ATV

Category: Lajme

  • Vala e të nxehtit në Kosovë, Gashi: Të shmanget dielli dhe të pihet sa më shumë ujë

    Vala e të nxehtit në Kosovë, Gashi: Të shmanget dielli dhe të pihet sa më shumë ujë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 35 gradë Celsius.

    Për shkak të kësaj vale të nxehtësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë dje disa rekomandime për mbrojtje, duke theksuar rreziqet për grupet e cenueshme si të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Ndërkohë, kryeshefi i Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Mustafa Gashi, mbrëmë në emisionin COMPASS në ATV, tha se vala e të nxehtit rrezikon pothuajse gjithë popullatën, veçanërisht fëmijët, shtatzënat dhe personat me sëmundje kronike.

    Ai rekomandoi shmangien e diellit, hidratim të rregullt dhe qëndrim në ambiente të freskëta.

  • Kanosje ndaj zyrtarëve policorë në Pejë , i dyshuari dërgohet në vuajtje të dënimit

    Kanosje ndaj zyrtarëve policorë në Pejë , i dyshuari dërgohet në vuajtje të dënimit

    Një person është arrestuar në Pejë pasditen e djeshme, pasi dyshohet se ka kanosur zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes së tyre në rrugën “Adem Jashari”.

    I dyshuari është shtetas kosovar.

    Gjatë verifikimit të të dhënave, Policia ka konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar edhe një urdhëresë aktive nga gjykata për ekzekutimin e një dënimi me burg.

    Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit, ndërsa për veprimet ndaj zyrtarëve policorë është iniciuar rast i ri penal.

  • Trump kërkon që gjyqi ndaj Netanyahut të anulohet

    Trump kërkon që gjyqi ndaj Netanyahut të anulohet

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar që Izraeli ta falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, ose ta anulojë gjyqin ndaj tij për korrupsion, duke thënë se SHBA-ja do ta shpëtojë atë ashtu siç e shpëtoi vendin e tij.

    Ndaj Netanyahut u ngrit aktakuzë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në vitin 2019. AI i mohon të gjitha akuzat.

    Gjyqi ndaj tij filloi në vitin 2020 dhe përfshin tri çështje penale. Netanyahu është deklaruar i pafajshëm.

    “Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET, MENJËHERË, ose të falet Heroi i Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin [e Izraelit]”, shkroi Trump në platformën Truth Social të mërkurën, duke shtuar se mori vesh që Netanyahu pritet të paraqitet në gjykatë të hënën.

    Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, tha se Trump nuk duhet të ndërhyjë në këtë çështje.

    “Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk duhet të ndërhyjë në një proces ligjor të një shteti të pavarur”, tha Lapid.

    “Shpresoj dhe besoj se ky është një shpërblim që ai [Trump] po i jep atij [Netanyahut], sepse synon të ushtrojë trysni ndaj tij për Gazën dhe për ta detyruar ta pranojë një marrëveshje për pengjet që do ta përfundojë luftën”, i tha Lapid faqes izraelite të lajmeve Ynet.

    Trump e lavdëroi Netanyahun si një “luftëtar”, por shtoi në postimin e tij: “Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e shpëtuan Izraelin, dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që do ta shpëtojnë Bibi Netanyahun”.

    Duket se ai po i referohej përfshirjes dhe mbështetjes së SHBA-së për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptoi se SHBA-ja mund të bëjë diçka konkrete për ta ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

    Presidenti republikan e përshkroi çështjen kundër udhëheqësit izraelit si “gjueti shtrigash” – një term që Trump e ka përdorur shpesh për t’i përshkruar përpjekjet për ta ndjekur atë penalisht në SHBA, dhe të cilin edhe Netanyahu e ka përdorur për ta përshkruar gjyqin ndaj tij.

    Fjalët e ngrohta të Trumpit vijnë pas një qortimi të rrallë që ai ia bëri të martën Izraelit për sulmet ajrore ndaj Iranit pas armëpushimit./REL

  • Seuli thotë se Koreja e Veriut mund të dërgojë më shumë trupa në Rusi së shpejti

    Seuli thotë se Koreja e Veriut mund të dërgojë më shumë trupa në Rusi së shpejti

    Koreja e Veriut mund të dërgojë trupa shtesë në Rusi për të luftuar në luftën e Moskës kundër Ukrainës në korrik ose gusht, dhe për më tepër është duke vazhduar ta furnizojë Rusinë me armë, thanë të enjten ligjvënësit koreanojugorë, duke cituar agjencinë e inteligjencës.

    Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) beson se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një sulm në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në korrik ose gusht, tha për gazetarët deputeti koreanojugor, Lee Seong-kweun, pas një seance me dyer të mbyllura.

    “Koha e dislokimit shtesë mund të jetë qysh në korrik ose gusht”, tha Lee, duke shtuar se agjencia përmendi një rund të ri të rekrutimit të trupave për dislokim nga Koreja e Veriut dhe një vizitë të fundit në Penian nga një zyrtar i lartë i sigurisë i presidencës ruse si bazë për vlerësimin e saj.

    Në këmbim të dërgimit të municioneve të artilerisë dhe raketave nga Koreja e Veriut për në Rusi, Peniani ka shumë mundësi të marrë këshilla teknike për lëshimet satelitore dhe sistemet drejtuese të raketave, tha Lee, duke cituar NIS-in, raporton REL.

    Pas muajsh heshtjeje, si Koreja e Veriut ashtu edhe Rusia e bënë publike zhvendosjen e trupave koreanoveriore dhe rolin që kanë luajtur ata në ofensivën e Moskës kundër Ukrainës për ta rimarrë rajonin e Kurskut.

    Të dyja vendet kanë thënë se bashkëpunimi bazohet në traktatin e nënshkruar nga udhëheqësit e tyre në qershorin e vitit të kaluar, që përfshin një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë.

  • Liderët e BE-së takohen për të biseduar për sanksione kundër Rusisë, tarifat amerikane dhe Lindjen e Mesme

    Liderët e BE-së takohen për të biseduar për sanksione kundër Rusisë, tarifat amerikane dhe Lindjen e Mesme

    Krerët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot në Bruksel për të biseduar për sanksione më të ashpra kundër Rusisë, mënyrat për t’i shmangur tarifat e reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mënyrën për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet në konfliktet në Lindjen e Mesme.

    Shumica e liderëve do të vijnë nga një samit i shkurtër, por intensiv i NATO-s, ku ata u zotuan të mërkurën për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtje dhe kufizuan disa prej dallimeve të tyre me presidentin amerikan, Donald Trump.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samitin e BE-së përmes video konferencës, pas takimit të tij me Trumpin të mërkurën në Hagë.

    NATO, e udhëhequr nga SHBA-ja, nuk i kushtoi rëndësi Ukrainës gjatë samitit, por lufta e Rusisë në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për BE-në.

    Krerët e bllokut do të bisedojnë për rundin e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe nëse do të vazhdojnë ta mbajnë çmimin tavan për naftën ruse. Këto masa po kundërshtohen nga disa vende, sepse mund t’i rrisin çmimet e energjisë.

    Ndërkohë, kërcënimi i Trumpit me tarifa po rëndon mbi BE-në, e cila negocion marrëveshje tregtare në emër të të gjitha 27 vendeve anëtare. Trumpi e sulmoi Spanjën të mërkurën për mosshpenzim të mjaftueshëm në mbrojtje dhe sugjeroi tarifa të reja, raporton REL.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kritikoi Trumpin për nisjen e një lufte tregtare me aleatë të vjetër.

    Liderët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar për pasojat nga luftërat në Lindjen e Mesme dhe BE-ja po shtyn për ringjalljen e negociatave diplomatike me Iranin për programin e tij bërthamor.

    Vendet anëtare të BE-së kanë mosmarrëveshje të brendshme për të kapërcyer. Ato janë të ndara në lidhje me politikat ndaj Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës. Dhe, partitë e majta po kritikojnë shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për largimin nga drejtimi i politikave klimatike të BE-së në favor të investimeve ushtarake.

    Mbrojtja dhe siguria ka gjasa të jenë në krye të agjendës. Samiti do të përfundojë me një deklaratë përfundimtare që do të përcaktojë agjendën e bllokut për katër muajt e ardhshëm dhe do të shërbejë si tregues i ndjesive politike në Evropë mbi çështje kryesore rajonale dhe globale.

  • Kanali i Hormuzit dhe rreziku i një krize globale

    Kanali i Hormuzit dhe rreziku i një krize globale

    NGA AKADEMIK ANASTAS ANGJELI

    Vazhdimi dhe intensifikimi i luftës në Lindjen e Mesme (Izrael-Iran), veç pasojave humane dhe infrastrukturore, po jep sinjale edhe të një krize të re ekonomike jo vetëm rajonale (në Lindjen e Mesme), por në gjithë ekonominë globale. Dhe ja sepse.

    Vendimi i Parlamentit të Iranit për të miratuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar alarm global dhe ka paralajmëruar potencialisht goditjen më të keqe energjetike në dekada. Edhe pse organi më i lartë i sigurisë i Iranit ka fjalën e fundit, tregjet, kompanitë e logjistikës dhe qeveritë në të gjithë botën tashmë po reagojnë sikur një bllokadë është e afërt. Ngushtica e Hormuzit, një rrip i ngushtë detar mes Iranit dhe Gadishullit Arabik, është një nga arteriet më vitale të energjisë në botë. Çdo ditë, përmes këtij kalimi strategjik lundrojnë mbi 20% e furnizimeve globale të naftës. Çdo kërcënim ndaj lirisë së lundrimit në këtë zonë është më shumë sesa një çështje lokale – është një tronditje për gjithë ekonominë botërore. Dhe duket se një krize e re globale po shfaqet në horizont. Kjo sepse në një skenar të mundshëm ku Irani vendos përfundimisht (pas vendimit të Parlamentit iranian), të mbyllë këtë ngushticë, bota do të përballej me pasoja të shumanshme ekonomike, gjeopolitike, ushtarake, logjistike, tregtare dhe financiare. Tregtia globale e naftës do të përjetonte tronditje të menjëhershme. Zinxhiri i furnizimeve jo vetëm me naftën dhe gazin, por më shumë, do të fillonte ndërprerjet. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit do të ishte e pashmangshme, duke vënë në vështirësi shtetet që varen nga importi, si Kina, India, Japonia dhe vendet evropiane. Kjo situatë do të sillte një reagim të menjëhershëm ndërkombëtar. SHBA-të dhe aleatët e saj, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të mund të përgjigjeshin me masa të ashpra ushtarake apo sanksione të reja. Në të kaluarën, gjatë krizave të viteve 2019-2020, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forca shtesë në rajon për të ruajtur sigurinë e lundrimit. E njëjta skemë mund të përsëritej, me tensione që do të thelloheshin mes Iranit dhe fqinjëve të Gjirit. Të mos harrojmë se në gji sot ndodhen më shumë se 5 aeroplanmbajtëse amerikane dhe angleze[1]. (Kryeministri anglez deklaroi se po të goditet bazat dhe mjetet amerikane, është goditur NATO dhe hyn në fuqi amendamenti 5 i traktatit.) Por, përtej reagimeve ushtarake, kriza e Hormuzit do të shërbente edhe si mjet presioni nga ana e Iranit, sidomos për çështjen e marrëveshjeve bërthamore dhe sanksioneve ekonomike. Teherani mund të përdorë mbylljen si levë politike, duke nxitur edhe grupe të afërta me të, si Hutasit në Jemen, që të sulmojnë objektiva tregtare në rajon. Kjo do të hapte rrugën për një përshkallëzim të gjerë të konfliktit.

    KUSH FITON DHE KUSH HUMBET NGA KJO NGJARJE?

    Një krizë e tillë do të ishte shumë përfshirëse, goditjet e saj pritet të jenë tronditëse si për vendet eksportuese, edhe për ato importuese. Shtetet eksportuese si Arabia Saudite, Iraku, Emiratet dhe Katari do të ishin ndër më të goditurat. Të gjitha këto vende mbështeten fort në Hormuz për të eksportuar miliona fuçi naftë në ditë. Ndërkohë, importuesit si Kina, India, Japonia dhe Evropa do të përballeshin me një krizë furnizimi. Disa prej këtyre vendeve kanë linja alternative për transport si naftësjellësi Petroline që lidh Arabinë Saudite me portin Yanbu në Detin e Kuq, por kapaciteti i këtyre rrugëve është i kufizuar dhe kostoja shumë më e lartë. Në këtë aspekt, vendet kryesore eksportuese janë:

    -Saudia – Eksporton rreth 6-7 milionë barrele në ditë përmes Hormuzit (përfshirë naftën nga terminali Ras Tanura).

    -Iraku – Dërgon rreth 3.5 milionë barrele në ditë (përfshirë eksportet nga Basra).

    -Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) – Eksportojnë rreth 3 milionë barrele në ditë, kryesisht përmes portit Fujairah.

    -Kuvajti – Rreth 2 milionë barrele në ditë kalojnë nëpër Hormuz.

    – Katari – Një furnizues kryesor i GNL (gazit natyror të lëngshëm), me 1.5 milionë barrele ekuivalent në ditë të eksportuar përmes Hormuzit.

    -Irani – Edhe pse mund të mbyllë ngushticën, vetë Irani eksporton 1-1.5 milionë barrele në ditë (nëse sanksionet lejojnë), duke e bërë veten të prekur.

    Vendet kryesore importuese që furnizohen nga prodhuesit e mësipërm janë:

    -Kina – Blen rreth 40% të naftës së saj nga Gjiri Persik (përmes Hormuzit). -India – Rreth 60% e importeve të naftës së saj vijnë nga rajoni.

    -Japonia dhe Koreja e Jugut – Varen shumë nga nafta dhe GNL nga Saudia, EBA-të dhe Katari.

    -Evropa. Përdor naftë dhe gaz nga Gjiri (veçanërisht pas reduktimit të varësisë nga Rusia).

    Disa vende mund të përdorin rrugë alternative, por ato janë më të shtrenjta dhe me kapacitet të kufizuar. Këto vende janë:

    -Saudia dhe EBA-të mund të përdorin pipeline’in East-West Pipeline (Petroline) për të dërguar naftë në portin Yanbu në Detin e Kuq, por kapaciteti është vetëm rreth 5 milionë barrele/ditë.

    -Iraku mund të rrisë eksportet përmes Turqisë (pipeline’i Ceyhan), por ka kufizime politike.

    -Katari ka disa kapacitete për të dërguar GNL përreth Afrikës, por kjo është shumë e shtrenjtë.

    -Evropa, megjithëse pjesërisht e diversifikuar, nuk do të kursehej. Një rritje e çmimit të naftës dhe gazit do të çonte automatikisht në një rritje të çmimeve të karburantit, energjisë elektrike dhe lëndëve të para industriale. Inflacioni, tashmë një sfidë në shumë shtete anëtare të BE-së, mund të përshkallëzohej përsëri, ndërsa bankat qendrore do të detyroheshin të merrnin vendime të vështira – duke balancuar midis frenimit të inflacionit dhe shmangies së recesionit.

    -Trafiku detar tashmë po vuan pasojat. Anijet tregtare shmangin ujërat iraniane dhe devijimi drejt Kanalit të Suezit dhe rrugëve të tjera do të thotë vonesa, kosto më të larta dhe një krizë të re logjistike. Përveç pasojave ekonomike, tensionet politike po thellohen – SHBA-të mund të kundërpërgjigjen ushtarakisht dhe Perëndimi po shqyrton sanksione shtesë kundër Teheranit, të cilat do të rrisnin më tej rreziqet në këtë lojë globale shahu.

    -Nga ana tjetër, kjo lloj krize mund të përshpejtojë investimet në burime alternative të energjisë, forcimin e infrastrukturës së LNG-së dhe autonominë strategjike të BE-së. Por këto janë zgjidhje afatmesme. Në afat të shkurtër, bota është në prag të një paniku energjetik.

    KOHA E MBYLLJES SË KANALIT, FAKTOR I RËNDËSISHËM

    Një nga elementet që ndikojnë në analizat që u bëhen ekonomikisht pasojave ekonomike të këtij vendimi politik, është koha që ai mund të qëndrojë i mbyllur. Nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet për një periudhë të caktuar, çmimet e naftës dhe gazit do të rriten në mënyrë të konsiderueshme, por sasia e rritjes varet pikërisht nga koha, por edhe nga gjetja e alternativave. Më konkretisht:

    1) Kohëzgjatja e mbylljes (disa ditë, javë, muaj).

    2) Reagimi i tregut dhe spekulimet.

    3) Alternativat e transportit (pipelinë, rrugë detare alternative).

    4) Rezervat strategjike (si SPR e SHBAve ose rezervat e IEA).

    Parashikime nga ekspertëve për çmimin e naftës janë si në tabelë.

    Këto parashikime të bëra nga S&P për llogari të Qeverisë gjermane kanë marrë si bazë rritjen e çmimit të gazit dhe naftës në fillimin e krizës Rusi-Ukrainë dhe nivelin aktual të çmimit të naftës dhe gazit para sulmit të Izraelit.

    Parashikime për gazin natyror (GNL)

    -Çmimi i GNL në Azinë Lindore (referenca JKM) mund të dyfishohet (nga $12-15/ MMBtu në $25-40/MMBtu).

    -Evropa (TTF) mund të pësojë një rritje prej 50-100% (nga €30/MWh në €60-100/ MWh), veçanërisht nëse Katari ndalet nga dërgimi i gazit.

    SI U NDIKUAN TREGJET FINANCIARE?

    Bursat në Lindjen e Largët kanë reaguar menjëherë dhe sot në mëngjes u vu re se kishim lëvizje në seancë si vijon :-Tregu i Tokios (Nikkei 225): -2% deri -3%. Tregu i Hong Kongut (Hang Seng): -1.5% deri -2.5%. Tregjet e Arabisë Saudite (Tadawul): +1% (fitim për kompanitë e naftës), por rënie në sektorët e tjera. Pritjet për bursat në Evropë dhe SHBA (sot):

    1. Evropa (DAX, CAC 40, FTSE 100). Rënie fillestare (1-3%) për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe inflacionit.

    Sektori i energjisë (BP, Shell, Total) mund të rritet (+2-5%) për shkak të çmimeve më të larta të naftës.

    -Sektorët e varur nga energjia (automobilistik, aviacion) mund të bien (-3% deri -5%).

    2. SHBA (S&P 500, Dow Jones, Nasdaq)

    -S&P 500: -1% deri -2% (rënie e përgjithshme për shkak të pasigurisë).

    -Kompanitë e naftës (Exxon, Chevron): +3% deri +6%.

    -Teknologjia (Apple, Microsoft): -1% deri -3% (rritja e kostove operative për shkak të energjisë).

    -Tregjet financiare (bankat): Rënie për shkak të rrezikut të stagflacionit.

    3. Reagimi i çmimeve të naftës dhe gazit në rang botëror

    -Brent Crude: +5% deri +10% (nëse mbyllja është e përkohshme).

    -Gaz natyror (TTF): +10% deri +15% (Evropa do të jetë më e prekura nga kjo lufte)

    A DO TË NDIKOHET SHQIPËRIA NGA KJO KRIZË?

    Edhe vendi ynë, pavarësisht nga pesha që zë në ekonominë globale, si një ekonomi e hapur, duhet të jetë e përgatitur nga ndikime të mundshme të efekteve të krizës së ekonomisë globale që po shfaqet në horizont nga konflikti në Lindjen e Mesme (lufta IzraelIran). Drejtimet e pritshme të ndikimit të kësaj krize në vendin tonë janë:

    -Sektori i turizmit: Siç dihet, gati dy muaj më parë midis Izraelit dhe Shqipërisë u vendos një linjë e re e fluturimit ajror dhe agjentët turistikë shqiptarë nënshkruan disa kontrata turistike për këtë sezon, të cilat për shkak të luftës, edhe fluturimet, edhe ardhja e turistëve u ndërpre. Për të eliminuar efektet e kësaj situate, agjentët turistikë të vendit tonë të mundohen të minimizojnë “gapin” e krijuar me lidhjen e kontratave me vendet e tjera.

    -Sektori i energjisë dhe ndikimi në rritjen e çmimit të naftës. Edhe pse vendi ynë ka një sektor energjetik stabël dhe po e diversifikon atë, ky proces duhet të vazhdojë dhe të kërkohen burime alternative furnizimi, pasi pasojat dhe shtrirja e krizës energjetike të pritshme janë të paparashikuara.

    -Rritja e çmimeve dhe mundësia e ndikimit të inflacionit të jashtëm kërkon sigurisht vigjilencë dhe vazhdimin e një politike të kujdesshme monetare. Përvoja e përballimit të tri krizave në 5 vitet e fundit (Kriza ekonomike nga tërmeti nga pandemia, nga lufta Rusi-Ukrainë), janë një mësim në përballjen me krizat, cikli i të cilëve, po përsëritet shpesh.

    CILËT JANË FAKTORËT QË MUND TË ZBUTIN KRIZËN?

    Në aspektin politik, padyshim përdorimi i rrugës diplomatike për shuarjen e konfliktit do të ndikonte pozitivisht për frenimin e krizës. (Detyrimi i Iranit për t’u ulur në tryezën e negociatave diplomatike për çështjet e çarmatimit bërthamor). Ndërkaq, në këndvështrimin ekonomik, siç mësohet, që me fillimin e luftës për të neutralizuar Kinën, Izraeli nuk ka sulmuar puset naftëmbajtëse që menaxhoheshin nga kompanitë kineze në Iran. Kjo bëri që këto kompani të stokonin sasi të mëdha nafte në portën e Iranit jashtë ngushticës, porti i Çabaharit (Chabahar). Vendndodhja e tij në juglindje të Iranit, në provincën Sistan dhe Balochistan, buzë Detit Arabik, jashtë ngushticës së Hormuzit. Përllogaritet që kinezët kanë rezervë të mjaftueshme përkohësisht nafte dhe gazi të lëngët, nuk janë të sakta, por thuhet që mund të kenë furnizim të mjaftueshëm për 15 ditë.

    1-Në tri javët e fundit po shohim një rritje shumë të madhe të importeve kineze nga Rusia dhe shumë analistë këtë e lidhin me importet e gazit dhe naftës.

    2-Lirimi i rezervave strategjike (SHBA, Evropa, Kina).

    3-Rritja e prodhimit nga vendet jashtë OPEC+ (SHBA, Kanada, Brazili).

    4-Përdorimi i pipeline’ave alternative (si Petroline në Saudia). Një mbyllje e plotë e Hormuzit, edhe pse e vështirë të zgjasë për një kohë të gjatë për shkak të presionit ndërkombëtar, do të kishte pasoja të menjëhershme në tregjet e energjisë.

    Sipas analizave, çmimi i naftës Brent mund të rritet me 10-20% brenda javës së parë, duke kaluar mbi 100 dollarë për fuçi. Nëse mbyllja zgjat më shumë se një muaj, çmimet mund të arrijnë në nivele historike prej 130-200 dollarë për fuçi, madje edhe më shumë, nëse ka përplasje të armatosura.

  • Pas tri ditësh kërkimi, gjendet i gjallë 85-vjeçari Nebi Tejeci

    Pas tri ditësh kërkimi, gjendet i gjallë 85-vjeçari Nebi Tejeci

    Pas tri ditësh kërkimi intensiv, është gjetur i gjallë Nebi Mahmut Tejeci, rreth 85-vjeç, i cili ishte raportuar i zhdukur më 22 qershor në fshatin Gorozhup të Prizrenit.

    Sipas burimeve nga terreni, ai u gjet mbrëma rreth orës 21:00 në lagjen Stojk të të njëjtit fshat.

    Në kërkim morën pjesë njësite të Policisë, Forca e Sigurisë së Kosovës, Shoqata për Kërkim-Shpëtim dhe banorë lokalë. I moshuari ishte në gjendje të vetëdijshme në momentin e gjetjes.

    Ai u trajtua fillimisht me ndihmë të parë mjekësore në vendin e ngjarjes dhe më pas u dërgua me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejmë.

  • 22-vjeçarja Arnisa Gashi ka nevojë për ndihmë, vuan nga një sëmundje që sulmon sistemin nervor

    22-vjeçarja Arnisa Gashi ka nevojë për ndihmë, vuan nga një sëmundje që sulmon sistemin nervor

    22-vjeçarja Arnisa Gashi ka nevojë për ndihmë, sepse vuan nga encefaliti autoimun i rëndë, që është një sëmundje e cila sulmon sistemin nervor, e cila nuk mund të trajtohet në Kosovë.

    Sipas njoftimit të kërkesës për ndihmë, vajza së pari ka pasur mpirje e pastaj me rëndim të situatës shëndetësore dhe kriza të rënda epileptike, e deri tashmë në Kujdesin Intensiv.

    Trajtimi emergjent deri tani:

    -Reanimacion në Prishtinë.

    -Transport urgjent me avion mjekësor në një klinikë specialiste në Turqi.

    -Intubim, steroide me doza të larta, plazmaferezë, dhe antiepileptikë.

    -Parashikohen që të paktën 2 muaj të jetë në kujdes intensiv dhe pastaj rehabilitim neurologjik afatgjatë.

  • Çeku: Detyra ime primare mbetet si ministër, kandidatura për Prishtinën ende në fazën fillestare

    Çeku: Detyra ime primare mbetet si ministër, kandidatura për Prishtinën ende në fazën fillestare

    Ministri në detyrë i Kulturës dhe kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka theksuar se për momentin përkushtimi i tij mbetet te detyra si ministër.

    Ai ka bërë të ditur se kandidatura për kryetar të Prishtinës është ende në fazën fillestare dhe nuk është ende në etapa të avancuara.

    Në një deklaratë për mediat, Çeku tha: “Detyra ime primare është që të shërbejë si ministër në detyrë. Jemi ende në fazën shumë të hershme për shpalljen e kandidaturës për Komunën e Prishtinës. Zgjedhjet janë caktuar për 12 tetor, ndërsa fushata do të fillojë një muaj para kësaj date.”.

    Çeku theksoi se aktualisht është duke kryer detyrat e tij në Ministrinë e Kulturës, duke e konsideruar këtë fazë si shumë të hershme për t’u përqëndruar plotësisht te kandidatura për Prishtinën.

  • Afër 8 mijë të rinj kosovarë mund të përfitojnë zbritje nga Karta për Rini

    Afër 8 mijë të rinj kosovarë mund të përfitojnë zbritje nga Karta për Rini

    Për herë të parë në Kosovë po mbahet konferenca e 41-të vjetore e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, ku pjesëmarrës janë mbi 100 pjesëmarrës nga 37 vende të botës.

    Kjo konferencë po shihet si mundësi për forcim të bashkëpunimit mes akterëve që ndikojnë në jetën e të rinjve.

    Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti tha se Karta Evropiane për Rini nuk është vetëm një kartë zbritjeje, por një mjet për mobilitet, arsim dhe pjesëmarrje aktive që të rinjtë kanë nevojë për mundësi reale, jo vetëm për premtime.

    Ndërkaq, Presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, Miguel Perestrello tha se në Kartën Evropiane për Rini janë të përfshirë afërsisht 9 milionë të rinj që përfitojnë afërisht 70 mijë zbritje në marka të mëdha në gjithë Evropën.