ATV

Category: Lajme

  • Spanja po lufton me 14 zjarre të mëdha në “kushte të pafavorshme”

    Spanja po lufton me 14 zjarre të mëdha në “kushte të pafavorshme”

    Spanja është duke u përballur me 14 zjarre të mëdha dhe autoritetet paralajmëruan të premten se “kushte të pafavorshme” po e bëjnë më të vështirë luftimin tyre.

    Si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën shtatë njerëz këtë muaj në Spanjë.

    Vala e të nxehtit, që ka zgjatur 12 ditë, dhe erërat nga jugu, e kanë bërë edhe më sfiduese punën e zjarrfikësve në një nga verat më të vështira për zjarret në 20 vjetët e fundit, tha Virginia Barcones, drejtoreshë e përgjithshme e shërbimeve të emergjencës.

    “Në pjesën perëndimore të vendit, situata është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Barcones për RTVE.

    Në Galicia, disa vatra zjarri u bashkuan duke formuar një zjarr edhe më të madh, i cili detyroi mbylljen e rrugëve dhe shërbimeve hekurudhore drejt rajonit. Zjarret në provincën Ourense në Galicia u përhapën deri në provincën fqinje Zamora.

    Derisa shumë banorë u evakuuan, disa qëndruan për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre.

    Agjencia kombëtare e motit AEMET paralajmëroi për rrezik ekstrem zjarri në veri dhe perëndim të vendit, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius në bregun verior.

    “Sot do të jetë një tjetër ditë shumë e vështirë, me rrezik ekstrem për zjarre të reja”, shkroi në X kryeministri Pedro Sanchez.

    Një zjarr pranë Molezuelas de la Carballeda në rajonin Castile dhe Leon, që është një nga më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës, nuk kishte avancuar që nga e enjtja, tha Angel Sanchez, kreu i shërbimit të zjarreve pyjore në rajon.

    “Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta vënë nën kontroll atë”, shtoi ai.

    Kushtet po shkaktojnë përhapjen e zjarreve me shpejtësi të tillë, sa që zjarrfikësit mund të humbasin kontrollin brenda pak kohësh.

    Dy persona u arrestuan në Costa da Morte në Galicia për shkaktim të zjarreve, pasi dogjën jashtëligjshëm kabllo bakri për të nxjerrë metalin dhe për ta shitur, sipas Ministrisë së Brendshme.

    Zjarret këtë vit kanë djegur mbi 157.000 hektarë, pothuajse dyfishin e mesatares vjetore që nga viti 2006, sipas Shërbimit të Informacionit mbi Zjarret Pyjore të Bashkimit Evropian./REL

  • Daçiq: Mes të ndaluarve gjatë protestave në Serbi ka qytetarë të Kroacisë dhe Sllovenisë

    Daçiq: Mes të ndaluarve gjatë protestave në Serbi ka qytetarë të Kroacisë dhe Sllovenisë

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se 114 njerëz janë arrestuar pas incidenteve në protesta në të gjithë Serbinë, në mesin e tyre tre shtetas të huaj, nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia.

    “Çfarë po bën një qytetar kroat në një protestë dhe duke sulmuar xhandarmërinë? Imagjinoni sikur një turmë serbe nga këtu të shkonte në Zagreb dhe ta sulmonte policinë e tyre”, tha Daçiq në një konferencë për media.

    Të enjten mbrëma, në Beograd dhe Novi Sad u shënuan sërish incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të thirrura nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.

    Daçiq tha se shtetasi slloven i ndaluar është me origjinë serbe dhe se ai “ka përfunduar studimet e inteligjencës në SHBA”.

    “Kaq për mungesën e përfshirjes së huaj”, shtoi ai, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Sipas ministrit, 75 oficerë policorë u plagosën gjatë trazirave të së enjtes në mbrëmje dhe deri më tani janë ngritur 34 kallëzime penale dhe janë shqiptuar 28 kundërvajtje.

    Ai shtoi se në tri ditët e mëparshme, 121 oficerë policorë u plagosën në incidente në protesta në të gjithë Serbinë, nëntë prej të cilëve rëndë.

    Për tri mbrëmje radhazi, protesta antiqeveritare janë organizuar në qytete anembanë Serbisë, gjatë të cilave paralelisht u mblodhën edhe mbështetës të Qeverisë.

    Gjatë këtyre tubimeve, të cilat u thirrën nga studentë dhe qytetarë që i mbështetën ata, shpërthyen disa incidente.

    Protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët kanë vazhduar në Serbi për më shumë se nëntë muaj, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor.

    Qeveria mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe refuzon të shpallë zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat e fundit të organizatorëve të protestave masive./REL

  • Prattipati pret në takim përfaqësues të Listës Serbe, thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës

    Prattipati pret në takim përfaqësues të Listës Serbe, thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës

    E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati ka vazhduar takimet me përfaqësues të partive politike të Kosovë.

    Ajo priti në një takim përfaqësuesit e Listës Serbe, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e gjerë nga të gjitha partitë është thelbësore për të siguruar që çdo komunitet të ketë një zë në të ardhmen e Kosovës.

    Në postimin e Ambasadës Amerikane në Facebook tutje thuhet se e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Prattipati po ashtu theksoi rëndësinë e komunitetit serb të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij për të marrë pjesë plotësisht në punën e institucioneve të Kosovës.

    “Vetëm përmes angazhimit aktiv mund të dëgjohen dhe adresohen zërat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

    Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

  • Apeli e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

    Apeli e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

    Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për ta hedhur poshtë vendimin e Themelores që nuk ua mundësoi lirimin e përkohshëm treshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kërkesa e tyre për t’u liruar përkohësisht pas përfundimit të rastit të Prokurorisë së Specializuar ishte hedhur poshtë nga Themelorja më 13 maj 2025, ndërkaq Veseli, Selimi dhe Krasniqi e apeluan vendimin dhe hoqën dorë përkohësisht nga e drejta për rishikim të çdo-dy-muajshëm të paraburgimit deri në vendimin e ri.

    Hashim Thaçi nuk e pati dorëzuar fare një kërkesë të tillë për lirim të përkohshëm meqë ndaj tij po zhvillohet edhe një proces tjetër gjyqësor për tentim-pengimi të drejtësisë.

  • Urdhër-arrest ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e popullsisë nga Kosova

    Urdhër-arrest ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e popullsisë nga Kosova

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë ndaj 21 personave për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

    Ndaj të njëjtëve, prokurori special Atdhe Dema tha se është lëshuar edhe urdhër-arrest ndërkombëtar.

    Sipas provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, të pandehurit, të cilët janë në numër, kanë ushtruar kontroll dhe autoritet mbi forcat e armatosura në territoret përkatëse të Kosovës, duke përfshirë Ushtrinë e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Policinë e Serbisë.

  • Arrestime të reja të rivalëve kryesor të Erdoganit- Autoritetet turke arrestojnë kryetarin e një bashkie të Stambollit dhe 40 zyrtarë të tjerë

    Arrestime të reja të rivalëve kryesor të Erdoganit- Autoritetet turke arrestojnë kryetarin e një bashkie të Stambollit dhe 40 zyrtarë të tjerë

    Autoritetet turke i kanë arrestuar kryetarin e një bashkie të rëndësishme të Stambollit, së bashku me rreth 40 zyrtarë të tjerë, duke e zgjeruar fushatën kundër opozitës në vend. Inan Guney, kryetar i bashkisë së Beyoglut në Stamboll, u dërgua në paraburgim si pjesë e një hetimi për korrupsion.

    Sipas mediave turke, në mesin e të arrestuarve janë edhe truproja i Guney, këshilltari i tij dhe ndihmës të tjerë. Komuna e Beyoglut drejtohet nga partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP).

    Bashkitë nën kontrollin e CHP-së janë përballur me valë arrestimesh këtë vit, duke filluar me arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në muajin mars.

    Imamoglu, një figurë e njohur opozitare, shihet gjerësisht si sfiduesi kryesor ndaj sundimit dydekadësh të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe është kandidati i CHP-së për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

    Kritikët thonë se veprimet ligjore janë të motivuara politikisht dhe synojnë të minojnë ndikimin gjithnjë në rritje të CHP-së.

    Mirëpo, Qeveria e Erdoganit këmbëngul se gjykatat funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

  • Takimi i shumëpritur Trump – Putin, temë qendrore do të jetë mbarimi i luftës në Ukrainë

    Takimi i shumëpritur Trump – Putin, temë qendrore do të jetë mbarimi i luftës në Ukrainë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen sot në samitin historik që zhvillohet në Alaska, ku temë qendrore do të jetë mbarimi i luftës në Ukrainë.

    Trumpi ka thënë një ditë më parë se Putini “nuk do të luajë me mua” gjatë takimit të tyre të parë ballë për ballë pas më shumë se gjashtë vitesh.

    Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është përjashtuar në mënyrë të dukshme nga bisedimet, teksa ka paralajmëruar se vendimet e marra në mungesë të tij do të jenë të pavlera.

    Deri para samitit, Trumpi dhe Putini kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, gjersa i dërguari posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, ka vizituar Moskën të paktën tri herë.

    Vendimi për t’u takuar me Putinin, pasqyron besimin e presidentit Trump se raporti i tij me liderin rus do të garantojë një marrëveshje të qëndrueshme të paqes.

  • Protestohet në Gjilan pas vrasjes së trefishtë – Tahiri:  Adresa para se cilës duhet të protestohet është Lëvizja Vetëvendosje

    Protestohet në Gjilan pas vrasjes së trefishtë – Tahiri: Adresa para se cilës duhet të protestohet është Lëvizja Vetëvendosje

    Sot në qytetin e Gjilanit është organizuar një protestë qytetare para objektit të Gjykatës Themelore, në shenjë reagimi ndaj vrasjeve të fundit që kanë tronditur qytetin.

    Ngjarja e rëndë që ndodhi para pesë ditësh, ku një fajdexhi dyshohet se vrau tre persona, ka nxitur reagime të ashpra si nga qytetarët ashtu edhe nga përfaqësues të partive politike.

    Ndër reagimet më të ashpra ishte ai i deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se qytetarët me të drejtë kanë thirrur protestë, ndërsa akuzoi qeverinë në detyrë për heshtje dhe neglizhencë.

    “Pesë ditë heshtje nga Sveçla e Kurti për mos arrestimin e fajdexhiut që vrau tre qytetarë të pafajshëm! Jo vetëm heshtje – por edhe mbrojtje të hapur. Në ditën e tragjedisë, në vend që qyteti të ‘blindohej’ në çdo hyrje e dalje derisa autori të kapej, atij iu hap rruga për t’u arratisur. Adresa para së cilës duhet të protestohet është Lëvizja Vetëvendosje – aty buron krimi dhe tmerri që po e terrorizon Gjilanin,” ka shkruar Tahiri.

    Protesta në Gjilan vjen si shenjë pakënaqësie për mungesën e reagimit institucional dhe kërkon drejtësi për viktimat e rastit të rëndë.

    LEXONI EDHE:

    Prokuroria e Gjilanit: Nga viti 2000 janë iniciuar 5 raste penale ndaj Mefail Shkodrës

  • Vjedhje e rëndë në Klinë, hajnat vjedhin shumë të madhe parash e stoli ari në vlerë rreth 19 mijë euro

    Vjedhje e rëndë në Klinë, hajnat vjedhin shumë të madhe parash e stoli ari në vlerë rreth 19 mijë euro

    Një vjedhje e rëndë është raportuar në Klinë.

    Sipas Policisë, hajnat kanë hyrë në një shtëpi ku kanë vjedhur para të gatshme 4000 Franga Zvicerane, 250 paund Britanik, 50 kruna Norvegjeze, si dhe stoli të ndryshme ari në vlerë rreth 19 mijë euro.

    Policia tha se rasti është nën hetim.

  • Prokuroria e Gjilanit: Nga viti 2000 janë iniciuar 5 raste penale ndaj Mefail Shkodrës

    Prokuroria e Gjilanit: Nga viti 2000 janë iniciuar 5 raste penale ndaj Mefail Shkodrës

    Mefail Shkodra, një prej tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Gjilan, ka pasur pesë raste penale të paraqitura në Prokurorinë Themelore në Gjilan, katër prej të cilave raste janë ngrehur aktakuza, njoftoi kjo prokurori.

    Prokuroria Themelore e Gjilanit ka dhënë sqarime lidhur me të kaluarën e Shkodrës, pasi për të ishte raportuar se ishte i njohur për vepra të shumta penale: Prishje e rendit dhe qetësisë publike, dy raste; fajde, tri raste; mashtrim, një rast; kërcënim, tri raste; shantazh, një rast; detyrim, dy raste; pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, një rast.

    Sa u përket të dyshuarve Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra, Prokuroria ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë rast të proceduar për ta në cilësinë e të dyshuarve.

    Ndërkaq, sonte nga ora 19:00 është paralajmëruar një protestë para Gjykatës Themelore në Gjilan, pikërisht për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

    Ndërkohë që të dyshuarit Mefail Shkodra, Engjull Shkodra dhe Edonis Shkodra vazhdojnë të jenë ende në arrati pasi dyshohen se vranë babë e bir, Selman e Edmond Hasani, së bashku me familjarin e tyre Abedin Hoxhën.