ATV

Category: Lajme

  • Pas Kurtit, Osmani nis takimin me Krasniqin

    Pas Kurtit, Osmani nis takimin me Krasniqin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në kuadër të përpjekjeve për të tejkaluar ngërçin politik që ka bllokuar konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

    Takimi me kryetarin e PDK-së vjen pas atij të zhvilluar me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

    Pas takimit me Osmanin, Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit

  • Pas takimit me Osmanin, Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit

    Pas takimit me Osmanin, Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se synojnë që Kuvendi i ri të konstituohet brenda muajit korrik, në përpjekje për të kapur afatin kushtetues dhe për të hapur rrugën drejt formimit të institucioneve të reja.

    Deklaratat Kurti i bëri pas takimit që zhvilloi për afro dy orë me presidenten Vjosa Osmani, të mërkurën, në kuadër të raundit të takimeve që ajo po zhvillon me liderët politikë për të tejkaluar krizën institucionale që ka bllokuar Kuvendin.

    “Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, deklaroi Kurti pas takimit.

    Ai tha se me presidenten u diskutuan të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit dhe vlerësimin e situatës aktuale politike.

    Kurti shtoi se është e rëndësishme që të përfundojnë takimet e presidentes me përfaqësuesit e partive tjera për të parë nëse mund të arrihet një përparim i qëndrueshëm.

    “Besoj duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim cili është progresi”, u shpreh Kurti.

  • Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit fashist të Millosheviqit

    Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit fashist të Millosheviqit

    USAID përmbyll misionin e saj historik pas gjashtë dekadash shërbimi global, ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë e cilëson Kosovën si një shembull të suksesit të agjencisë amerikane, veçanërisht pas luftës së vitit 1998-1999.

    Pasi Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) njoftoi se ka përmbyllur aktivitetet e saj, ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, reagoi duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e rëndësishëm që USAID ka pasur në zhvillimin dhe ngritjen e Kosovës pas luftës.

    “Dua të shpreh solidaritetin dhe mirënjohjen time për të gjithë kolegët, veçanërisht ata nga USAID-i, për gjithçka që kanë bërë për këtë komb, sidomos në një vend si Kosova, popullin e të cilit e kemi ndihmuar të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit të ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit, dhe për të ndërtuar një shoqëri funksionale, demokratike dhe të suksesshme,” ka deklaruar Hovenier.

    Po ashtu, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se USAID-i ka përmbyllur zyrtarisht aktivitetet e saj, duke shënuar një fund historik për agjencinë e ndihmës së jashtme të SHBA-së pas më shumë se gjashtë dekadash shërbimi global.

    USAID-i ka luajtur një rol kyç në Kosovë, dhe që nga paslufta ka investuar mbi 1 miliard dollarë në vend, duke financuar një sërë aktivitetesh, përfshirë mbështetjen e forcimit të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe demokracisë, krahas përmirësimit të arsimit, gjithpërfshirjes e llogaridhënies, si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

  • “Frutex” merr përsipër rregullimin e varrit të Leze Qenës

    “Frutex” merr përsipër rregullimin e varrit të Leze Qenës

    Pas raportimeve në media për gjendjen e varrit të aktores së njohur Leze Qena, Fondacioni Humanitar “Frutex & Golden Eagle” ka njoftuar se do të marrë përsipër rregullimin dhe sistemimin e plotë të tij.

    Në një njoftim publik, fondacioni tha se ky veprim është në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm që Leze Qena dha për artin dhe publikun shqiptar për dekada me radhë.

    “Leze Qena nuk duhet të harrohet. Ajo meriton respekt edhe pas largimit të saj fizik”, thuhet në njoftim.

    Iniciativa “Frutex” vjen për të siguruar që figura e saj të prehet në një vend dinjitoz dhe të denjë për trashëgiminë që la pas.

  • Rriten për 3% remitencat në Kosovë në periudhën janar–maj

    Rriten për 3% remitencat në Kosovë në periudhën janar–maj

    Të hollat nga diaspora në Kosovë arritën në 530 milionë euro gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, nga 513 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka Qendrore, duke cituar të dhëna paraprake.

    Vetëm gjatë muajit maj, dërgesat nga jashtë u rritën për 7% në baza vjetore, duke kapur shumën prej 126.6 milionë eurosh, thuhet në publikimin e të dhënave të së martës nga Banka Qendrore.

    Krahasuar me muajin prill, dërgesat në maj shënuan një rritje prej 13%.

    Gjatë vitit 2024, dërgesat e huaja në Kosovë ishin rritur me 1.1%, duke arritur në gjithsej 1.35 miliardë euro.

  • Kulla e Eiffelit mbyllet për turistët për shkak të të nxehtit përvëlues

    Kulla e Eiffelit mbyllet për turistët për shkak të të nxehtit përvëlues

    Një valë e të nxehtit detar në Detin Mesdhe po kombinohet me një “kupolë të nxehtësisë” shumë të fuqishme, duke bërë që Europa të përvëlohet nga një valë e të nxehtit të egër që ka nisur që në fillim të verës.

    Ky është një model që po përsëritet gjithnjë e më shpesh me ngrohjen e planetit: ndikimi i valëve të të nxehtit detar në Mesdhe është bërë më i theksuar gjatë verave të fundit, me temperaturat e larta të detit që luajnë rol në rritjen e temperaturave në tokë, duke kontribuar në përmbytje vdekjeprurëse dhe zjarrfikëse shkatërruese.

    Kjo situatë po ndihmon në shtimin e lagështisë që lëviz drejt veriut dhe po mban temperaturat të larta edhe gjatë natës në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit.

    Kjo valë e të nxehtit, e cila përfshin edhe rrjedhjen e ajrit të nxehtë nga Afrika drejt veriut, po e përforcon njëkohësisht edhe valën e të nxehtit detar përmes një cikli reagimi të ndërsjellë.

    Në Spanjë dhe Portugali janë thyer rekorde temperaturash, ndërsa shumë zona të Europës pritet të përballen me rekorde të reja deri të mërkurën, me përshkallëzimin e valës së të nxehtit.

    E gjithë Franca është përfshirë nga të nxehtit përvëlues. Sipas të dhënave paraprake të Météo France, disa qytete dhe fshatra përjetuan temperatura mbi 38°C të hënën.

    Një paralajmërim i kuq për valën e të nxehtit – niveli më i lartë i alarmit – është në fuqi të martën për 16 rajone administrative franceze (départements), përfshirë edhe Île-de-France, ku ndodhet Parisi. Kulla Eiffel është mbyllur për vizitorët në majën e saj të martën dhe të mërkurën, ndërsa stafi i ka kërkuar turistëve të marrin masa mbrojtëse gjatë kësaj të nxehtës ekstreme.

    “Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar”, shkruan stafi në faqen zyrtare të monumentit. “Gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, ju lutemi mbrojeni veten nga dielli dhe qëndroni të hidratuar në mënyrë të rregullt”.

    Edhe Mbretëria e Bashkuar po përvëlohet, duke përjetuar aktualisht valën e dytë të të nxehtit për këtë verë. Temperaturat kanë kaluar 32°C të hënën, duke krijuar kushte shumë të vështira, sidomos në një vend ku më pak se 5% e shtëpive janë të pajisura me ajër të kondicionuar.

    “Vala aktuale e të nxehtit nga fundi i qershorit deri në korrik po i ekspozon miliona europianë ndaj stresit të lartë nga nxehtësia”, tha Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Qendrën Europiane për Parashikime Afatmesme të Motit (ECMWF), në një deklaratë.

    “Temperaturat që kemi parë kohët e fundit janë më të zakonshme për muajt korrik dhe gusht, dhe zakonisht ndodhin vetëm disa herë gjatë verës”.

    Rekorde të reja temperaturash pritet të thyhen të martën dhe të mërkurën edhe në Gjermani, ndërsa kupola e të nxehtit po shtrihet drejt lindjes, përpara se një sërë frontesh të ftohta të fillojnë të hyjnë nga Europa Veriperëndimore për të sjellë pak freski.

    Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po bëjnë që valët e të nxehtit të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të zgjatura. Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, duke u ngrohur dyfish më shpejt se pjesa tjetër e globit. Po ashtu, ndryshimet klimatike po çojnë edhe në valë të nxehtit detar më të shpeshta dhe më të forta.

  • Ngërçi politik në Kuvend, Presidentja Osmani takohet me Kurtin

    Ngërçi politik në Kuvend, Presidentja Osmani takohet me Kurtin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

    Ky është takimi i dytë që presidentja po zhvillon me subjektet politike, pas konsultimeve të para që ishin mbajtur në një format të përbashkët me të gjithë liderët partiakë. Ndryshe nga hera e kaluar, kësaj radhe takimet po mbahen ndaras me secilin lider.

    Pas takimit me kryetarin Kurti, presidentja Osmani pritet të zhvillojë takime të ndara edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

  • Polici bën apel: Shmangni ndezjen e zjarreve në këto temperatura të larta

    Polici bën apel: Shmangni ndezjen e zjarreve në këto temperatura të larta

    Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për kujdes të shtuar nga rreziku i zjarreve, të cilat çdo vit shkaktojnë pasoja serioze në jetë njerëzish, mjedis dhe pronë.

    Autoritetet kërkojnë nga qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies në mënyrë të menjëhershme.

    Policia paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj kujtdo që, me qëllim apo nga pakujdesia, shkakton rrezik për jetën ose pronën publike dhe private.

    Policia e rajonit të Pejës bën thirrje për kujdes maksimal në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr.

    “Duke iu referuar temperaturave të larta, dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve. Policia e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, thuhte në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Evropa ‘përvëlohet’ nga të nxehtit – Italia kufizon punën jashtë, urgjencat mbushen me të moshuar

    Evropa ‘përvëlohet’ nga të nxehtit – Italia kufizon punën jashtë, urgjencat mbushen me të moshuar

    Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës po shkakton pasoja serioze për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

    Në Itali, autoritetet kanë ndaluar punën në ambient të jashtëm gjatë orëve më të nxehta të ditës në më shumë se gjysmën e rajoneve, si masë mbrojtëse për punëtorët.

    Sipas raportimit të The Guardian, temperaturat ekstreme kanë marrë të paktën tri jetë deri më tani. Në Tarragona të Katalonjës (Spanjë) ka vdekur një djalë i vogël, ndërsa në Palermo ka humbur jetën një grua 53-vjeçare, dhe një 70-vjeçar ka ndërruar jetë në Torino.

    Vendet më të goditura përfshijnë Spanjën, Portugalinë dhe Italinë, ndërsa temperaturat kanë thyer rekordet sezonale dhe pritet të mbeten të larta edhe në ditët në vijim.

    Sipas BBC, në disa zona të Italisë, urgjencat po përballen me fluks të shtuar – me rritje deri në 20% të rasteve, kryesisht për shkak të dehidratimit tek të moshuarit. Ndërkohë, vala e të nxehtit ka goditur edhe Francën, ku disa shkolla janë detyruar të mbyllen për shkak të kushteve të papërshtatshme për nxënësit dhe mësuesit.

  • Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin më të nxehtë ndonjëherë

    Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin më të nxehtë ndonjëherë

    Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin e tyre më të nxehtë ndonjëherë, ndërsa vala e nxehtësisë vazhdon të përhapet nëpër Evropë.

    Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se qershori “jashtëzakonisht i nxehtë” – me një temperaturë mesatare prej 23.6 gradësh Celsius – “ka shënuar rekorde”, duke tejkaluar mesataren normale për korrikun dhe gushtin.

    Në Angli, Zyra Meteorologjike tha se temperatura mesatare e qershorit prej 16.9 gradësh Celsius vendosi një rekord të ri për atë muaj, ndërsa Mbretëria e Bashkuar – në tërësi – regjistroi qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1884.

    Portugalia kontinentale regjistroi, gjithashtu, një temperaturë rekorde ditore në qershor – prej 46.6 gradësh Celsius. Të dhënat mesatare mujore nuk janë publikuar ende.

    Në Turqi, zjarret detyruan dhjetëra mijëra njerëz të evakuoheshin, ndërsa në Itali dy persona humbën jetën për arsye që lidheshin me nxehtësinë.

    Në Francë, vala e të nxehtit vazhdoi në pjesën më të madhe të vendit edhe të martën – një ditë pasi shumë qytete përjetuan natën dhe ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në qershor.

    Maja e Kullës Eiffel në Paris u mbyll për shkak të të nxehtit, ndërsa ministrja franceze e Klimës, Agnes Pannier-Runacher, e përshkroi këtë si një situatë “të paparë”, raporton REL.

    Për herë të parë në pesë vjet, rajoni i Parisit e aktivizoi alarmin e kuq – që është paralajmërimi më i lartë për nxehtësinë ekstreme – së bashku me 15 rajone të tjera franceze.

    Në Itali, rajoni i Toskanës shënoi rritje për 20 për qind të pranimeve në spital, për shkak të problemeve që lidhen me nxehtësinë.

    Rajoni i Ballkanit, po ashtu, është përfshirë nga temperaturat e larta.