ATV

Category: Lajme

  • Dy viktima nga zjarret pyjore në Turqi – dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

    Dy viktima nga zjarret pyjore në Turqi – dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

    Zjarret masive që kanë përfshirë Turqinë perëndimore po shkaktojnë pasoja të rënda. Deri më tani janë konfirmuar dy viktima, përfshirë një operator ekskavatori, Ibrahim Demir, i cili humbi jetën duke luftuar me flakët në Izmir, dhe një 81-vjeçar që u gjet i pajetë në shtëpinë e tij të përfshirë nga zjarri.

    Situata mbetet kritike, pasi zjarret janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave ekstreme, lagështisë së ulët dhe erërave të forta. Deri tani janë evakuuar mbi 50.000 persona dhe janë dëmtuar rreth 200 banesa në zonat e prekura, përfshirë edhe Antalian turistike dhe periferitë e Stambollit.

    Ndërkohë, një grup i panjohur më parë me emrin “Fëmijët e Zjarrit”, ka marrë përgjegjësinë për dhjetëra zjarrvënie në gjashtë qytete të Turqisë, duke pretenduar lidhje me PKK-në – organizatë e shpallur terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE. Deri tani, PKK nuk ka dhënë asnjë koment mbi këtë pretendim.

    Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha se vetëm javën e kaluar kanë shpërthyer 624 zjarre, nga të cilat 621 janë vënë nën kontroll, ndërsa për pjesën tjetër po punohet me helikopterë dhe avionë në terrene të vështira malore.

    Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e emergjencës.

  • Si do të ishte qeverisja e Deçanit nëse kryeministër do të ishte Ramushi e jo Albini?- Përgjigjet kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj

    Si do të ishte qeverisja e Deçanit nëse kryeministër do të ishte Ramushi e jo Albini?- Përgjigjet kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj

    Bashkimi Ramosaj, kryetari i komunës së Deçanit, ka një karrierë të gjatë në shërbimin publik dhe është edhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Së fundmi, ai ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli jo vetëm për politikën në Deçan, por edhe për jetën e tij personale.

    Gjatë bisedës, ai u pyet se si do të ishte qeverisja e Deçanit nëse kryeministër do të ishte Ramush Haradinaj dhe jo Albin Kurti. Ramosaj u shpreh se këta dy udhëheqës vijnë nga perspektiva të ndryshme. Megjithatë, ai shtoi se nuk ka kuptuar si duhet qasjen ndaj projekteve zhvillimore.

    “Kur ka qenë Ramush Haradinaj kryeministër unë atëherë e kam marrë mandatin e parë si kryetar dhe jam munduar me dhënë një perspektivë tjetër qytetit dhe e kam pas shumë nder dhe shumë fat që kam arritur deri diku me përmbush atë misionin tonë që me kornizu qytetin në kahjen ku duhet me ecë… e ndërkohë unë punët tjera i kam bërë duke i shtyrë me zor për shkak se nuk jam kuptuar drejt me qasjen e projekteve,” tha ai.

    Vlen të theksohet se Bashkim Ramosaj ka qenë aktivist i Lëvizjes Politike gjatë periudhës 1989-1997. Në vitin 2022, ai u zgjodh udhëheqës i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Deçan për një mandat katërvjeçar. Nën drejtimin e tij si kryetar i komunës, Deçani është konsideruar model zhvillimi lokal, veçanërisht në fushat e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe turizmit. Ramosaj ishte gjithashtu iniciator dhe komandant për themelimin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komunën e Deçanit gjatë viteve 2005-2008. Ai është themelues i ndërmarrjes komunale “Higjiena” dhe i Shoqatës Bjeshkatare.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Bashkim Ramosaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Organizata Botërore Meteorologjike: Valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta, bota duhet të mësohet me to

    Organizata Botërore Meteorologjike: Valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta, bota duhet të mësohet me to

    Vala e nxehtësisë që ka përfshirë Evropën Jugore tash e disa ditë ka shkaktuar edhe viktimat e para, me 6 persona që kanë humbur jetën në Itali dhe Spanjë, si pasojë e temperaturave ekstreme.

    Temperaturat e larta, që arritën deri në 34 gradë në Napoli, kanë prekur qytetet më të mëdha, ndërsa shkalla e lagështisë ka arritur nivele të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës.

    Temperaturat e sipërfaqes së detit në Mesdhe kanë arritur nivele rekord për muajin qershor, duke shënuar 26.01°C më 29 qershor, sipas të dhënave të Copernicus. Vala e nxehtësisë po vazhdon të përhapej drejt lindjes, duke goditur qytete të tilla si Paris, Romë, Berlin, dhe Vjenë, që po përjetojnë temperatura rekord.

    Në ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se këto valë të nxehtësisë do të ndodhin më shpesh dhe me intensitet më të lartë, si pasojë e ndryshimeve klimatike, dhe se bota duhet të mësohet të jetojë me normalitetin e ri të valëve ekstreme të nxehtësisë.

    LEXONI EDHE:

    I nxehti ekstrem shkakton viktima në Itali e Francë, alarm në shumë qytete

  • Konfirmohet rasti i parë i murtajës së rumanitëve të vegjël në Kosovë, AUV-i merr masa

    Konfirmohet rasti i parë i murtajës së rumanitëve të vegjël në Kosovë, AUV-i merr masa

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar prezencën e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.

    Pas marrjes së njoftimit për dyshimet e para, janë dërguar menjëherë inspektorët e mjekësisë veterinare, të cilët kanë kufizuar lëvizjen në fermën e dyshuar dhe kanë marrë mostrat për testim.

    Përmes një njoftimi të publikuar, AUV ka bërë të ditur se Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar praninë e sëmundjes mëngjesin e datës 3 korrik 2025. Mostrat e marra nga fermat përreth kanë rezultuar negative.

    Pas konfirmimit të sëmundjes, fshati Landovicë është shpallur si vatër e infektuar, ndërsa një zonë karantine është vendosur në një perimetër prej 3 km përreth fermës së prekur.

    AUV ka ndaluar lëvizjen e kafshëve, transportin dhe qarkullimin e produkteve dhe nënprodukteve të kafshëve brenda kësaj zone. Fermat përreth janë vendosur nën hetim epidemiologjik për të identifikuar burimin e infektimit dhe çdo mundësi kontakti me fermën e infektuar.

    Janë vend në zbatim masat e biosigurisë ne ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave përreth sipas protokolleve veterinare.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me datë 03.07.2025 ka nxjerrë ‘’Vendim’’ me nr. 01/537/2025 Për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël). Bazuar në Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Temperaturat e larta, MSh-ja rekomandon masa mbrojtëse për punëtorët

    Temperaturat e larta, MSh-ja rekomandon masa mbrojtëse për punëtorët

    Ministria e Shëndetësisë iu ka rekomanduar institucioneve publike dhe atyre private t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve në temperatura të larta.

    Sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, institucionet duhet t’i përshtatin oraret për të punësuarit e tyre dhe sipas mundësisë të aplikohet orari fleksibil, duke iu lejuar punëtorëve që të nisin punën më herët ose të punojnë nga shtëpia.

    Po ashtu, në rekomandim thuhet se shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë. Vendimi do të jetë në fuqi deri më 10 korrik.

  • I nxehti ekstrem shkakton viktima në Itali e Francë, alarm në shumë qytete

    I nxehti ekstrem shkakton viktima në Itali e Francë, alarm në shumë qytete

    Vala rekord e të nxehtit që ka prekur Italinë dhe pjesën më të madhe të Evropës me temperatura që kalojnë 40 gradë ka shënuar viktimat e para në shtetin fqinj. Mediat italiane bëjnë të ditur se 4 persona kanë humbur jetën shkak të nxehtësisë ekstreme; dy viktima në Sardenjë, një në Lombardi dhe një tjetër në Liguria.

    Një shofer kamioni 70-vjeçar u gjet i pajetë në automjetin e tij të parkuar në autostradën A4, midis Sirmiones dhe Peschiera del Garda, në provincën e Brescias. Sipas rindërtimeve fillestare, ai u godit nga një atak në zemër dhe nuk mund të përjashtohet që temperaturat e larta kontribuan në shkaktimin e sëmundjes fatale.

    Nxehtësia ekstreme do të vijojë 3 edhe në ditët në vijim dhe autoritete në Itali kanë dhënë alarmin maksimal për rrezikun e nxehtësisë për 18 qytete.

    Ndërkohë situata është e ndryshme në Toskanë, ku vapa e madhe i ka lënë vendin stuhive dhe breshrit që, sipas parashikimeve, mund të ndodhë përsëri në ditët në vijim.

    Ndërkohë në Francë, një vajzë 10-vjeçare amerikane, me origjinë nga shteti i Virxhinias, vdiq nga një atak në zemër, ndoshta për shkak të goditjes nga nxehtësia

    Vajza e vogël ishte me pushime me familjen e saj në rajonin e Pallatit të Versajës. Ndërsa ecte në oborrin e rezidencës historike, vajza e vogël pësoi një atak në zemër. Pavarësisht ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve dhe shërbimit të urgjencës mjekësore, ekipet e shpëtimit nuk mundën ta shpëtonin atë.

    Mbrëmjen e së mërkurës nxehtësia ia la vendin stuhive në disa pjesë të Francës. Megjithatë, temperaturat mbeten të larta në disa departamente.

    Vala e të nxehtit nuk ka mbaruar ende plotësisht. 17 departamente mbeten në alarm portokalli këtë të enjte, më 3 korrik dhe sipas mediave franceze alarmi është zgjatur deri të premten.

  • Osmani nis takimin me Emilija Rexhepin

    Osmani nis takimin me Emilija Rexhepin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar takimet sot të cilat vijnë si pasojë e bllokadës në Kuvend.

    Shefja e shtetit ka pritur në Presidencë kryetaren e Nova Demokratska Stranka, Emilija Redžepi.

  • “Izraeli është përgjegjës për një nga gjenocidet më mizore”, deklaron raportuesja e OKB-së

    “Izraeli është përgjegjës për një nga gjenocidet më mizore”, deklaron raportuesja e OKB-së

    Raportuesja speciale për territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese thotë se Gaza është bërë laborator për armët izraelite, duke u bërë thirrje shteteve të pezullojnë të gjitha tregtinë dhe investimet me Izraelin.

    “Izraeli është përgjegjës për një nga gjenocidet më mizore në historinë moderne”, tha raportuesja speciale e OKB-së për territorin e pushtuar palestinez, Francesca Albanese, duke akuzuar Tel Avivin për përdorimin e Gazës si një terren provash dhe duke bërë thirrje për veprime të gjera ndërkombëtare, përfshirë embargo të plotë armësh dhe pezullimin e lidhjeve tregtare dhe të investimeve.

    “Situata në territorin e pushtuar palestinez është apokaliptike”, tha Albanese në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, ku ajo prezantoi raportin e saj të fundit.

    “Në Gaza, palestinezët vazhdojnë të durojnë vuajtje përtej imagjinatës. Izraeli është përgjegjës për një nga gjenocidet më mizore në historinë moderne”, nënvizoi ajo.

    Albanese tha se shifrat zyrtare numërojnë mbi 200.000 palestinezë të vrarë ose të plagosur, por ekspertët kryesorë të shëndetësisë vlerësojnë se “numri i vërtetë është shumë më i lartë”.

    Ajo denoncoi të ashtuquajturin Fondacion Humanitar të Gazës, mekanizmi i ri i ndihmës i Izraelit në Gaza si “një kurth vdekjeprurës, i projektuar për të vrarë ose detyruar ikjen e një popullsie të uritur, të bombarduar dhe të dobësuar”.

    Ajo theksoi fitimet ekonomike të arritura gjatë luftës, duke vënë në dukje se në 20 muajt e fundit, kompanitë e armëve kanë arritur “fitime pothuajse rekord” duke furnizuar Izraelin me armë të përdorura për të bombarduar Gazën.

    “Kompanitë e armëve kanë arritur fitime pothuajse rekord duke pajisur Izraelin me armë të teknologjisë së fundit për të lëshuar 85.000 tonë eksplozivë, gjashtë herë më fuqishëm se Hiroshima, për të shkatërruar Gazën”, tha ajo.

    Raporti gjithashtu vuri në dukje fitime “213 për qind” në Bursën e Tel Avivit që nga tetori 2023, duke përshkruar një kontrast të fortë: “Një popull u pasurua, një popull u fshi”.

    Duke akuzuar Izraelin për përdorimin e luftës për të “testuar armë të reja, mbikëqyrje të personalizuar, dronë vdekjeprurës (dhe) sisteme radari”, Albanese paralajmëroi se pambrojtja e Palestinës e ka bërë atë “një laborator ideal për kompleksin ushtarako-industrial izraelit”.

    Ajo emëroi 48 aktorë korporata, përfshirë prodhues armësh, banka, kompani teknologjike, gjigantë të energjisë dhe institucione akademike, duke pohuar se ata janë të lidhur drejtpërdrejt me një “ekonomi pushtimi” më të gjerë që mbështet veprimet e shtetit izraelit.

    “Armët dhe sistemet e të dhënave brutalizojnë dhe mbikëqyrin palestinezët”, tha ajo.

    “Kolonitë përhapen, të financuara nga bankat dhe siguruesit, të mundësuara nga lëndët djegëse fosile dhe të normalizuara nga platformat turistike, zinxhirët e supermarketeve dhe institucionet akademike”, theksoi Albanese.

    Sipas ligjit ndërkombëtar, tha ajo, edhe një lidhje minimale me këtë sistem mbart përgjegjësi të qartë.

    “Ekziston një përgjegjësi ‘prima facie’ mbi çdo shtet dhe entitet korporativ që të abstenojë plotësisht nga ose t’u japë fund marrëdhënieve me këtë ekonomi pushtimi.”

    Në një apel të drejtpërdrejtë drejtuar shteteve, Albanese bëri thirrje për hapa të guximshëm.

    “Shtetet anëtare duhet të vendosin embargo të plotë armësh ndaj Izraelit, të pezullojnë të gjitha marrëveshjet tregtare dhe marrëdhëniet e investimeve dhe të zbatojnë llogaridhënien, duke siguruar që entitetet korporative të përballen me pasoja ligjore për përfshirjen e tyre në shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar”, tha ajo.

    Albanese u bëri thirrje bizneseve të veprojnë, duke theksuar: “Subjektet korporative duhet të ndërpresin urgjentisht të gjitha aktivitetet e biznesit dhe të ndërpresin marrëdhëniet që kontribuojnë dhe që shkaktojnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime ndërkombëtare kundër popullit palestinez”.

    Ajo tha se nuk beson më se injoranca ose ideologjia janë shpjegime të mjaftueshme për mosveprimin global.

    “Përballë gjenocidit kaq të dukshëm, kaq të transmetuar drejtpërdrejt, këto shpjegime nuk janë të mjaftueshme”, deklaroi ajo.

    Albanese përfundoi me një thirrje që shoqëria civile të luajë rolin e saj, duke thënë: “Sindikatat, avokatët, grupet e shoqërisë civile dhe qytetarët e zakonshëm duhet të inkurajojnë ndryshime të tilla në sjellje nga ana e bizneseve dhe qeverive duke nxitur bojkote, shkëputje lidhjesh tregtare, sanksione dhe llogaridhënie. Ajo që vjen më pas varet nga të gjithë ne.”

  • Zjarr në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut

    Zjarr në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut

    Në një ndërtesë banimi në Mitrovicën e Veriut, rreth një ore më parë, ka shpërthyer një zjarr në një banesë në katin e parë.

    Njësia e zjarrfikësve arriti të lokalizojë zjarrin dhe të evakuojë banorët nga banesa si dhe nga ndërtesa, shkruan Kossev.

    Disa persona janë trajtuar për shkak të thithjes së tymit.

    Policia konfirmon se nuk ka të lënduar rëndë, dhe për momentin nuk dihet sa është dëmi material.

    Zjarrfikësit janë ende në vendngjarje dhe po kryejnë ajrosjen e ndërtesës.

  • Osmani pas takimit me Ministren e Mbrojtjes Backes: Luksemburgu, mbështetje e palëkundur për Kosovën

    Osmani pas takimit me Ministren e Mbrojtjes Backes: Luksemburgu, mbështetje e palëkundur për Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në një takim Ministren e Mbrojtjes të Luksemburgut, Yuriko Backes.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani shprehu kënaqësinë e veçantë për pritjen e ministres, duke theksuar se Luksemburgu është një partner dhe mbështetës i palëkundur i Kosovës.

    “Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sot në Kosovë Ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut, znj. Yuriko Backes. Luksemburgu ka qenë dhe mbetet partnere e rëndësishme dhe një mbështetëse e palëkundur e Republikës sonë, për çka jemi thellësisht mirënjohës”.

    “Kosova është e përkushtuar ta avancojë edhe më tej partneritetin tonë ndërshtetëror, duke hapur kapituj të rinj bashkëpunimi, përfshirë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në funksion të paqes, stabilitetit dhe mbrojtjes së përbashkët të vlerave euroatlantike”, shkroi Osmani.