ATV

Category: Lajme

  • Konstituimi i Kuvendit dështon për herë të 40-të

    Konstituimi i Kuvendit dështon për herë të 40-të

    Për herë të 40-të me radhë ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, por mungesa e kuorumit për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë e bëri të pamundur vazhdimin e seancës.

    Kryesuesi Avni Dehari u kërkoi partive politike të propozojnë emrat për përbërjen e komisionit, por diskutimi u shoqërua me tensione në sallë. Mikrofonët iu ndërprenë disa deputetëve që kërkuan fjalën jashtë pikës së rendit të ditës.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i bëri thirrje Deharit të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kolegu i saj nga LDK, Armend Zemaj, përsëriti të njëjtën kërkesë.

    Në mbështetje të tyre reagoi edhe deputetja Sala Jashari, e cila kundërshtoi ndërprerjen e fjalës së kolegëve.

    Në fund, deputetja Time Kadrijaj njoftoi se AAK ka ndryshuar qëndrim dhe propozon Albin Kurtin si anëtar të komisionit.

    Pavarësisht 51 votave pro, komisioni nuk mori mbështetjen e nevojshme. Seanca u ndërpre, ndërsa Dehari njoftoi se Kuvendi do të mblidhet sërish më 3 korrik në orën 11:00, në përputhje me afatin 30-ditor të vendosur nga Kushtetuesja.

  • Profesori Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual

    Profesori Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual

    Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, profesori i pezulluar Xhevat Krasniqi është deklaruar i pafajashëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual.

    “Absolutisht i pafajshëm”, u deklarua Krasniqi.

    Deklarimin lidhur me fajësinë, i akuzuari e bëri pasi që prokurori Blerim Igrishta e lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas kësaj, gjyqtari i rastit Bujar Ahmeti ndërpreu seancën dhe njoftoi të akuzuarin për afatin e kundërshtimin të provave.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 10 prill 2025, Xhevat Krasniqi ngarkohet se në cilësinë e profesorit të matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, gjatë periudhës kohore nga janari i vitit 2022 në vazhdimësi deri në dhjetor të vitit 2023 në objektin e Fakultetit në Universitetin e Prishtinës, është përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër. Ngarkohet se katër studente i ka ngacmuar seksualisht me fjalë.

    Për këtë, Krasniqi ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual” nga neni 183, paragrafi3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më 23 prill 2024 ka njoftuar se pas rekomandimit nga Këshilli i Etikës së Universitetit, është marrë vendim të pezullullohet nga puna profesor Xhevat Krasniqin, i denoncuar për ngacmim seksual.

  • 4 vjet burg për zyrtarin policor që e goditi për vdekje Zana Gjevukajn

    4 vjet burg për zyrtarin policor që e goditi për vdekje Zana Gjevukajn

    Sot është bërë shpallja e aktgjykimit ndaj zyrtarit policor, Argjend Kastrati, i akuzuar për aksidentin me fatalitet ku vdiq 26-vjeçarja Zana Gjevukaj.

    Kastrati është dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Pejë.

    Në seancën e fundit, polici shprehu pendesën dhe i kërkoi falje familjes së vajzës për rastin tragjik.

    Aksidenti ndodhi më 1 prill, në Qyshk të Pejës, ku i akuzuari goditi për vdekje me veturë të ndjerën, duke i shkaktuar plagë të rënda.

  • Ngërçi politik në Kuvend – Osmani i fton sërish në takim liderët e partive politike

    Ngërçi politik në Kuvend – Osmani i fton sërish në takim liderët e partive politike

    Në mungesë të një marrëveshjeje politike mes partive, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar sërish në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit.

    Takimi pritet të mbahet më 3 korrik.

    Ndryshe gjatë ditës së djeshme këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditës. Ndërsa shtoi se presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, nëse ka nevojë.

    Takimi i parë i ftuar nga Osmani për të njëjtën çështje, u mbajt para gjashtë javësh.

  • Kos: Kosova duhet të formojë qeverinë për të avancuar në procesin e anëtarësimit

    Kos: Kosova duhet të formojë qeverinë për të avancuar në procesin e anëtarësimit

    Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, tha për Kosovën se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.

    Tek foli për Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo tha se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.

    Kosova parashihet të marrë rreth 900 milionë euro nga kjo pako. Procesi është bllokuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit.

    Kos shtoi se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.

    “Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, tha ajo, teksa theksoi përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.

  • E mitura denoncon të fejuarin për dhunë, dyshohet se dhuna ndodhi gjatë qëndrimit të saj në Gjermani

    E mitura denoncon të fejuarin për dhunë, dyshohet se dhuna ndodhi gjatë qëndrimit të saj në Gjermani

    Një vajzë 17-vjeçare nga fshati Shalë ka raportuar në Polici një rast të rëndë të dhunës në familje, duke denoncuar të fejuarin e saj për keqtrajtim fizik dhe psikik.

    Sipas viktimës, dhuna dyshohet se ka ndodhur gjatë dy vizitave në Gjermani, ku ndodhej i fejuari.

    Ajo ka deklaruar se dhuna kishte nisur në muajin mars dhe kishte përshkallëzuar më 19 maj, gjatë qëndrimit të dytë në shtëpinë e të fejuarit. Pas kthimit në Kosovë, e mitura ka pranuar trajtim mjekësor dhe ka paraqitur rastin në Stacionin Policor më 30 qershor.

    Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, është iniciuar rasti për veprën penale “dhunë në familje”, ndërsa janë nisur veprimet për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, i cili aktualisht gjendet jashtë vendit.

  • Ndalet me BMW X6 në Pejë, 19-vjeçarit i gjendet armë e mbushur nën ulësen e shoferit

    Ndalet me BMW X6 në Pejë, 19-vjeçarit i gjendet armë e mbushur nën ulësen e shoferit

    Një 19-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës në Pejë, pasi në veturën që ai po drejtonte u gjet një armë zjarri me municion. Rasti ka ndodhur mbrëma pas mesnate, në rrugën “Besnik Lajqi”.

    Gjatë kontrollit rutinë të një veture të tipit BMW X6, të cilën e drejtonte i riu me inicialet Gj.K., policia ka gjetur nën ulësen e shoferit një armë zjarri të mbushur me karikator dhe fishekë. I dyshuari nuk posedonte leje, andaj arma është konfiskuar.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është hapur procedurë për veprën penale “Mbajtje pa leje e armës”. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë përkatëse.

  • Vendoset gurthemeli për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok

    Vendoset gurthemeli për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok

    Është vendosur gur-themeli i stacionit të ri policor në Zubin Potok, në një ceremoni ku morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri në detyrë për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas Sveçlës, objekti do të shërbejë si infrastrukturë moderne për policinë dhe si adresë raportimi për qytetarët. Ai ka deklaruar se për këtë projekt janë ndarë 1.1 milionë euro dhe se punimet kanë nisur më shpejt se sa ishte paraparë.

    “Sigurisë më të lartë po ia shtojmë edhe infrastrukturën më të mirë. Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike dhe integritetit territorial”, ka shkruar Sveçla në facebook.

  • Kurti dhe Vuçiq bashkë në panel në Shkup, diskutohet Plani për Rritje dhe bashkëpunim ekonomik

    Kurti dhe Vuçiq bashkë në panel në Shkup, diskutohet Plani për Rritje dhe bashkëpunim ekonomik

    Në Shkup po vazhdon samiti dyditor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ku po diskutohet zbatimi i Planit për Rritje në rajon.

    Sipas agjendës së ditës së sotme, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jenë në mesin e folësve kryesorë në panelet e sotme.

    Fokusi i takimit është në vlerësimin e planit, nismat e reja për zhvillim dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit. Mbrëmë, liderët u pritën në një darkë formale nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hiristijan Mickoski, së bashku me zyrtarët evropianë.

    Në samit marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore dhe organizata rajonale.

  • Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll të plotë rajonin e Luhanskut në Ukrainë

    Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll të plotë rajonin e Luhanskut në Ukrainë

    Forcat ruse kanë njoftuar se kanë pushtuar tërësisht rajonin e Luhanskut, një nga katër rajonet e Ukrainës që Rusia i aneksoi në mënyrë të paligjshme në shtator 2022.

    Ky supozohet të jetë një hap i rëndësishëm për Moskën, pasi Luhansku bëhet rajoni i parë ukrainas që pushtohet plotësisht nga Rusia pas më shumë se tre vitesh luftë.

    Leonid Pasechnik, një zyrtar i emëruar nga Rusia, tha të hënën se kishin pushtuar Luhanskun, duke theksuar se 100% e rajonit është tani nën kontrollin e forcave ruse. “Dy ditë më parë mora një raport që më informonte për këtë avancim,” tha Pasechnik në një intervistë për televizionin shtetëror rus.

    Pavarësisht deklaratave të Moskës, asnjë koment nuk është dhënë ende nga autoritetet ukrainase, dhe nuk ka një konfirmim të plotë të informacionit nga burime të pavarura.

    Në një tjetër zhvillim, forcat ruse kanë njoftuar se kanë pushtuar një fshat në rajonin e Dnipropetrovskut, që është hera e parë që një territor në këtë rajon bie nën kontrollin rus gjatë ofensivës trevjeçare. Dnipropetrovsk nuk është një nga pesë rajonet që Rusia ka pretenduar si të sajin, duke e bërë këtë zhvillim edhe më të ndjeshëm. Asnjë konfirmim nuk ka ardhur ende nga autoritetet ukrainase ose nga ministria ruse e mbrojtjes.