ATV

Category: Lajme

  • Osmani kujton 2 Korrikun e vitit 1990: Dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

    Osmani kujton 2 Korrikun e vitit 1990: Dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 2 Korrikun e vitit 1990 si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.

    Përmes një postimi nga Presidenca në Facebook, Osmani ka vlerësuar lart rëndësinë e Deklaratës Kushtetuese, e cila u shpall 34 vite më parë nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, para dyerve të mbyllura me forcë nga regjimi i atëhershëm serb.

    “Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.”

    Postimi i plotë:

    Presidentja: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

    2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

    Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.

    Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë.

    Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.

    Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane.

  • “Nuk janë kundër askujt”, Kurti: Ndërtimi i urave mbi Ibër rrit bashkëpunimin – mungesa e tyre sjellë tensione

    “Nuk janë kundër askujt”, Kurti: Ndërtimi i urave mbi Ibër rrit bashkëpunimin – mungesa e tyre sjellë tensione

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

    Ai theksoi se mungesa e urave krijon tensione, duke e quajtur këtë projekt si një mundësi për të forcuar lidhjet mes veriut dhe jugut të Kosovës.

    “Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura janë të krijuara për të mundësuar më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime mes qytetarëve”, tha Kurti, duke theksuar se urat nuk janë kundër askujt, por janë për të gjithë qytetarët, për shqiptarët, serbët, boshnjakët, romët dhe të tjerët.

    Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se ndërtimi i këtyre urave është plotësisht në përputhje me planet zhvillimore dhe ligjin, duke reaguar ndaj paralajmërimit të Bashkimit Evropian që kishte kërkuar nga autoritetet kosovare të shmangnin veprime të njëanshme, përfshirë ndërtimin e urave të reja.

    Ai dha detaje mbi dimensionet e dy urave të reja. Njëra do të jetë 51 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, me trotuare të përbashkëta nga 1.5 metra, ndërsa tjetra do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë, dhe do të përdoret vetëm nga këmbësorët. Njëra nga urat do të mundësojë kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa tjetra do të jetë ekskluzivisht për këmbësorët.

    Me ndërtimin e këtyre dy urave, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në Kosovë do të arrijë në 37, ndërsa në të gjithë lumin, që kalon në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, do të jenë gjithsej 77 ura.

    Kurti falënderoi kryetarët e komunave të përfshira dhe Ministrinë për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, që pritet të përfundojë në vjeshtë me një kosto prej rreth 3 milionë euro.

    Në lidhje me urën kryesore mbi lumin Ibër, që aktualisht është e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe monitorohet nga karabinierët italianë, Kurti theksoi se kjo urë ka nevojë të hapet sa më parë, duke shtuar se Kosova nuk do të heqë dorë nga ky qëllim.

    “Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë, prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne”, tha tutje ai.

  • Ambasada gjermane: Qeveria të përmbahet nga ndërtimi i dy urave të reja mbi Ibër

    Ambasada gjermane: Qeveria të përmbahet nga ndërtimi i dy urave të reja mbi Ibër

    Ambasada gjermane në Kosovë ka bërë thirrje për përmbajtje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, që do të ndërtohen paralelisht me urën kryesore, për të cilat sot u vu gurthemeli.

    “Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfidat shumë më urgjente.”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për ATV-në.

  • Vendoset gurthemeli i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë

    Vendoset gurthemeli i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të komunave të Mitrovicës dhe ministra të kabinetit qeveritar, ka vendosur të martën gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.

    Ceremonia e vendosjes së gurthemelit u zhvillua me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ministrit të Administratës Publike, Elbert Krasniqi, dhe ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

  • Trump kërcënon Japoninë me tarifa më të larta, shprehet i pakënaqur me importet e orizit

    Trump kërcënon Japoninë me tarifa më të larta, shprehet i pakënaqur me importet e orizit

    Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave më të larta ndaj eksporteve japoneze drejt SHBA-së, duke pretenduar se Japonia refuzon të blejë oriz amerikan. Ai ka shkruar në Truth Social se Japonia ka një mungesë të madhe orizi dhe se nuk pranon orizin amerikan.

    “Ata nuk pranojnë orizin tonë, ndërkohë që kanë mungesë të madhe orizi. Do t’ju dërgojmë një letër – dhe i duam si partner tregtar prej vitesh,” ka shkruar Trump.

    Megjithatë, sipas CNN, të dhënat tregtare kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë. Japonia ka blerë oriz amerikan në vlerën e 298 milionë dollarëve gjatë vitit të kaluar, dhe vetëm në katër muajt e parë të këtij viti ka blerë oriz amerikan në vlerën e 114 milionë dollarëve.

    Deklarata e Trump nuk është komentuar drejtpërdrejt nga zyrtarët japonezë, por Sekretari i Kabinetit Yoshimasa Hayashi ka thënë se bisedimet tregtare janë në vazhdim dhe se Japonia synon një marrëveshje të ndershme për të dyja palët.

    Për më tepër, Trump ka kërcënuar Japoninë në një intervistë të fundit për Fox News duke thënë: “Zoti Japoni, do të paguani një tarifë 25% për makinat.”

    Në mes të tensioneve tregtare, Trump pritet të rikthejë tarifat reciproke më 9 korrik, pasi një pauzë 90-ditore. Aktualisht, Japonia është përballur me një tarifë universale 10%, por më herët kishte pasur një normë minimale prej 24%.

    Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se negociatat tregtare SHBA-Japoni po vijojnë dhe se nuk përjashtohet mundësia e një marrëveshje të mundshme deri në afatin e vendosur.

  • AUV-i ndalon importin e gjedheve nga një zonë në Francë, shkak sëmundja LSD

    AUV-i ndalon importin e gjedheve nga një zonë në Francë, shkak sëmundja LSD

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e gjedheve dhe të lëkurës së tyre nga një zonë në Francë, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes gungore të lëkurës e njohur ndryshe si LSD.

    Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Kosovë.

    Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, autoritetet përgjegjëse për kontrollin kufitar janë urdhëruar të zbatojnë ndalesën në mënyrë rigoroze. Agjencia ka njoftuar se situata është duke u monitoruar në kohë reale dhe se janë marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje në vend.

    Në njoftim thuhet se Kosova po vepron në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe me legjislacionin në fuqi. Masat do të përshtaten në bazë të zhvillimeve të reja dhe sipas protokolleve veterinare për mbrojtjen e kafshëve dhe të shëndetit publik.

     

  • Mosvotimi në Kuvend nga deputetët e partive tjera, Kusari-Lila: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

    Mosvotimi në Kuvend nga deputetët e partive tjera, Kusari-Lila: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me mospjesëmarrjen në votim të deputetëve të ish-opozitës në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas saj, interpretimi i mëhershëm i Kushtetueses ka krijuar më shumë paqartësi sesa qartësi në situatën aktuale, ndërsa mungesa e votimit nga ish-opozita, përbën shkelje që duhet të adresohet institucionalisht.

    “Është e qartë se nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë. Ndërsa, synimi i tretë në fakt çka do të doja të thosha është se është më se e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale, tashmë për mospjesëmarrjen në votim nga deputetët e partitë deri tash opozitare”, tha ajo.

    Deputetja e LVV-së theksoi tutje se ajo që është evidente e që mund të lexohet në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është se votimi në seancë është obligim.

    “Ne po e përgatisim, gjegjësisht jemi duke i bërë përgatitjet finale që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitar për mos pjesëmarrje në votim”, ka theksuar ajo.

  • Paralajmërohet rrezik shumë i lartë nga zjarret në Greqi

    Paralajmërohet rrezik shumë i lartë nga zjarret në Greqi

    Autoritetet greke kanë paralajmëruar për një rrezik shumë të lartë nga zjarret të mërkurën, në pjesë të mëdha të vendit.

    Temperaturat ekstreme dhe erërat e forta po krijojnë kushte të favorshme për shpërthimin dhe përhapjen e flakëve.

    Sipas Sekretariatit të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile, disa zona do të jenë në nivelin 4 të rrezikut (shumë i lartë). Këto përfshijnë: Rajonin e Atikës (përfshirë Athinën), Ishujt Kythira, Lesbos, Kios, Psara, Samos dhe Ikaria, Zona në Peloponez si Argolida, Laconia, Korinthia, Evia jugore dhe Kreta.

    Ndërkohë, disa zona të tjera – si në pjesën kontinentale ashtu edhe në ishuj – janë vendosur në nivelin 3 të rrezikut (i lartë).

    Greqia ka kaluar një valë të nxehti ekstrem gjatë qershorit, i cili është regjistruar si qershori i dytë më i nxehtë që nga viti 2010. Aktualisht vendi po përgatitet për një tjetër valë, e cila ka rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve.

    Në disa zona si ishulli i Kiosit, zjarret tashmë kanë shpërthyer, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

    Një burrë 65-vjeçar humbi jetën në një kantier ndërtimi në Ilion, në perëndim të Athinës.

    Ai ishte duke punuar në kushte të nxehtësisë ekstreme, pavarësisht udhëzimeve zyrtare që ndalojnë punën fizike në natyrë gjatë temperaturave të larta.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin aktivitetet në natyrë që mund të nxisin zjarrin, si ndezja e zjarreve, puna me mjete që krijojnë shkëndija, apo hedhja e cigareve në natyrë.

    Shërbimet emergjente ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin me kujdes njoftimet dhe udhëzimet lokale./BBC

  • Kushtet ekstreme të motit, dy viktima nga vala e nxehtë në Itali

    Kushtet ekstreme të motit, dy viktima nga vala e nxehtë në Itali

    Dy persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e kushteve ekstreme të motit, ndërsa një valë intensive të nxehti ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës.

    Një 47-vjeçar ndërroi jetë në Bolonjë pasi u sëmur gjatë punës në një kantier ndërtimi. Sindikatat Cgil Bologna dhe Fillea-Cgil kanë kërkuar masa urgjente për mbrojtjen e punëtorëve të ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme, duke theksuar se kriza klimatike po i përkeqëson ndjeshëm kushtet e punës në ambiente të hapura.

    Ndërkohë, në Bardonecchia, pranë Torinos, një 70-vjeçar humbi jetën pasi u përfshi nga një përmbytje e menjëhershme. Sipas raportimeve të mediave lokale, ai u mbyt pasi u rrëmbye nga uji pasi kishte dalë nga makina e tij.

    Autoritetet lokale janë në gatishmëri për shkak të kushteve ekstreme të motit që parashikohet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

  • Sot vendosen gurthemelët për dy ura mbi lumin Ibër, pjesëmarrës edhe Kurti

    Sot vendosen gurthemelët për dy ura mbi lumin Ibër, pjesëmarrës edhe Kurti

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të vendosë sot gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Ai do të shoqërohet nga ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut.

    Ceremonia nis në orën 17:00 me vendosjen e gurthemelit për urën e automjeteve në pjesën veriore, për të vijuar me ecjen e përbashkët drejt lokacionit të urës për këmbësorë, pranë kopshtit “Gëzimi ynë” në jug. Urat janë pjesë e një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian, në një përgjigje për ATV-në, ka konfirmuar se është duke kryer një vlerësim teknik të urës kryesore mbi Ibër, duke theksuar se çdo vendim duhet të bazohet në të dhëna të sakta dhe në marrëveshjet e dialogut me Serbinë.

    BE-ja ka paralajmëruar qeverinë që të shmangë veprimet e njëanshme në veri, përfshirë edhe ndërtimin e këtyre dy urave.