ATV

Category: Lajme

  • “Shpata e artë 2025”: Mbi 600 pjesëtarë të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës ushtrojnë për menaxhimin e krizave

    “Shpata e artë 2025”: Mbi 600 pjesëtarë të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës ushtrojnë për menaxhimin e krizave

    Misioni i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar se KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të kryejnë aktivitete trajnimi së bashku në kuadër të ushtrimit “Shpata e artë 2025” në kampin “Vrellë” në Prishtinë.

    Ky trajnim do të mbahet më 9 dhe 10 qershor.

    Në njoftimin e KFOR-it, thuhet se ushtrimi do të testojë zbatimin e procedurave të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm të sigurisë dhe do të ndihmojë në rritjen e aftësisë së këtyre subjekteve të ndryshme për të vepruar së bashku.

    “Do të përfshijë mbi 600 personel. “Shpata e artë 2025” është një tjetër demonstrim i prekshëm i bashkëpunimit të zhvilluar mirë dhe afatgjatë midis KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Ndërkaq në njoftim theksohet se për herë të parë, Forca e Sigurisë e Kosovës do të marrë pjesë gjithashtu në këtë ushtrim, në përputhje me mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile, përmes aktiviteteve të trajnimit mbi trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të municioneve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.

  • Policia e Kosovës aksion kundër drogës dhe krimeve kibernetike, bastisen disa lokacione

    Policia e Kosovës aksion kundër drogës dhe krimeve kibernetike, bastisen disa lokacione

    Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në disa rajone të vendit kundër trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.

    Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për media se aksioni po zhvillohet në një numër të konsiderueshëm lokacionesh.

    “Pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës (PK), nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

    “Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa detajet tjera do të bëhen pas kompletimit të operacionit”, tha ai.

  • Annalena Baerbock zgjidhet presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

    Annalena Baerbock zgjidhet presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

    Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock është zgjedhur presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një shumicë dërrmuese votash, në Nju Jork.

    Përmes një votimi të fshehtë, të mbajtur në këtë institucion – më të madhin të Kombeve të Bashkuara – Baerbock, 44-vjeçare, ka siguruar 167 vota, 14 anëtarë kanë abstenuar, ndërsa shtatë të tjerë kanë votuar për kandidaten tjetër.

    “Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për secilin”, ka thënë ajo.

    Duke iu referuar krizave të shumta në botë, ajo ka thënë se “po jetojmë në kohë sfiduese, dhe jemi duke ecur në një litar të tendosur të pasigurisë”.

    “Por, ne kemi jetuar edhe më parë nëpër kësi periudha të vështira. Na përket neve që të merremi me këto sfida”.

    Baerbock pritet të inaugurohet më 9 shtator, pak para nisjes së seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

    Kjo pozitë njëvjeçare është kryesisht ceremoniale, dhe nuk duhet të ngatërrohet me rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

    Guterres ka shprehur mbështetje të plotë për Baerbockun, duke përmendur përvojën e saj si ministre e Jashtme e Gjermanisë.

  • Tërmeti në Turqi: Humb jetën një 14-vjeçare pas atakut të panikut, 69 persona hidhen nga lartësia

    Tërmeti në Turqi: Humb jetën një 14-vjeçare pas atakut të panikut, 69 persona hidhen nga lartësia

    Një tërmet që ndodhi në detin Mesdhe, pranë brigjeve të Marmarisit në provincën Muğla të Turqisë, shkaktoi panik në shumë qytete.

    Lëkundjet u ndjenë veçanërisht në Izmir dhe Antalya, por edhe në Aydın, Denizli dhe Manisa.

    Sipas AFAD (Drejtoria për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave), tërmeti ndodhi në orën 02:17 të mëngjesit dhe kishte magnitudën 5.8. Epiqendra ishte 10.43 kilometra larg nga Marmarisi dhe thellësia u përcaktua në 67.91 kilometra.

    Fatkeqësisht, një vajzë 14-vjeçare me emrin Afranur Günlü humbi jetën si pasojë e një sulmi paniku në Fethiye. Ekipet janë ende duke vazhduar kontrollet në terren për të verifikuar nëse ka dëme të tjera, raporton Sabah.

    Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya bëri një deklaratë në rrjetet sociale duke thënë se:

    “Një tërmet me magnitudë 5.8 ka ndodhur në Marmaris të Muğlës. Tërmeti është ndjerë edhe në provincat përreth. Nën koordinimin e Prefektit, ekipet e AFAD-it dhe institucionet e tjera janë në terren dhe po vazhdojnë kontrollet. Sipas të dhënave të para, nuk ka shembje të ndërtesave të banuara në qytet. Në Fethiye, vajza jonë 14-vjeçare, Afranur Günlü, u dërgua në spital për shkak të një sulmi paniku, por fatkeqësisht nuk mundi të shpëtohej. Në Muğla dhe rrethinat, 69 qytetarë u lënduan nga paniku ose duke u hedhur nga lartësi. 14 prej tyre u trajtuan në vendngjarje, 8 të tjerë janë lënë të lirë pas trajtimit, ndërsa 46 po marrin trajtim në urgjencë. Urojmë mëshirë për vajzën Afranur dhe ngushëllime familjes së saj. Urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit. Zoti e ruajtë vendin dhe popullin tonë nga fatkeqësitë”.

  • Dy tërmete me magnitudë 6.2 dhe 5.8 në Turqi dhe pranë Rodosit

    Dy tërmete me magnitudë 6.2 dhe 5.8 në Turqi dhe pranë Rodosit

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë goditi gjatë natës pranë ishujve Dodekanezë, përgjatë kufirit të Turqisë në Mesdhe.

    Tërmeti goditi në orën 23:17 sipas kohës lokale, 18 kilometra nga ishulli i Rodosit, në një thellësi prej 68 kilometrash, tha EMSC.

    Një tërmet me magnitudë 5.8 ka goditur zonën përballë Marmarisit në Muğla, sipas të dhënave nga AFAD, raporton Haberler.

    Tërmeti, që ndodhi rreth orës 02:17 të mëngjesit, është ndjerë fuqishëm në qytetet përreth si İzmir, Manisa, Aydın, Denizli dhe Antalya. Sipas të dhënave zyrtare, thellësia e tërmetit ishte 67.91 kilometra.

    Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se si pasojë e panikut humbi jetën një vajzë 14-vjeçare me emrin Afranur Günlü, ndërsa 69 persona të tjerë u plagosën.

    Kryetari i Bashkisë së Marmarisit, Acar Ünlü, deklaroi se tërmeti u ndje me intensitet të lartë dhe se ekipet e emergjencës janë në terren. Deri tani nuk ka raportime për dëme të mëdha materiale apo viktima të tjera.

  • Shpërthen vullkani Etna në Sicili të Italisë

    Shpërthen vullkani Etna në Sicili të Italisë

    Vullkani Etna ka shpërthyer në ishullin italian të Sicilisë, duke lëshuar sasi të mëdha hiri në ajër. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë qytetarë që ikin me shpejtësi për të shpëtuar pas shpërthimit të fuqishëm.

    Instituti italian i Gjeofizikës njoftoi se Vullkani Etna po përjeton shpërthime stromboliane me intensitet të shtuar. Hiri ka filluar të bie në zonën e Piano Vetore, afër vullkanit.

    Sipas faqes Volcanic Discovery, lëkundjet nisën rreth orës 22:00 dhe kulmuan para orës 1 të mëngjesit. Qendra për Hirin Vullkanik në Tuluzë tha se reja e hirit ka arritur lartësinë prej 6,400 metrash.

  • Sot mbahet raundi i dytë i negociatave Rusi-Ukrainë

    Sot mbahet raundi i dytë i negociatave Rusi-Ukrainë

    Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia pritet të takohen sot në Stamboll, për rundin e radhës të bisedimeve për paqe, me gjithë intensifikimin e sulmeve ajrore ndaj njëra-tjetrës.

    Media shtetërore ruse raportoi se ekipi negociator i Kremlinit ka arritur në aeroportin Ataturk të qytetit turk në orët e vonshme të 1 qershorit, para bisedimeve që pritet të nisin të hënën në orën 13.

    Ndërkohë, përmes një dekreti presidencial, Kievi tha se ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, do ta udhëheqë delegacionin ukrainas, që përfshin mbi dhjetë zyrtarë të tjerë. Dekreti nuk theksoi nëse ekipi tashmë ka mbërritur në Turqi.

    Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka folur përmes telefonit me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, më 1 qershor, për të diskutuar rreth bisedimeve të radhës.

    Sipas DASH-it, telefona u zhvillua me kërkesën e Rusisë, dhe Rubio ka përsëritur thirrjen e presidentit Donald Trump për bisedime të vazhdueshme të drejtpërdrejta për “arritjen e një paqeje të qëndrueshme”.

  • Protesta në Serbi, kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme

    Protesta në Serbi, kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme

    Në Serbi studentët kanë rinisur protestat masive. Këtë të diele, organizatorët e protestave mbajtën tubime në 34 qytete kryesore të vendit me parullën: “Çohu Serbi”.

    Tubimet nisën në mesditë dhe vijuan, në disa qytete deri në mesnatë’.

    Drejtuesit e protestës kanë deklaruar për mediat serbe se qëllimi i tyre është të tregojnë se e gjithë Serbia është e bashkuar në luftën politike dhe se zëri i qyteteve më të vogla dëgjohet.

    Studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe largimin e presidentit Vuçiç.

    Tubimet e studentëve në Serbi nisën pas tragjedisë së Novi Sadit ku rënia e tavanit të një stacioni treni shkaktoi 16 viktima. Ngjarja shkaktoi reagim kombëtar në Serbi dhe shërbeu për të denoncuar korrupsionin me qendrat dhe lidhjet e oligarkëve me politikën.

  • Arrestohen tre persona për kanosje dhe armëmbajtje pa leje në Prishtinë

    Arrestohen tre persona për kanosje dhe armëmbajtje pa leje në Prishtinë

    Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, nën dyshimin për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 10:30, kur pas një mosmarrëveshjeje, të dyshuarit – të gjithë meshkuj kosovarë – kanë kanosur dy persona, një mashkull dhe një femër.

    Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve, tek njëri prej tyre është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me një karikator dhe nëntë fishekë.

    Pas intervistimit në stacion policor, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Pesë të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit

    Pesë të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit

    Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Sipas raportit të Policisë, në Prishtinë janë regjistruar katër raste, nga të cilat tre persona kanë kërkuar tretman mjekësor, katër persona janë dërguar në mbajtje, ndërkaq njëri nga rastet ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Në Graqanicë është raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj një burri tjetër. I dyshuari gjendet në arrati, ndërkaq rasti është në procedurë hetimore.