ATV

Category: Lajme

  • Festa e Kurban Bajramit në Shqipëri: Ceremonia e faljes në Tiranë u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

    Festa e Kurban Bajramit në Shqipëri: Ceremonia e faljes në Tiranë u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

    Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Mijëra qytetarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në sheshe dhe xhami për të kryer faljen e Bajramit, në një atmosferë lutjeje, reflektimi dhe solidariteti.

    Ceremonia kryesore e faljes në Tiranë u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku morën pjesë besimtarë nga kryeqyteti dhe më gjerë.

    Kurban Bajrami, i njohur ndryshe si Festa e Sakrificës, përkujton gatishmërinë e profetit Ibrahim për të flijuar të birin si shenjë bindjeje ndaj Zotit. Me këtë rast, shumë familje myslimane therin kurban – zakonisht dele, dhi apo lopë – dhe mishin e ndajnë me të afërmit, fqinjët dhe të varfrit, si shenjë solidariteti dhe bujarie.

    Festa e Kurban Bajramit do të vijojë gjatë gjithë ditës me vizita familjare, urime, dhe ndarje të ushqimit me të afërmit dhe komunitetin, duke përforcuar vlerat shpirtërore dhe humane që kjo festë përcjell.

  • Kurti: Kurban Bajrami është ftesë për secilin që të angazhohet për barazi

    Kurti: Kurban Bajrami është ftesë për secilin që të angazhohet për barazi

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar besimtarët në festën e Kurban Bajramit.

    Ai ka bërë thirrje për solidaritet, teksa ka thënë se kjo festë përkujton rëndësinë e të dhënit dhe ndarjes me njëri-tjetrin.

    “Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin. Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri. Andaj ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Rama uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin

    Rama uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit.

    “GËZUAR KURBAN BAJRAMIN”, ka shkruar Rama në Facebook, transmeton KosovaPress.

    Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot ditën e parë të Kurban-Bajramit.

    Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Zotit të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.

  • ​Kurbani deri në 500 euro, a po bie interesimi për blerjen e tyre?

    ​Kurbani deri në 500 euro, a po bie interesimi për blerjen e tyre?

    Therja e kurbanit në islam vazhdon të mbetet një akt i shenjtë dhe simbolik, që pasqyron përkushtimin dhe bindjen ndaj Zotit. Edhe këtë vit, besimtarët myslimanë kanë shprehur interesim për blerjen e kurbanit, ndonëse çmimi i tyre ka shënuar rritje.

    Në Prishtinë, çmimi i një kurbani varion nga 200 deri në 500 euro. Qytetarët vlerësojnë se këto çmime janë të larta, por jo të papërballueshme, pasi kjo është një detyrë që përmbushet vetëm një herë në vit.

    Shitësit thonë për KosovaPress se krahas rritjes së çmimeve të përgjithshme, janë detyruar të rrisin edhe çmimet e kurbanit. Ata tregojnë për KosovaPress se këtë vit ka pasur rënie të interesimit të qytetarëve për blerjen e tyre.

    Gëzim Krasniqi tregon se çmimi i kurbanit që ai shet fillon nga dyqind deri në treqind euro. Ai thotë se vitin e kaluar kërkesa e qytetarëve për të blerë kurban ka qenë më e madhe.

    “Çmimet prej 200 deri në 300. Por, më së shumti 200 euro sepse nuk po kanë para. Vitin e kaluar çmimet kanë qenë me mirë. Por, pagesa nuk po kanë. Çmimet janë rritur të gjitha, rrogat jo…Vitin e kaluar ka pasur qarkullim më shumë. E këtë vit a ka pasur interesim? Jo shumë, sepse dëshira është tjetër, mundësia tjetër. Vitin e kaluar ka pasur më shumë kërkesa”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, një fermer tjetër, i cili nuk ka dëshiruar të prononcohet para kamerës thotë se çmimi i deleve vitin e kaluar ishte njëqind e shtatëdhjetë deri në dyqind e shtatëdhjetë euro, ndërsa këtë vit është dyqind deri në treqind euro.

    “Prej 200 eurove deri në 300 euro…Vitin e kaluar si i keni pasur çmimet 170 deri në 270 apo 280? I paskeni shtrenjtuar pak? Po gjithçka është shtrenjtuar, nuk ka mbetur asgjë pa u shtrenjtuar”, tha fermeri.

    Shitës të tjerë tregojnë se këtë vit, çmimi i deleve që ata shesin fillon nga dyqind deri në katërqind dhe pesëqind euro. Derisa potencojnë se ndryshe nga viti i kaluar, ka më pak blerës.

    “Çmimet prej 200 deri në 400 euro. Sivjet më dobët është…Çmimet janë prej 200 euro deri në 500. Ata me brirë atje”.

    Ndërkaq, qytetari Behram Alshiqi tha se çdo vit e blen nga një kurban. Sipas tij, vlera e një dashi gjatë këtyre ditëve ka arritur deri në gjashtëqind euro. Derisa këto çmime, sipas tij, janë të larta.

    “Bashkësisë Islame ia kemi dhënë gjithmonë, por e keqpërdorën edhe e kemi lënë. A bleni çdo vit? Po, ashtu është me fe të blesh. Sa kurban do t’i bleni? Vetëm një. Një kurban ishte 200, 300 apo 500 euro, si po të duken çmimet? 180 euro është në Bashkësi Islame dhe e kryen. Deri në 600 euro ka qenë një kurban një ditë. Shtrenjtë janë shtrenjtë”, tha Alshiqi.

    Besimtari mysliman, Shkëlzen Gashi edhe këtë vit ka ndjekur traditën e therjes së kurbanit. Ai tregoi se ka vërejtur rritjen e çmimit të tyre, porse sipas tij është e përballueshme, pasi blihet vetëm një herë në vit.

    “Zakonisht dalim çdo Kurban Bajram është dëshira e pleqve, është traditë e religjionit. Dalim çdo bajram. Çmimet qenkan më të larta pak se vitin e kaluar. Por, nuk janë të papërballueshme. Një herë në vit pse mos t’ia kushtojmë, simbolike diçka”, tha Gashi.

    Blerja e kurbaneve nga qytetarët e besimit islam bëhet nëpër ferma apo edhe vende të tjera.

    Sot është dita e parë e festës së Kurban – Bajramit. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

  • ​Osmani uron Kurban Bajramin, bën thirrje për forcimin e lidhjeve

    ​Osmani uron Kurban Bajramin, bën thirrje për forcimin e lidhjeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Festën e Bajramit të Vogël, i njohur si Kurban Bajrami, shkruan KosovaPress.

    “Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për paqe, harmoni dhe begati në çdo familje”, thuhet në mesazhin e saj.

    Sipas Osmanit, festa e Kurban Bajramit shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.

    “Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh. Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentes Osmani.

    Sot është dita e parë e festës së Kurban – Bajramit. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

  • ​Myftiu Tërnava propozon banesa falas për familjet me katër ose më shumë fëmijë: Rënia e natalitetit është alarm kombëtar

    ​Myftiu Tërnava propozon banesa falas për familjet me katër ose më shumë fëmijë: Rënia e natalitetit është alarm kombëtar

    Ruajtja e moralit, kulturës gjuhës dhe kombit ishte thirrja e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Duke apeluar për familje më të mëdha, ai i propozoi Qeverisë së Kosovës që t’iu jap falas nga një shtëpi të gjitha familjeve që kanë katër ose më shumë fëmijë, raporton KosovaPress.

    “Rënia e natalitetit është alarm kombëtar”, u shpreh ai.

    Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi rëndësinë e sakrificës, bashkimit dhe vlerave familjare. Derisa shtoi se Festa e Bajram Bajramit është ditë gëzimi por edhe reflektimi.

    “Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi por edhe ditë reflektimi. Është ditë kur e rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që Ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë dhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi. Kurban Bajrami është ditë e madhe, sakrifice dhe solidariteti… Kurban Bajrami na mëson se feja jonë kërkon sakrificë, jo vetëm në aspektin material, por edhe në përpjekje për ta përmirësuar shoqërinë, për ta ruajtur atdheun, për ta forcuar familjen dhe për ta mbrojtur të ardhmen tonë… Sakrifica që kërkohet prej nesh sot, është sakrifica për të ruajtur moralin, kulturën, gjuhën dhe vetë ekzistencën tonë si komb”, tha ai.

    Edhe këtë herë, myftiu Tërnava foli për migrimin, për çka kërkoi nga institucionet e vendit që të dalin me një strategji kombëtare për natalitetin.

    Familja, siç tha ai, duhet parë si bekim e kontribut në ruajtjen e shoqërisë dhe kombit, e jo si barrë e frikë nga risku.

    “Kosova ka nevojë për më shumë fëmijë, për më shumë të rinj, për jetë më të mirë. Kombi ynë po zbehet në numër të vogël të fëmijëve, ndërkohë që shumë familje shqiptare në të kaluarën i kanë rritur nga 10 fëmijë, në kushte shumë më të vështira, atëherë kur ishim të okupuar nga Serbia. Nataliteti si strategji kombëtare dhe fetare për mbrojtjen e fesë dhe atdheut, ndërlidhet me sigurinë kombëtare dhe shtetërore… Rënia e natalitetit është një alarm kombëtar, shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështesë familjet me politika pro natalitetit, siç janë, punësimi i të dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmijët e tjerë. Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Dhe, çdo qift që ka katër e më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t’ua dhurojë të gjithëve nga një banesë – gratis. Kjo nuk është vetëm nevojë ekonomike për këto familje, por është edhe përgjegjësi morale, fetare dhe kombëtare, sepse duke ndërtuar një familje të shëndoshë ne ndërtojmë të ardhmen”, tha ai.

    Tërnava apeloi që në një ditë si sot të kujtohen dhe të ndihmohen të kujtojmë të varfrit dhe jetimët, shkruan KosovaPress.

  • Sot besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban-Bajramin

    Sot besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban-Bajramin

    Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot ditën e parë të Kurban-Bajramit.

    Manifestimi qendror për territorin e Kosovës mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

    Namazi i sabahut falet në orën 04:20, ndërsa namazi i Kurban-Bajramit në orën 05:35. Ligjëratën tematike kushtuar kësaj feste do ta mbajë Besnik Llumnica – imam në Xhaminë e Bardhoshit, Prishtinë.

    Namazit do t’i prijë Hetem Sopjani – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, ndërsa mesazhin e Kurban-Bajramit, do ta mbajë myftiu Naim Tërnava.

    Me rastin e festës së Kurban-Bajramit, ditën e parë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë, nga ora nëntë deri në orën dymbëdhjetë, raporton KosovaPress.

  • Greva e “Pastrimit” vazhdon – kërkohet zbatim i plotë i aktgjykimit të Supremes

    Greva e “Pastrimit” vazhdon – kërkohet zbatim i plotë i aktgjykimit të Supremes

    Sindikata e Punëtorëve të Kompanisë “Pastrimi” ka njoftuar se kamionët që ishin parkuar pranë objektit të Komunës së Prishtinës do të largohen, ndërsa greva do të vazhdojë.

    Ata kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit, faturat për shërbimet e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt kompanisë “Pastrimi” dhe jo përmes operatorëve privatë. Sindikata po kërkon që Komuna t’i kthej sa më parë mjetet e inkasuara.

    Pas aktgjykimit të Supremes, sindikalistët kanë paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Komunës së Prishtinës, që përfshijnë:

    “Të kthehen të gjitha mjetet financiare të inkasuara në mënyrë të paligjshme deri më tani nga Komuna e Prishtinës, në afatin sa më të shpejt që ne të fillojmë mbledhjen e mbeturinave.

    Të bëhet një dalje publike në media nga autoritetet përkatëse të Komunës, të bëhet thirrje se faturimi dhe pagesat duhet të kryhen ekskluzivisht përmes KRM Pastrimi.

    Të largohen plotësisht operatorët privat nga operimi i mbledhjes së mbeturinave dhe të fillojë zbatimi i plotë i rregullores në fuqi.

    Të ndalet çdo keqinterpretim nga ana e autoriteteve të komunës, pasi çdo veprim jashtë Aktgjykimit është i jashtëligjshëm dhe cenon të drejtat e 900 punëtorëve, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë.

    Të ketë një qasje më konstruktive dhe bashkëpunuese në të ardhmen, duke garantuar që Sindikata të jetë e informuar dhe e përfshirë në të gjitha vendimet që ndikojnë në të drejtat e punëtorëve.”

  • “I shihja njerëzit t’u ndrru jetë para meje”, Uta Ibrahimi që bëri histori, tregon për rrezikshmërinë që e përjetoi në maje

    “I shihja njerëzit t’u ndrru jetë para meje”, Uta Ibrahimi që bëri histori, tregon për rrezikshmërinë që e përjetoi në maje

    Uta Ibrahimi është alpinistja e parë nga Kosova që ka ngjitur 14 majat më të larta në botë, të njohura si “tetëmijëshat”. Ajo gjithashtu është kampione e SDG-ve (Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm) e para në Ballkan me këtë titull. Më pas, karrierën e saj e orientoi drejt alpinizmit si alpiniste udhërrëfyese dhe “active hiker”.

    Alpinistja Uta Ibrahimi ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për sfidat dhe vështirësitë që ka kaluar gjatë ngjitjes së këtyre majave.

    Gjatë bisedës, Uta tregoi për përjetimet e saj në ekspeditën e parë, kur trupi i saj nuk dinte si të reagonte ndaj mungesës së oksigjenit.

    “Për shkak se ka qenë ngjitja e parë për mu në maja 8000 metra… në ekspeditën e parë trupi është i panjohur me mungesën e oksigjenit… është tepër e vështirë me jetu ose me përballu, se ki kokëdhimbje, ndihesh si me marramendje… edhe nëse s’e din atë ndjenjë është tepër e vështirë sepse ke edhe panik, edhe nuk e din se çka po të ndodhë me trup, vetëdijen nuk e ke – e ka kogja të limituar,” tha Ibrahimi.

    Ajo gjithashtu tregoi për rrezikshmërinë që e ka shoqëruar në këto ngjitje ekstreme, duke përshkruar momentet tronditëse që ka përjetuar.

    “Ish ndalë në një pikë dhe nuk mundej me lëvizë. Mendoj që disa minuta pasi kam kalu unë, ai veç ka ndërru jetë… Si me thënë, me pa një njeri para syve tu ndërru jetë, ose me pa një njeri tjetër, trup tjetër veç ka ndërru jetë disa ditë para, e ti me ec edhe vetëm me i kalu – ka qenë shumë e vështirë,” tha ajo.

    Vlen të theksohet se Uta Ibrahimi ka një përvojë 12-vjeçare pune në fushën e marketingut. Për shtatë vite ka punuar në një agjenci marketingu që ka përfshirë klientë nga biznese të mëdha, dhe për pesë vite ka qenë menaxhere e marketingut në festivalin e dokumentarëve, DokuFest. Uta është gjithashtu një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrëse në kampanja sociale, kryesisht në mbështetje të grave dhe fëmijëve.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Uta Ibrahimi, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • AUV bën thirrje që therja e kurbanëve të bëhet vetëm në thertore të licencuara

    AUV bën thirrje që therja e kurbanëve të bëhet vetëm në thertore të licencuara

    Në prag të festës së Kurban Bajramit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje qytetarëve që therjen e kurbanëve ta kryejnë vetëm në thertore të licencuara, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

    “Therjet rituale për festën e Kurban Bajramit, por edhe therjet e rëndomta duhet të realizohen vetëm në thertoret e aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Andaj të nderuar qytetarë të besimit islam, me rastin e festës se ‘’Kurban Bajrami’’ e cila festohet me datë 6 Qershore e Premte. Në frymën e respektimit të ligjit dhe ruajtjes së shëndetit publik, ju kërkojmë që therjen e kurbaneve ta bëni vetëm në objektet e thertoreve. Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse se përbën shkelje ligjore, ajo rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik. Tani që po mbretërojnë temperatura të larta, rritet rreziku i kontaminimit të produkteve që i ekspozohen të nxehtit”, thuhet në njoftim.

    Sipas AUV-it, thertoret e licencuara janë nën mbikëqyrje shtetërore dhe ofrojnë kushte të plota për sigurinë ushqimore.

    “Objektet e thertoreve, përveçse janë nën mbikëqyrje të autoritetit shtetëror. Aty secila kafshë i nënshtrohet kontrollit para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes. Objektet posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike. Në të gjithë vendin ka thertore për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Festoni sigurt dhe shëndetshëm.”.

    Lista e thertoreve të aprovuara gjenden në web faqen e AUV-së, https://auvk.rks-gov.net/bizneset/bizneset-e-aprovuara-per-ushqime-me-origjine-shtazore/