ATV

Category: Lajme

  • Skënder Zogaj rrëfen takimet me Adem Jasharin: “Kam pirë kafe me të së paku 30 herë”

    Skënder Zogaj rrëfen takimet me Adem Jasharin: “Kam pirë kafe me të së paku 30 herë”

    Skënder Zogaj është poet, publicist dhe veprimtar nga Kosova, i njohur për kontributin e tij në letërsinë shqipe dhe për angazhimin në jetën politike e kulturore të vendit. Ai ka lënë gjurmë të thella në fushat e artit, publicistikës dhe politikës.

    Së fundmi, Zogaj ishte i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e tij personale, krijimtarinë letrare dhe përvojat gjatë viteve të veprimtarisë politike.

    Gjatë bisedës, ai ndau kujtime të rralla për takimet me komandantin Adem Jashari, të cilin e kishte njohur nga afër.

    “Kam pirë kafe me të së paku 30 herë… Ka qenë shumë i thjeshtë, kemi pirë kafe, kemi ndejt, kemi biseduar, po diapazoni i tij, zgjedhja e tij ka qenë për gjithçka në jetë me eksplodu, po e zëmë bash për luftën… që ka me vdek në luftë, ka qenë njëfarë parandjenje te unë. Ai ka pasë sakrificë në shpirt dhe aty dilemë nuk ka pasë,” u shpreh Zogaj.

    Vlen të theksohet se që nga demonstratat e vitit 1968, Skënder Zogaj ka qenë aktiv në lëvizjet politike djathtiste. Ai është një nga veteranët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe themeluesi dhe kryetari i parë i degës së kësaj partie në Fushë Kosovë. Përveç angazhimit politik, Zogaj ka një krijimtari të pasur letrare, me mbi 20 vepra të botuara në poezi, kritikë letrare e televizive dhe analiza publicistike.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Skënder Zogaj, klikoni linkun e mëposhtëm:

     

  • Elon Musk ndan hartën e natalitetit në Evropë, Kosova me normën më të lartë të lindshmërisë

    Elon Musk ndan hartën e natalitetit në Evropë, Kosova me normën më të lartë të lindshmërisë

    Miliarderi Elon Musk ka ndarë në rrjetin social X një hartë që tregon gjendjen e natalitetit në Evropë, ku Kosova shfaqet me ngjyrë të gjelbër, duke reflektuar një nga normat më të larta të lindshmërisë në kontinent.

    Sipas hartës, Kosova ka një normë të pritshme lindshmërie prej 1.9 fëmijëve për familje, ndërsa pjesa tjetër e Evropës ka norma të ndryshme, ku me shumicën e shteteve të shënuara me ngjyrë në “të kuqe” që tregojnë norma të ulëta të lindshmërisë.

    Ukraina ka një normë alarmante prej vetëm 1.0, ndërsa shtetet perëndimore si Franca kanë një normë prej 1.63.

    Krahas Kosovës, edhe Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu kanë norma të larta të lindshmërisë.

  • Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

    Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

    \Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.Gj., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, me datë 31 janar 2022 në Prizren, në kohë të pavërtetuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar – në cilësinë e mjekut pranë repartit të Gjinekologjisë – Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore vetes dhe personit tjetër dhe që t’i shkaktojë dëm pasuror personit tjetër, vepron në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që refuzon ta pranojë kërkesën e pacientes G.B., ta kryejë lindjen me operim pranë Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, “me arsyetimin se pranë Repartit të Gjinekologjisë Obstetrike kishte pasur pacientë të infektuar me Covid-19 dhe i rekomandon të njëjtës dhe bashkëshortit të saj, J.B., që lindjen me operim ta kryejnë në njërën prej klinikave private me seli në Prishtinë, në të cilën klinikë i pandehuri edhe është i angazhuar si mjek, pavarësisht se të gjitha kontrollet paraprake mjekësore pacientja në fjalë në vazhdimësi i ka kryer në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, nën kujdesin e të pandehurit si dhe në klinikën private të tij në Prizren, me ç’rast e njëjta detyrohet që lindjen ta kryejë pranë klinikës private në Prishtinë, të cilin operim e kryen vetë i pandehuri, duke i shkaktuar kështu dëm material të dëmtuarve G.B., dhe J.B., në shumën prej 1,500.00 € (njëmijë e pesëqind euro)”.

    Sipas njoftimit, me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

  • Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën

    Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme për rolin e pretenduar të presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës nga Serbia në Kosovë.

    Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.

    “Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.

    Ditëve të fundit, ajo foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

    Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

    Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

    Kjo deklaratë shkaktoi kritika nga Richard Grenell, i dërguari i Trumpit për misione speciale.

    Ai e akuzoi Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.

    “Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.

    Çfarë tha Trump?
    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

    Pastaj, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

    “Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi”, tha Trump, duke shtuar se kërcënimi për pezullimin e tregtisë kishte funksionuar në parandalimin e saj.

    Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

    Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.

    Pyetjeve të REL-it se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, nuk iu përgjigj as Qeveria në detyrë e Kosovës e as Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme.

    I pyetur nga gazetarët për këtë çështje më 15 korrik, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha shkurtimisht: “Ne jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjatë gjithë historisë së Republikës së Kosovës”.

    Përshkallëzimi i fundit i madh në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.

    Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia – një akuzë që Beogradi e mohoi.

    Pas komenteve të Grenellit, ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për shtyp, pasi të kthehet nga udhëtimi.

    Duke folur në Rigë, Osmani po ashtu tha se ndikimi i Rusisë në Kosovë “është zero”.

    “Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për shtetin tonë fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet nën ndikimin e Rusisë – qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes këtij ndikimi në Serbi, Rusia përpiqet të shkaktojë pasoja destabilizuese edhe më gjerë në rajon, sepse sa më shumë të destabilizohet Evropa, aq më shumë u shërben interesave të Rusisë”, tha Osmani.

    Ajo theksoi se Kosova do të punojë ngushtë me aleatët në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përmes masave të frenimit dhe parandalimit, me qëllim që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të cilat kryhen përmes Serbisë, të mos ketë sukses./REL

  • 17 të plagosur nga sulmet ukrainase në Rusi

    17 të plagosur nga sulmet ukrainase në Rusi

    Të paktën 17 persona janë plagosur dhe disa ndërtesa janë dëmtuar si pasojë e sulmeve ajrore me dronë të Ukrainës ndaj rajoneve ruse të Voronezhit dhe Lipetskut, kanë njoftuar autoritetet ruse të martën.

    Sipas guvernatorit Alexander Gusev, 12 dronë janë shkatërruar mbi rajonin e Voronezhit, ndërsa 16 persona, përfshirë një adoleshent, kanë mbetur të plagosur. Dëmet kanë përfshirë banesa dhe objekte tregtare.

    Në Lipetsk, guvernatori Igor Artamonov raportoi se një person u plagos kur disa dronë ranë në një zonë industriale.

    Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se rreth 55 dronë ukrainas janë shkatërruar brenda natës në pesë rajone të Rusisë dhe në Detin e Zi. Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar për këto sulme.

  • KQZ-ja në pritje të kandidaturave për zgjedhjet lokale, vetëm LDK-ja ka dorëzuar listën

    KQZ-ja në pritje të kandidaturave për zgjedhjet lokale, vetëm LDK-ja ka dorëzuar listën

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se shumica e subjekteve politike nuk e kanë dorëzuar ende listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Ky proces përfshin certifikimin për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

    Ai thotë se, afati për aplikim online ka nisur më 26 qershor dhe përfundon më 13 gusht 2025.

  • Dështon për të 47-n herë seanca për konstituimin e Kuvendit

    Dështon për të 47-n herë seanca për konstituimin e Kuvendit

    Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

    Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

    Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

    Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

    Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

    Në seancën e 15 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

    Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.

  • Haxhiu thotë se do të ketë takim mes Kurtit e Limajt: Ka vullnet nga të dy palët për bashkëpunim

    Haxhiu thotë se do të ketë takim mes Kurtit e Limajt: Ka vullnet nga të dy palët për bashkëpunim

    Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë vullnet për bashkëpunim me Nisma Socialdemokrate.

    Haxhiu duke hyrë në objektin e Kuvendit para nisjes së seancës konstituive për herë të 47-të, tha se kryetari i LVV-së, Albin Kurti do të ketë takim me liderin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj për të konkretizuar vullnetin në marrëveshje politike, mirëpo që sipas saj deri tani s’ka asgjë të veçantë.

    Duke folur për seancën e sotme, ajo u shpreh skeptike për zgjedhjen e trupave të kuvendit.

    “Nuk besoj se do të ketë ndryshim as sot. Kemi përcjellë edhe qëndrimet e subjekteve opozitare nuk është se ata kanë ndryshuar…Ne kemi një afat të caktuar nga Gjykata Kushtetuese që është 26 korriku dhe shpresojmë që deri atëherë të ketë reflektim dhe ët gjithë deputetët të kryejnë detyrën kushtetuese…Natyrisht se do të ketë takime me zotëri Limaj nga kryeministri Kurti. Tashmë e kemi bërë të qartë se kemi vullnet nga dy palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që nuk ka asgjë konkrete”, tha ajo.

    Sot, vazhdon seanca konstituive për herë të 47-të.

  • Presidentja Osmani në Letoni: Forcim i marrëdhënieve bilaterale dhe mirënjohje për kontributin në KFOR

    Presidentja Osmani në Letoni: Forcim i marrëdhënieve bilaterale dhe mirënjohje për kontributin në KFOR

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë pune në Republikën e Letonisë, me ftesë të Presidentit leton, Edgars Rinkēvičs.

    Gjatë kësaj vizite njëditore, Presidentja Osmani është pritur me nderime të larta nga Presidenti Rinkēvičs, me të cilin ka zhvilluar një takim bilateral dhe një takim pune me delegacionet përkatëse të të dyja shteteve.

    Pas takimeve, dy presidentët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë ndaj Kosovës. Me këtë rast, ajo i dorëzoi Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it.

    “Faleminderit Presidentit Rinkēvičs dhe Republikës së Letonisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës!”, deklaroi Presidentja Osmani në fund të vizitës.

    Në kuadër të qëndrimit në Riga, Presidentja Osmani vizitoi gjithashtu Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku u informua për aktivitetet e kësaj qendre që luan rol të rëndësishëm në luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e sigurisë kibernetike. Ajo zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë dhe mori pjesë në një diskutim me ekspertë dhe akademikë mbi politikat për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

    Kjo vizitë vjen në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetet partnere, thellimin e bashkëpunimit në fusha si politika e jashtme, mbrojtja, siguria, ekonomia dhe integrimi euroatlantik, si dhe shkëmbimin e përvojave për forcimin e institucioneve demokratike.

  • Trump: Jam i zhgënjyer me Putinin, por nuk kam mbaruar me të, paralajmëron tarifa ndaj Rusisë nëse nuk ka armëpushim

    Trump: Jam i zhgënjyer me Putinin, por nuk kam mbaruar me të, paralajmëron tarifa ndaj Rusisë nëse nuk ka armëpushim

    Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i zhgënjyer me presidentin rus Vladimir Putin, por nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me të.

    Në një intervistë për BBC, ai tha se “nuk i beson askujt”, dhe se do të vazhdojë komunikimin me liderin rus.

    Trump foli disa orë pasi njoftoi dërgimin e armëve në Ukrainë dhe paralajmëroi tarifa të reja ndaj Rusisë, nëse nuk arrihet armëpushim brenda 50 ditësh. Ai ritheksoi mbështetjen për NATO-n dhe parimin e mbrojtjes kolektive.

    Lidhur me atentatin ndaj tij, Trump tha se nuk dëshiron të mendojë nëse kjo ngjarje e ka ndryshuar, por pranoi se mund të jetë një “ndryshim jete”. Ai shtoi se dikur kishte besuar në një marrëveshje të afërt me Rusinë, por që veprimet e fundit të Putinit e kanë zhgënjyer.