ATV

Category: Lajme

  • BE-ja dhe Britania miratojnë sanksione të reja kundër Rusisë

    BE-ja dhe Britania miratojnë sanksione të reja kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë miratuar sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

    Sanksionet e Bashkimit Evropian janë të përqendruara te “flota në hije” e anijeve transportuese të naftës, shkelja e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride, tha kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, raporton gazeta “The Guardian”.

    Në rrjetin X, zyrtarja e lartë evropiane shkroi: “BE-ja e ka miratuar pakon e saj të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke vënë në shënjestër gati 200 anije të flotës në hije. Masat e reja gjithashtu i adresojnë kërcënimet hibride dhe të drejtat e njeriut.”

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së paralajmëroi se blloku është duke shqyrtuar edhe sanksione të tjera. “Më shumë sanksione janë në procedurë. Sa më gjatë që Rusia e vazhdon luftën, aq më e fortë kundërpërgjigjja jonë” – shkroi ajo.

    Qeveria britanike, ndërkohë, njoftoi 100 sanksione të reja kundër Rusisë. Këtu përfshihen ushtria ruse, sektorët financiarë dhe të energjisë dhe ata që po e kryejnë “luftën e Putinit me informata kundër Ukrainës”.

    Në njoftimin për shtyp thuhet se Britania dhe partnerët e saj “gjithashtu janë duke punuar për ta shtrënguar tavanin e çmimit të naftës, duke i kufizuar më tej të hyrat jetike nga karburantet për makinerinë luftarake të Putinit”.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë se po mundohet që të blejë kohë për ta vazhduar luftën. Mendim të njëjtë pati edhe ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius./Nacionale

  • ​Zgjedhjet në Shqipëri, përfundon numërimi i votave nga jashtë

    ​Zgjedhjet në Shqipëri, përfundon numërimi i votave nga jashtë

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri me dije sot se ka përfunduar, procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial në listë të hapur në 12 qarqet e vendit.

    Sipas Celibashit, numërimi për kandidatët preferencial në votimin nga jashtë ka përfunduar në Kukës, Shkodër, Dibër, Durrës, Fier, Tiranë, Berat, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

    Numërimi i votave të diasporës ka përfunduar po ashtu edhe për subjektet politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

    Nga 246 mijë votues të regjistruar në platformën elektronike PER, më shumë se 200 mijë votues kthyen zarfet me fletët e votimit për subjektet politike dhe kandidatët e votimit preferencial.

  • BE-ja bie dakord për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë

    BE-ja bie dakord për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë

    Vendet e BE-së kanë dhënë dritën e gjelbër për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë, në një përpjekje për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta të rimëkëmbet pas rrëzimit të Bashar al-Assadit.

    Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së arritën një marrëveshje paraprake mbi këtë veprim, i cili duhet të bëhet zyrtar më vonë gjatë ditës nga takimi i ministrave të jashtëm në Bruksel, thanë diplomatët.

    Vendimi i Bashkimit Evropian vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar se Uashingtoni po i heqë sanksionet kundër Sirisë.

    Diplomatët e BE-së thanë se vendimi i ri duhet të përfshijë heqjen e sanksioneve që i përjashtojnë bankat siriane nga sistemi global dhe ngrirjen e aseteve të bankës qendrore siriane.

    Megjithatë, diplomatët thanë se blloku synonte të vendoste sanksione të reja individuale ndaj atyre që janë përgjegjës për nxitjen e tensioneve etnike, pas sulmeve vdekjeprurëse që synonin pakicën alevite në Siri.

    Lëvizja e fundit e BE-së vjen pasi ajo ndërmori hapin e parë në shkurt duke pezulluar disa sanksione mbi sektorët kryesorë ekonomikë sirianë.

    Zyrtarët thanë se masat mund të rivendosen nëse udhëheqësit e rinj të Sirisë shkelin premtimet për të respektuar të drejtat e pakicave dhe për të ecur drejt demokracisë.

  • Kompania Ibër-Lepenc hyn në një objekt që ishte uzurpua te Ujmani

    Kompania Ibër-Lepenc hyn në një objekt që ishte uzurpua te Ujmani

    Punëtorët e kompanisë Ibër-Lepenc kanë hynë në një objekt i cili konsiderohet si pronë e tyre e ku qëndronte Kryqi i Kuq, në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin-Potokut.

    Aty ka asistuar edhe Policia e Kosovës.

    Këtë e konfirmoi zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    ” Kemi asistuar Ibër Lepencin për të hyrë në një objekt në Ujman”, tha Elshani.

    Pjesëtarë të Policisë së Kosovës hynë sot në objektin e Kryqit të Kuq në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin-Potokut. Këtë e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

  • KMDLNj dënon ashpër kërcënimin me jetë të presidentes Osmani: Policia të veprojë me urgjencë

    KMDLNj dënon ashpër kërcënimin me jetë të presidentes Osmani: Policia të veprojë me urgjencë

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar ndaj kërcënimeve me jetë që i janë drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes postës elektronike.

    Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se kërcënimet, ndonëse me përmbajtje të paqartë, “nuk ndërlidhen me detyrimet kushtetuese që i ka presidentja”, duke lënë të nënkuptohet se motivet e mundshme mund të jenë politike.

    Organizata e të drejtave të njeriut ngre alarmin për një trend në rritje të përdorimit të kërcënimeve si mjet politik.

    “Kohëve të fundit, shkaku i një eskalimi të raporteve ndërpartiake, është sforcuar kërcënimi si mjet për arritjen e qëllimeve politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

    KMDLNj thekson se përveç figurave politike dhe publike, “cak i vazhdueshëm i sulmeve dhe kërcënimeve janë gazetarët”, ndërkohë që dënimet për këto raste vazhdojnë të jenë “thuaja simbolike”.

    Në deklaratën e saj, KMDLNj e dënon fuqishëm aktin ndaj Presidentes Osmani dhe bën thirrje për hetim të menjëhershëm.

    “KMDLNj e dënon kërcënimin ndaj Presidentes Osmani dhe kërkon nga Policia që ta trajtojë këtë dhe rastet e ngjashme me urgjencë, në mënyrë që të parandalojnë pasoja më të rënda. Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe përvojë të suksesshme në trajtimin e këtyre rasteve, andaj pritet që kërcënuesi të arrestohet shpejt dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, thuhet në fund të reagimit.

    LEXONI EDHE:

    Kërcënimi me jetë ndaj Osmanit, Prindon Sadriu: Kërcënimet ndaj presidentes janë pasojë direkte e mosveprimit

  • Abdixhiku pret ambasadorin e ri të Italisë, thekson nevojën për zgjidhje të ngërçit politik

    Abdixhiku pret ambasadorin e ri të Italisë, thekson nevojën për zgjidhje të ngërçit politik

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

    Gjatë takimit Abdixhiku e informoi ambasadorin Antonini për qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend.

    Ai ritheksoi se kriza institucionale me të cilën po përballet vendi është rezultat i paaftësisë së partisë së parë për të krijuar një shumicë parlamentare funksionale, për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të konstituar institucionet.

    Në këtë kontekst, Abdixhiku po ashtu ritheksoi qëndrimin e qartë të LDK-së se bllokada aktuale politike dhe institucionale është e papranueshme dhe është duke i shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë interesit të qytetarëve tanë si dhe po e cenon mirëqenien e tyre.

    Kryetari i LDK-së e njoftoi ambasadorin Antonini edhe për propozimin e LDK-së për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Ai theksoi se ky propozim është zgjidhja më e mirë e përkohshme dhe e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj personit që grisi Kuranin në Prizren

    Ngrihet aktakuzë ndaj personit që grisi Kuranin në Prizren

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë kundër të pandehurit I.P. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, duke e grisur librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin.

    Në njoftim thuhet se është ngritur aktakuzë me propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj të pandehurit.

    Me këtë rast, thuhet se i pandehuri ka shkaktuar mllef të madh te komuniteti islam dhe duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me ideologji të ndryshme fetare.

  • ​OBSH miraton Marrëveshjen për pandemitë

    ​OBSH miraton Marrëveshjen për pandemitë

    Në një vendim historik, shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë miratuan sot me konsensus Marrëveshjen e parë globale për Pandemitë, gjatë Asamblesë së 78-të Botërore të Shëndetësisë.

    Organizata e bëri të ditur në faqen e tyre zyrtare se kjo marrëveshje është rezultat i më shumë se tre viteve negociatash, të nisura si përgjigje ndaj ndikimeve të mëdha të pandemisë COVID-19.

    “Marrëveshja për Pandemitë është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    “Ajo synon të bëjë botën më të sigurt dhe më të barabartë në përballje me pandemitë e ardhshme”.

    Marrëveshja përcakton parimet dhe mjetet për bashkëpunim ndërkombëtar në parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj pandemive – përfshirë qasjen e barabartë dhe të shpejtë në vaksina, terapi dhe diagnostikime.

    Presidenti i Asamblesë, Teodoro Herbosa theksoi se tani që marrëveshja është miratuar, është thelbësore zbatimi i saj, sidomos për të siguruar qasje të drejtë në produktet shëndetësore për të gjitha vendet.

    Marrëveshja garanton se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk do të ketë autoritet për të imponuar masa në nivel kombëtar, si ndalime udhëtimesh, detyrim vaksinimi apo mbyllje.

    Në fazën e ardhshme, do të zhvillohet një sistem për Shkëmbimin e Patogjenëve dhe Përfitimeve, si dhe do të krijohen mekanizma për financim dhe rrjet logjistik për të siguruar shpërndarje të drejtë të produkteve shëndetësore gjatë emergjencave.

    Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga 60 shtete.

    Ky është akti i dytë ligjor ndërkombëtar i OBSH-së sipas Kushtetutës së saj, pas Konventës për Kontrollin e Duhanit, e cila u miratua në vitin 2003 dhe hyri në fuqi në vitin 2005.

  • ​Bajrami akuzon LVV-në se janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike

    ​Bajrami akuzon LVV-në se janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka komentuar takimin e përfaqësuesve të bizneseve për kabinetin qeveritar në detyrë, duke thënë se janë deputet injorant.

    Ajo ka shkruar në Facebook se nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Dje, disa prej deputetëve të VV-së në Qeveri kishin mbledhur odat dhe shoqatat e biznesit kinse për të dëgjuar brengat e tyre lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë, proces ky që po u rrit faturat deri në 260% për rreth 1300 biznese.

    A e dini cila është kërkesa e bizneseve? Kërkesa është që vendimi për liberalizim të tregut të energjisë të shtyhet për një vit – kaq.

    Por, në vend që një kërkesë e tillë të merrej parasysh, ata që ende e quajnë veten ministra paskan thënë se këto biznese do t’i ndihmojnë duke ua subvencionu izolimin e ndërtesave. Merreni me mend: një metal përpunuesi te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, këta i thonë ta izolojmë ndërtesën dhe të ndihmojnë me vokë ujin. Kaq dinë këta ose kaq mund të thonë, pasi veç prioritet prodhimin vendor nuk e kanë.

    A e dini se si justifikohen për tregtarët, Qeveria thonë “nuk iu subvencion energjinë korporatave që fitojnë qindra miliona euro”. Si injorantë që janë, këta nuk marrin parasysh faktin se ata prapë do të fitojnë qindra miliona euro, por kostot shtesë do t’i paguajnë qytetarët e vendit, ata me të ardhurat më të vogla, sepse çmimet do të rriten – e do të rriten çmimet e produkteve që shiten më së shumti – do të rriten çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm, por as për qytetarët këta nuk mërziten.

    Me hy dhe me i analizu të dhënat e tregtimit të energjisë, çdo kush e kupton se këto politika janë krejt në favor të “mafies energjetike”, për të cilën deputeti Albin Kurti ka folur para se të bëhej kryeministër. Qysh atëherë, deputeti Kurti, si inteligjent që është, e ka ditur në tërësi rrjetin e tyre dhe mënyrën e funksionimit.

    Nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës. Erdhën në pushtet duke rrokullisur kamionë me mallra nga Serbia, hoqën dorë nga pushteti sepse nuk pranonin të hiqej taksa 100% për produktet serbe, e vendosur në kohën kur ishte kryeministër Ramush Haradinaj. Pas më shumë se katër viteve në pushtet, sot janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike.

    Kosova ka deficit tregtar rreth 38 miliardë euro për vitet 2001 – 2021 dhe i ka 19 miliardë deficit vetëm gjatë qeverisjes së Kurtit. Deputeti Kurti ka shpërndarë qindra miliona të buxhetit për të blerë paqe sociale e vota, por asnjë veprim nuk ka ndërmarrë për ta ndihmuar ekonominë e këtij vendi, e cila do të ndihmonte mirëqenien e secilit qytetar.

    Shënim:

    Nesër në ora 14:00, ne i kemi ftuar shoqatat e biznesit, ZRRE-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe KESCO-n për të argumentuar se tash për tash nuk mund të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë pa konkurrencë në treg, për keqinterpretimin e nenit 37 të Ligjit për Energji Elektrike dhe për t’u zotuar si deputetë se për aq sa është në kompetencën tonë, ne do të merremi seriozisht me këtë çështje. Nëse ka ndonjë shoqatë që s’ka marrë ftesë dhe anëtarët e tyre ndikohen nga ky proces! Jeni të mirëseardhur!

  • BE-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja kundër Rusisë

    BE-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Britanisë së Madhe kanë njoftuar të martën për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, duke përfshirë masa që synojnë flotën nën hije të Moskës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride.

    Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, lajmëroi përmes një postimi në rrjetin social X se Bashkimi Evropian ka miratuar paketën e 17-të të sanksioneve, që përfshin shënjestrimin e afërsisht 200 anijeve të flotës nën hije të Rusisë.

    “Masat e reja gjithashtu trajtojnë kërcënimet hibride dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Kallas. Ajo gjithashtu paralajmëroi se sanksione të tjera janë në proces dhe se “sa më gjatë që Rusia vazhdon luftën, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”.

    Nga ana tjetër, Qeveria e Britanisë së Madhe njoftoi 100 sanksione të reja ndaj Rusisë, që shtrihen në disa sektorë, përfshirë ushtrinë, energjinë dhe sektorët financiarë, si dhe ata që zhvillojnë luftën informative të Putinit kundër Ukrainës.

    Në një njoftim për shtyp, Qeveria e Britanisë ka theksuar se po punon së bashku me partnerët për të forcuar tavanin e çmimit të naftës, në mënyrë që të kufizohet më tej të ardhurat për makinerinë e luftës së Putinit.