ATV

Category: Lajme

  • IKShPK-ja paralajmëron: Temperaturat ekstreme rrezikojnë shëndetin, më të rrezikuarit fëmijët dhe punëtorët në terren

    IKShPK-ja paralajmëron: Temperaturat ekstreme rrezikojnë shëndetin, më të rrezikuarit fëmijët dhe punëtorët në terren

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar për rreziqet shëndetësore që vijnë nga temperaturat e larta, sidomos gjatë muajve të verës, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj grupeve më të ndjeshme të popullatës.

    Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar nga valët e të nxehtit janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit, si dhe personat me sëmundje kronike. Në këtë listë përfshihen gjithashtu punëtorët që punojnë në ambiente të hapura si në bujqësi, ndërtimtari, mirëmbajtje të rrugëve apo në sektorin emergjent.

    Njoftimi i plotë:

    Informata mbi masat mbrojtëse ndaj ekspozimeve në temperaturat e larta në mjedise të jashtme dhe të brendshme të punës. Temperaturat e larta që mbretërojnë gjatë periudhës së verës ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut e sidomos te grupet e ndjeshme të popullatës siç janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të sëmurët kronik, të moshuarit dhe punëtorët.

    Këtij rreziku i nënshtrohen edhe personat që punojnë në mjedise të hapura si bujqësi, pylltari, ndërtimtari, pastrim dhe mirëmbajtje të parqeve, mirëmbajtje dhe rregullim të rrugëve, punonjësit e shërbimeve emergjente si dhe profesioneve tjera që ndikohen nga rritja e temperaturave të ambientit të jashtëm.

    Punëtorët në ambiente të brendshme gjithashtu mund të jenë në rrezik, sidomos nëse punojnë në industri të ngarkuara me nxehtësi ose kryejnë punë fizike, ata që punojnë në makineri që operohen nga kabina pa ftohje (p.sh. vinça), ata që kryejnë punë fizike të rëndë ose ata që duhet të përdorin pajisje mbrojtëse personale në kushte të nxehta.

    Mbi kohën e lejuar për punë në ambiente të jashtme në temperatura të larta rekomandojmë që ti referoheni Rregullores MPMS Nr.01/2020 për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, faqe 41 dhe 42, të vendosur në këtë vegëz https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=10181

    Për më tepër informata për mbrojtjen e të punësuarve gjatë temperatura të larta, rekomandojmë që ti referoheni dokumentit “Nxehtësia në punë – Udhëzues për vendet e punës”; të vendosur në këtë vegëz https://mfpt.rks-gov.net/…/b46f1215-2a3c-43b9-8153…

    Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë, efektet në shëndet manifestohen në prishjen e komfortit, djersitje, skuqje dhe djegie të lëkurës, goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, barkqitje, komplikime më të shpeshta në sistemin kardiovaskular, pulmonar, insuficiencë renale dhe goditje në tru.

  • Qeveria ndan mjete për mërgatën dhe Luginën e Preshevës

    Qeveria ndan mjete për mërgatën dhe Luginën e Preshevës

    Ndërkohë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për të subvencionuar polisat e sigurimit për bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë me automjete gjatë verës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nga 1 korriku, të gjithë mërgimtarët do të marrin polisën falas në kufi.

    Subvencionimi vlen për automjetet me deri në nëntë ulëse dhe është pjesë e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Vendimi është miratuar unanimisht nga kabineti qeveritar dhe zbatohet për të pestin vit me radhë.

    Po ashtu, Qeveria ka ndarë 626 mijë euro për mbështetje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Fondet përfshijnë bursa studentore, ndihmë për nxënës dhe financim të lobimit ndërkombëtar për të drejtat e tyre.

  • Kurti: Serbia mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan

    Kurti: Serbia mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se Serbia mund të përdorë “elemente destruktive” për të nxitur incidente gjatë festës serbe Vidovdan të shtunën në Gazimestan, rreth 10 kilometra nga kryeqyteti Prishtinë.

    Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se Serbia do të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare që pritet të zhvillohet të shtunën në Beograd, duke nxitur incidente në Kosovë.

    Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan, një monument historik pranë Prishtinës.

    Kurti tha se – sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës – ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë “sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër”.

    “Grupet e tilla kanë qenë tradicionalisht provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane”, tha Kurti.

    Ai tha se festa e Vidovdanit, “megjithëse me karakter fetar, fatkeqësisht vazhdimisht është përcjell me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë”.

    Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës për shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024.

    Në arsyetimin e gjykatës thuhet se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor – ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.

    Kurti tha se tubimet për Vidovdan duhet të mbahen në përputhje me ligjin, “jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd”.

    Tubimi zakonisht sigurohet nga Policia e Kosovës, ndërsa gjatë viteve të fundit nuk është lejuar të futen flamuj të Serbisë apo simbole të tjera kombëtare, përveç atyre kishtare, pasi përkujtimi organizohet edhe nga Kisha Ortodokse Serbe në nderim të betejës së vitit 1389 kundër ushtrisë osmane.

    Javën e kaluar, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, bëri thirrje për respektimin e të drejtave të komunitetit serb sa i përket përdorimit të simbolit të tyre.

    Ai tha se përdorimi flamurit serb nga serbët “nuk përbën kërcënim ndaj identitetit të askujt, por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e akuzoi Kurtin se gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës shfaq flamurin kombëtar të Shqipërisë.

    Në një deklaratë, ajo kërkoi nga gjykata që të përdorë “të njëjtat standarde dhe të zbatojë të njëjtin arsyetim edhe në rastet që lidhen me flamurin shqiptar”.

    Vitin e kaluar, festimet e Vidovdanit në Gazimestan kaluan pa ndonjë incident.

    Por, në vitet paraprake ka pasur edhe arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare, ndërsa më 2023, Vidovdani nuk u festua në Gazimestan – vendin ku festohet tradicionalisht – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

    Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

    Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

    Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar./REL

  • Ngrihet aktakuzë kundër një personi për krime lufte në Gjakovë

    Ngrihet aktakuzë kundër një personi për krime lufte në Gjakovë

    Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.R., për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Hetimet zbuluan se gjatë periudhës 7-10 maj të vitit 1999, i pandehuri ka marrë pjesë në sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë, thuhet në njoftim.

    Aty bëhet e ditur se ai ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë.

    “Aktakuza e ngarkon të pandehurin me përgjegjësi për vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht, si dhe për dëbimin e dhunshëm të civilëve nga shtëpitë e tyre, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronave në disa lagje të qytetit”, bëri të ditur prokuroria.

    Provat kundër të pandehurit përfshijnë dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve okularë, identifikimin e tij përmes fotografive, raporte të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimeve.

    I pandehuri ndodhet në paraburgim, ndërsa prokuroria tha se ka kërkuar vazhdimin e kësaj mase, për shkak të rrezikut të arratisjes.

    Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

    Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim.

    Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.

    Dhjetë ditë më parë, një person u dënua me 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës.

  • Gjermania pezullon për dy vite bashkimin familjar për refugjatët pa status të plotë azili

    Gjermania pezullon për dy vite bashkimin familjar për refugjatët pa status të plotë azili

    Deputetët gjermanë kanë miratuar një ligj të ri që pezullon për dy vite të drejtën e bashkimit familjar për refugjatët që nuk kanë status të plotë azili.

    Sipas raportimit të AFP-së, kjo masë është pjesë e politikave të reja të qeverisë së kancelarit Friedrich Merz, të cilat synojnë të frenojnë emigracionin në Gjermani.

    Sipas ligjit të miratuar në Bundestag, refugjatët që gëzojnë mbrojtje dytësore nuk do të kenë të drejtë që për dy vjet t’i sjellin familjarët e tyre në Gjermani.

    AFP sqaron se mbrojtja dytësore u jepet atyre që nuk përmbushin kriteret për azil politik, por që përballen me rrezik torture apo dënimi me vdekje në vendet e tyre të origjinës, ndaj u lejohet qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare.

    Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka deklaruar në Bundestag se ky vendim reflekton prioritetin e qeverisë për “njerëzi dhe rregull” në politikat e migrimit.

    “Ndërkohë që Gjermania mbetet e hapur ndaj botës, kapacitetet e sistemeve tona sociale kanë kufijtë e tyre,” ka thënë Dobrindt.

    Ai ka shtuar më tej se sistemet e arsimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor janë nën presion të madh, ndaj emigracioni duhet të kufizohet në përputhje me kapacitetet që ekzistojnë.

  • Gruda: PDK-ja kërkon rikthim të votimit të hapur

    Gruda: PDK-ja kërkon rikthim të votimit të hapur

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha Lëvizja Vetëvendosje nuk po bën asnjë veprim drejt zhbllokimit të situatës në konstituimin e Kuvendit.

    Gruda tha se takimi i thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk është kompromis politik.

    Sipas tij, zgjidhja është kthimi në votim të hapur pasi sipas tij, këtë frymë e përfaqëson edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese./REL

  • LDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti

    LDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e liderëve të ftuar nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

    Megjithatë, Bajrami ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit nga VV, duke thënë se Kurti nuk u përpoq të vinte nga salla plenare në sallën ku ishin të pranishëm liderët e partive të tjera.

    “LDK-ja do të marrë pjesë nesër në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm para pesë minutave Kurti nuk e mori mundin që të vinte nga salla plenare deri te salla numër 10, ku ishin prezentë të gjithë liderët e partive politike,” tha ajo.

  • Gruaja kërcënon bashkëshortin me thikë, arrestohet

    Gruaja kërcënon bashkëshortin me thikë, arrestohet

    Një rast kanosjeje me mjet të rrezikshëm është raportuar mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Indrit Caran” në Prishtinë, rreth orës 20:50.

    Ankuesi, mashkull kosovar, ka njoftuar Policinë se pas një mosmarrëveshjeje, bashkëshortja e tij ka tentuar ta sulmojë me thikë.

    Njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arrestuar të dyshuarën, një femër kosovare, e cila është shoqëruar për intervistim në stacionin policor.

    Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj saj është caktuar masa e ndalimit, ndërsa hetimet për këtë rast të dhunës në familje janë duke vazhduar.

  • Deputetët pajtohen ta shtyjnë seancën konstituive, pas aktgjykimit të Kushtetueses

    Deputetët pajtohen ta shtyjnë seancën konstituive, pas aktgjykimit të Kushtetueses

    Deputetët e zgjedhur janë pajtuar ta shtyjnë vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për të dielën, më 29 qershor pas aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese, e cila një ditë më parë i detyroi ata ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se ky vendim u mor pas një takimi konsultues mes tij dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare.

    Ky vendim vjen, sipas tij, gjithashtu pas ftesës që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua bëri krerëve të partive të tjera parlamentare për një takim për të shtunën, në përpjekje për ta gjetur një marrëveshje politike.

    Sa për dijeni, bllokada në Kuvend vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.

    Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

    PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9./REL

  • Kurti në ceremoninë e rekrutëve të rinj: FSK-ja e gatshme për të marrë pjesë në cilindo operacion shumëkombësh

    Kurti në ceremoninë e rekrutëve të rinj: FSK-ja e gatshme për të marrë pjesë në cilindo operacion shumëkombësh

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e rekrutimit të 350 ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për zhvillimin e ushtrisë dhe përforcimin e sigurisë kombëtare, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Qershorin e ngjarjeve të rëndësishme e të luftës për liri e pavarësi po e përmbyllim këtë vit duke i shtuar FSK-së edhe 350 ushtarë të rinj”, tha Kurti, duke e krahasuar zhvillimin e sotëm të ushtrisë me mungesat dhe sakrificat e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës.

    Kreu i Qeverisë njoftoi gjithashtu se brenda dy viteve pritet ndërtimi i fabrikës së parë shtetërore për prodhimin e municioneve në Kosovë, ndërsa theksoi investimet në ushtri që kapin vlerën mbi 300 milionë euro në katër vitet e fundit, me mbi 2700 ushtarë dhe oficerë të rinj të rekrutuar.

    Kurti vlerësoi FSK-në si një forcë moderne, të përgatitur për operacione shumëkombëshe dhe të integruar me doktrinat e ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s. Ai përfundoi duke u drejtuar rekrutëve të rinj si “jeta e ëndrrës për liri” që po bëhet realitet.