ATV

Category: Lajme

  • Zelensky i bën thirrje BE-së për mbështetje të qartë politike dhe sanksione më të rrepta ndaj Rusisë

    Zelensky i bën thirrje BE-së për mbështetje të qartë politike dhe sanksione më të rrepta ndaj Rusisë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të dërgojnë një mesazh të qartë politik për mbështetjen e anëtarësimit të Ukrainës në BE, ndërsa Hungaria vazhdon të pengojë procesin, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në një fjalim të enjten në mbrëmje, Zelensky theksoi rëndësinë e mbështetjes së BE-së për Ukrainën, duke theksuar se kjo do t’i japë forcë dhe motivim atyre që po luftojnë kundër agresionit rus.

    Kjo deklaratë erdhi vetëm disa orë pasi kryeministri hungarez, Viktor Orbán, pretendoj se ka mandat për të bllokuar hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës, duke u bazuar në një sondazh ku thuhet se 2.2 milionë hungarezë janë kundër këtij procesi.

    Orbán po pengon hapjen e kapitujve të vlerave të BE-së që lidhen me institucionet demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe administratën publike.

    Për më tepër, Zelensky kërkoi që BE-ja të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë, duke propozuar një kufizim prej 30 dollarësh për të ardhurat nga nafta ruse, në krahasim me 60 dollarë që aktualisht janë vendosur nga vendet e G7.

  • Kusari-Lila: Vetëm vizioni i qartë dhe respektimi i Kushtetutës mund të çojnë përpara vendin

    Kusari-Lila: Vetëm vizioni i qartë dhe respektimi i Kushtetutës mund të çojnë përpara vendin

    Para nisjes së seancës së 38-të të Kuvendit të Kosovës, deputetja e betuar e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur duke theksuar nevojën për qasje konstruktive dhe vizion politik.

    “Inati nuk sjell askund asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet. Mund të ketë ndonjë efekt afatshkurtër, por vetëm vizioni i qartë, zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i mandateve që i kemi marrë nga qytetarët mund të sjellë rezultat pozitiv për vendin”, deklaroi Kusari-Lila.

  • Reshitaj: Konstituimi i Kuvendit është shndërruar në ‘thembër të Akilit’

    Reshitaj: Konstituimi i Kuvendit është shndërruar në ‘thembër të Akilit’

    Deputetja e partisë “Guxo”, e cila ka garuar në listë e VV, Albena Reshitaj deklaroi se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është shndërruar në ‘thembër të Akilit’. Ajo tha se deputetët janë të detyruar që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë.

    Para fillimit të përpjekjes së 38-të për konstituim të legjislaturës së nëntë, ajo tha para gazetarëve se Kuvendi është shndërruar në një teatër politik.

    “Një akt që do të duhej të ishte ceremonial, konstituimi i Kuvendit të Kosovës pas certifikimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, është shndërruar në ‘thembër të Akilit’, është shndërruar në pengesë për ndërtimin e institucioneve. Dhe për mendimin tim kjo është absurde. Deputeti i Kosovës është përfaqësuesi i popullit dhe është i detyruar, ka detyrim kushtetues të qëndrojë në sallë dhe të votojë e të marrë përgjegjësi. Mos votimi, sidomos në momente vendimmarrëse për vendin është shkelje e Kushtetutës dhe njëherit është tradhti ndaj qytetarit i cili ka besuar votën”, deklaroi ajo.

    Ajo ka ftuar deputetët e të gjitha partive politike që të mos bien pre e presioneve.

    “Nëse ju kujtohet në vitin 2021, unë kam vendosur të qëndrojë në sallë për të respektuar Kushtetutën e vendit dhe aktet tjera e përgjegjësinë të cilën e ka deputeti, për të votuar presidenten e Republikës së Kosovës në një periudhë në të cilën shteti mund të rrëshqiste në një krizë, e dini që ka qenë kohë pandemie. Pra, unë kam vendosur Kushtetutën në vend të kalkulimeve personale. Dhe sot ftoj nga ky vend të gjithë kolegët e mi deputetë që të mos bien pre e presioneve, qofshin të personave të veçantë, qofshin të grupeve të interesit por të reflektojnë për të votuar jo për emra të veçantë, sa për Kosovën”, shtoi ajo.

    Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të fillojë në orën 11:00 dhe kjo është përpjekja e 38-të për konstituim të plotë të legjislaturës së nëntë.

  • Haxhiu: Nëse nuk i marr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqem nga kandidatura

    Haxhiu: Nëse nuk i marr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqem nga kandidatura

    E propozuara nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në konferencë për media, tha se nëse nuk i merr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqet nga kandidatura për kryetare të Kuvendit.

    “Ne nuk jemi ngutur që të bëjmë deklarim politik për aktgjykimin e Kushtetueses. VV-ja ka dëshmuar vullnetin dhe ka përmbushur të gjitha detyrimet. Kandidati për kryetar të Kuvendit, kjo e drejtë u konfirmua që i takon partisë fituese. Për mua të qenët kryetare e kuvendit kërkohet pjekuri, gatishmëri për t’i shërbyer të gjithë deputetëve pa asnjë dallim…Nga opozita jam quajtur si person jounifikues. Po të jesh kryetare e Kuvendit është krejt tjetër, është mbi parti, detyrë mbi përplasje, kërkon që të jesh e paanshme, përfaqësues e pozitës dhe e opozitës. Unë jam e vetëdijshme për këto përgjegjësi.Unë edhe sot e ftoj opozitën që të reflektojë pas aktgjykimit. Aktgjykimi i gjykatës nuk e ndalon votimin e fshehtë, askund nuk thotë se bie ndesh me kushtetutën. Me rastin e votimit të fshehte, nëse unë nuk i marr 61 vota si kandidate e propozuar nga VV-ja, unë tërhiqem nga kandidatura”, tha Haxhiu.

  • Limaj: Duhet marrëveshje politike, s’ka zgjidhje pa konsensus

    Limaj: Duhet marrëveshje politike, s’ka zgjidhje pa konsensus

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur pak para nisjes së seancës së 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosov, lidhur me zhvillimet politike në vend, duke theksuar se për të dalë nga kriza aktuale është e domosdoshme një marrëveshje politike ndërmjet partive, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Marrëveshje politike duhet. Konsensus. Dua të shpreh respektin tim për Gjykatën Kushtetuese, e cila pavarësisht gjendjes që është vendi nuk e ka lejuar veten të shndërrohet nga institucion i pavarur në parti politike. Duhet marrëveshje politike”, ka deklaruar Limaj.

  • Dehari: Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare

    Dehari: Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare

    Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, theksoi se përgjegjësia për konstituimin e legjislaturës së re i përket të gjitha subjekteve parlamentare dhe jo vetëm partisë fituese.

    Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Dehari bëri me dije se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat kushtetuese dhe në bazë të numrave të deputetëve në Kuvend. Ai tha se nëse një grup nuk arrin të sigurojë shumicën, përgjegjësia kalon te subjekti tjetër, dhe në rast mosarritjeje të shumicës, mund të shkohet në zgjedhje të reja.

    “Konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare. Nëse janë numrat, krijohet. Nëse nuk janë, kalon te subjekti tjetër. Nëse prapë nuk gjenden numrat, atëherë shkohet në zgjedhje. Nëse nuk bëhen numrat, natyrisht që kalohet në shumicë tjetër,” u shpreh Dehari.

  • Sot mbahet Testi i Arritshmërisë

    Sot mbahet Testi i Arritshmërisë

    Sot për nxënësit e klasës së 9-të do të mbahet Testi i Arritshmërisë i cili do të fillojë në ora 10:00.

    Nxënësit do të testohen në nëntë lëndë bazë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Histori, Gjeografi, Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi, Biologji.

    Ky test është një nga vlerësimet më të rëndësishme në përfundim të arsimit të obligueshëm dhe shërben si bazë për orientimin e mëtejmë arsimor të nxënësve në shkollat e mesme.

  • Sot certifikohen rekrutët e rinj të FSK-së

    Sot certifikohen rekrutët e rinj të FSK-së

    Sot në Ferizaj mbahet ceremonia e certifikimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Sipas një njoftimi për media nga FSK-ja, bëhet fjalë për gjeneratën 02/2025, ndërsa ceremonia nis nga ora 10:00 dhe mbahet në Sallën e Sporteve “Bill Klinton” në këtë qytet.

    “Në ceremoninë e certifikimit do të marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mysafir e familjarë të rekrutëve”, thuhet në njoftim.

  • Kurti thërret në takim krerët e partive politike për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit

    Kurti thërret në takim krerët e partive politike për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit

    Në reagim ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka ftuar të gjithë krerët e subjekteve politike në legjislaturën e nëntë për një takim të përbashkët.

    Takimi do të mbahet të shtunën në orën 16:00 dhe ka për qëllim të kërkojë konsensus për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se obligimi për këtë proces është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe jo vetëm e subjektit të parë.

  • Përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 38-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni.

    Ndryshe të mërkurën vijoi seanca e konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ndërprerë të hënën, më 23 qershor.

    Kryesuesi Avni Dehari ftoi subjektet politike parlamentare të cilat nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por të njëjtat nuk paraqitën propozime.

    Kryesuesi Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Nga 92 deputetë të pranishëm në sallë, 52 votuan për, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.

    Në këto rrethana kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe paralajmëroi vazhdimin e saj të premten, më 27 qershor, në orën 11:00.

    Gjykata Kushtetuese dje ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

    Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.