ATV

Category: Lajme

  • Batllavës dhe Badocit u nevojitet ende ujë për t’u mbushur plotësisht

    Batllavës dhe Badocit u nevojitet ende ujë për t’u mbushur plotësisht

    Gjendja aktuale e rezervuarëve të ujit në Kosovë tregon se liqeneve të Batllavës dhe Badocit u nevojitet ende një rritje e nivelit të ujit për të arritur kapacitetin maksimal të mbushjes.

    Sipas të dhënave të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”, Liqenit të Batllavës i mungojnë edhe 1.23 metra ujë për të arritur nivelin maksimal, ndërsa Liqenit të Badocit i mungojnë edhe 1.90 metra, transmeton Klankosova.tv.

    KRU “Prishtina” ka bërë thirrje për kujdes në përdorimin e ujit dhe për mbrojtjen e burimeve ujore, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të rezervave të ujit.

  • Gjini dhe Haradinaj tërhiqen nga mandati i deputetit, Berisha dhe Ramadani në vend të tyre

    Gjini dhe Haradinaj tërhiqen nga mandati i deputetit, Berisha dhe Ramadani në vend të tyre

    Kreu i Aleancës, Ardian Gjini dhe deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Daut Haradinaj janë tërhequr nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

    Kështu ka njoftuar kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku dhe u certifikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

    Siç bëri të ditur Radoniqi, vendi i Gjinit do të zëvendësohet me Bekë Berishën, ndërsa karrigen e Haradinajt do ta zë Burim Ramadani.

  • Cakolli: Pas certfikimit të zgjedhjeve rrjedh afati për krijimin e Kuvendit, pastaj Qeveria ose Presidenti

    Cakolli: Pas certfikimit të zgjedhjeve rrjedh afati për krijimin e Kuvendit, pastaj Qeveria ose Presidenti

    Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, nis rrjedhja e afatit për krijimin e institucioneve të reja. Ai ka sqaruar procedurat për thirrjen e seancën konstituive dhe për atë se kush e drejton seancën.

    Cakolli tutje ka shkruar se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, mund të procedohet me zgjedhjen e Qeverisë së re apo Presidentit, meqë sipas tij, nuk përcaktohet me asnjë vendim, as të Kushtetueses, se kush duhet zgjedhur përpara.

    Postimi i plotë:

    Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.

    Afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë.

    Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike.

    Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP.

    Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet Kryetari i Kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e Kuvendit.

    Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit.

    Pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK. Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga LS, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako. Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim tjetër.

    Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të pesë nënkryetarët.

    Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit.

  • KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

    KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Me nëntë vota për, KQZ e kaloi këtë pikë të rendit të ditës.

    Kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, tha se nga vendimet e fundit që i kanë pranuar nga Gjykata Supreme s’ka pasë “ndonjë obligim” për KQZ’në meqë të gjitha ankesat janë refuzuar dhe është hapur rruga për certifikimin e rezultatit.

    Më poshtë rezultati i partive:

  • ​Rasti i KEK-ut, Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    ​Rasti i KEK-ut, Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragushën për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, duke e dënuar me dënim unik prej dy vjetësh burgim.

    Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Dragushës për pikën e parë të aktakuzës i është caktuar dënim me një vit burgim, ndërsa për tri pikat e tjera nga tetë muaj burgim për secilën.

    “Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit.

    Po ashtu, Gjykata e ka udhëzuar Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në procedurë të rregullt civile.

    Me aktgjykim, Dragusha është obliguar edhe ti paguajë shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

    Ymer Dragusha kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, të cilën Gjykata e kishte miratuar në seancën e 7 shkurtit 2025. /KP/

  • Dëmtohet Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, nisin hetimet

    Dëmtohet Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me disa dëmtime në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës.

    Për këtë rast, forcat e rendit kanë njoftuar se ngjarja dyshohet se ka ndodhur përgjatë një muaji, përkatësisht nga 30 maji deri më 30 qershor të këtij viti.

    Sipas raportit 24-orësh, policia ka pranuar informatën se në objektin përcjellës në kullë janë vërejtur disa dëmtime nëpër tavan dhe në korridorin e objektit.

    “Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.”, thuhet në raport.

    Për këtë, policia ka hapur rast nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj”.

  • Rama për 4 mln euro që qeveria dha për koncertin e Kaney West: E bëmë që mos të turpërojmë Shqipërinë

    Rama për 4 mln euro që qeveria dha për koncertin e Kaney West: E bëmë që mos të turpërojmë Shqipërinë

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me debatet për financimin e koncertit të Kanye West, duke argumentuar se ndërhyrja financiare ishte e domosdoshme për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe për të garantuar zhvillimin e një eventi me ndikim të madh ekonomik e turistik.

    Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se u vunë në dispozicion 4 milionë euro “në minutën e fundit”, për të shmangur dështimin e koncertit.

    “4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës.”

    Sipas kreut të qeverisë, koncerti pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi. Ai solli si shembull finalen e UEFA Conference League, e cila sipas tij gjeneroi 160 milionë euro të ardhura, ndërsa për koncertin e Kanye West qeveria parashikon rreth 100 milionë euro përfitime.

    “Nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik.”

    Rama iu përgjigj edhe kritikëve, të cilët kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për organizimin e koncertit.

    “Sorrat dhe korbat e kanaleve sociale janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e ‘koncertit privat’, siç e quajnë djallëzisht.”

    Kryeministri theksoi se qeveria ka rritur ndërkohë financimet për sektorin e shëndetësisë dhe mbështetjen sociale.

    “Vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar, mbështetëm kujdestarët e tyre, dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta, dyfishuam financimin e Start Up-eve dhe garancinë sovrane për programin ‘Dyfisho biznesin tënd’.”

    Në fund të reagimit, Rama akuzoi kundërshtarët se synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.

    “Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre. Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht.”

  • Rama mbërrin në Ankara, takohet me shefin e NATO-s

    Rama mbërrin në Ankara, takohet me shefin e NATO-s

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Ankara të Turqisë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

    Kreu i ekzekutivit shqiptar pritet të zhvillojë takime të rëndësishme me liderë të shteteve të ndryshme në kuadër të këtij samiti, ku temat kyçe do të jenë mbi çështjet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Aleanca veri-atlantike.

    Menjëherë pas mbërritjes, Rama është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Ky takim është zhvilluar në kuadër të punimeve të samitit, ku liderët e vendeve anëtare po diskutojnë forcimin e bashkëpunimit brenda NATO-s.

    Gjatë qëndrimit në kryeqytetin turk, kryeministri shqiptar pritet të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

    Pjesëmarrja e Ramës në samit vjen në vijim të angazhimit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, me fokus forcimin e bashkëpunimit mes aleatëve dhe kontributin në sigurinë euroatlantike.

    Samiti i NATO-s në Ankara pritet të përqendrohet te zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, rritja e bashkëpunimit ushtarak dhe koordinimi i vendeve aleate përballë sfidave të reja ndërkombëtare.

  • Bastisje në burgun e Dubravës, gjendet marihuanë

    Bastisje në burgun e Dubravës, gjendet marihuanë

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, të dielën rreth orës 08:30, gjatë një bastisjeje të realizuar rreth sallës së vizitave, janë gjetur dy qese të mbështjella që dyshohet se përmbanin marihuanë.

    Sipas raportit të policisë, pesha e substancës së dyshuar është rreth 125 gramë, ndërkohë lënda është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme.

    Me vendim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Posedim i narkotikëve” dhe po trajtohet në procedurë hetimore.

  • Mbyllet përkohësisht Pishina e Gërmisë

    Mbyllet përkohësisht Pishina e Gërmisë

    Me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, Pishina e Gërmisë do të jetë përkohësisht e mbyllur deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

    NPL “Sport Marketing” Sh.A., përmes një njoftimit në Facebook ka theksuar se rregullisht kontrollon cilësinë e ujit dhe bën matjen e vlerave përkatëse, në përputhje me standardet dhe procedurat e brendshme të mirëmbajtjes.

    “Gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë është e mirë, si në aspektin e cilësisë së ujit, ashtu edhe të ambienteve brenda saj”, thuhet në njoftim.

    “Megjithatë, duke marrë parasysh rregullat dhe procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike, si dhe për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj qytetarëve, do të presim rezultatet zyrtare nga Instituti para vazhdimit të punës. Si ndërmarrje, respektojmë dhe zbatojmë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Pas përfundimit të procedurave dhe marrjes së rezultateve zyrtare, do t’ju informojmë me kohë për vazhdimin e punës së Pishinës së Gërmisë”.