ATV

Category: Lajme

  • ​Plani i Rritjes, qeveria në detyrë thotë se s’ka kthim në pikën zero

    ​Plani i Rritjes, qeveria në detyrë thotë se s’ka kthim në pikën zero

    Negocimi i marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mund të kthehet në pikën zero, pavarësisht vonesave për ratifikimin e saj në parlament, thonë në qeverinë në detyrë. Në anën tjetër, në bllok deklarojnë se po presin ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të disbursojnë mjetet e para-financimit prej 61 milionë eurosh.

    Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani. Kjo situatë, sipas njohësve të integrimeve evropiane, nëse vazhdon edhe më tutje, do të rrezikojë marrjen e këtyre fondeve.

    Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

    Vonesat në marrjen e këtyre mjeteve, sipas Klisman Kadiut, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, po ndodhin “si pasojë e bllokimit nga opozita” të rrugës për formimin e institucioneve, e cila, siç thotë ai, ka një dëm të dukshëm për marrjen e fondeve dhe avancimin e reformave të integrimit evropian.

    “Nuk bëhet fjalë për kthim në pikën zero, por për një dëm të dukshëm dhe bllokues të vijimësisë në marrjen e fondeve dhe avancimin në zbatimin e reformave, që po vjen si pasojë e bllokimit nga opozita të rrugës për formimin e institucioneve të reja. Mesa duket për ta, interesat personale dhe partiake janë më të rëndësishme sesa interesat shtetërore dhe krijimi i institucioneve të reja, që do sillte edhe marrjen e para-financimit në vlerën 7% apo 61,2 milionë euro nga shuma totale prej 882,6 milionë euro që do të përfitojë Kosova nga Bashkimi Evropian përmes Planit të Rritjes për 3 vitet e ardhshme”, thotë Kadiu në një përgjigje për KosovaPress.

    Ndërkaq, në Bashkimin Evropian nuk treguan për KosovaPress se – nëse vazhdon vonesa nga ana e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për Planin e Rritjes – a mund të rikthehet në pikën zero negocimi i saj.

    Megjithatë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, thotë për KosovaPress se në rastin e Kosovës janë në fazën përfundimtare të hapave procedurale, të cilët pritet të mundësojnë disbursimin e parave paraprake sa më shpejt në vitin 2025.

    “Komisioni e ka vlerësuar Agjendën e Reformës dhe ka konkluduar se ajo është në përputhje me objektivat dhe kërkesat e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Agjenda e Reformës u miratua më 23 tetor 2024 përmes një Vendimi Zbatues të Komisionit, pas një opinioni pozitiv nga Shtetet Anëtare. Kosova ka kërkuar lirimin e parave paraprake deri në 7% të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij Mekanizmi. Aktualisht, Komisioni dhe Kosova janë në fazën përfundimtare të hapave procedurale, të cilët pritet të mundësojnë disbursimin e parave paraprake sa më shpejt në vitin 2025, në pritje të përfundimit të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e saj për KosovaPress.

    Për shkak të kësaj situate, por edhe nevojave të brendshme, sipas analistit politik Dorajet Imeri, themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është urgjencë.

    “Konstituimi i institucioneve të Kosovës, fillimisht Kuvendi dhe më pas qeveria, nuk është vetëm një urgjencë e brendshme, por edhe në veçanti me raportet me partnerët strategjikë dhe Bashkimin Evropian. Ka miliona euro që janë në pritje të zotimeve që Kosova mund të marrë dhe kjo nuk mund të bëhet pa konstituimin e Kuvendit. Është shumë e rëndësishme për Kosovën që sa më parë që të jetë e mundur të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, në mënyrë që Kosova t’i japë përgjigje BE-së dhe nevojave të qytetarëve”, deklaron ai.

    Qeveria e Kosovës ka negociuar dhe aprovuar që në tetor të vitit të kaluar Agjendën e Reformave me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes dhe si e tillë ajo është aprovuar si vendim edhe nga Komisioni Evropian.

    Në hapat e radhës, janë dy marrëveshje që duhet të ratifikohen nga Kuvendi. E para është marrëveshja për Instrumentin e Planit të Rritjes, e cila është nënshkruar nga qeveria dhe Komisioni Evropian dhe është dërguar në Kuvend që në dhjetor 2024. E dyta është ajo për ratifikimin e marrëveshjes për hua.

    Konstituimi i Kuvendit ka ngecur, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë një kandidat tjetër, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është një emër i papranueshëm./KP

  • Sulmet izraelite vranë të paktën 60 njerëz në Gazë, thonë autoritetet lokale shëndetësore

    Sulmet izraelite vranë të paktën 60 njerëz në Gazë, thonë autoritetet lokale shëndetësore

    Sulmet izraelite gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës kanë vrarë të paktën 60 persona në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Izraeli ka nisur një ofensivë tjetër të madhe në Gazë gjatë ditëve të fundit, duke thënë se synon të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian – dhe të shkatërrojë grupin palestinez.

    Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nisi të lejojë hyrjen e një numri të vogël të kamionëve me ndihma në Gazë për herë të parë pas 2 muajsh e gjysmë, duke thënë se ishte përballur me trysni për të hequr një bllokadë ndaj 2 milionë palestinezëve të territorit, që kishte nxitur frikë për zi buke.

    Por, agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thanë se disa kamionë që kanë hyrë nuk janë as afër përmbushjes së nevojës masive për ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera, raporton Associated Press. Rreth 600 kamionë në dytë kishin hyrë gjatë një armëpushimi, më parë këtë vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Dy sulme në veri të Gazës goditën një shtëpi familjare dhe një shkollë të shndërruar në vendstrehim, duke vrarë të paktën 22 persona, më shumë se gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

    Një sulm në qytetin qendror Deir al-Balah vrau 13 persona, ndërsa një tjetër në kampin e afërt të refugjatëve Nuseirat i mori jetën 15 personave, sipas Spitalit të Martirëve të Al-Aksës.

    Dy sulme në qytetin jugor të Han Junisit vranë 10 persona, sipas Spitalit Nasser.

    Nuk pati komente të menjëhershme nga ushtria izraelite, e cila thotë se sulmon vetëm militantë, dhe fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve, për shkak se grupi operon në zona të populluara.

    Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur 58 pengje që besohet të jenë gjallë, pasi shumica e pjesës tjetër janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 53.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.

    Lufta ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullatës së Gazës, shumicën prej tyre disa herë./rel

  • Tragjedi rrugore, dy gra vdesin pas aksidentit në Fushë Kosovë

    Tragjedi rrugore, dy gra vdesin pas aksidentit në Fushë Kosovë

    Policia e Kosovës ka raportuar për një vetaksident trafiku që ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku ka qenë e përfshirë një veturë e drejtuar nga një femër kosovare.

    Shoferja dhe pasagjerja, të dyja shtetase të Kosovës, janë dërguar me urgjencë në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar se ato kanë ndërruar jetë.

    Me vendim të prokurorit, trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
    Rasti është në procedurë hetimore.

  • Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, Prindon Sadriu: Kërcënimet ndaj presidentes janë pasojë direkte e mosveprimit

    Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, Prindon Sadriu: Kërcënimet ndaj presidentes janë pasojë direkte e mosveprimit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundmi është kërcënuar me jetë. Në adresën elektronike të presidencës ka shkuar një mesazh përmes të cilit një person e kërcënon me vrasje të parën e shtetit.

    Lidhur me këtë, ka reaguar zotëriu i parë, Prindon Sadriu i cili përmes një postimi në Facebook thotë se kjo nuk është hera e parë që presidentja kërcënohet, pasi ka me dhjetëra.

    Sipas tij, këto kërcënime janë pasojë direkte e mosveprimit.

    “Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë. Janë sistem. Janë strategji. Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit. Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt”, ka shkruar Sadriu.

  • ​Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili

    ​Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili

    Kosova ka ndaluar përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili, njoftoi të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    “Kjo masë është ndërmarrë si përgjigje ndaj shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane”, thuhet në njoftim.

    Sipas agjencisë, ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.

    “Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet tutje në njoftim.

    Vendimi, sipas agjencisë, është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera “përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit”.

    Ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV

  • Kallas vjen në Beograd, në tryezë dy tema – marrëdhëniet me Rusinë dhe Kosova

    Kallas vjen në Beograd, në tryezë dy tema – marrëdhëniet me Rusinë dhe Kosova

    Pas më shumë se një muaji nga vizita në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës e anashkaloi Beogradin dhe Prishtinën, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, këtë javë mbërrin në kryeqytetin serb. Analistët vlerësojnë se gjatë bisedimeve me zyrtarët serbë, dy tema do të jenë në qendër të vëmendjes – marrëdhëniet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kosovën, shkruan gazeta serbe “Blic”.

    Igor Novakoviq, drejtor i kërkimeve në Fondin ISAC në Beograd, ka thënë se këto tema do të jenë të njëjtës peshë me ato që kanë adresuar komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe se duhet pasur parasysh se këto dy çështje janë shumë të rëndësishme për Kallas.

    Tema e parë është qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe rrjedhimisht edhe pozicionimi i Serbisë në kontekstin e sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Federatës Ruse, si dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Ukrainës. Tema e dytë është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

    “Dëgjohen zëra se Kallas është më e interesuar për temën e dialogut sesa përfaqësuesi i mëparshëm. Këtu lind pyetja për qëndrimin e saj dhe se si do të funksionojë kjo në koordinim me përfaqësuesin special për dialogun, z. Peter Sorensen”, ka thënë Novakoviq.

    Pikërisht për këtë temë, Kaja Kallas u shpreh tre ditë më parë në Tiranë, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. E pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ajo kujtoi se BE ka emëruar para disa muajsh përfaqësuesin e ri special për dialogun, Peter Sorensen.

    “Sigurisht, pres normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ajo para samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

    Strahinja Subotiq nga Qendra serbe për Politikat Evropiane ka theksuar se nuk duhet harruar që shefja e re e diplomacisë së BE-së vjen nga Estonia.

    “Ajo me siguri do të hapë çështjen ruse, pasi tashmë ka paralajmëruar se BE-ja nuk e aprovon pjesëmarrjen në paradën në Moskë më 9 maj. Përveç kësaj, ajo do të flasë edhe për detyrimet ndaj Kosovës, duke qenë se pritet që deri atëherë situata politike në Kosovë të stabilizohet”, ka thënë Subotiq, përcjell Paparaci.

    Sipas tij, për Kallas, çdo bashkëpunim me Rusinë është një “vijë e kuqe”.

    “Pikërisht për këtë arsye ajo ka marrë reagime të ashpra nga Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë pretenduar se Kallas “nuk ka mandat” për t’ua lidhur duart vendeve anëtare në politikën e jashtme,” ka thënë Subotiq.

    Branka Llatinoviq, ish-ambasadore në OSBE, pret që vizita e Kaja Kallas në Beograd të sjellë tre tema kryesore, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rruga evropiane e Serbisë dhe reformat që lidhen me këtë rrugë.

    Sipas burimeve jozyrtare, Kallas mbërrin në Beograd nesër në mbrëmje, ndërsa programi zyrtar i vizitës fillon më 22 maj.

  • Një grua dhe një vajzë e mitur humbin jetën në një aksident trafiku në Fushë-Kosovë

    Një grua dhe një vajzë e mitur humbin jetën në një aksident trafiku në Fushë-Kosovë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në Fushë-Kosovë, ku raportohet se një grua dhe një vajzë e mitur kanë humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra.

    “Fushë Kosovë / 19.05.2025 – 22:11. Raportohet se ka ndodhur një vet-aksident trafiku ku ka qenë e përfshirë një veturë që drejtohej nga një femër kosovare. Drejtuesja e veturës e po ashtu edhe pasagjerja kosovare janë dërguar në QKUK ku nga mjekët është konstatuar se të dyja kanë ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të prokurorit trupat e viktimave janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

  • Rubio: SHBA-ja është për paqe, Europa po mbështet luftën

    Rubio: SHBA-ja është për paqe, Europa po mbështet luftën

    Marrëdhëniet ndërkombëtare po përjetojnë një kthesë të pazakontë, sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili deklaroi se për herë të parë në dekada, është Amerika ajo që po bën thirrje për paqe, ndërsa disa vende evropiane po mbështesin qasjen e përshkallëzimit ushtarak.

    Duke folur në Eventin e Bordit në Qendrën Kennedy, Rubio tha: “U them njerëzve se kemi një president paqeje – Donald Trump. Madje, një nga kardinalët me të cilët u takova një ditë para meshës papnore më tha: ‘Është shumë e pazakontë për ne. Kemi një president amerikan që dëshiron paqe dhe disa evropianë që flasin vazhdimisht për të bërë gjëra lufte.’ Pra, bota është paksa përmbys në mendjet e tyre tani. Dhe zakonisht është e kundërta.”

    Rubio vuri në dukje se fokusi i administratës Trump është ndalimi i konflikteve të mëdha të armatosura, përfshirë luftën në Ukrainë, dhe arritja e zgjidhjeve diplomatike sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai theksoi se SHBA-të po bëjnë investime të mëdha në mbrojtje dhe siguri, por objektivi final është që këto mjete financiare të ridrejtohen drejt zhvillimit ekonomik dhe sektorit publik.

    “Ne po forcojmë sigurinë tonë, por një Amerikë pa konflikte do të thotë që mund të investojmë më shumë në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi,” tha Rubio.

    Rubio shprehu shqetësimin se retorika e përshkallëzimit nga disa liderë evropianë mund të çojë në pasoja të paparashikuara.

    Zyrtari i lartë amerikan përmendi gjithashtu se një rikonfigurim i rolit tradicional të SHBA-ve si aktor dominues në konfliktet globale është tashmë i dukshëm: “Presidenti Trump nuk dëshiron luftë – ai dëshiron marrëveshje dhe stabilitet”.

  • ​Dita Botërore e Metrologjisë

    ​Dita Botërore e Metrologjisë

    Sot shënohet Dita Botërore e Metrologjisë, në të cilën shënohet përvjetori i nënshkrimit të Konventës së Metrit.

    Në vitin 1875, në Paris u mbajt një konferencë diplomatike për metrin, ku shtatëmbëdhjetë qeveri shtetesh, nënshkruan traktatin e Konventës së Metrit.

    Nënshkruesit e kësaj Konvente vendosen të krijojnë dhe financojnë një institut të përhershëm shkencor me emrin “Byroja Ndërkombëtare e Peshave dhe Matjeve”, që shkurtimisht njihet BIPM./KP

  • Çfarë përmban marrëveshja mes Britanisë dhe BE-së?

    Çfarë përmban marrëveshja mes Britanisë dhe BE-së?

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, e nënshkroi të hënën një marrëveshje me krerët e Bashkimit Evropian në Londër, duke e nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Britanisë dhe BE-së pas Brexit-it të vitit 2020.

    Më poshtë mund të lexoni më shumë rreth çështjeve për të cilat janë pajtuar palët:

    Siguria dhe mbrojtja

    Palët janë pajtuar për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në një kohë kur Evropa po riarmatoset përballë kërcënimit nga Rusia dhe mes pasigurive për politikat e presidentit amerikan, Donald Trump.

    Marrëveshja do ua mundëson përfaqësuesve britanikë të marrin pjesë në disa takime ministrore të BE-së dhe të angazhohen në stërvitje dhe misione ushtarake evropiane.

    Gjithashtu, marrëveshja synon t’i afrojë industrinë britanike të mbrojtjes me përpjekjet evropiane për të ndërtuar një bazë industriale vendore.

    Ajo ua hap rrugën firmave britanike të përfitojnë nga një fond i BE-së prej 150 miliardë eurosh, për të cilin po negociojnë tani 27 shtetet anëtare të bllokut. Megjithatë, do të nevojitet një marrëveshje shtesë dhe një kontribut financiar nga Londra.

    Britania pritet të përfitojë ndjeshëm nga kjo marrëveshje. Kompanitë si BAE Systems dhe Rolls-Royce pritet të kenë përfitime.

    Ushqimi dhe kafshët shtëpiake

    BE-ja dhe Britania janë pajtuar t’i kufizojnë kontrollet mbi ushqimet dhe produktet bimore në tregtinë e ardhshme. Kjo ka qenë kërkesë kyçe nga Londra.

    Sipas tekstit të marrëveshjes, “kjo do të bëjë që shumica dërrmuese e lëvizjeve të kafshëve, produkteve shtazore, bimëve dhe produkteve bimore midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian të kryhen pa certifikatat, apo kontrollet të cilat kërkohen sipas rregullave”.

    BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Britanisë. Por, eksportet britanike drejt kontinentit kanë rënë për 21 për qind që nga Brexit-i, ndërsa importet kanë rënë për shtatë për qind.

    Pas një mungese të gjatë, Britania do të mund të shesë sërish hamburgerë, fruta deti, salsiçe dhe produkte të tjera në BE, tha Starmer. Po ashtu, britanikët do të mund të udhëtojnë më lehtë me kafshët e tyre shtëpiake.

    Në këmbim, Britania është zotuar për përafrim dinamik – me mundësi përshtatjeje në kohë – me rregullat sanitare dhe fitosanitare të BE-së, me disa përjashtime të mundshme.

    Në rast mosmarrëveshjeje, do të krijohet një mekanizëm i pavarur për zgjidhjen e çështjeve, por Gjykata Evropiane e Drejtësisë do të mbetet autoriteti përfundimtar.

    Masat e tjera ekonomike për të cilat u arrit pajtueshmëri përfshijnë “bashkëpunim më të ngushtë” për kuotat e emetimeve, duke lejuar kompanitë britanike të shmangin taksën kufitare të BE-së për karbonin.

    Sipas Qeverisë britanike, këto masa pritet t’i shtojnë ekonomisë britanike “afërsisht 10.7 miliardë euro deri në vitin 2040”.

    Peshkimi

    Peshkimi ishte çështja veçanërisht e rëndësishme për Francën, e cila e vendosi atë si parakusht për çdo marrëveshje më të gjerë mes Londrës dhe Brukselit.

    Britania ka rënë dakord ta zgjasë deri në qershor të vitit 2038 një marrëveshje ekzistuese që lejon anijet evropiane të peshkojnë në ujërat britanike dhe anasjelltas. Marrëveshja e tanishme pritej të përfundonte në vitin 2026.

    Zgjatja e marrëveshjes do të sjellë qëndrueshmëri dhe siguri për ekuipazhet e peshkimit, pa rritur sasinë e peshkut që anijet e BE-së mund të zënë në ujërat britanike, sipas Qeverisë britanike.

    Në Skoci, kritikat ishin të menjëhershme. Sektori i peshkimit “duket se është braktisur” nga Londra, tha kryeministri i Skocisë, John Swinney, ndërsa Federata e Peshkatarëve Skocezë e përshkroi marrëveshjen si “film horror”.

    Ministrja franceze Agnes Pannier-Runacher, e cila mbikëqyr sektorin e peshkimit, e mirëpriti marrëveshjen duke thënë se ajo “do të sigurojë vizibilitet ekonomik dhe politik për peshkimin francez”.

    Lëvizja e të rinjve

    Brukseli kishte shtyrë për një marrëveshje për lëvizjen e të rinjve, e cila do t’ua mundësojë të rinjve evropianë të studiojnë dhe punojnë përkohësisht në Britani, dhe anasjelltas. Por, Londra mbetet e kujdesshme ndaj çdo marrëveshjeje që ngjan me lëvizjen e lirë dhe që mund t’i rrisë shifrat e emigracionit.

    Asnjë marrëveshje e qartë nuk u arrit të hënën dhe teksti i marrëveshjes nuk e përmend fjalën “lëvizje”.

    Pra, palët shprehën thjesht gatishmërinë për të “punuar për një program të baraspeshuar” që do t’u mundësojë të rinjve të punojnë, studiojnë, bëjnë vullnetarizëm apo të udhëtojnë në Britani dhe BE për një periudhë të kufizuar kohore. Kushtet e programit nuk janë përcaktuar ende.

    Londra dhe Brukseli gjithashtu biseduan për mundësinë që Britania t’i ribashkohet programit për shkëmbime studentore, Erasmus+.

    Numri i studentëve të BE-së në Britani është përgjysmuar që nga Brexit-i, duke rënë nga rreth 148.000 më 2019-2020 në 75.500 më 2023-2024.

    Kalimet kufitare

    Për t’i lehtësuar kalimet kufitare, të dyja palët u zotuan të “vazhdojnë diskutimet” në mënyrë që shtetasit britanikë të mund të përdorin më shumë “eGates” – portat automatike për kontrollin e pasaportave.

    Kjo duhet t’i ndihmojë pushuesit britanikë t’i shmangin “radhët e tmerrshme” në aeroportet e BE-së, sipas Qeverisë britanike./REL/