ATV

Category: Lajme

  • Vëllai i Liridona Ademajt reagon para seancës: Dhimbja po na shtohet

    Vëllai i Liridona Ademajt reagon para seancës: Dhimbja po na shtohet

    Sot, në ora 13:20, do të mbahet seanca e radhës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Vëllai i saj, Leonardi, ka reaguar në lidhje me këtë proces gjyqësor, duke shprehur se dhimbja e familjes vazhdon të thellohet çdo ditë. Ai ka ftuar mediat që të jenë të pranishme dhe të përcjellin zhvillimet e seancës.

    “Sot në ora 13:20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejtë,” ka shkruar ai.

  • OKB voton sot për armëpushim të përhershëm në Gaza

    OKB voton sot për armëpushim të përhershëm në Gaza

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë të mërkurën për një rezolutë të re që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza, si dhe për qasjen e pakufizuar të ndihmave humanitare në rajon.

    Rezoluta përfshin kërkesën që të gjitha palët të respektojnë pa kushte ndalimin e luftimeve, në një përpjekje për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës humanitare.

    Dokumenti gjithashtu thekson kërkesën për “lirimin e menjëhershëm, dinjitoz dhe të pakushtëzuar” të të gjithë pengjeve që mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura palestineze.

    Ky do të jetë votimi i parë i Këshillit të Sigurimit mbi këtë çështje që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara përdorën veton për të bllokuar një projekt-rezolutë të ngjashme, që kërkonte ndaljen e luftimeve.

    Votimi pritet të zhvillohet të mërkurën në orën 16:00 sipas kohës lokale të Kosovës, dhe sytë janë drejtuar kah pozicioni që do të mbajë SHBA – një faktor kyç për fatin e kësaj rezolute.

  • Osmani sot me konsultime për zgjedhjet lokale, datën do ta caktojë menjëherë pas takimeve

    Osmani sot me konsultime për zgjedhjet lokale, datën do ta caktojë menjëherë pas takimeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret sot në takim përfaqësuesit e subjekteve politike, me të cilët do të ketë konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

    Lajmin e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

    Takimi do të mbahet në ora 14:00.

    “Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve,” tha Kupina për Ekonomia Online.

  • “Kosova e gatshme për anëtarësim në NATO”, thotë Osmani gjatë vizitës në “Defender 25”

    “Kosova e gatshme për anëtarësim në NATO”, thotë Osmani gjatë vizitës në “Defender 25”

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë realizuar një vizitë nga afër te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ata amerikanë dhe të kombeve të tjera, të cilët po marrin pjesë në ushtrimin “Defender Europe”.

    Në këtë ngjarje, Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në operacione të tilla. Ajo shtoi se ky angazhim tregon gjithashtu se Kosova është e gatshme të bëhet një shtet i barabartë dhe anëtar i NATO-s.

    “Jemi të gatshëm jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por njëkohësisht të jemi shtet i barabartë dhe shtet anëtarë i NATO-s. Dua t’i falënderoj gjeneralët e SHBA-së që janë jo vetëm sot, por që janë një kohë të gjatë me ushtarët tanë në trajnime e përgatitje”, ka deklaruar Osmani gjatë vizitës.

     

    Po ashtu, presidentja ka vlerësuar ushtrimin “Defender 25” si një dëshmi të fuqishme të aleancës së palëkundur midis SHBA-së dhe Kosovës.

     

  • “Defender Europe 25”: FSK-ja demonstron gatishmërinë operacionale me forcat partnere

    “Defender Europe 25”: FSK-ja demonstron gatishmërinë operacionale me forcat partnere

    Në Poligonin e Stërvitjes në Babaj të Bokës, u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar (DV Day), si pjesë e ushtrimit ndërkombëtar shumëkombësh “Defender Europe 25”, raporton Ekonomia Online.

    Të pranishëm në këto ushtrime kanë qenë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri në detyrë Albin Kurti, përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorë, si dhe oficerë të lartë nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe shtete pjesëmarrëse në ushtrim.

    Përmes skenarëve operativë të përgatitur enkas për këtë ditë, Forca e Sigurisë së Kosovës kanë demonstruar gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë me forcat partnere dhe ato të rajonit.

    Në ushtrim kanë marrë pjesë edhe forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

  • Presidentja Osmani nderohet me Medaljen për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Atdheut nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda

    Presidentja Osmani nderohet me Medaljen për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Atdheut nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, është nderuar me medaljen prestigjioze “Faithful and Meritorious Medal for Service to Country” (Medalja për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Vendit) nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Sir Dr. Rodney Williams, sipas autorizimit nga Mbreti Charles III.

    Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda deklaroi se kjo medalje e lartë shtetërore i është ndarë Presidentes Osmani në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e saj të guximshëm, kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, demokracinë dhe avancimin e rolit të grave në udhëheqje, si dhe për përkushtimin e saj të palëkundur në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Në fjalimin e tij të posaçëm gjatë darkës së organizuar mbrëmë për zyrtarët e lartë të shteteve pjesëmarrëse në Forumin për Gratë Paqen dhe Sigurinë, Guvernatori i Përgjithshëm Sir Rodney Williams e cilësoi Presidenten Osmani “shembull frymëzues i udhëheqjes bashkëkohore dhe një zë i palëkundur për drejtësinë dhe barazinë në skenën ndërkombëtare”.

    Ai theksoi se: “vizioni dhe integriteti i Presidentes Osmani kanë kaluar kufijtë e shtetit të saj, duke prekur zemrat dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve në të gjithë botën, sidomos grave dhe vajzave”.

    Presidentja Osmani e cilësoi këtë dekoratë si një nder të jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Kjo dekoratë është për popullin tim, i cili ka qëndruar gjithmonë me dinjitet dhe vendosmëri në mbrojtje të lirisë”, ka deklaruar Presidentja Osmani gjatë pranimit të Medaljes.

    Medalja Zyrtare e Shquar për Shërbim Besnik dhe të Merituar ndaj Atdheut, përfaqëson një nga dekoratat më të larta shtetërore të Antigua dhe Barbuda, që u jepet personaliteteve me merita të veçanta në shërbim të vendit të tyre dhe me ndikim të dukshëm në përparimin e vlerave universale.

  • Kos bën thirrje që Kosova sa më shpejtë t’i formojë institucionet

    Kos bën thirrje që Kosova sa më shpejtë t’i formojë institucionet

    Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë.

    “Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është thelbësore të formohen shpejt institucionet dhe të ecet përpara me reformat kyçe në gjyqësor, media dhe administratë publike. Një qeveri funksionale dhe kuvend funksional janë thelbësore që Kosova të përfitojë nga Plani Evropian për Rritje”, ka thënë Kos.

    Komisionarja evropiane foli në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me proceset integruese të vendeve të rajonit.

    Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon me perspektivë evropiane për të cilin ende nuk është trajtuar aplikimi për marrjen e statusit të kandidatit.

  • Të paktën 24 persona të vrarë nga të shtënat izraelite në pikën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza

    Të paktën 24 persona të vrarë nga të shtënat izraelite në pikën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza

    Të paktën 24 persona kanë humbur jetën dhe 200 të tjerë janë lënduar në jug të Rripit të Gazës, si pasojë e hapjes së zjarrit nga trupat izraelite gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare.

    Ministria e Shëndetësisë e territorit ka njoftuar se të shtënat ndodhen pranë një pike shpërndarëse ndihmash, në afërsi të rreth-rrotullimit të Al-Alamit, që ndodhet në perëndim të qytetit të Rafahut.

    Një korrespondent i agjencisë së lajmeve Wafa ka raportuar se “artileria dhe avionët izraelitë qëlluan me predha dhe armë zjarri mbi njerëzit e zhvendosur teksa prisnin ndihmat.”

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë reaguar me një njoftim ku shpjegojnë se kanë qëlluar “disa individë të dyshuar që po përparonin në drejtim të trupave,” duke pretenduar se ata nuk po ndiqnin rrugën e caktuar.

    “IDF-ja është e vetëdijshme mbi raportimet lidhur me viktimat, ndërsa detajet e incidentit po shqyrtohen,” thuhet në njoftimin e mëtejshëm të IDF-së.

  • Presidentja Osmani fton në takim subjektet politike për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale

    Presidentja Osmani fton në takim subjektet politike për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale

    Presidentja e Republikës së Kosovës ka thirrur një takim të rëndësishëm politik, ku do të diskutohet dhe pritet të merret vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

    Takimi është planifikuar të mbahet nesër dhe menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve.

    ”Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, bëri të ditur Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes së Kosovës.

  • Rona Nishliu hap ditën e dytë të Forumit të Sigurisë dhe Paqes për Gratë

    Rona Nishliu hap ditën e dytë të Forumit të Sigurisë dhe Paqes për Gratë

    Artistja kosovare, Rona Nishliu, ka hapur ditën e dytë të Forumit të Sigurisë dhe Paqes për Gratë (WPS), duke ofruar një interpretim për delegatët nga mbarë bota.

    Nishliu, e njohur për aftësitë e saj vokale, ka performuar një interpretim fantastik.

    Forumit WPS, që po mbahet në Prishtinë, po i pritet 45 delegacione nga shtete të ndryshme, përfshirë presidentë, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë të shoqërisë civile.