ATV

Category: Lajme

  • Mbi 50 mijë persona evakuohen për shkak të zjarreve në Turqi

    Mbi 50 mijë persona evakuohen për shkak të zjarreve në Turqi

    Më shumë se 50,000 qytetarë janë detyruar të braktisin banesat e tyre si pasojë e zjarreve të fuqishme që kanë përfshirë provincat e Izmirit, Manisës dhe Hatayt në Turqi.

    Shifrat janë konfirmuar këtë të hënë nga Agjencia Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD), e cila përmes një deklarate në rrjetin social X, bëri të ditur se “mbi 50,000 qytetarë nga 41 zona të ndryshme janë zhvendosur përkohësisht në vende më të sigurta”.

    Në Izmir, flakët vijojnë të përhapen për të dytën ditë me radhë, ndërsa përpjekjet për shuarjen e tyre po pengohen nga era e fortë, ka bërë të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve.

    Autoritetet vendore dhe ekipet e emergjencës janë angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të mbrojtur komunitetet e rrezikuara.

  • BQK dhe AKI zgjerojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për sigurinë dhe integritetin financiar

    BQK dhe AKI zgjerojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për sigurinë dhe integritetin financiar

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, në përputhje me mandatin dhe kompetencat përkatëse të përcaktuara me ligj.

    Memorandumi synon të forcojë koordinimin institucional dhe përcakton kornizën për shkëmbimin e informatave të nevojshme dhe relevante, në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar, me qëllim të përmbushjes efektive të mandateve kushtetuese dhe ligjore të të dy institucioneve.

    Ky hap përbën një dëshmi të angazhimit të përbashkët për forcimin e sigurisë, transparencës dhe qëndrueshmërisë së institucioneve të vendit, në përputhje me standardet më të avancuara të bashkëpunimit institucional.

  • Kurti dhe Vuçiq nesër në Shkup në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor

    Kurti dhe Vuçiq nesër në Shkup në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, do të jenë ndër folësit në samitin dyditor që mbahet më 30 qershor dhe 1 korrik në Shkup, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.

    Takimi i nivelit të lartë mbledh krerët politikë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare për të shqyrtuar bashkëpunimin ekonomik, reformat dhe integrimin drejt Tregut të Përbashkët Rajonal, raporton Gazeta Express.

    Mbrëmjen e sotme, Kryeministri Hristijan Mickoski pret një darkë formale me liderët e rajonit dhe zyrtarët evropianë në “Winery Kamnik”. Ndërkohë, ministrat dhe partnerët zbatues do të marrin pjesë në një darkë paralelisht në të njëjtin ambient.

    Pjesa kryesore e takimit zhvillohet më 1 korrik në “Hilton Double Tree Hotel”, ku fokusi kryesor është në vlerësimin e Planit të Rritjes, propozimet për iniciativat e reja dhe bashkëpunimin ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal. Samiti përfshin dy panele diskutimi dhe do të përmbyllet me një konferencë për shtyp dhe drekë zyrtare.

    Të pranishëm janë liderë si Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq, Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajic dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, së bashku me përfaqësues të BE-së, BERZH, BB dhe organizatave rajonale.

    Takimi i Liderëve mbi Planin e Rritjes – Agjenda:

    30 Qershor 2025

    Ora 19:30 – Darka e Liderëve e organizuar nga Kryeministri Hristijan Mickoski

    Vendi: “Ëinery Kamnik”, Shkup

    Të ftuar: Liderët e rajonit, Komisioneri për Zgjerim dhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore

    Formati: 1+0

    Ora 19:30 – Darka për Ministrat e Çështjeve Evropiane dhe partnerët zbatues

    Vendi: Po ashtu “Winery Kamnik”

    Të ftuar:

    Ministrat për Çështje Evropiane (1+1)

    Komisioni Evropian – Drejtori për Ballkanin Perëndimor (1+1)

    Shërbimi i Jashtëm Evropian – Kreu për Evropën Juglindore (1+1)

    Drejtorët e organizatave rajonale dhe partnerëve zbatues (1+0)

    Ambasadorët (të BE-së, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar)

    Për delegacionet e tjera, darka do të shërbehet në “Hilton Double Tree Hotel”, Shkup

    1 Korrik 2025

    Ora 09:30 – 14:00, Vendi: Hilton Double Tree Hotel, Shkup

    Pjesëmarrës: Liderët e Ballkanit Perëndimor, Ministrat për Çështje Evropiane, Komisioni Evropian, Shërbimi i Jashtëm Evropian, organizatat rajonale dhe bankat zbatuese (EIB, BERZH, BB, etj.)

    09:30 – 10:00

    Mirëseardhje dhe deklarata për media

    10:00 – 10:20

    Fjalët hyrëse:

    Kryeministri Hristijan Mickoski

    Komisionerja për Zgjerim Marta Kos

    10:20 – 12:00 | Paneli I: “Plani i Rritjes – Vlerësimi, puna e ardhshme dhe komunikimi”

    Moderator: Kryeministri Mickoski

    Temat:

    Rishikimi i Planit të Rritjes në të gjitha shtyllat

    Diskutim për iniciativat e reja në kuadër të Shtyllës 1 (turizmi, mbrojtja e konsumatorit, autostrada e tregut të përbashkët)

    Folësit:

    Liderët e Ballkanit Perëndimor (Rama, Kurti, Vuciq, Spajic, Krishto – në rend alfabetik) Komisionerja Kos

    12:00 – 12:15

    Foto familjare – Liderët dhe Komisionerja Marta Kos

    12:15 – 12:45

    Konferencë për media – Kryeministri Mickoski & Komisionerja Kos

    (12:15 – 14:00 rezervuar për takime bilaterale)

    12:45 – 14:00 | Paneli II: “Zgjerimi i Shtyllave të Planit të Rritjes”

    Moderator: Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani

    Temat:

    Zbatimi i agjendave të reformave

    Tregu i përbashkët rajonal

    Folësit:

    Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim Gert Jan Koopman

    Përfaqësues të Shërbimit të Jashtëm Evropian

    Ministrat për Çështje Evropiane të Ballkanit Perëndimor

    Drejtues të CEFTA, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, BERZH, BB, etj.

    14:00 – Foto familjare për Ministrat dhe partnerët zbatues

    14:10 – Drekë dhe nisje

  • OEK për rritjen e çmimit të energjisë: Po bëhemi vend i pashpresë

    OEK për rritjen e çmimit të energjisë: Po bëhemi vend i pashpresë

    Rritja e çmimit të energjisë elektrike po rrezikon bizneset dhe standardin jetësor të qytetarëve, vlerëson kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Ai tha se Kosova po bëhet vend i pashpresë.

    Sipas tij, rritja prej 16.1 për qind e çmimit të rrymës po ndikon negativisht në fuqinë blerëse, ndërsa dalja në tregun e lirë e ka rritur çmimin e energjisë deri në 400 për qind, duke shtuar se kjo situatë mund të çojë në mbylljen e bizneseve, në rritje të papunësisë dhe varfërim të mëtejshëm të qytetarëve.

    “Shtrenjtimi 6.1 për qind është shumë. Po ashtu, është shumë edhe dalja në tregun e lirë, ku prej 200 – 400 për qind ka shkuar, por nëse vazhdon kjo kokëfortësi që bizneset të mbahen në tregun e lirë, nuk do të flitet më për 400 për qind, por nuk do të ketë përqindje që do ta ndalë çmimin e energjisë elektrike. Ne importojmë energjinë. Bashkë me të, e importojmë edhe çmimin. Biznesi jo që do të mbyllet, por nuk do të mund të ekzistojë më në këto kushte dhe rrethana.

    Për këtë arsye rritja prej 16.1 për qind për qytetarët e Kosovës nuk ka qenë rritje e drejtë, sepse e ka varfëruar dhe ia ka ulur standardin jetësor. Biznesi atakohet, sepse nuk ka fuqi blerëse. Kur nuk ka biznesi nuk mund të performojë. Për këtë arsye ne jemi kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, qoftë për ekonominë familjare, qoftë për biznese”, tha Rafuna për eo.

    Ai paralajmëron se pasojat më të rënda do të ndihen në muajt e ftohtë, kur konsumi i energjisë rritet ndjeshëm.

    Ai shton se prodhuesit vendës po humbasin konkurrencën përballë produkteve të importuara, ndërsa eksporti vazhdon të bie.

    “Nëse mbyllen bizneset rritet papunësia, Kosova po bëhet një vend i pashpresë. Qytetarët nuk e vërejnë tani për arsye se nuk shpenzojmë shumë. Më së shumti çmimi do të vërehet nga fillimi i muajit tetor, kur moti të jetë më i ftohtë dhe të fillojë konsumimi i energjisë. Atëherë do të vërejë qytetari, por edhe bizneset. Po bëhemi një vend që do të do të na shfrytëzojnë të gjithë, të gjithë do të na shesin, ne nuk do të kemi prodhim. Janë të dhënat e fundit: vetëm 13 për qind e mbulojmë eksportin me import. Ne kemi ngecur, bile kemi rënie të eksportit. Në pesëmujor janë 1.6 miliardë që janë importuar.

    Të rritet çmimi i energjisë elektrike është kosto operative e çdo prodhuesi dhe do të jetë më i shtrenjtë produkti. Nuk do të jetë konkurrues me produktin e importuar dhe shtetet tjera nuk do të kenë interes për prodhuesit e vendit”, tha Rafuna.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte kundër dy serbëve

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte kundër dy serbëve

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Kaqanik i Vjetër, në komunën e Kaqanikut, shkruan Gazeta Sinjali.

    Të pandehurit J.J dhe V.T akuzohen për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, bazuar në nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, që ishte në fuqi gjatë periudhës së kryerjes së veprës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake e policore serbe, kanë kryer vrasjen e dy civilëve shqiptarë, R.E dhe M.H. Ata gjithashtu akuzohen për dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimave, si dhe për plaçkitjen e pasurisë së tyre.

    Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për autoritetet e drejtësisë kosovare.

    Institucioni i akuzës theksoi se mbetet i përkushtuar në ndjekjen e krimeve të luftës për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të garantuar llogaridhënie sipas standardeve ndërkombëtare.

  • Zjarre masive në Izmir, evakuohen mbi 10 zona banimi dhe 17 persona arrestohen

    Zjarre masive në Izmir, evakuohen mbi 10 zona banimi dhe 17 persona arrestohen

    Turqia po përjeton një valë të fuqishme zjarresh pyjore që kanë përfshirë rajonet e Izmirit, Denizli, Aydın dhe Manisa gjatë 24 orëve të fundit. Flakët kanë shpërthyer kryesisht në kufijtë e rajoneve Menderes dhe Seferihisar në qytetin bregdetar të Izmirit, duke arritur deri në zonat e banuara dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë të paktën 10 lagje, shumica në Seferihisar.

    Shkak i përhapjes së shpejtë të zjarrit janë erërat e forta që kanë arritur shpejtësi deri në 120 km/h.

    Në një rast të veçantë në zonën Omur në Seferihisar, një burrë i moshuar në karrocë është shpëtuar në momentin kur shtëpia e tij filloi të digjej. Ekipet e Kërkimit dhe Shpëtimit të IHH në Izmir e dërguan atë tek shërbimet mjekësore dhe fatmirësisht gjendja e tij është e mirë.

    Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ka raportuar se deri tani janë shkatërruar 23 shtëpi dhe 47 njësi banimi, ndërsa në provinca të tjera si Bilecik janë dëmtuar rëndë 41 shtëpi dhe 25 stalla.

    Prokuroria e Izmirit ka nisur hetime për zjarrvënie të qëllimshme. Një person është arrestuar për përdorim të benzinës për ndezjen e zjarrit, ndërsa 17 të dyshuar të tjerë janë ndaluar lidhur me zjarret që shpërthyen midis datave 26-28 qershor.

    Si pasojë e zjarreve, Aeroporti Adnan Menderes në Izmir ka pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse. Fluturimet drejt qyteteve si Stamboll, Londër, Këln, Kopenhagë dhe Sofje janë anuluar.

    Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, İbrahim Yumaklı, ka bërë të ditur se nga 77 zjarre të raportuara në një ditë, 9 janë të mëdha, ndërsa 3 prej tyre – në Manisa Akhisar, Izmir Kuyucuk dhe Doğanbey – vazhdojnë të jenë aktive dhe serioze.

    Në përballjen me flakët janë angazhuar 1,113 personel, 11 avionë, 27 helikopterë dhe 281 automjete zjarrfikëse.

    Guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, ka deklaruar se disa avionë mund të hedhin deri në 12 ton ujë në zjarr, por operacionet ajrore janë të kufizuara për shkak të mjegullës dhe erërave të fuqishme.

    Hiri dhe tymi nga zjarret e mëdha kanë mbërritur deri në ishullin grek Patmos, duke krijuar një atmosferë të rënduar. Pushuesit në këtë zonë raportojnë errësim dhe erë të padurueshme gjatë orëve të pasdites.

    Ministri Yumaklı ka theksuar se: “Nuk kemi të bëjmë me një zjarr të thjeshtë pyjor, por me një betejë në shkallë të plotë”.

    Ai ka bërë thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët, pasi çdo pakujdesi mund të sjellë pasoja katastrofike.

    Aktualisht nuk ka raportime për viktima njerëzore, por tre persona janë dërguar në spital për probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit.

  • Kremlini paralajmëron: Sanksionet ndaj Rusisë do t’i dëmtojnë më shumë ekonomitë evropiane

    Kremlini paralajmëron: Sanksionet ndaj Rusisë do t’i dëmtojnë më shumë ekonomitë evropiane

    Kremlini ka deklaruar se sa më të ashpra të jenë sanksionet evropiane ndaj Rusisë, aq më të mëdha do të jenë pasojat negative për ekonomitë e vendeve të Evropës.

    Rusia, që u godit më rëndë se çdo ekonomi tjetër nga sanksionet perëndimore pas pushtimit të Ukrainës në 2022, po tregon rezistencë ndaj këtyre masave të cilat i cilësoi si “të paligjshme”, raporton Reuters,

    Megjithëse ekonomia ruse u tkurr në vitin 2022, ajo është rikuperuar dhe po rritet më shpejt sesa Bashkimi Evropian gjatë viteve 2023 dhe 2024.

    Perëndimi kishte shpresuar që sanksionet do ta detyronin presidentin Vladimir Putin të kërkonte paqe në Ukrainë, por deri tani efektet kanë qenë të kufizuara.

  • Kryeministri slloven paralajmëron masa ndaj Izraelit nëse BE nuk vepron për krizën në Gaza

    Kryeministri slloven paralajmëron masa ndaj Izraelit nëse BE nuk vepron për krizën në Gaza

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për të marrë masa konkrete brenda dy javëve të ardhshme për të adresuar krizën humanitare në Gazë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Nëse BE nuk vepron, ai tha se Sllovenia së bashku me vende të tjera do të ushtrojnë presion të vërtetë ndaj Izraelit.

    Në një deklaratë gjatë samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, Golob kritikoi mungesën e përgjigjes efektive nga BE-ja dhe theksoi se disa shtete, madje edhe ato me rëndësi, po vendosin interesat e tyre para të drejtave të njeriut.

    Në përfundimet e samitit, liderët evropianë dënuan përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve. Ata i bënë thirrje Izraelit të respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe të mbrojë civilët dhe infrastrukturën civile.

    Megjithatë, propozimet për pezullimin e marrëveshjes tregtare të BE-së me Izraelin, të mbështetura nga Spanja dhe Irlanda, nuk gjetën konsensus në samit.

    Që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë në 2023, mbi 56,000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 100,000 janë plagosur, shumica gra dhe fëmijë.

    Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa 1.9 milion palestinezë vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara humanitare.

  • Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Ka zgjatur vetëm rreth dy minuta seanca e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, duke prodhuar edhe një tjetër dështim në përpjekjen për konstituimin e legjislaturës së re.

    Deputetët nuk votuan as këtë herë për themelimin e komisionit për votim të fshehtë, i cili është kusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ky është dështimi i 39-të me radhë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

    Sipas rezultateve zyrtare të votimit, vetëm 54 deputetë votuan pro themelimit të këtij komisioni – numër që nuk mjafton për ta çuar procesin përpara.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën parlamentare për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Edhe propozimi për komisionin e fshehtë është refuzuar vazhdimisht nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar.

    Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit është caktuar të mbahet të martën, me fillim nga ora 11:00.

  • Gjykata refuzon të shtyjë gjykimin kundër Netanyahut

    Gjykata refuzon të shtyjë gjykimin kundër Netanyahut

    Një gjykatë në Izrael refuzoi kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të shtyrë dëshmimin e tij në gjyqin për korrupsion, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ky rast gjyqësor duhet të anulohet.

    Të enjten, avokati i Netanyahut i kërkoi gjykatës që të mos e thërriste kryeministrin për të dhënë dëshminë për dy javë, duke thënë se atij i duhet të përqendrohet në “çështje të sigurisë” pas luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gjykata e qarkut në Jerusalem tha në vendimin e publikuar online se “forma aktuale [e kërkesës së Netanyahut] nuk ofron bazë apo justifikim të detajuar për anulimin e seancave dëgjimore”.

    Trump tha të enjten se gjykimi kundër Netanyahut ishte një “gjueti shtrigash”, duke shtuar se gjykimi “duhet të anulohet menjëherë ose të falet ky hero i madh”.

    Netanyahu e ka falënderuar Trumpin për mbështetjen e tij në luftën e shkurtër të Izraelit kundër Iranit, që përfundoi me një armëpushim të arritur më 24 qershor.

    Kryeministri izraelit ka mohuar çdo keqbërje dhe mbështetësit e tij e kanë përshkruar gjykimin si të motivuar politikisht.

    Në rastin e parë penal, ai dhe gruaja e tij, Sara, akuzohen se kanë pranuar më shumë se 260.000 euro në formë të dhuratave luksoze sikurse cigare, bizhuteri dhe shampanja nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.

    Në dy raste të tjera, Netanyahu akuzohet se tentoi të negocionte mbulim më favorizues nga dy media izraelite.

    Gjatë mandatit aktual, që e ka nisur në fund të vitit 2022, Qeveria e Netanyahut kishte propozuar një sërë reformash gjyqësore që kritikët thanë se ishin të dizajnuara që të dobësonin rolin e gjykatave.

    Netanyahu ka kërkuar disa herë shtyrje që kur nisi gjykimi ndaj tij në maj të vitit 2020, duke përmendur si arsyetim luftën në Gazë që nisi më 2023 dhe më pas luftimet në Liban, si dhe gjatë këtij muaji konfliktin me Iranin./REL