ATV

Category: Lajme

  • Ramadan Morinës i caktohet një muaj paraburgim për krime lufte

    Ramadan Morinës i caktohet një muaj paraburgim për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ramadan Morinës, i cili dyshohet për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

    Morina dyshohet se në periudhën 29–31 mars 1999, në bashkëkryerje me forcat policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës.

  • Situata me zjarre në Kamenicë shqetësuese, kryetari bën thirrje për kujdes maksimal

    Situata me zjarre në Kamenicë shqetësuese, kryetari bën thirrje për kujdes maksimal

    Gjendja me zjarre në Komunën e Kamenicës vazhdon të jetë shqetësuese, ka thënë kryetari Kadri Rahimaj.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe t’i shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr.

    “Kryetari u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe t’u shmangen veprimeve që mund të shkaktojnë zjarr. Ai po ashtu u kujtoi pronarëve të pronave private se ndezja e zjarreve është e ndaluar dhe paraqet rrezik serioz për jetën dhe mjedisin”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës.

    Rahimaj ka postuar edhe foto të zjarreve në Kamenicë, ku ka ndërhyrë edhe KFOR-i.

    “Pavarësisht lodhjes dhe faktit që nuk kanë pasur asnjë ditë pushimi, zjarrfikësit po japin maksimumin për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin. Qendra e Zjarrfikësve është në koordinim të plotë me Agjencinë për Menaxhim Emergjent, si dhe me ekipet profesionale të KFOR-it, për të garantuar ndërhyrje sa më efikase në çdo vatër,” tha Rahimaj.

  • Reuters publikon pamje të përleshjeve në Serbi: Protestat e përshkallëzuara e kanë tronditur popullaritetin e Vuçiqit

    Reuters publikon pamje të përleshjeve në Serbi: Protestat e përshkallëzuara e kanë tronditur popullaritetin e Vuçiqit

    Mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet hodhën fishekzjarrë dhe kapsolla ndaj protestuesve kundër qeverisë në Novi Sad të mërkurën në mbrëmje, duke e detyruar policinë të ndërhyjë për t’i dhënë fund përplasjes, në një përshkallëzim të madh të protestave që po zgjasin prej nëntë muajsh në Serbi, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

    Protestat e përditshme në mbarë vendin, pas vdekjes së 16 personave të cilët humbën jetën kur çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar në Novi Sad u shemb në nëntor të vitit të kaluar, e kanë tronditur popullaritetin e presidentit populist Aleksandar Vuçiq dhe të SNS-së, shkruan Reuters.

    Në një konferencë shtypi vonë të mërkurën, Vuçiq, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Ivica Daçiq, tha se 16 oficerë policie dhe rreth 60 mbështetës të SNS-së janë plagosur në Novi Sad. Ai gjithashtu akuzoi fuqi të paidentifikuara të huaja për organizimin e trazirave dhe premtoi arrestime.

    “Personat që e kanë shkelur ligjin do të ndalohen… Sonte kemi shmangur një skenar katastrofik të planifikuar nga dikush nga jashtë”, tha ai.

    Reuters thotë se nuk mundi t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Vuçiqit.

    Pamjet e publikuara nga televizioni privat N1 treguan fishekzjarrë dhe kapsolla të hedhura drejt protestuesve në Novi Sad nga drejtimi i zyrave të SNS-së. Po ashtu, treguan protestues kundër qeverisë, disa me fytyra të gjakosura, të cilët thoshin se përkrahësit e Vuçiqit i kishin sulmuar me shkopinj dhe shufra gome.

    Lëvizja opozitare “Levizja-Ndryshimi” tha se besnikët e Vuçiqit janë përgjegjës për përplasjet.

    “Sulmet ndaj njerëzve me pajisje piroteknike shkelin të drejtën e tyre për jetë dhe për protestë”, thuhej në një deklaratë të saj.

    Në kryeqytetin Beograd, policia me pajisje të plota antitrazirë bllokoi protestuesit kundër qeverisë që të mos afrohen në një zonë në një park pranë ndërtesës së parlamentit, ku përkrahësit e Vuçiqit janë kampuar që nga marsi.

    Në një zonë tjetër të Beogradit, protestuesit kundër qeverisë u përplasën me policinë që i pengoi ata të afroheshin te zyrat lokale të SNS-së.

    Protestuesit kanë fajësuar korrupsionin për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, me shpresën për ta larguar Vuçiçin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vjetësh.

    Studentët, opozita dhe organizatat kundër korrupsionit e kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj rivalëve dhe kufizim të lirive të medias, gjë që ata e mohojnë.

    Të mërkurën në mbrëmje, studentët që po udhëheqin protestat u bënë thirrje përkrahësve që të protestojnë para zyrave të SNS-së në qytetet kryesore të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevcin, Cacakun dhe Nishin, pas plagosjes së disa protestuesve në përplasjet me SNS-në në qytetin e Vrbasit të martën në mbrëmje.

  • Situata me zjarret në Shqipëri, Rama: Është përmirësuar falë sakrificave e mundimeve

    Situata me zjarret në Shqipëri, Rama: Është përmirësuar falë sakrificave e mundimeve

    Kryeministri Edi Rama, ka folur rreth situatës me zjarret me të cilat po ballafaqohet Shqipëria, këtyre ditëve.

    Rama theksoi gatishmërinë e strukturave dhe përkushtimin e njerëzve në terren.

    Derisa, shprehu edhe shqetësimin për rrezikun e vazhdueshëm dhe për sjelljen sipërfaqësore të disa zërave publikë.

    Ai tha se ndonëse situata është e përmirësuar falë “mundimeve dhe sakrificave”, rreziqet dhe të papriturat mbeten të pranishme në çdo moment.

    Shefi i qeverisë shqiptare, i falënderoi të gjithë ata që janë në shërbim të përballimit të flakëve, por nuk i kurseu tonet e ashpra ndaj atyre që, sipas tij, “krehin veten para pasqyrave mediatike”.

    “Dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast, me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, deklaroi Rama

  • Qetësohet situata në fshatrat e Gramshit, banorët po kthehen në shtëpi

    Qetësohet situata në fshatrat e Gramshit, banorët po kthehen në shtëpi

    Paraqitet më e qetë situata këtë mëngjes në fshatrat e Gramshit të cilët prej tre ditësh janë përfshirë nga flakët.

    Ulja e temperaturave, ulja e intensitetit të erës, por dhe puna e qindra ekipeve të terrenit kanë bërë që sot situata të jetë më e qetë. Ka ende vatra aktive në fshatrat e Skënderbegasit dhe Kodovjatit, por ato po mbahen nën monitorim nga autoritetet dhe po punohet për fikjen e tyre.

    Kanë filluar ndërkohë të kthehen në banesat e tyre banorët, pasi rrugët janë të hapura dhe nuk përbën rrezik.

    Më vonë ekipet do të kthehen në fshatra për evidentimin e dëmeve dhe do të kemi një statistikë paraprake.

    Paralelisht po punohet për groposjen e bagëtive të djegura për evitimin e çdo epidemie të mundshme.

    Kujtojmë se 3 njësi administrative në Gramsh u përfshinë nga flakët. Në Skëndërbegas u dogjën 7 fshatra, u prek nga zjarri fshati i 8, Narta, por fatmirësisht autoritetet arritën ta shpëtojnë këtë fshat.

    Zjarri në Gramsh shënoi dhe viktimën e parë në vend, një 80 vjeçar i cili dyshohet të jetë dhe autori i këtij zjarri.

  • Të paktën 22 të vdekur pas fundosjes së dy anijeve me migrantë në Itali

    Të paktën 22 të vdekur pas fundosjes së dy anijeve me migrantë në Itali

    Të paktën 22 migrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së dy anijeve në Mesdhe të mërkurën, ndërsa rreth 60 persona janë shpëtuar dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Anijet ishin nisur nga Zavija dhe Tripoli në Libi.

    Kryqi i Kuq raportoi se 56 burra dhe 4 gra kanë mbijetuar, por numri i personave në të dy anijet nuk është ende i qartë. Sipas mediave italiane, disa migrantë u zhvendosën nga një anije në tjetrën, e cila u mbingarkua dhe u fundos.

    ANSA njoftoi se ndër të parët që u dërguan në morgun e Lampedusës ishin trupa të një të sapolinduri, tre fëmijëve dhe disa të rriturve. Zëdhënësi i UNHCR-së, Filippo Ungaro, njoftoi se 20 trupa janë gjetur dhe po aq persona janë ende të zhdukur.

    Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, konfirmoi se ngjarja ndodhi 14 milje larg Lampedusës dhe theksoi nevojën për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme detare. Ky vit ka regjistruar deri tani 675 viktima mes migrantëve në tentativë për të kaluar Mesdheun, ndërsa 38.263 kanë mbërritur në brigjet italiane.

    Qeveria italiane ka bashkëpunuar me vendet e Afrikës së Veriut për të ndaluar nisjen e migrantëve drejt Italisë, duke ofruar fonde dhe trajnime.

  • I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

    I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

    I dyshuari për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, me inicialet R.M sot ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ai u arrestua ditë më parë në Prishtinë nga Policia e Kosovës.

    Ai dyshohet për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës, më 1999.

    “R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, tha Prokuroria më herët, ndërsa theksoi se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

    Seanca mbahet e mbyllur për media.

  • CNN: Trump u tha liderëve europianë se s’negocion për territorin ukrainas

    CNN: Trump u tha liderëve europianë se s’negocion për territorin ukrainas

    Liderët europianë i bënë thirrje presidentit amerikan Donald Trump të mërkurën të mos arrijë një marrëveshje të njëanshme paqeje për Ukrainën me homologun e tij rus Vladimir Putin gjatë takimit të tyre kokë më kokë më vonë këtë javë në Alaskë.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte thirrur samitin virtual me Trumpin, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa liderë europianë, pasi u shtua frika se Putin, ish-spiun i KGB-së, do të kërkonte ta bindte presidentin amerikan ta shihte luftën sipas kushteve të tij.

    Pas takimit, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Trump ishte “shumë i qartë” se Washingtoni dëshiron ta arrijë një armëpushim dhe se çështjet territoriale të Ukrainës nuk mund të negociohen pa Zelenskyn.

    Trump, i cili e përshkroi telefonatën si “shumë të mirë”, u tha gazetarëve se nëse takimi i tij me Putin shkon mirë, një takim pasues midis presidentit rus dhe Zelenskyt mund të ndodhë “pothuajse menjëherë” më pas.

    “Ka një mundësi shumë të mirë që të kemi një takim të dytë i cili do të jetë më produktiv se i pari. Sepse i pari është: unë do të zbuloj se ku jemi, çfarë po bëjmë”, tha Trump gjatë një paraqitjeje në Qendrën Kennedy.

    Dy diplomatë europianë të njohur me takimin virtual i thanë CNN-it se gjatë bisedës, Trump dukej se tha se do të shtynte për një armëpushim pa kushte në takimin e tij me Putin.

    Trump tha se besonte se një armëpushim do të ishte një shenjë e vullnetit të mirë nga Rusia, dhe gjithashtu tha se territori ukrainas nuk është për t’u negociuar prej tij, thanë burimet.

    Liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Finlandës, NATO-s dhe Bashkimit Europian kanë marrë pjesë në takimin virtual me Trumpin. Ai u pasua nga një takim tjetër më i madh i “Koalicionit të të Gatshmëve”, ku mori pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance.

    Pas takimeve, Zelensky tha se liderët ranë dakord për “pesë parime të përbashkëta” për ta përcaktuar “formatin e negociatave” që do të mbahen në Alaskë, duke përfshirë fokusin në një armëpushim dhe garanci sigurie “me të vërtetë të besueshme”.

    “Gjithçka që ka të bëjë me Ukrainën duhet të diskutohet ekskluzivisht me Ukrainën. Duhet të përgatisim një format trepalësh për bisedime. Duhet të ketë një armëpushim – kjo është numër një”.

  • Arrestohet 54-vjeçari që shtiu me armë në një aheng familjar në Lipjan

    Arrestohet 54-vjeçari që shtiu me armë në një aheng familjar në Lipjan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 54-vjeçar me inicialet R.B., i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në fshatin Medvec të Lipjanit.

    Sipas njoftimit për media, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe po hetohet për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Policia ka theksuar se përdorimi i armëve në ndeja dhe ahengje familjare vazhdon të jetë një shqetësim serioz për sigurinë publike.

    Për këtë arsye, u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin veprime të tilla, për të ruajtur sigurinë e tyre dhe të të tjerëve dhe për të kaluar festat pa incidente.

    “Në të kundërtën, Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa konform obligimeve ligjore që ka,” thuhet në fund të njoftimit.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin që u kap me mbi 4 kilogramë kokainë

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin që u kap me mbi 4 kilogramë kokainë

    Një muaj paraburgim i është caktuar edhe 31-vjeçarit H.K i cili ditën e djeshme u kap me mbi 4 kilogramë kokainë.

    Ai dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve”.

    Gjatë kontrollit në dy lokacione në Prizren dje sekuestroi 4 kilogramë e 440 gramë kokainë, me vlerë të përafërt prej 300 mijë euro.

    Gjatë operacionit u konfiskuan gjithashtu peshore elektronike, para të gatshme dhe pajisje të tjera.