ATV

Category: Lajme

  • “Lufta e tarifave” vazhdon “godet” edhe BRICS dhe aleatët e tij

    “Lufta e tarifave” vazhdon “godet” edhe BRICS dhe aleatët e tij

    NGA AKADEMIK, ANASTAS ANGJELI

    E menjëhershme, e vendosur dhe e drejtpërdrejt ishte kundërshtia dhe “goditja” që Presidenti Trump bëri ndaj Samitit të BRICS, mbajtur më 6 dhe 7 korrik 2025 në Rio de Janeiro dhe deklaratës së këtij samiti. Ai theksoi se vendet që përkrahnin dhe mbështesnin BRICS do të ndëshkoheshin me një tarifë shtesë prej 10%. Duket se “lufta e tarifave” si një instrument i diplomacisë ekonomike të Presidentit Trump nuk ndalet. Por ajo nuk është thjeshtë një luftë ekonomike si pjesë e diplomacisë ekonomike të Presidentit Trump. Në brendësi ajo është edhe parimore e politikës. Ajo i bashkohet gjithë qëndrimit të Presidentit Trump në politikën e tarifave (Ultimatumit për hyrjen në fuqi të tarifave të shpallura më 1 gusht të këtij viti) dhe në këtë rast, edhe qëndrimeve antiperëndimore, përfshirë edhe deklaratën përfundimtare të Samitit të Rio de Janerios, të mbajtur ditët e fundit.

    “LUFTA E TARIFAVE” VAZHDON

    “Lufta e tarifave”, e shpallur nga Presidenti Trump, që nga hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë vazhdon. Periudha e deritanishme është shoqëruar me negociata me të gjitha vendet e listës së shpallur nga Presidenti Trump dhe vetëm pak ditë më parë me shpalljen e fundit dhe me ultimatumin e dhënë prej tij, që më 1 gusht 2025, tarifat do të hynë në fuqi (në zbatim) e duket se kjo “luftë” po shkon drejt objektivit. Po cilat janë zhvillimet e fundit për politikën e tarifave të Presidentit Trump?

    Së pari, Presidenti Trump shpall tarifat e reja prej 35% për importet nga Kanadaja dhe partnerët e tjerë tregtarë për të cilët ka në plan të vendosë tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% për shumicën e partnerëve të tjerë tregtarë. Në një letër që ka publikuar në platformën sociale “Truth Social”, Trump i drejtohet Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, duke deklaruar se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe mund të rriten nëse Kanadaja vendos masa hakmarrëse. “Pas vendosjes së tarifave nga Kanadaja, që nuk ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, ne do të aplikojmë një tarifë prej 35% për produktet kanadeze që dërgohen në SHBA, pa marrë parasysh tarifat sektoriale”, – shkruan Trump në letrën e tij. Ai gjithashtu thekson se tarifat mund të rriten ose ulen në varësi të marrëdhënieve të SHBAve me Kanadanë. Se partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-ve, që nuk kanë marrë ende letra tregtare, ose nuk kanë arritur marrëveshje-korniza, do të mbajnë një tarifë të përgjithshme,20 ose 15 %. Presidenti amerikan theksoi se këto tarifa do të shtohen në ato ekzistuese për disa sektorë, përfshirë çelikun, aluminin dhe automjetet, që janë aktualisht me një tarifë prej 25%.

    Së dyti, rreth 20 vende kanë marrë një letër të ngjashme që nga fillimi i javës, me 25% tarifa doganore të aplikuara për produktet nga aleatë si Japonia dhe Koreja e Jugut dhe deri në 40% për disa vende të Azisë Juglindore.

    Së treti, Trump ka deklaruar gjithashtu në një intervistë për NBC edhe synimin për të vendosur tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% për shumicën e partnerëve tregtarë. “Do të themi thjesht që të gjitha vendet e mbetura, ato që nuk kanë marrë letrën për tarifat, do të paguajnë, qoftë 15% apo 20%”.

    Së katërti, duket se negociatat me vendet e BE-së janë drejt arritjes së kompromisit. Për shumicën e mallrave, me disa përjashtime, Presidenti Trump ka përgatitur një letër për Brukselin pas së cilës do të ketë një vendim final. “Do të doja ta bëja sot”, (letrën) ka thënë Presidenti amerikan. “Po flas me BE-në, duhet t’ia dërgojmë gjatë orëve në vijim”.

    Njoftimet për tarifat e reja doganore kanë shënuar zhvillimin më të fundit në një javë të trazuar, ku Trump ka ashpërsuar luftën tregtare globale, duke kërcënuar me tarifa mbi më shumë se 20 vende, përveç vendosjes së pritshme të një tarife 50% për bakrin dhe disa produkte farmaceutike. Presidenti ka përmendur mungesën e një reagimi të madh negativ nga tregjet financiare, pasi pikërisht të enjten, ditën e letrës për Kanadanë, aksionet amerikane mbyllën në nivelet më të larta historike. “Besoj se tarifat janë pritur shumë mirë. Tregu i aksioneve ka shënuar një rekord të ri sot”, – ka deklaruar Trump për NBC.

    Së pesti, marrëveshja me Britaninë e Madhe është arritur si preferenciale, ndërsa negociatat me Kinën janë bërë publike herë pas here.

    Së gjashti, por ka qenë Brazili, (vend anëtar i BRICS) i cili deri tani nuk ishte goditur nga taksa shtesë më të larta se 10%, ai që ka parë rritjen më të madhe të tarifave doganore të aplikuara për produktet e tij, me Presidentin amerikan që ka njoftuar një tarifë 50% në përgjigje të akuzave ndaj ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i akuzuar për përpjekje për grusht shteti pas humbjes ndaj Presidentit Lula dhe njëherësh, në kuadër të politikës tarifore të Presidentit Trump, erdhi dhe reagimi i fortë i tij ndaj vendeve që deklarohen në mbështetje të deklaratës së Samitit të 15 –të në Rio de Janerio, të vendeve të BRICS, duke deklaruar se ato do tarifohen me një taksë shtese 10%. Por çfarë ishte ky samit i radhës i BRICS dhe çfarë përmban deklarata përfundimtare e tij?

    SAMITI I BRICS NË RIO DE JANERIO DHE DEKLARATA PËRFUNDIMTARE

    Edhe pse dy presidentët e vendeve me kryesore të BRICS, Presidenti i Kinës, Xi Jinping (që nuk mori pjesë dhe sipas reporterëve për të mbajtur “distanca strategjike” konfuciane gur themeli i sjelljes së tij politike) dhe Presidenti Rus, Putin (për shkak të urdhër-arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë (ICC) për krime lufte të dyshuara të kryera në Ukrainë) nuk morën pjesë në këtë samit që i zhvilloi punimet në Brazil, në atdheun e Karnavalit më të famshëm në botë, të dërguarit e tyre, Kryeministri Kinez Li Qiang dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tentuan t’i jepnin tonin samitit për arritjen e një deklarate në fund të tij. Deklarata përfundimtare e samitit të BRICS, mbajtur më 6 dhe 7 korrik 2025 në Rio de Janeiro, përbën një dokument politik të ngarkuar me simbolikë dhe ambicie gjeopolitike, i cili shpreh përpjekjen kolektive të vendeve të grupit për të sfiduar arkitekturën ekzistuese të rendit ndërkombëtar dhe për të artikuluar një vizion alternativ për politikën globale. Në thelb, kjo deklaratë është një përzierje e kujdesshme ndërmjet retorikës diplomatike dhe sfidës së drejtpërdrejtë ndaj sistemit që mbështetet mbi dominimin e Perëndimit në ekonominë, politikën dhe sigurinë ndërkombëtare.

    Deklarata është e ndërtuar rreth katër boshtesh themelorë:

    1-Mbështetja për një multilateralizëm të reformuar.

    2-Kritikë e hapur ndaj hegjemonisë ekonomike dhe sanksioneve të njëanshme.

    3-Pozicionimi i matur përballë konflikteve ndërkombëtare.

    4-Përpjekjet për të krijuar një rend alternativ të drejtësisë klimatike dhe financiare.

    Në nivel retorik, deklarata thekson domosdoshmërinë e një bote të bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në respektin për sovranitetin dhe në zbatimin universal të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, kjo gjuhë nuk është neutrale: në të vërtetë, ajo përbën një kritikë të tërthortë ndaj Perëndimit dhe veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat BRICS i akuzon për përdorim të njëanshëm të sanksioneve ekonomike, ndërhyrje jashtë mandatit të OKBsë dhe mbështetje të padrejtë për aleatët e tyre strategjikë. Fjalitë që dënojnë “masat e njëanshme me efekt ekstraterritorial” nuk janë vetëm qëndrime ideologjike, por pjesë e një narrative më të gjerë që përpiqet të denoncojë asimetrinë e rregullave globale dhe të sfidojë dominimin e dollarit amerikan dhe të institucioneve të kontrolluara nga vendet perëndimore.

    Një pjesë qendrore e dokumentit është kërkesa për reformë të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, FMN-së dhe Bankës Botërore. Për BRICS, këto institucione nuk reflektojnë më realitetet globale dhe janë të strukturuara në mënyrë që privilegjojnë një grusht vendesh, duke përjashtuar zërin dhe ndikimin e pjesës më të madhe të njerëzimit. Prandaj deklarata kërkon rishikimin e sistemit të kuotave dhe të drejtave të votës në këto organizata, duke theksuar se një rend ndërkombëtar i drejtë nuk mund të ndërtohet mbi trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore, por mbi dinamikat e tanishme të pushtetit dhe përfaqësimit. Në këtë frymë, BRICS propozon atë që konsideron si demokratizimin e qeverisjes globale si një projekt që nuk është thjesht i dobishëm, por i domosdoshëm për stabilitetin dhe paqen afatgjatë.

    Gjithashtu, në mënyrë të kujdesshme, deklarata i adreson edhe konfliktet ndërkombëtare, por pa marrë pozicione të drejtpërdrejta kundër vendeve të veçanta. Ajo dënon sulmet ndaj Iranit dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake në Gaza, duke mbështetur një zgjidhje me dy shtete për çështjen palestineze dhe duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Megjithatë, në asnjë moment nuk përmenden me emër aktorët e këtyre konflikteve, si Izraeli apo Shtetet e Bashkuara, çka tregon për një ekuilibër të ndjeshëm brenda BRICS, ku interesat dhe orientimet strategjike të anëtarëve shpesh janë të ndryshme. Për shembull, ndërsa Irani apo Egjipti mund të kërkonin një gjuhë më të ashpër, vende si India apo Brazili, të cilat ruajnë marrëdhënie strategjike me Perëndimin, kanë kërkuar formulime më të moderuara. Kjo e bën deklaratën një produkt diplomatik të negociuar me kujdes, që synon ruajtjen e unitetit brenda grupit duke artikuluar gjithsesi qëndrime të qarta dhe të pozicionuara kundër logjikës së ndërhyrjes së njëanshme dhe të standardeve të dyfishta në politikën ndërkombëtare.

    Një nga pjesët më të artikuluara të deklaratës, si edhe herë të tjera, është zotimi për të rritur përdorimin e monedhave kombëtare në tregtinë dypalëshe dhe shumëpalëshe, një hap që BRICS e paraqet si strategji për të reduktuar varësinë nga dollari dhe për të ndërtuar një sistem financiar alternativ. Edhe pse pa propozime konkrete për krijimin e një monedhe të përbashkët, siç është përfolur më herët, kjo linjë retorike i shërben ndërtimit të një identiteti ekonomik të pavarur dhe kultivimit të një arkitekture paralele pagesash, huadhënieje dhe investimesh, që nuk kalon përmes rrjeteve të kontrolluara nga Perëndimi. Përdorimi i gjuhës si “pagese të sigurta, të përballueshme dhe të qëndrueshme” është një aluzion i drejtpërdrejtë për nevojën për të shkëputur transaksionet ndërkombëtare nga dominimi i sistemit SWIFT, i cili është përdorur më parë si instrument politik për përjashtimin e vendeve si Rusia apo Irani nga tregjet globale. Në këtë kuadër, ajo çka ra në sy në këtë deklaratë është nisma për krijimin e një fondi të ri ndërkombëtar për pyjet tropikale, i quajtur “Tropical Forests Forever Facility”, i cili do të mbështetet fillimisht nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Ky propozim nuk është thjesht një gjest simbolik, por një përpjekje konkrete për të pozicionuar BRICS si një aktor të rëndësishëm në tranzicionin drejt drejtësisë klimatike, në një moment kur vendet e pasura janë kritikuar për premtime të pambajtura dhe mungesë të solidaritetit financiar me vendet e varfra. Në këtë mënyrë, BRICS përpiqet të fitojë legjitimitet moral dhe të paraqitet si një alternativë jo vetëm politike dhe ekonomike, por edhe etike në përballje me sfidat globale. Megjithëse deklarata përfundimtare përpiqet të projektojë një unitet strategjik dhe një vizion të përbashkët, tensionet e brendshme nuk janë të fshehta. Mungesa fizike e Presidentit kinez Xi Jinping dhe pjesëmarrja virtuale e Vladimir Putinit janë shenja të qarta të ndryshimeve të brendshme në prioritetet politike të disa prej anëtarëve më të fuqishëm të grupit. Po ashtu, hyrja e vendeve të reja si Indonezia, me orientime të ndryshme politike dhe interesa rajonale specifike, mund të çojë në një diversifikim të mëtejshëm të agjendës së BRICS, duke e bërë më të vështirë formulimin e pozicioneve të përbashkëta në të ardhmen. Ndërkohë, sfidat nga jashtë, përfshirë “goditja” e Presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve të BRICS në rast se ato ndjekin politika “antiamerikane”, e shtojnë edhe më shumë presionin mbi këtë bllok për të treguar kohezion dhe efikasitet. Në fund të fundit, deklarata përfundimtare e samitit të BRICS 2025 nuk është thjesht një akt burokratik diplomatik, por një dokument i pozicionimit strategjik të një bote në tranzicion. Ajo nuk përfaqëson ende një alternativë të plotë ndaj rendit liberal ndërkombëtar, por dëshmon qartë se lojtarët e rinj në skenën globale nuk janë më të kënaqur me rolin e spektatorëve. Përmes një gjuhe të kujdesshme, por të qëndrueshme, BRICS kërkon të rishkruajë rregullat e lojës dhe të ndërtojë një rrjet të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare që, sipas tyre, reflekton realitetin e shekullit XXI dhe jo kufizimet e trashëguara nga e kaluara.

    Duket se që nga forumi i kaluar i BRICS, edhe në këtë samit, forumi ka përjetuar njëfarë pasigurie të brendshme edhe për shkak të disa vendeve të shtuara së fundmi si Arabia Saudite. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezia. Turqia ende mungon, por ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim.

    Shkurtimisht, konkluzioni i shumicës së analistëve para dhe pas samitit është se Samiti i Brazilit ishte një samit i dobësuar nga mungesa e dy prej fuqive të saj të mëdha. Xi Jinping shkoi në Brazil vitin e kaluar për samitin e G20 dhe kjo është hera e parë që ai ka braktisur BRICS. Sipas shumë autorëve, mungesa e tij do të sugjeronte një lloj shpërndarjeje të objektivave fillestarë. Edhe pse nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze u dha lajmi se Kina mbështet Brazilin në organizimin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Belem (COP30) më vonë këtë vit.

    *Autori, ish-ministër i Financave

  • Sindikata ngre alarm: Shkollat do të mbesin pa mësimdhënës

    Sindikata ngre alarm: Shkollat do të mbesin pa mësimdhënës

    Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, ka ngritur shqetësimin për largimin e mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat e Kosovës, duke theksuar se emigrimi drejt vendeve evropiane po ndodh për shkak të kushteve më të mira të jetesës dhe pagesave më të larta.

    Shala tha se shkollat rrezikojnë të mbesin pa staf arsimor dhe pa nxënës nëse trendi aktual vazhdon.

    “Shumë shqetësuese janë informacionet që po i marrim nga terreni për largimin e nxënësve nga shkollat e Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe për largimin e mësimdhënësve nga shkollat e Kosovës. Shumica prej tyre po emigrojnë nëpër Evropë, ngase atje po gjejnë kushte më të mira për jetesë dhe pagesa më të mira për mësimdhënësit. Është shqetësuese një gjë e tillë, ngase shkollat e Kosovës po boshatisen si nga nxënësit ashtu edhe nga mësimdhënësit. Thjesht, mësimdhënësve po u duhet të mësojnë gjuhën e shtetit ku emigrojnë, pasi përvojën e punës tashmë e kanë. Është shqetësuese, sepse në një të ardhme, nëse vazhdon një ikje e tillë, shkollat tona do të mbesin edhe pa mësimdhënës. Duke analizuar edhe gjendjen politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kjo po shkakton pasiguri si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit”, tha Shala tha për EO.

    Ajo kritikoi institucionet shtetërore për moskrijimin e kushteve të duhura në arsim dhe për vonesat në funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

    “Duke mos pasur siguri në shkollat tona, duke pasur parasysh kushtet e punës dhe pagesat, atje (në vendet evropiane) po gjejnë pagesë më të mirë dhe vlerësim më të mirë. Në të njëjtën kohë, edhe nxënësit me familjet e tyre natyrisht po ikin, ngase po gjejnë kushte më të mira në vende të ndryshme të Evropës”, shtoi ajo.

  • Situata me zjarre në Shqipëri, 5 vatra janë ende aktive

    Situata me zjarre në Shqipëri, 5 vatra janë ende aktive

    Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri në Shqipëri, 5 nga të cilat janë ende aktive.

    Ministria e Mbrojtjes raporton se këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec e Korçë, shkruan Tch.

    Aktualisht mbeten aktive vatrat:

    “Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 38 automjete zjarrfikëse dhe 459 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 90 efektivë dhe 3 helikopterë.
    Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

    Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera. Nё disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), Kukës (Jugperëndim), dhe Korçë (Veri).

    “I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë. Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.

    Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina dhe shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.

    Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Vetëm me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve mund të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrojmë natyrën dhe komunitetet tona”, njofton ministria.

  • Ekzekutohet publikisht burri i dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze në Iran

    Ekzekutohet publikisht burri i dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze në Iran

    Gjyqësori iranian ekzekutoi sot një burrë të dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze të re në Iranin veriperëndimor.

    Sipas prokurorit të provincës së Azerbajxhanit Perëndimor, Naser Atambati, ekzekutimi u krye në agim dhe në publik, “me kërkesë të familjes së viktimës dhe qytetarëve, për shkak të ndikimit të fortë emocional që çështja pati në shoqërinë lokale”.

    Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje rreth moshës së vajzës, as profilit të autorit të krimit apo kohës së saktë të krimit.

    Gjyqi filloi në janar, me të pandehurin të dënuar me vdekje në mars. Gjykata Supreme e Iranit e la në fuqi dënimin pasi u paraqit një apel.

    Në Iran, krime të tilla si vrasja dhe përdhunimi dënohen me vdekje. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut si Amnesty International, vendi renditet i dyti në botë për sa i përket ekzekutimeve, pas Kinës. Ekzekutimet publike në Iran zakonisht kryhen në agim, me varje.

  • Osmani: Aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara

    Osmani: Aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara

    Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një deklaratë pas takimit me ambasadoren amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Dorothy Shea, ku ka theksuar rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Osmani ka shprehur mirënjohjen për riafirmimin e SHBA-ve se Kosova mbetet një partner i ngushtë strategjik dhe se Shtetet e Bashkuara janë fuqimisht të angazhuara për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ajo gjithashtu theksoi se në takim janë diskutuar hapat për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy shteteve.

    “Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-ve dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara. 🇽🇰🇺🇸

    Ndër të tjera, dje në New York, në takim me të ngarkuarën me punë të Misionit të SHBA-ve në OKB, Ambasadoren Dorothy Shea, diskutuam edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

  • ShBA-ja vendos sanksione ndaj liderëve të Kubës

    ShBA-ja vendos sanksione ndaj liderëve të Kubës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio mori dje vendimin për kufizime udhëtimi ndaj presidentit kuban, Miguel Díaz-Canel lidhur me rolin e tij në shtypjen e protestave masive në vitin 2021.

    Rubio tha se ”SHBA po kufizon vizat për figurat kryesore të regjimit kuban, presidentin Díaz-Canel, ministrin e Forcave të Armatosura Revolucionare, Alvaro López Miera, ministrin e Brendshëm, Lazaro Álvarez Casas dhe të afërmit e tyre lidhur me përfshirjen  e tyre  në brutalitetin e regjimit kuban ndaj popullit të Kubës”.

    Këto sanksione do të prekin edhe familjarët e afërt të këtyre liderëve.

    “Departamenti i Shtetit gjithashtu shtoi ndërtesën e kontrolluar nga regjimi ‘Torre K’ në listën e kufizimeve për Kubën, për të penguar që dollarët amerikanë të financojnë shtypjen nga regjimi kuban”, shkroi Rubio në një postim në platformën X.

    “Ndërkohë që populli kuban vuan nga mungesa e ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike, regjimi shpërdoron paratë për të pasuruar njerëzit e vet të brendshëm”, shtoi Rubio.

    Ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodríguez reagoi në X, duke thënë se “SHBA ka kapacitetin të vendosë sanksione udhëtimi kundër liderëve revolucionarë dhe të zhvillojë një luftë të gjatë dhe të pamëshirshme ekonomike kundër Kubë, por nuk ka kapacitetin të thyejë vullnetin e këtij populli apo të drejtuesve të tij”.

  • Policia shqipton afro 3 mijë tiketa trafiku për 24 orë

    Policia shqipton afro 3 mijë tiketa trafiku për 24 orë

    Gjatë 24 orëve në gjithë territorin e Kosovës janë shqiptuar afro 3 mijë tiketa.

    Policia e Kosovës njofton se shqiptoi saktësisht 2724 tiketa.

    Gjatë kësaj kohe, u shënuan 27 aksidente trafiku me të lënduar dhe 49 aksidente me dëme material.

    Ndërkaq, bëhet e ditur se gjatë 24 orëve arrestuan 20 persona.

  • Osmani e thotë sërish: Trumpi e ka parandaluar eskalimin e Serbisë në kufirin me Kosovën

    Osmani e thotë sërish: Trumpi e ka parandaluar eskalimin e Serbisë në kufirin me Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar rolin e presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Gjatë një diskutimi në Hudson Institute në SHBA, Osmani deklaroi sërishe ishte vetë Trump ai që u përfshi personalisht për të ndalur tensionet në atë kohë, duke treguar angazhimin e tij për paqen në rajon.

    “Siç e ka thënë Presidenti Trump, ai e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Por, ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi, që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes”, ka thënë Osmani.

    Në të njëjtin diskutim, ajo theksoi rëndësinë jetike të rolit të Shteteve të Bashkuara në ruajtjen e paqes globale, duke përmendur shembullin e luftës në Ukrainë si një dëshmi për nevojën e një angazhimi të vazhdueshëm ndërkombëtar.

    “Sepse paqja, siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Është diçka që duhet mbrojtur vazhdimisht, duhet kultivuar vazhdimisht. Dhe roli i Shteteve të Bashkuara në këtë përpjekje është thelbësor. Është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm”, është shprehur Osmani.

  • Zelensky e konfirmon: ShBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake në Ukrainë

    Zelensky e konfirmon: ShBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake në Ukrainë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar zyrtarisht dërgesat ushtarake për Kievin, pas një ndërprerjeje të shkurtër që ndodhi javën e kaluar.

    Lajmi është bërë publik të premten, ndërsa ai ka njoftuar se në ditët në vijim do të intensifikohen kontaktet me përfaqësuesit amerikanë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Në një adresim për publikun, Zelensky ka treguar se Ukraina ka marrë sinjale të qarta nga SHBA dhe aleatët perëndimorë për rifillimin e ndihmës ushtarake dhe përkushtimin e tyre ndaj forcimit të kapaciteteve të ushtrisë ukrainase.

    “Jemi duke punuar aktualisht me partnerët për furnizime të reja, rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë dhe mbështetje më të mirë për ushtrinë tonë”, ka thënë Zelensky.

    Ai gjithashtu ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohen takime në nivel të lartë me përfaqësuesin e posaçëm të SHBA-së, Keith Kellogg, për të koordinuar më tej ndihmën ushtarake amerikane.

    “Javën e ardhshme, do të vazhdojmë të punojmë me palën amerikane në nivel ushtarak, po ashtu jemi duke u përgatitur për pakot e reja të mbrojtjes nga Evropa”, ka shtuar ai.

  • Sot mbahet protestë paqësore para stacionit policor në Lipjan, kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun

    Sot mbahet protestë paqësore para stacionit policor në Lipjan, kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun

    Sot me fillim në ora 11:00, para stacionit policor në Lipjan do të mbahet protesta paqësore me moton “Drejtësi për Agonin”.

    Kjo protestë organizohet nga familjarët dhe miqtë e Agon Zejnullahut.

    Në orët e para të 7 korrikut, 27-vjeçari Agon Zejnullahu vdiq në rrethana ende të paqarta në qytetin e Lipjanit.

    Lidhur me vdekjen e tij, janë arrestuar dhe ndaluar pesë zyrtarë policorë, ndaj të cilëve peshon vepra penale, ‘vrasje nga pakujdesia.