ATV

Category: Lajme

  • Austri: 35-vjeçari kosovar humb jetën në vendin e punës pas kontaktit me rrymën elektrike

    Austri: 35-vjeçari kosovar humb jetën në vendin e punës pas kontaktit me rrymën elektrike

    Një 35-vjeçar me origjinë nga Kosova ka humbur jetën të enjten në vendin e tij të punës në Arbing, Austri, pasi ra në kontakt me një linjë të tensionit të lartë gjatë pastrimit të një fasade ndërtese, raportojnë mediat lokale.

    Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 13:00, ndërsa viktima, që jetonte në Linz, po punonte në fasadën anësore të një pallati. Kolegu i tij, një shtetas 34-vjeçar nga Iraku, dëgjoi britmën e kosovarit dhe ndërhyri menjëherë, por ishte tepër vonë.

    “Me sa duket ai preku një linjë me tension të lartë gjatë punës. Ishte një moment i tmerrshëm”, deklaroi kolegu.

    Ambulanca dhe shërbimet e urgjencës u njoftuan menjëherë, por mbërritën me vonesë. Ekipet mjekësore kryen reanimim (CPR), por pa sukses. Mjekët konstatuan se 35-vjeçari kishte ndërruar jetë në vend.

    Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e aksidentit tragjik.

  • Gjykata Supreme rrëzon kërkesën e Përparim Ramës: Faturat për mbeturina duhet të paguhen te “Pastrimi”

    Gjykata Supreme rrëzon kërkesën e Përparim Ramës: Faturat për mbeturina duhet të paguhen te “Pastrimi”

    Gjykata Supreme  ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për caktimin e një mase të përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.

    Vendimi ishte marrë nga Kuvendi Komunal më 1 dhjetor 2023, e plotësuar më 5 dhjetor 2024, dhe e publikuar në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor 2024.

    Kjo rregullore përcakton që pagesat për shërbimin e menaxhimit të mbeturinave të bëhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi” Sh.A., ndërsa kërkesa e Komunës kishte synuar pezullimin e përkohshëm të zbatimit të saj.

    Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se nuk ekziston bazë ligjore për ndalimin e prodhimit të efekteve juridike të kësaj rregulloreje, duke sqaruar se pezullimi i një akti nënligjor nuk mund të bëhet pa një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij.

    Kjo nënkupton se pretendimi i Komunës për ndërprerjen e efekteve juridike deri në një vendim përfundimtar është hedhur poshtë.

    Gjykata gjithashtu ka vendosur që aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë pas komunikimit me palët, duke i dhënë fund përkohësisht kontestit rreth zbatimit të kësaj rregulloreje.

    Ky vendim nënkupton se Rregullorja mbetet në fuqi dhe duhet të zbatohet deri në një vendim tjetër eventual mbi ligjshmërinë e saj në përmbajtje.

  • Presidentja Osmani priti komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, Stephen Osborn, diskutohet për thellim të bashkëpunimit

    Presidentja Osmani priti komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, Stephen Osborn, diskutohet për thellim të bashkëpunimit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Komandantin e Gardës Kombëtare të shtetit amerikan të Ioëas, Gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, si dhe për planet e ardhshme të thellimit të këtij partneriteti strategjik.

    “Aleanca me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, e fuqizon shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Më tej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje dhe vlerësim të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Garda e Iowas i ka dhënë FSK-së në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve operacionale, të cilat u demonstruan me sukses gjatë ushtrimit të përbashkët ndërkombëtar “Defender Europe 2025”. Ajo veçoi faktin se këtë vit, në kuadër të këtij ushtrimi, Kosova pati nderin të mirëpresë Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe se pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowas ishin pjesë aktive e forcës së përbashkët që veproi në territorin e Kosovës.

    Në takim, Presidentja Osmani, gjithashtu shprehu falënderim të sinqertë dhe vlerësim të thellë për mundësinë që iu dha një kontingjenti të FSK-së për të kryer stërvitje të përbashkëta në Qendrën e Trajnimit për Gatishmëri të Përbashkët në Louisiana, së bashku me pjesëtarët e Gardës së Iowas dhe forcave tjera aleate amerikane.

  • Osmani përfundon konsultimet me partitë politike, data e zgjedhjeve lokale pritet të caktohet së shpejti

    Osmani përfundon konsultimet me partitë politike, data e zgjedhjeve lokale pritet të caktohet së shpejti

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfunduar sot takimet konsultative me përfaqësuesit e subjekteve politike në lidhje me caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

    Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë këtij takimi, Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e partive, ndërsa vendimi për datën përfundimtare pritet të merret në ditët në vijim.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.

  • Naim Murseli: Nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë kërkoj burgim të përjetshëm

    Naim Murseli: Nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë kërkoj burgim të përjetshëm

    “Po të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë për veten time kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, tha Murseli.

    I akuzuari Granit Plava u mbrojt në heshtje, kurse i akuzuari Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.

     

  • Nis takimi i presidentes Osmani me subjektet politike, pritet caktimi i datës së zgjedhjeve lokale

    Nis takimi i presidentes Osmani me subjektet politike, pritet caktimi i datës së zgjedhjeve lokale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon takim me përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

    Ndryshe nga partitë e tjera që po përfaqësohen nga liderët e tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar Albulena Haxhiun.

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, një ditë më parë bëri të ditur se menjëherë pas konsultimeve, presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve.

  • Fakulteti i Bujqësisë në Itali përfshihet nga flakët– studentët largohen me urgjencë

    Fakulteti i Bujqësisë në Itali përfshihet nga flakët– studentët largohen me urgjencë

    Një zjarr i fuqishëm shpërtheu pak pas orës 10:00 në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Tuscias në Viterbo.

    Flakët, që filluan nga çatia gjatë punimeve, u përhapën shpejt, duke rrezikuar laboratorët e kimisë dhe gjenetikës ku ruheshin substanca shumë të ndezshme, përfshirë 500 litra cilindra me etanol dhe azot.

    Si pasojë, studentët, mësuesit dhe stafi u evakuan menjëherë nga ambientet e universitetit, ndërsa u krijua një kordon sigurie me rreze 500 metrash, duke përfshirë edhe një hotel pranë zonës së zjarrit. Njësitë e zjarrfikësve, me ndihmën e forcave të specializuara të ushtrisë, po punojnë intensivisht për fikjen e flakëve.

    Bashkia e Viterbos i ka bërë apel banorëve të mos i afrohen zonës së operacioneve dhe të mbajnë dritaret e shtëpive të mbyllura në një rreze prej një kilometri për shkak të tymit të dendur që është i dukshëm nga shumë pika të qytetit. Policia lokale ka bllokuar rrugët hyrëse në vendin e ngjarjes për të siguruar mbarëvajtjen e ndërhyrjeve.

    Situata vijon të monitorohet nga afër, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për shkaqet e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara.

  • Dështimi i radhës, Kuvendi s’konstituohet as në përpjekjen e 26-të

    Dështimi i radhës, Kuvendi s’konstituohet as në përpjekjen e 26-të

    Ka dështuar edhe tentativa e 26-të për konstituimin e Kuvendit. Përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

    Dehari bëri të ditur se seanca ndërpritet dhe se do të vazhdojë nesër më 5 qershor, në orën 11:00.

  • Balje kritikon situatën në Kuvend: Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

    Balje kritikon situatën në Kuvend: Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka folur për situatën aktuale në Kuvend, duke thënë se nuk beson se diçka do të ndryshojë dhe e cilësoi situatën si të turpshme.

    “Krejt na jemi tu prit vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk besoj që mënyra e votimit ka me ndryshu mendimin e deputetëve brenda sallës”, tha Balje.

    Duke komentuar deklarimet e disa deputetëve të LVV-së lidhur me pretendimet se i kishin ofruar post në Shkup në këmbim të votës për Albulena Haxhiun, Balje tha se nuk është reale të merret me mendimet e secilit deputet brenda LVV-së.

    “Unë mu marr me mendimet e secilit deputet brenda vetëvendosjes është jo reale. Deputetët të cilët kanë fol për këtë temë s’kanë pas informacione, kanë fol pa bazë që të jenë të rëndësishëm. Nuk du me fol keq për asnjë deputet, nuk është në nivelin tim”, tha ajo.

    Në fund, deputetja u shpreh se nëse Fatmir Limaj do të jetë kandidat për kryeparlamentar, ajo do ta mbështesë me votën e saj.

    “Nëse z.Limaj është kandidat do ta votoj”, tha Balje.

  • Ngërçi institucional, Limaj: Derisa nuk ka ndryshim të gjendjes, sjellja jonë do të jetë siç ka qenë

    Ngërçi institucional, Limaj: Derisa nuk ka ndryshim të gjendjes, sjellja jonë do të jetë siç ka qenë

    Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës vazhdon të jetë një ndër çështjet më të diskutuara, sidomos për pozitën e kryetarit të Kuvendit, që ende nuk është votuar. Në këtë kontekst, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se është e nevojshme një marrëveshje politike për të zhbllokuar situatën.

    Limaj ka deklaruar para mediave se pa ndonjë ndryshim konkret të rrethanave, Nisma do të vazhdojë të qëndrojë në qëndrimin e saj të deritanishëm.

    “Sido që të jetë, vendi duhet me pasë një shumicë parlamentare, pavarësisht si e qysh bëhen, Nisma e ka ofru një mundësi. Ne kemi dashur që duke kujtuar situatën, nevojën e pasjes së institucioneve, duke votuar që institucionet të krijohen vetëm përmes shumicave parlamentare, duke kujtuar pozicionimin dhe vullnetin të qytetarëve, ne kemi dashur që të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të japim një mundësi. Unë jam i bindur se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet. Derisa nuk ka ndryshim të gjendjes, sjellja jonë në parlament do të jetë siç ka qenë”, ka deklaruar Limaj.

    Ai ka ritheksuar se krijimi i institucioneve është urgjencë për vendin dhe se Nisma do të jetë konstruktive, por pa marrëveshje politike, vota e tyre nuk do të ndryshojë.