ATV

Category: Lajme

  • Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Momçillo Perishiq, lirohet nga burgu

    Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Momçillo Perishiq, lirohet nga burgu

    Momçillo Perishiq, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, u lirua nga burgu më 8 korrik, pasi vuajti më shumë se dy të tretat e dënimit prej katër vjetësh për spiunazh.

    Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Novak Llukiq.

    “Është miratuar lirimi me kusht, pasi ai vuajti dy të tretat e dënimit. Në burg ka kaluar gati tre vjet”, tha Llukiq.

    Ai shtoi se bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd, të marrë më 25 qershor.

    Perishiq u shpall fajtor pasi, në mars të vitit 2002, në një motel pranë autostradës Ibarska në Beograd, i dorëzoi një dokument sekret ushtarak një zyrtari të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, shtetasit amerikan John Neighbour.

    Bëhej fjalë për procesverbalin e një mbledhjeje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të mbajtur në vitin 2001.

    Dokumenti mbante klasifikimin “Sekret ushtarak – tepër konfidencial”.

    Dokumenti u gjet te diplomati amerikan gjatë ndërhyrjes së përfaqësuesve të shërbimit të sigurisë së Ushtrisë së Jugosllavisë dhe policisë ushtarake.

    Në kohën e arrestimit, në vitin 2002, Perishiq ishte zëvendëskryeministër i Serbisë.

    Fillimisht, Gjykata e Lartë në Beograd e kishte dënuar atë me tre vjet burg, por më vonë vendimi u ndryshua në procedurën e apelimit.

    Perishiq ishte i akuzuar edhe nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, ku u dënua me 27 vjet burg për krime lufte.

    Në vitin 2013, Dhoma e Apelit e liroi nga të gjitha akuzat dhe urdhëroi lirimin e tij./REL

  • Shoqata e Prodhuesve dhe Oda Ekonomike: Prodhimi vendor të mbrohet, jo të dëmtohet

    Shoqata e Prodhuesve dhe Oda Ekonomike: Prodhimi vendor të mbrohet, jo të dëmtohet

    Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, në bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe produkteve me bazë shtazore, ka kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm institucional për mbrojtjen e zinxhirit vendor të prodhimit.

    Në një komunikatë për media, pas një takimi sot, thuhet se sektori i qumështit dhe përpunimit të produkteve vendore përbën një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin rural, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit.

    Për këtë arsye, sipas komunikatës, çdo deklaratë apo veprim që cenon besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në fakte dhe analiza zyrtare, dëmton drejtpërdrejt një sektor të tërë dhe mijëra familje që varen nga ky aktivitet.

    Në këtë drejtim, Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë kërkuar disa veprime nga ana e institucioneve.

    Në vazhdim kërkesat e Shoqatës e Prodhuesve të Kosovës dhe Odës Ekonomike e Kosovës:

    Publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave zyrtare
    I bëjmë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra, bazuar në analiza laboratorike zyrtare dhe transparente, me qëllim eliminimin e çdo paqartësie në treg.

    Mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë
    Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmarrjen e masave urgjente për mbështetjen e zinxhirit prodhues vendor, përmes politikave fiskale nxitëse, lehtësimeve administrative, diplomacisë ekonomike dhe mekanizmave të tjerë mbështetës.

    Ndaljen e deklarimeve dhe veprimeve që dëmtojnë sektorin pa bazë faktike
    Kërkojmë që çdo pretendim për cilësinë apo sigurinë e produkteve ushqimore të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe procedurave profesionale, duke shmangur veprimet që krijojnë pasiguri te konsumatorët dhe dëmtojnë padrejtësisht prodhuesit vendorë.

    Përshpejtimin e hapave për eksport në tregjet evropiane
    Kërkojmë ndërmarrjen e masave konkrete që do t’u mundësojnë prodhuesve vendorë eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, përfshirë avancimin e proceseve për njohjen e certifikatave përkatëse të lëshuara nga institucionet vendore.

    Respektimin e standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje
    Institucionet dhe të gjitha palët e përfshira duhet të veprojnë mbi bazën e ligjeve në fuqi dhe standardeve profesionale, duke garantuar një treg të sigurt, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë operatorët.

    Prodhuesit vendorë kanë investuar në teknologji, kanë krijuar vende pune dhe kanë punuar vazhdimisht për përmbushjen e standardeve të kërkuara. Ata meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë, jo cenim të reputacionit pa dëshmi të bazuara.

    Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës mbeten të përkushtuara për dialog konstruktiv me institucionet përgjegjëse, në interes të konsumatorit, prodhuesit vendor dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

  • 27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

    27 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

    Organizata “Albanians For America” ka përkujtuar Agronin, Mehmetin dhe Ylli Bytyqin në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke bërë thirrje që autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të dalin para drejtësisë.

    Në një njoftim publik, organizata rikujton se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, luftuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, por më pas u arrestuan, u dënuan me burg nga autoritetet serbe dhe u ekzekutuan nga strukturat shtetërore të Serbisë.

    “Sot përkujtojmë me respekt Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë, pjesëtarë të Batalionit ‘Atlantiku’, të cilët, nën emblemën e UÇK-së, luftuan për lirinë e Kosovës, por u ekzekutuan mizorisht nga strukturat shtetërore serbe, pasi që paraprakisht ishin arrestuar dhe dënuar me burg nga autoritetet e Serbisë”, thuhet në reagimin e organizatës.

    Albanians For America vlerëson se edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për rastin Bytyqi mbetet e parealizuar.

    “Ky përvjetor na kujton se drejtësia e vonuar dhe e mohuar mbetet padrejtësi. Edhe pas 27 vitesh, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, thekson organizata.

    Sipas saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe premtimeve të përsëritura nga zyrtarët serbë, familja Bytyqi ende pret që autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi.

    “Pavarësisht premtimeve të përsëritura të zyrtarëve serbë dhe kërkesave të pandërprera të Shteteve të Bashkuara, familja Bytyqi vazhdon të presë drejtësi, ndërsa Serbia vazhdon të mos japë përgjigjen që i detyrohet të vërtetës dhe ligjit”, thuhet më tej në njoftim.

    Në fund, organizata rithekson se zbardhja e plotë e këtij rasti është një detyrim jo vetëm ndaj familjes Bytyqi, por edhe një test për përgjegjësinë institucionale të Serbisë.

    “Vendosja e drejtësisë nuk është vetëm një detyrim ndaj familjes së tyre, por edhe një provë e gatishmërisë së Serbisë për të marrë përgjegjësi për një krim të kryer nga strukturat e saj shtetërore”, përfundon reagimi i Albanians For America.

  • Katër aleatë të NATO-s do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore nga një prodhues amerikan për ta forcuar Ukrainën

    Katër aleatë të NATO-s do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore nga një prodhues amerikan për ta forcuar Ukrainën

    Disa aleatë të NATO-s kanë njoftuar se do të porosisin raketa të mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën drejtpërdrejt nga prodhuesi në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë municionesh për t’iu kundërvënë sulmeve ruse në shkallë të gjerë, shkruan CNN.

    Përveç mbështetjes së programit të NATO-s për koordinimin e donacioneve të pajisjeve të avancuara ushtarake amerikane, katër vende – Kanadaja, Danimarka, Gjermania dhe Norvegjia – njoftuan këtë nismë për të porositur më shumë raketa drejtpërdrejt. Norvegjia tha se do të sigurojë edhe 307 milionë dollarë shtesë (3 miliardë korona norvegjeze) për të forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

    “Duke pasur parasysh afatet e gjata të dorëzimit për disa nga këto raketa, Norvegjia gjithashtu planifikon të blejë raketa Patriot nga vende që tashmë i kanë ato, për të mundësuar dhurimin e tyre të shpejtë për Ukrainën”, tha Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë në një deklaratë.

    “Ukraina po arrin të ndalojë shumicën e dronëve dhe raketave të lundrimit, por ajo duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundër raketave balistike. Kjo është një nga prioritetet më urgjente të Ukrainës. Prandaj, Norvegjia po siguron tani 3 miliardë korona norvegjeze për mbrojtjen ajrore”, tha kryeministri Jonas Gahr Støre në deklaratë. Store sapo u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ankara.

  • Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

    Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

    Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka shënuar një moment të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve neurokirurgjikale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime me teknikën e neuroendoskopisë.

    Bëhet fjalë për një metodë moderne dhe minimalisht invazive, e cila mundëson trajtim më të avancuar të patologjive të trurit dhe rrit sigurinë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

    Në njoftimin e QKUK-së thuhet se më 6 dhe 7 korrik, Klinika e Neurokirurgjisë mirëpriti neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, së bashku me ekipin profesional të klinikës, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave.

    “Gjatë kësaj vizite u kryen me sukses dy ndërhyrje të rëndësishme: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën neuroendoskopike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Sipas QKUK-së, në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një aparaturë moderne që disponohet në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe që rrit saktësinë e ndërhyrjeve kirurgjikale.

    “Në të dyja ndërhyrjet u përdor edhe neuronavigatori, aparaturë moderne e disponueshme në Klinikën e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion maksimal, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë”, theksohet në njoftim.

    QKUK bën të ditur se të dy pacientët që iu nënshtruan këtyre ndërhyrjeve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin sipas planit të mjekëve.

    Institucioni vlerëson se vizita nuk kishte rëndësi vetëm për suksesin klinik, por edhe për zhvillimin profesional të stafit.

    “Përveç suksesit klinik, vizita pati edhe një vlerë të veçantë profesionale dhe edukative. Gjatë gjithë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit”, thuhet tutje në këtë njoftim.

    Sipas QKUK-së, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve moderne që u ofrohen pacientëve në Kosovë.

  • Ramadani sfidon pushtetarët: Bëjeni narko-testin, unë e bëra

    Ramadani sfidon pushtetarët: Bëjeni narko-testin, unë e bëra

    Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës, Burim Ramadani, ka dalë me një kërkesë interesante, duke sfiduar politikanët dhe zyrtarët e qeverisë së vendit.

    Ramadani ka ftuar pushtetarët që ta bëjnë narko-testin, duke treguar me anë të një videoje dhe duke paraqitur një dokument, se ai tashmë i është nënshtruar një testi të tillë.

    Ai ka thënë se institucioni i duhur për luftimin e drogave në Kosovë është qeveria, prandaj sipas tij, zyrtarët e saj duhet të jeni shembull.

    “Shteti ka përgjegjësi për luftimin e drogave dhe shteti ka shumë institucione për ta kryer këtë punë. Ky institucion është qeveria e Kosovës. Bëjeni narko-testin, jo se po paragjykoj diçka, por ju sfidoj që të jepni shembullin se jeni të vërtetë në luftën kundër drogave. Edhe nëse jeni të pastër, nuk është keq ta jepni shembullin…”, ka thënë Ramadani.

    Ai ka thënë se vendi rrezikohet nga përdorimi dhe shpërndarja e substancave narkotike.

    “Sot një prej rreziqeve serioze të sigurisë kombëtare është shpërndarja e drogave nëpër shkolla, nëpër rrugë, nëpër ambiente të ndryshme.”, ka deklaruar ai ndër të tjerash.

  • Operacion i madh kundër qendrave të masazhit dhe eskortave: Mbyllen 10 lokale, 8 të arrestuar

    Operacion i madh kundër qendrave të masazhit dhe eskortave: Mbyllen 10 lokale, 8 të arrestuar

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në kuadër të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026-Qershor 2026”, i realizuar nga 8 deri më 12 qershor në koordinim me EUROPOL, INTERPOL, FRONTEX dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.

    Në njoftim bëhet e ditur se operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe ka përfshirë kontrolle në lokale me muzikë live, qendra masazhi, operacione për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, si dhe planin taktik për luftimin e prostitucionit përmes eskortave.

    Sipas Policisë, gjatë aksionit janë evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, ndërsa janë arrestuar tetë persona, prej tyre katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, përkatësisht dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.

    Në kuadër të kontrolleve janë inspektuar 59 lokale me muzikë live në të gjithë territorin e Kosovës, ku janë identifikuar 420 persona. Nga ta, 186 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

    Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, shumica gra. Nga këto qendra, 10 janë mbyllur për shkelje administrative.

    Policia bën të ditur se, pavarësisht kontrolleve intensive, gjatë këtij operacioni nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.

    Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë evidentuar edhe shtatë raste të tjera ku janë arrestuar shtatë gra, katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës, të cilat janë hasur duke kërkuar lëmoshë në rrugë së bashku me fëmijët e tyre.

    13 fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, ndërsa janë iniciuar procedura për dyshimin e veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    Në operacion kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë Departamentin e Kufirit, njësitë speciale, Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, si dhe zyrtarë nga drejtoritë rajonale policore. Aksioni është mbështetur edhe nga Inspektorati Qendror i Tregut, Inspektorati i Punës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale.

    Policia thekson se të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe në rastet e eskortës janë intervistuar dhe u është ofruar mundësia të deklarojnë nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit.

    Sipas autoriteteve, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar se ishte viktimë e trafikimit me njerëz.

  • Rama merr vëmendje në Samitin e NATO-s, Rutte i tregon Trumpit atletet e bardha të kryeministrit

    Rama merr vëmendje në Samitin e NATO-s, Rutte i tregon Trumpit atletet e bardha të kryeministrit

    Kryeministri Edi Rama ishte i vetmi lider që në samitin e NATO-s në Ankara u shfaq i veshur me kostum dhe atlete të bardha. Kjo nuk është hera e parë që kreu i qeverisë vishet me këtë stil në një samit të rëndësishëm ndërkombëtar.

    Por ajo që ra në sy ishte një reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili i tregoi me kishte Donald Trump atletet e bardha e kryeministrit.

    Nga ana e tij Presidenti amerikan hodhi një vështrim, pa e ditur se për çfarë bëhej fjalë. Më pas shfaqet tepër i ftohte dhe indiferent ndaj një stili veshje si ajo e kryeministrit Edi Rama.

    Ndërsa për liderët e tjerë, Rama u shndërrua në një objekt humori.

  • Haxhiu pret në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë

    Haxhiu pret në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se ambasadorin e falënderoi për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Kosova dhe Zvicra kanë lidhje të thella, të ndërtuara edhe nga breza të bashkatdhetarëve tanë që Zvicrën e kanë bërë shtëpinë e tyre të dytë. Ambasadorit Sprecher i urova suksese në angazhimet e ardhshme, me mirënjohje për kontributin dhe miqësinë e tij ndaj Kosovës”, ka shkruar ajo.

  • “S’dua të bëj biznes me ta”, Trumpi urdhëron ndërprerjen e tregtisë me Spanjën

    “S’dua të bëj biznes me ta”, Trumpi urdhëron ndërprerjen e tregtisë me Spanjën

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të mërkurën në një samit të NATO-s se i kishte urdhëruar Sekretarit të tij të Thesarit, Scott Bessent, të ndërpresë të gjithë tregtinë me Spanjën, duke e quajtur Madridin një “partner të tmerrshëm” në aleancë.

    Trump, duke folur së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në fillim të samitit në Ankara, tha se nuk donte të bënte biznes me Spanjën, raporton Reuters.

    Ai ka shprehur vazhdimisht zhgënjimin me Spanjën, e cila nuk është pajtuar me objektivin e ri të shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s prej 5% të PBB-së dhe udhëheqja socialiste e së cilës refuzoi të lejonte SHBA-në të përdorte hapësirën e saj ajrore ose bazat në territorin e saj për luftën në Iran.

    Nuk dua të bëj asnjë tregti me ta, në rregull?” tha ai, duke iu drejtuar Bessent, i cili u përgjigj: “Po, zotëri.”

    Merreni menjëherë, as mos u flisni atyre. Ata janë të pashpresë. Ata janë njerëz të këqij,” shtoi ai. “Ata fitojnë kaq shumë para me ne, dhe do të shohim që ata fitojnë shumë më pak. Nuk dua të kem asnjë biznes me ta.”

    Shtetet e Bashkuara kanë dy baza të rëndësishme ushtarake në Spanjë: Stacionin Detar Rota dhe Bazën Ajrore Moron.