ATV

Category: Lajme

  • Deri në hapjen e ndonjë piste të re të kërkimit do të pezullohen kërkimet për 78 vjeçarin e zhdukur

    Deri në hapjen e ndonjë piste të re të kërkimit do të pezullohen kërkimet për 78 vjeçarin e zhdukur

    Edhe sot kanë vazhduar kërkimet për 78 vjeçarin Xhafer Raqi, i cili tash e gati një javë është shpallur i zhdukur nga familja.

    Pas përfundimit të ditës së sotme do të pezullohen kërkimet për të moshuarin, deri në marrjen e një informacioni të ri ose piste të re të kërkimi.

    Kështu Mentor Maloku, kryetari i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

    “Kërkimet kanë vazhduar edhe sot. Është njoftim zyrtar që me përfundimin e kërkimeve sot do të pezullohen përkohësisht kërkimet deri në marrjen e ndonjë informacioni të ri ose ndonjë piste të re të kërkimit”, deklaroi Maloku për Klankosova.tv.

    Në operacionin e kërkimit pos familjes e qytetarëve, janë angazhuar edhe policia, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, Drejtoria e Emergjencave, FSK-ja.

    Deri më tani krejt çka është gjetur është një sandale e cila dyshohet se i përket të moshuarit.

  • IQMT mbyll 6 biznese dhe gjobit 6 të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

    IQMT mbyll 6 biznese dhe gjobit 6 të tjera në aksionin ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka filluar sot aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.

    Inspektimet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie, thuhet në njoftim.

    “Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese, ku ndaj 6 subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike, si dhe ndaj 6 bizneseve tjera janë shqiptuar gjoba për mungesën e dokumentacionit ligjor”, vijon njoftimi.

    “Në kuadër të planit operacional, IQMT do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime tjera monetare”, thuhet tutje.

  • “Dëshiron t’i japë fund luftës”, Trump paralajmëron bisedë me Putinin të mërkurën

    “Dëshiron t’i japë fund luftës”, Trump paralajmëron bisedë me Putinin të mërkurën

    Presidenti amerikan, Donald Trump tha se mendonte se kushtet e Presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po ndryshonin.

    “Unë flas shumë me Presidentin Putin dhe ai dëshiron t’i japë fund luftës”, tha Trump gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në kuadër të punimeve të samitit të NATO-s, raporton Reuters.

    Ai tha se do të flasë me Putinin të mërkurën dhe shpreson që një takim midis Presidentit ukrainas dhe udhëheqësit rus mund të ndodhte “së shpejti”.

  • Kosova e kap në kufi shtetasin S.U që po kërkohej nga Belgjika me urdhërarrest ndërkombëtar

    Kosova e kap në kufi shtetasin S.U që po kërkohej nga Belgjika me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në minutat e para të mëngjesit është arrestuar shtetasi kosovar S.U, meqë i njëjti kërkohet nga autoritetet e Belgjikës.

    “Sot me datë 08.07.2026 rreth orës 00:55, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet tjera të policisë, përkatësisht në Pikën e Kalimit Kufitar në Kullë, është bërë arrestimi i shtetasit kosovar S.U., pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet e Belgjikës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Policia k anjoftuar se i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Rama e konfirmon nga Ankaraja: Samiti i radhës i NATO-s mbahet në Shqipëri

    Rama e konfirmon nga Ankaraja: Samiti i radhës i NATO-s mbahet në Shqipëri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Samit i Radhës i NATO-s do të mbahet në Tiranë.

    Ky konfirmim ka ardhur nga Rama sot pas përfundimit të Samitit në Ankara, meqë është përfolur se kishte gjasa që takimi i radhës i krerëve të NATO-s të mos mbahej në Shqipëri.

    “Ka ikur ajo koha kur bënin të tjerët çka donin me Shqipërinë”, ka deklaruar Edi Rama.

  • Një person sulmohet me mjet të fortë në Pejë, përfundon në spital

    Një person sulmohet me mjet të fortë në Pejë, përfundon në spital

    Një person është dërguar për trajtim në spitalin e Pejës pasi dyshohet se është sulmuar me një mjet të fortë gjatë së mërkurës, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar nga emergjenca e spitalit.

    “Rreth orës 12:26, policia është njoftuar nga emergjenca e spitalit se janë duke trajtuar një person të lënduar. Sulmi dyshohet të jetë bërë me një mjet të fortë. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe është duke e trajtuar rastin. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe më pas do të dhurojë deklaratën mbi rastin”, deklaroi Gashi.

    Sipas tij, viktima pas trajtimit mjekësor do të ftohet në stacionin policor për të dhënë deklaratën dhe për të sqaruar se sa persona kanë qenë të përfshirë në rast.

  • Kufizohet qarkullimi i automjeteve të rënda gjatë verës

    Kufizohet qarkullimi i automjeteve të rënda gjatë verës

    Ministria e Infrastrukturës ka vendosur kufizimin e qarkullimit të automjeteve të rënda gjatë sezonit veror, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

    Sipas njoftimit të ministrit në detyrë, Dimal Basha, vendimi vlen për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

    Basha ka bërë të ditur se kufizimet do të aplikohen varësisht nga temperaturat e larta.

    Nëpër autostrada, qarkullimi i këtyre automjeteve kufizohet kur temperatura kalon mbi 32 gradë Celsius, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30.

    Ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimi do të zbatohet kur temperaturat arrijnë 35 gradë Celsius e më lart, po në të njëjtin interval kohor.

    Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës do të bëjë çdo ditë publikimin e masave që do të vlejnë për ditën pasuese.

    “Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka shkruar Basha në Facebook.

    Ministri në detyrë ka thënë se vendimi është marrë “me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”.

  • Kurti kthehet nga Greqia, merr pjesë në përvjetorin e KOSTT: Po hyjmë në një fazë të re të tranzicionit energjetik

    Kurti kthehet nga Greqia, merr pjesë në përvjetorin e KOSTT: Po hyjmë në një fazë të re të tranzicionit energjetik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është kthyer në vend pasi mori pjesë në simpoziumin Symi në Greqi.

    Ai mori pjesë në shënimin e 20-vjetorin e themelimit të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT.

    Sipas njoftimit, Kurti lavdëroi punën 20-vjeçare të KOSTT’it, ndërsa foli për një “fazë të re” të tranzicionit energjetik në mes të thirrjeve të SHBA’së që Kosova të diversikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

    “Në të njëjtën kohë, Kosova po hyn tash në një fazë të re të tranzicionit energjetik. Integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja solare dhe të erës, instalimi i sistemeve të baterive për akumulimin e energjisë, si dhe modernizimi e rindërtimi i kapaciteteve ekzistuese gjeneruese që sigurojnë furnizimin bazë, do ta transformojnë mënyrën se si prodhojmë, transmetojmë dhe konsumojmë energji”, tha ai.

    Kurti aty shtoi se KOSTT-i nuk është vetëm një rrjet linjash, transformatorësh dhe nënstacionesh, por se “KOSTT-i është, mbi të gjitha, një institucion i ndërtuar dhe i përparuar nga njerëzit e tij. Pra, nga shumë prej jush që punoni në KOSTT, dhe jeni në këtë ditë kremte këtu. Prandaj, në këtë përvjetor, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për KOSTT-in si organizatë e punëtorëve, për të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e KOSTT-it, inxhinierët, operatorët, teknikët dhe profesionistët e administratës, të cilët për 20 vjet kanë dhënë kontributin e tyre për funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Kusari-Lila: Kosova po shndërrohet në qendër për investime, eksportet drejt Britanisë u rritën 81%

    Kusari-Lila: Kosova po shndërrohet në qendër për investime, eksportet drejt Britanisë u rritën 81%

    Është lansuar Forumi i Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë, një iniciativë që synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investuese mes dy vendeve.

    Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, e cila ka vlerësuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm të Kosovës.

    Sipas Kusarit, partneriteti ekonomik mes dy vendeve ka potencial të madh për zgjerim, i mbështetur edhe nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vitit 2021.

    Postimi i plotë:

    Kënaqësi të marrë pjesë sot në lansimin e Forumit të Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë, një iniciativë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investuese.
    ​Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet një nga partnerët tanë më të afërt dhe më të besueshëm. Ky partneritet ofron një potencial akoma më të madh, i mbështetur edhe nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vitit 2021. Si Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, mbetemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis konkurrues, për të promovuar investimet, për të nxitur inovacionin dhe për të mbështetur ndërmarrjet tona në tregjet botërore.

    ​Kosova ofron baza jashtëzakonisht të forta për investitorët e huaj. Me një nga popullsitë më të reja në Evropë, një fuqi punëtore dinamike dhe me shkathtësi në teknologji, vendi ynë po shndërrohet në një qendër të rëndësishme për sektorin e TIK-ut, prodhimin, energjinë e ripërtëritshme, agrobiznesin dhe industritë kreative.
    Besimi i bizneseve britanike ndaj mjedisit tonë afarist po rritet dita-ditës, gjë që dëshmohet nga operimi i 246 kompanive aktive.
    ​Gjatë vitit 2025, eksportet e mallrave drejt Mbretërisë së Bashkuar shënuan një rritje mbresëlënëse prej 81%, trend ky që po vazhdon me rritje edhe në pjesën e parë të vitit 2026. Njëkohësisht, tregtia e shërbimeve po tregon rezultate të shkëlqyera ku Kosova vazhdon të ruajë një suficit tregtar, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 24 milionë euro në vitin 2025 dhe po shfaqin ecuri të lartë edhe këtë vit.

    ​Ky forum do të jetë platforma e duhur ku kompanitë dhe investitorët mund të eksplorojnë fusha të reja, të shkëmbejnë ekspertizë dhe të diskutojnë për sfidat e përbashkëta. Synojmë të sjellim rezultate të prekshme: më shumë investime, rritje të eksporteve, më shumë vende pune dhe integrim më të thellë të ndërmarrjeve të Kosovës në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës, duke krijuar një bazë të shkëlqyer për Forumin e madh të Biznesit që do të mbahet në muajin tetor.
    ​Shpreha mirënjohjen time për Këshillin e Investitorëve Evropianë, Drejtorin Ekzekutiv Emrush Ujkani për inicimin e kësaj platforme, si dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe Ambasadorin Jonathan Hargreaves për mbështetjen e pakursyer.

    Së bashku, mund të krijojmë mundësi të reja për investime, inovacion dhe rritje të qëndrueshme ekonomike në dobi të të dy vendeve tona.

  • Hamza pret Drejtoreshën e NDI-së: Kosova duhet ta përshpejtojë rrugën drejt BE-së

    Hamza pret Drejtoreshën e NDI-së: Kosova duhet ta përshpejtojë rrugën drejt BE-së

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur sot Drejtoreshën e Zyrës së NDI-së në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, me të cilën ka biseduar për zhvillimet politike në vend.

    Sipas njoftimit për media, Hamza ka vlerësuar rolin e NDI-së për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen që kjo organizatë i ka dhënë PDK-së ndër vite.

    “Jemi falënderues për ndihmën që keni dhënë për ngritjen e kapaciteteve partiake dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi”, u shpreh Hamza.
    Në takim u bisedua edhe për zhvillimet e përgjithshme politike, sidomos pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit.

    Lideri i PDK-së u shpreh se Kosova ka nevojë për institucione qeverisëse që e kthejnë vëmendjen kah zhvillimi dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Ai gjithashtu e njoftoi delegacionin e NDI-së për përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në PDK.

    Nga ana tjetër, Soderberg u shpreh e gatshme që të vazhdohet ky bashkëpunim edhe në të ardhmen.