ATV

Category: Lajme

  • Trainkos paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 9 korrik

    Trainkos paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 9 korrik

    Sindikata e Punëtorëve të Trainkos Sh.A. ka paralajmëruar se punëtorët do të hyjnë në grevë nëse pagat për muajin qershor nuk ekzekutohen deri më 9 korrik 2026, në orën 12:00.

    Përmes një komunikate për media, sindikata ka bërë të ditur se ndërmarrja po përballet me një situatë të rëndë financiare, duke fajësuar mosekzekutimin e mjeteve nga Ministria e Infrastrukturës, bllokimin e llogarive nga përmbaruesit privatë, borxhet e trashëguara ndër vite dhe vonesat në rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10.

    “Trainkos Sh.A. po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë financiare si pasojë e mosekzekutimit të pagave të punëtorëve për muajin qershor 2026. Punëtorët e Trainkos kanë vazhduar me përkushtim t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre dhe po i përmbahen Marrëveshjes për Ofrimin e Shërbimeve të Transportit Hekurudhor të Udhëtarëve, të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës për periudhën 2023–2027”, thuhet në komunikatë.

    Sipas sindikatës, Ministria e Infrastrukturës ka obligim kontraktual për financimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve, por mjetet financiare nuk janë ekzekutuar sipas marrëveshjes.

    Në komunikatë thuhet se një tjetër faktor që ka rënduar gjendjen financiare është bllokimi i mjeteve nga përmbaruesit privatë.

    “Bllokimi i mjeteve financiare nga përmbaruesit privatë, të cilët konfiskojnë mjetet menjëherë pasi ato transferohen në llogaritë e ndërmarrjes, për raste të vjetra, të cilat konsiderojmë se në shumë raste janë të padrejta. Ekzistojnë dyshime serioze se një pjesë e këtyre proceseve janë orkestruar nga persona brenda ndërmarrjes në kohën kur janë ngritur paditë”, thuhet më tej.

    Sindikata ka përmendur edhe borxhet e trashëguara ndër vite, si dhe zvarritjen e rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, në segmentin Fushë Kosovë – Hani i Elezit, si arsye që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes financiare.

    “Edhe pse punimet ishte paraparë të përfundonin në vitin 2021, ato nuk kanë përfunduar ende. Që nga viti 2022, qarkullimi i trenave në këtë linjë është ndërprerë plotësisht, duke i pamundësuar Trainkos-it realizimin e transportit dhe të hyrave nga aktiviteti i tij kryesor. Kjo situatë nuk është shkaktuar nga Trainkos dhe as nga punëtorët e saj”, theksohet në komunikatë.

    Sindikata ka bërë të ditur se, nëse pagat nuk ekzekutohen brenda afatit të caktuar, punëtorët do të ndërpresin punën në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Prandaj, njoftojmë opinionin publik se, nëse pagat nuk ekzekutohen deri më 09.07.2026, në orën 12:00, punëtorët do të fillojnë ndërprerjen e punës (grevën), në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Megjithatë, për të mos dëmtuar udhëtarët që tashmë kanë nisur udhëtimin, sindikata njoftoi se treni me numër 4200, në relacionin Pejë–Prishtinë, do ta përfundojë itinerarin e planifikuar.

    Në fund, Sindikata e Punëtorëve të Trainkos u ka bërë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj ndërmarrjes.

    “I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin urgjentisht veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj Trainkos Sh.A., në mënyrë që të shmanget ndërprerja e transportit hekurudhor dhe të mbrohen të drejtat ligjore të punëtorëve”, përfundon komunikata.

  • Hegseth anulon vizitën në Izrael pas sulmeve të fundit iraniane

    Hegseth anulon vizitën në Izrael pas sulmeve të fundit iraniane

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka anuluar një vizitë të pa paralajmëruar në Izrael.

    Ky udhëtim, siç raporton BBC, ka qenë i planifikuar të ndodhte sot, por për shkak të sulmeve të fundit iraniane në bazat amerikane në Gjirin Persik, kjo vizitë nuk do të bëhet.

    Hegseth është pjesë e delegacionit amerikan në samitin e NATO-s në Ankara të Turqisë, të cilin e kryeson presidenti Donald Trump.

    Sipas BBC, planet për vizitën e tij në Izrael nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga SHBA-ja ose Izraeli.

    Megjithatë, disa media kanë thënë se vizita do të kishte përfshirë një diskutim rreth shqetësimeve izraelite mbi shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F35 në Turqi, pasi kryeministri, Benjamin Netanyahu, ka thënë se kjo shitje do të ishte një gabim.

  • Agon Bytyqit i vazhdohet mandati si zv/drejtor i AKI-së

    Agon Bytyqit i vazhdohet mandati si zv/drejtor i AKI-së

    Agon Bytyqi do të jetë zëvendësdrejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë edhe për 5 vjet të tjera.

    Lajmi është bërë i ditur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    Vendimin e mori Haxhiu bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me të cilin nënshkroi vendimin, shkruan IndeksOnline.

    “Përvoja e tij, njohja e institucionit dhe përgjegjësia e dëshmuar gjatë mandatit të parë janë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe punën profesionale të AKI-së në mbrojtje të sigurisë së vendit.

    E falënderuam z. Bytyqi për punën e deritanishme dhe i uruam mbarësi në mandatin e ri” shkroi Haxhiu.

  • Dëmtimi i kompleksit memorial në Podujevë, reagon Andin Hoti

    Dëmtimi i kompleksit memorial në Podujevë, reagon Andin Hoti

    Ministri në detyrë i Punës dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka reaguar ndaj dëmtimit të kompleksit memorial në Podujevë.

    “Dëmtimi i komplekseve memoriale të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës nuk është thjesht vandalizëm. Është sulm ndaj kujtesës sonë kolektive, ndaj historisë sonë dhe ndaj vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.

    Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë.

    Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti”, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga Institucionet e Drejtësisë.Autorët duhet të identifikohen dhe të përballen me pasojat më të rënda që parasheh legjislacioni në fuqi.

    Nuk mund të ketë as tolerancë e as heshtje për akte të tilla.
    Respekti për dëshmorët dhe heronjtë nuk është çështje bindjeje politike. Është detyrim qytetar, moral dhe shtetëror.

    Kosova nuk do të lejojë që historia e saj të përdhoset”, shkruan Hoti në reagim.

  • Rezoluta e PE-së: Serbia po ngec për shkak të sundimit të ligjit dhe politikës së jashtme

    Rezoluta e PE-së: Serbia po ngec për shkak të sundimit të ligjit dhe politikës së jashtme

    Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Serbinë, në të cilën vlerëson se vendi po ngec në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian për shkak të përkeqësimit në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe përafrimit me politikën e përbashkët të Jashtme dhe të sigurisë të bllokut evropian.

    Në rezolutë shprehet keqardhje që detyrimet kryesore të Serbisë, të përfshira në një dokument joformal (non-paper) të nëntorit të 2024, që synonte heqjen e pengesave të mbetura për hapjen e Kapitullit 3, kryesisht nuk janë përmbushur. Në këtë kontekst, PE-ja dënon retorikën nxitëse të Qeverisë së Serbisë ndaj shteteve anëtare që nuk e mbështetën hapjen e Kapitullit 3.

    PE-ja thekson se besueshmëria e procesit të zgjerimit duhet të ruhet përmes zbatimit të vazhdueshëm të kushteve të rrepta dhe të drejta, duke njohur njëkohësisht përpjekjet për reforma kur ato ekzistojnë.

    Rezoluta rikujton se Serbia deklaron se anëtarësimi në BE është objektiv i saj strategjik, por konstaton se zotimet e shprehura shpesh nuk janë shoqëruar me hapa konkretë. Në dokument thuhet se kjo mospërputhje kërkon një sqarim të qartë të orientimit evropian të Serbisë dhe u bëhet thirrje autoriteteve që me veprime konkrete të dëshmojnë përkushtim të qëndrueshëm ndaj vlerave dhe standardeve evropiane, si dhe konsistencë në angazhimin për anëtarësim në BE.

    “Parlamenti Evropian përsërit se Ballkani Perëndimor, në kontekstin aktual gjeopolitik, ka rëndësi strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së në tërësi. Ai thekson se Serbia, për shkak të madhësisë dhe pozitës së saj gjeopolitike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe dënon përpjekjet e saj për krijimin e sferave të ndikimit dhe aktivitetet që cenojnë sovranitetin e shteteve fqinje”, thuhet në rezolutë.

    PE-ja i bën thirrje Serbisë që të dëshmojë qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme orientimin e saj gjeopolitik drejt Bashkimit Evropian, përfshirë përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht me masat kufizuese të vendosura për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

    Në të njëjtën kohë, PE-ja shpreh shqetësim se Serbia ende nuk është përafruar plotësisht me këtë politikë dhe shpreh keqardhje që niveli i saj i harmonizimit është ndër më të ulëtit mes të gjitha vendeve kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.

    Në këtë kontekst, rezoluta përsërit se përafrimi i plotë është një kusht i padiskutueshëm për anëtarësim. Parlamenti Evropian thotë se mirëpret përafrimin e fundit të Serbisë me disa vendime të Këshillit të BE-së, por thekson se një përafrim selektiv nuk është i mjaftueshëm.

    PE-ja po ashtu shpreh keqardhje për vazhdimin e marrëdhënieve të afërta dhe thellimin e partneritetit të Serbisë me Rusinë, duke vlerësuar se kjo ngre dyshime për orientimin e saj strategjik dhe dëmton besueshmërinë e rrugës evropiane.

    Në rezolutë theksohet se e ardhmja evropiane e Serbisë kërkon një zgjedhje të qartë strategjike dhe se politika e balancimit mes Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë nuk është në përputhje me besimin politik që pritet nga një vend kandidat.

    Autoriteteve në Beograd u bëhet thirrje të përmbahen nga mesazhet publike dhe veprimet që janë në kundërshtim me qëndrimet kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

    Deputetët evropianë shprehin shqetësim për investimet ruse dhe kineze në Serbi dhe ndikimin e tyre në rritje mbi proceset politike dhe ekonomike në rajon. Po ashtu, dënohet ndërhyrja e huaj ruse në Serbi, duke rikujtuar se Serbia përdoret në mënyrë aktive si platformë rajonale për përhapjen e dezinformatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

    “Parlamenti Evropian shpreh shqetësim edhe për vazhdimin e forcimit ushtarak të Serbisë, i cili shoqërohet me retorikë gjithnjë e më të ashpër ndaj shteteve fqinje, thellimin e bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes me Kinën, përfshirë stërvitjet e përbashkëta të njësive speciale, zgjerimin e marrëveshjeve strategjike dhe praninë në rritje të teknologjive kineze të sigurisë dhe mbikëqyrjes”.

    “Dënohet ashpër blerjen e fundit të raketave balistike kineze ajër-tokë CM-400AKG, duke paralajmëruar se një armatim i tillë cenon ekuilibrin rajonal të sigurisë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me vendet anëtare të NATO-s. Një blerje e tillë bie ndesh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ngre pyetje serioze për orientimin gjeopolitik të Serbisë”, thuhet në rezolutë.

    Parlamenti Evropian po ashtu dënon faktin që Serbia është shndërruar në një bazë për aktivitetet e shërbimeve ruse të inteligjencës në Evropë dhe shpreh shqetësim të madh për raportet e besueshme se ajo është bërë një qendër e rëndësishme operative për aktivitetet hibride dhe destabilizuese të Rusisë, përfshirë organizimin e provokimeve, nxitjen e tensioneve etnike dhe fetare në shtetet anëtare të BE-së, si dhe trajnimin dhe dërgimin e individëve për veprime destabilizuese në Evropë dhe në rajonet fqinje.

    Autoriteteve serbe u bëhet thirrje që urgjentisht të hetojnë, parandalojnë dhe ndjekin penalisht aktivitete të tilla.

    Negociatat e anëtarësimit

    Përmes rezolutës, Parlamenti Evropian shpreh keqardhje që Serbia ka shënuar përparim të kufizuar ose aspak përparim në përmbushjen e kritereve në një numër të madh kapitujsh negociues për anëtarësim në bllok.

    PE-ja përsërit se negociatat e anëtarësimit mund të përparojnë vetëm pasi Serbia të përafrohet me politikën e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe të arrijë përparim të matshëm dhe të qëndrueshëm në fushën e sundimit të ligjit, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së medias, reformës së administratës publike dhe funksionimit të institucioneve demokratike.

    Nga Komisioni Evropian kërkohet që çdo përkeqësim serioz të reflektohet në shkallën dhe intensitetin e ndihmës financiare para anëtarësimit.

    Parlamenti Evropian përsërit shqetësimin për atë që e cilëson si qasje toleruese të Komisionit Evropian ndaj Serbisë, pavarësisht se thotë e ka pasur përkeqësimit për shumë vjet në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, si dhe ndikimit destabilizues të Serbisë në rajon.

    PE-ja i bën thirrje Komisionit Evropian që të mbrojë më me vendosmëri vlerat themelore të BE-së, duke përdorur një gjuhë më të qartë ndaj Serbisë dhe duke vënë qartazi në dukje mangësitë e saj serioze, mungesën e përparimit dhe regresin.

    Gjithashtu, Parlamenti Evropian paralajmëron për përpjekje të mundshme të Serbisë për të ngadalësuar përparimin evropian të shteteve fqinje dhe i bën thirrje Beogradit që ta harmonizojë më tej politikën e vizave me listën e vendeve, shtetasve të të cilave u nevojitet vizë për hyrje në BE.

    Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për mbështetjen e ulët të anëtarësimit të Serbisë në BE, duke vlerësuar se kjo është rezultat i “narrativit manipulues shumëvjeçar kundër BE-së, të përhapur nga mediat që janë nën kontrollin e autoriteteve, si dhe nga disa zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të partisë në pushtet”.

    Serbisë i bëhet thirrje që të luftojë dezinformimin, përfshirë ato që lidhen me agresionin rus kundër Ukrainës, të ndalojë fushatat e veta të dezinformimit të mbështetura nga shteti dhe të promovojë një orientim të qëndrueshëm dhe konstruktiv evropian.

    Në të njëjtën kohë, Bashkimit Evropian i bëhet thirrje që të forcojë bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile në Serbi, me qëllim rritjen e rezistencës demokratike dhe luftimin e kërcënimeve hibride.

    Miratimi i rezolutës përkon me diskutimet mes shteteve anëtare të BE-së për mundësinë e vazhdimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, përkatësisht hapjen e Kapitullit 3.

    Para votimit, të martën, më 7 korrik, u zhvillua një debat në Parlamentin Evropian, gjatë të cilit komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, shpjegoi rekomandimin e Komisioni Evropian për hapjen e Kapitullit 3 me Serbinë, duke vlerësuar se nuk duhet lejuar që një vend të mbetet prapa në procesin e integrimit evropian, ndërsa kandidatët e tjerë përparojnë.

    Shumica e eurodeputetëve që morën pjesë në debat kundërshtuan hapjen e Kapitullit 3.

    Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht dhe as politikisht detyruese për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian apo për institucionet evropiane. /REL

  • Erdogani u bën thirrje vendeve të NATO-s të heqin kufizimet në industrisë së mbrojtjes

    Erdogani u bën thirrje vendeve të NATO-s të heqin kufizimet në industrisë së mbrojtjes

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje që aleatët e NATO-s të heqin kufizimet në bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, duke theksuar se pengesa të tilla nuk duhet të ekzistojnë mes vendeve anëtare të aleancës.

    Duke folur të mërkurën në hapje të Samitit të liderëve të NATO-s në Ankara, Erdogan tha se Ankaraja këmbëngul të përfshihet në disa nisma që kanë të bëjnë vetëm me Evropën.

    “Kufizimet midis aleatëve në bashkëpunimin në mbrojtje, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, duhet të hiqen”, ka thënë Erdogani, raportoi Reuters.

    Presidenti turk theksoi gjithashtu se Turqia është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e NATO-s që shpenzimet për mbrojtjen të arrijnë në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030.

    Sipas tij, Turqia ka ndarë edhe një buxhet shtesë prej 24 miliardë dollarësh për projektin e saj të mbrojtjes ajrore “Kupola e Çelikut”, me synimin për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe raketore të NATO-s.

    Erdogan shtoi se aleatët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e aleancës, pa cenuar unitetin e saj.

    Një ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ulur përkrah Erdoganit, deklaroi se do të hiqte sanksionet ndaj Turqisë dhe se do të merrte vendim për një shitje të mundshme të avionëve F-35.

  • Studentët italianë thyejnë rekordin botëror Guinness me aeroplanin më të madh prej letre

    Studentët italianë thyejnë rekordin botëror Guinness me aeroplanin më të madh prej letre

    Një grup studentësh nga Universiteti i Pizës në Itali ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ndërtoi aeroplanin më të madh prej letre në botë.

    Studentët, të cilët e quajtën ekipin e tyre Project Icarus, e ndërtuan aeroplanin tërësisht me letër dhe ngjitës, me mbështetjen e influencuesit të njohur të inxhinierisë, Jakidale.

    Aeroplani kishte një hapje krahësh prej 20.04 metrash dhe një gjatësi prej rreth 7 metrash, transmeton Telegrafi.

    Gjatë prezantimit në panairin We Make Future, të mbajtur në qendrën BolognaFiere në Bolonjë, aeroplani fluturoi 59 metra, duke siguruar zyrtarisht rekordin botëror Guinness për aeroplanin më të madh prej letre.

    Rekordi i mëparshëm mbahej nga Instituti i Teknologjisë Braunschweig në Gjermani, i vendosur në vitin 2013. /Telegrafi/

  • Prattipati sërish i bën thirrje Kosovës të përfshihet në projektin e gazit: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

    Prattipati sërish i bën thirrje Kosovës të përfshihet në projektin e gazit: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

    E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, sërish i ka bërë thirrje Kosovës që të përfshihet në projektin e gazit amerikan, duke thënë se kështu siguron investimet e ardhshme amerikane.

    Këtë thirrje Prattipati e bëri derisa mori pjesë ë ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e tregtisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

    “Në fjalën e saj, ajo përshëndeti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore ndaj mallrave amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane”, shkroi ambasada në njoftim.

  • Bllokohet rruga Prishtinë–Pejë te Ura e Dollcit, raportohet se do të kryhet minimi i terrenit

    Bllokohet rruga Prishtinë–Pejë te Ura e Dollcit, raportohet se do të kryhet minimi i terrenit

    Drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në aksin rrugor Prishtinë–Pejë duhet të kenë kujdes, pasi sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.

    Siç raporton, Klina info për shkak të punimeve në rrugë, në segmentin te Ura e Dollcit do të realizohet procesi i minimit të terrenit, ndaj rruga do të bllokohet duke filluar nga ora 15:00.

    Ende nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë bllokimi i qarkullimit. Rruga do të rihapet vetëm pasi të përfundojë pastrimi i materialit të krijuar nga minimi dhe të konstatohet se qarkullimi mund të zhvillohet në mënyrë të sigurt.

  • Një mal me mbeturina në Indonezi është përfshirë nga flakët për më shumë se një javë

    Një mal me mbeturina në Indonezi është përfshirë nga flakët për më shumë se një javë

    Një mal me mbeturina në Indonezi ka qenë në flakë për më shumë se një javë Për tetë ditë, një zjarr ka qenë në një mal mbeturinash në Indonezi.

    Flaka në deponinë Jatiwaringin, në periferi të kryeqytetit Xhakartë, është përhapur në më shumë se 15 hektarë, duke e mbuluar zonën me tym të trashë toksik dhe duke zhvendosur qindra banorë vendas, transmeton Telegrafi.

    Autoritetet shëndetësore kanë raportuar një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes për shkak të ndotjes së ajrit, dhe zjarrfikësit kanë dërguar helikopterë, cisterna uji, buldozerë dhe dronë për të shuar zjarrin.

    Ka shpresa se kjo mund të arrihet deri në fund të javës. Por aktivistët mjedisorë thonë se kjo është vetëm një simptomë e një krize në rritje të mbeturinave në Indonezi, duke e përshkruar zjarrin në deponi si një “katastrofë ekologjike që rezulton nga neglizhenca sistemike”.

    Zjarri shpërtheu më 30 qershor, fillimisht i shkaktuar nga një shkëndijë e vogël e cila u përhap nga erëra të forta dhe u përhap në disa vende – duke përfshirë vendet ku mbeturinat ishin grumbulluar shumë, dhe vende që kanë qenë të vështira për t’u arritur nga zjarrfikësit.

    Gjatë javës që nga ajo kohë, re të dendura të zeza tymi kanë përmbytur zonat e banuara përreth. Matjet nga Ministria e Mjedisit tregojnë se cilësia e ajrit përreth deponisë ka arritur nivele të rrezikshme, megjithëse ashpërsia është lehtësuar ditët e fundit.

    Një banore vendase, 45-vjeçarja Sarmanah, i tha BBC-së se tymi toksik përmbyti shtëpinë e saj, duke e detyruar të largohej me fëmijën e saj.

    “Tymi ishte aq i dendur sa nuk mund të shihje askënd. Të dhemb hundën, të bën të kollitesh dhe të rrjedhë hunda, dhe të bën të paaftë të marrësh frymë… U detyruam të largoheshim nga shtëpia sepse nuk mund ta duronim më”, kujtoi ajo.

    Qindra të tjerë u detyruan të bënin të njëjtën gjë, duke kërkuar strehim në një strehë të ngritur nga qeveria lokale. Tosiyani, 37 vjeç, tha se i ishte ndaluar të shkonte në shtëpi sepse “tymi përmban gaz toksik”.

    – YouTube www.youtube.com

    Autoritetet lokale shëndetësore deri më tani kanë ekzaminuar të paktën 234 banorë që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes për shkak të flakëve. Nga këta, 72 u gjetën se vuanin nga infeksione akute të traktit respirator.

    Ndërkohë, tymi dhe njollat e zjarrit vazhdojnë të digjen në disa grumbuj mbeturinash, konkretisht në perëndim dhe në jug të deponisë.

    Djohan Darmawan, Drejtor i Koordinimit të Kontrollit të Operacioneve të Emergjencave në Agjencinë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), tha se përpjekjet për të shuar zjarrin në deponi kërkonin trajtim të veçantë sepse flakët nuk ishin në sipërfaqe, por digjeshin brenda mbeturinave të grumbulluara.

    Edhe pse zyrtarët nuk e kanë konfirmuar shkakun fillestar të flakës, organizata joqeveritare indoneziane Forumi për Mjedisin (Walhi) ka sugjeruar se ai u shkaktua nga akumulimi i gazit metan nga mbeturinat organike në dekompozim.

    – YouTube www.youtube.com

    Ky është rezultat i një sistemi të parregulluar të hedhjes së mbeturinave në ajër që është përhapur gjerësisht në Indonezi.

    “Kjo është një bombë me sahat e problemeve të akumuluara të menaxhimit të mbeturinave që janë injoruar për vite me radhë pa përmirësime themelore”, tha për BBC-në Wahyu Eka Styawan, një aktivist me Walhi.

    Sipas Walhi, sasia e mbeturinave që gjeneron Tangerang Regency është shumë më tepër sesa ajo që është projektuar të trajtojë deponia Jatiwaringin.

    “Deponia mund të akomodojë deri në 2,700 ton mbeturina në ditë, por kjo mbulon vetëm 59% të mbeturinave në Tangerang Regency”, tha Wahyu.