ATV

Category: Lajme

  • Vdes një foshnje 9-muajshe në QKUK

    Vdes një foshnje 9-muajshe në QKUK

    Një foshnje 9-muajshe ka vdekur të premten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas policisë, foshnja më 29 qershor ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal Prizren, derisa u transferua në QKUK, ku dhe vdiq gjatë ditës së djeshme.

    “Me datë 29.06.2025 në Emergjencën e Spitalit Rajonal Prizren, ishte sjell një fëmijë 9 muajsh. Me datë 11.07.2025  viktima (fëmijë)  kishte ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Arrestohen dy persona për vjedhje të pyllit në Prishtinë

    Arrestohen dy persona për vjedhje të pyllit në Prishtinë

    Tre persona janë arrestuar në fshatin Milefc të Prishtinës nën dyshimin se kanë dëmtuar rrethojën.

    Policia e Kosovës në raportin 24-orësh njofton se njëri prej të dyshuarve pas arrestimit është liruar.

    Kurse, të arrestuarve i janë konfiskuar dy motosharra.

    “Fsh. Milefc, Prishtinë 11.07.2025-16:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë në vazhdimësi kanë prerë dru dhe ia kanë dëmtuar rrethojën. Të dyshuarit janë arrestuar dhe nga ata janë konfiskuar dy motosharra, pas intervistimit njëri i dyshuar i mitur është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje”, njofton PK.

  • Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën, pritet të takohet me Kurtin dhe liderë të partive

    Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën, pritet të takohet me Kurtin dhe liderë të partive

    Ndihmës Sekretari i Shtetit, Brendan Hanrahan, pritet të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të një vizite zyrtare në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, diplomati amerikan do të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të partive opozitare.

    Ndërkohë, me presidenten Vjosa Osmani ai është takuar më herët në Washington, gjatë vizitës zyrtare të saj në Shtetet e Bashkuara.

    Hanrahan njoftoi për turneun diplomatik përmes një postimi në platformën X, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për rajonin: “Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Washington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon”, ka shkruar ai.

    Nga ana tjetër, presidentja Osmani ka bërë të ditur se takimi me Hanrahan është zhvilluar në ambientet e Departamentit të Shtetit në Washington D.C., ku është theksuar rëndësia e thellimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve:

    “Në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., takova Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, me të cilin ritheksuam përkushtimin tonë për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë,”, ka shkruar Osmani.

    “Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim,” ka shtuar ajo.

    Ndërkohë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten tha se shkak të një udhëtimi urgjent që do ta ketë ditën e dielë, nuk do të mund ta takojë zyrtarin e lartë amerikan, por se LDK-në tha se do ta përfaqësojë në takim nënkryetarja, njëherit deputetja Hykmete Bajrami.

    “Kam deleguar deputeten Hykmete Bajrami për shkak të një takimi urgjent që do ta kem ditën e diel, deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së do të jetë në atë takim, ne do të flasim për pozicionin tonë politik, për 15 pikat e qeverisë së unitetit, dhe njëra prej atyre pikave ka qenë partneriteti afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është një takim njoftues në këtë fazë”, ka thënë ai.

  • Seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, më 14 korrik

    Seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, më 14 korrik

    Seanca e radhës ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, do të mbahet të hënën. Caktimi i seancën vjen pas përfundimit të ekzaminimit psikiatrik të Murselit.

    Seanca pritet të mbahet të hënën (14 korrik), në ora 09:00.

    Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. është caktuar të mbahet me datë 14 korrik 2025, në ora 09.00. Për njoftimin tuaj në seancën e shqyrtimit gjyqësor do të informoheni me gjitha detajet, të cilat kanë të bëjnë me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

  • Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate, njëra ndër arsyet edhe mos regjistrimi i bizneseve

    Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate, njëra ndër arsyet edhe mos regjistrimi i bizneseve

    Në një aksion të gjerë inspektimi të realizuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, janë mbyllur 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate.

    Gjatë këtij inspektimi janë kontrolluar 114 subjekte ekonomike, përkatësisht 67 qendra masazhi dhe 47 lokale me muzikë nate.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë mbylljen e përkohshme të 30 operatorëve ekonomikë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës për shkak të mos regjistrimit të bizneseve dhe mungesës së pëlqimit ose aktvendimit për plotësimin e kushteve teknike minimale.

    Për operatorët që kanë shkelur ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Gruda: LVV-ja po manipulon me Ligjin për Amnistinë

    Gruda: LVV-ja po manipulon me Ligjin për Amnistinë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mashtrim publik lidhur me interpretimin e Ligjit për Amnistinë të miratuar në vitin 2013.

    Ai reagoi pas deklaratave të deputetëve të Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu dhe Artan Abrashi, të cilët thanë se me këtë ligj janë falur edhe vepra penale të rënda, përfshirë ato që lidhen me vrasje.

    Sipas Grudës, një pretendim i tillë është tërësisht i pavërtetë dhe bie ndesh me përmbajtjen e vetë ligjit. Ai tha se Neni 4 i Ligjit e përcakton qartë se nga amnistia përjashtohen veprat që kanë rezultuar me vdekje apo lëndime të rënda trupore.

    Deputeti i PDK-së i ka ftuar qytetarët dhe opinionin publik që të lexojnë vetë tekstin e ligjit për të kuptuar realitetin, duke e cilësuar retorikën e Lëvizjes Vetëvendosje si manipulim të qëllimshëm për përfitime politike.

  • OKB: Rreth 800 persona u vranë duke pritur për ndihmat humanitare në Gazë

    OKB: Rreth 800 persona u vranë duke pritur për ndihmat humanitare në Gazë

    Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OHCHR) ka njoftuar se deri më 7 korrik janë regjistruar 798 viktima si pasojë e ngjarjeve që ndodhen afër pikave të shpërndarjes së ndihmave të administruara nga Fondi Humanitar i Gazës (FHG), si dhe pranë autokolonave humanitare të drejtuara nga grupe të tjera të ndihmës.

    Fondi Humanitar i Gazës, i cili përdor kompani private të sigurisë dhe logjistikës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dërguar furnizime në Gaza, ka anashkaluar sistemin e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.

    Ky veprim, sipas zyrtarëve izraelitë, i ka mundësuar militantëve të Hamasit ta devijonin ndihmën që kishte si qëllim ndihmën humanitare.

    Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani, ka shprehur shqetësimin për këto incidente, duke theksuar se situata është e pasigurt dhe ka shkelje të parimeve humanitare.

    “Deri më 7 korrik, kemi regjistruar 798 viktima, përfshirë 615 në afërsi të pikave të Fondacionit Humanitar të Gazës, dhe 183 të dyshuar që ndodhen në rrugën e autokolonave të ndihmës”, ka thënë zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani, për gazetarët në Gjenevë.

  • Osmani: Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë

    Osmani: Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë

    Shefja e shtetit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke theksuar se Kosova e ndjen thellësisht dhimbjen dhe e ndan angazhimin për drejtësi me viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj tragjedie.

    Në një postim në rrjetet sociale, Osmani kujtoi mizoritë që ndodhën në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra e djem boshnjakë.

    “8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi i Millosheviqit. Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë. Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

    Në fund të mesazhit të saj, presidentja shton: “Le të mos harrojmë kurrë, le të mos heshtim kurrë.”

  • Fillon greva e punëtorëve të sigurimit në QKUK

    Fillon greva e punëtorëve të sigurimit në QKUK

    Ka filluar sot greva e paralajmëruar e punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas dështimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së kontratave të ndërprera për rreth 300 punëtorë.

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka konfirmuar se greva do të vazhdojë pa afat, pasi sipas tij janë shterur të gjitha mundësitë për dialog me institucionet përgjegjëse.

    Ai ka theksuar se nuk do të ketë kthim prapa pa një zgjidhje konkrete për punëtorët e prekur.

  • Ngërçi politik, shoqëria civile me protestë para Kuvendit

    Ngërçi politik, shoqëria civile me protestë para Kuvendit

    Paralelisht me tentimin e 45-të për konstituimin e legjislaturës së re, aktivistë të shoqërisë civile protestuan para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar marrëveshje politike dhe zhbllokim të institucioneve.

    Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe drejtuar deputetëve si “S’ka pushime pa arritë marrëveshje” dhe “Deputet, kom votu për ty, jo për shefin tënd”, duke kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit e zgjedhur.

    Pavarësisht kësaj thirrjeje publike, edhe tentimi i 45-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të dështoi, pasi partitë e ish-opozitës nuk e përkrahën propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e një komisioni, që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.