK-ja e ka rolin e vet, mirëpo sipas tij, edhe për shkuarjen në zgjedhje nevojitet një marrëveshje politike.

    “Nëse vijnë zgjedhjet dhe është diçka e pashmangshme atëherë PDK-ja e ruan rolin e vet dhe do të jetë e gatshme. Mirëpo edhe për zgjedhje nevojitet marrëveshje politike, pasi duhet të konstatohet Kuvendi në çdo rrethanë”, përfundoi ai.

    I pyetur për një diskutim mes Albulena Haxhiut dhe deputetit të PDK-së Nait Hasani pas dështimit të sotëm të konstituimit të Kuvendit, Krasniqi tha se asnjë deputetë i PDK-së nuk lëvizë nga qëndrimet partiake.

    “Asnjë deputetë i PDK-së asnjë milimetër nuk lëvizë nga qëndrimet. Ne nuk jemi armiq këtu. Po më vjen keq që partia parë po mundohet me krijuar një narracion të përçarjes dhe ndarjes. Në kuptimin njerëzor asnjë deputet s’ka raporte armiqësore me askënd por jemi këtu me përfaqësu qëndrimet tona politike”, tha Krasniqi./KosovaPress

  • ​Kadrijaj: Sot do i dërgojmë komentet në Kushtetuese

    ​Kadrijaj: Sot do i dërgojmë komentet në Kushtetuese

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj bëri të ditur se sot do të dorëzojnë komentet në Gjykatën Kushtetuese. Ditë më parë, është kërkuar interpretim nga Kushtetuesja lidhur me votimin e fshehtë, për çka partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë e kanë konsideruar anti-kushtetuese.

    Pas dështimit të 18-të për konstituim të Kuvendit, Kadrijaj tha se ky është skenar i njëjtë, teksa tha se “E mira është veç të propozohet Albulena Haxhiu për Çmim Nobel”.

    “Po përsëritet skenari i njëjtë, ishte një kërkesë e kryesuesit të seancës që të konsultohemi që seanca të mbahen çdo javë. Normal që u refuzua nga të gjitha partitë opozitare për shkak se është shkelje e Kushtetutës. Me Kushtetutë thuhet që çdo 48 orë, andaj ne nuk e pranuam…. E mira është s’po di veç me propozu për Çmim Nobel Albulena Haxhiun edhe pse Çmimi Nobel është për të arriturat dhe sukseset në ndonjë fushë apo lëmi, e tash veç me propozu për Çmim Nobel për dështimet e njëpasnjëshme me plot seanca dhe vazhdimi i Lëvizjes Vetëvendosje me të njëjtin kandidat”, deklaroi Kadrijaj.

    Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj tha se sot do të dorëzojnë komentet në Kushtetuese.

    “Tash po nisem për në Gjykatën Kushtetuese, është afati i fundit për dërgimin e komenteve. I kemi hartuar edhe disa komente në përkrahje dhe mbështetje të asaj që kemi dërguar dhe arsyetimin se pse duhet të trajtohet me seriozitet. Ne tash po fillojmë të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, do i dorëzojmë komentet dhe normal që dëshirojmë që të fuqizohet kërkesa paraprake”, shtoi ajo para mediave./KP/

  • ​Qendra Kinematografike e Kosovës sërish pjesë e Festivalit të Filmit në Kanë

    ​Qendra Kinematografike e Kosovës sërish pjesë e Festivalit të Filmit në Kanë

    Qendra Kinematografike e Kosovës po përfaqëson sërish industrinë filmike të vendit në një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë botërore – Festivalin e Filmit në Kanë të Francës.

    Ashtu si në vitet e kaluara, QKK ka ngritur shtandin e saj në Marketin e Festivalit, këtë vit përsëri në bashkëpunim me Shqipërinë, duke dëshmuar përkushtimin për prezantimin dhe zhvillimin ndërkombëtar të kinematografisë shqiptare.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi, ka theksuar rëndësinë e përkushtimit të gjatë që qëndron pas një filmi të realizuar:

    “Shumë vite punë në prapaskena kalohen në bashkëpunim, rrjetëzim, ngritje fondesh, përshtatje vizioni artistik për distribuim dhe promovim ndërkombëtar e vendor, në mënyrë që produkti kinematografik një orësh e gjysmë të shfaqet i përfunduar në ekranin e madh.”

    Në Kanë, përveç prezencës institucionale, tre kineastë nga Kosova – Samir Karahoda, Kaltrina Krasniqi dhe Sami Mustafa – janë të angazhuar në zhvillimin e projekteve të tyre filmike:“Imazhe të Humbura” – Samir Karahoda, “Bleach” – Kaltrina Krasniqi, “Symphony of Season” – Sami Mustafa

    Kjo pjesëmarrje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rrjetëzim, bashkëpunime të reja dhe avancim të mëtejshëm të projekteve filmike kosovare në skenën ndërkombëtare.

    Shtandin e QKK-së mund ta vizitoni në International Village Riviera, Pavijoni nr. 137, deri më 21 maj 2025 (e mërkurë).

    Për Kosovën, prania në Kanë nuk është vetëm simbolike – është një dëshmi e rritjes së vazhdueshme të kinemasë vendore dhe përkushtimit për ta vendosur atë në hartën e filmit botëror.

  • Abdixhiku: Është e pakuptueshme se si një parti me 48 deputetë të mos arrijë të bëjë një shumicë minimale

    Abdixhiku: Është e pakuptueshme se si një parti me 48 deputetë të mos arrijë të bëjë një shumicë minimale

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur pas dështimit të 18-të të VV’së për ta bërë Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

    Abdixhiku thotë se deklarata e Kurtit se “s’ka urgjencë”, është lajm i keq për Kosovën. Sipas Abdixhikut, është e pakuptimtë si një parti me 48 deputetë të mos arrijë të bëjë një shumicë minimale.

    “Mungesa e urgjencës ështrë vërtetë lajm i keq për Kosovën. Ka nevojë për institucione, ka nevojë për veprime politike të partisë së parë.

    Është e pakuptueshme se si një parti me 48 deputetë të mos arrijë të bëjë një shumicë minimale”, deklaroi Abdixhiku.

  • Dështon tentimi i 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon tentimi i 18-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 18-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës.

    Vazhdimi i sotëm ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

    Ishin 52 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim. Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 21 maj, në orën 11:00.

  • ​Limaj: S’ka asnjë hap konkret për zgjidhjen e krizës politike

    ​Limaj: S’ka asnjë hap konkret për zgjidhjen e krizës politike

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka akuzuar partitë e mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) për papërgjegjësi politike në lidhje me krizën institucionale në vend.

    Limaj ritheksoi nevojën për arritjen e një marrëveshje politike që do t’i jepte mundësi vendit për t’i formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    “Vazhdon një papërgjegjësi e forcave politike për t’u ulur dhe bërë një marrëveshje politike që do t’i jepte mundësi vendit me pas institucione dhe shumicë parlamentare. Mendoj që secili duhet t’i thirrë përgjegjësisë së vet. Forcat të tjera politike nuk ka tjetër në Kosovë dhe janë këto. Nëse nesër ka zgjedhje prapë do të jenë këto forca politike. Rruga e vetme që Kosova si shtet serioz është përmes bisedimeve dhe marrëveshjeve politike”, tha ai.

    Limaj duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e tetëmbëdhjetë të seancës konstituive të Kuvendit, tha se deri tani s’ka asnjë hap konkret për zgjidhjen e krizës politike.

    Limaj: Deri tani s’ka asnjë hap konkret për zgjidhjen e krizës politike

    Video:
    “Tani për tani nuk ka ndonjë hap konkret serioz përveç ato që kemi pa në media. Por hap konkret dhe ftesë rreth atyre propozimeve Nisma s’ka pasur”, përfundoi ai./KP/