ATV

Category: Lajme

  • Dhunohet një e mitur në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Dhunohet një e mitur në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë seksuale ndaj një viktime femër.

    Ngjarja ka ndodhur më 14 gusht në komunën e Fushë Kosovës.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër.

    “Fushë Kosovë / 14.08.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, njofton PK.

  • Në shtator finalizohet plani për aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

    Në shtator finalizohet plani për aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

    Konkretizimi i bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është paralajmëruar të ndodhë në shtator, kur parashihet të finalizohet plani i zbatimit të deklaratës së firmosur më herët nga ministrat e mbrojtjes së të tria shteteve.

    Plani mes tjerash e përfshin edhe kontraktimin e armatimit, ku të tria shtetet synojnë ta bëjnë një porosi të vetme.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se kjo formë e kontraktimit e bën më të lehtë dhe me çmime të favorshme blerjen e armatimit.

    “Edhe këto aspektet e pajisjeve me armatim janë nga një shtet apo partneri ynë kryesor strategjik, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe qëllimi i përbashkët i tri shteteve, që pas miratimit, pra, sikur që thashë, nga 18 korriku kur ka hy në fazën operacionale nga grupi punues, që do të përcaktojë cilat do të jenë ato lloje të armatimit që do të kenë një porosi të përbashkët nga këto tri shtete. Edhe vetë ndërveprimi, edhe në aspektin e stërvitjeve të përbashkëta, në rritje të kapaciteteve, në edukim edhe deri në akademitë ushtarake të këtyre shteteve, të bëjnë edhe tipizimin, gjegjësisht standardizimin e armatimit. Pra, çdo herë nga shteti kryesor i NATO-s, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Ibishi. “Kur ka më tepër kërkesa për armatim, atëherë edhe çmimi është më i favorshëm, por ka procedura që duhen ndjekur dhe proces të miratimit në Administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

    Takimi i grupit zbatues

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, bëri të ditur para disa ditësh për Radion Evropa e Lirë se më 18 korrik, në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta detajuar planin e zbatimit të deklaratës. Udhëzuesi përfundimtar do t’u paraqitet për miratim tri ministrive në shtator.

    Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë për të cilën u zotuan ministrat e Mbrojtjes.

    Sipas Maqedoncit, synohet që të bëhet një porosi për blerje në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.

    “Për shembull, një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tria shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke e shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, ka thënë Maqedonci.

    Këto blerje parashihet të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që ta forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Tri shtetet janë zotuar ta rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive, përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, të angazhohen që t’i luftojnë kërcënimet hibride, si dhe t’i koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

    Marrëveshja, garanci për stabilitet në rajon

    Kjo marrëveshje e kishte nxitur reagimin e Serbisë, por nënshkruesit theksuan se bashkëpunimi nuk e kërcënon askënd, por është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon.

    Deklarata përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor.

    Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Bejtush Gashi, ka thënë se Marrëveshja e 18 marsit shërben si një përgjigje e sinkronizuar ndaj transformimeve të thella të mjedisit gjeostrategjik evropian pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake të Serbisë.

    Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, sipas Gashit, marrëveshja ofron një model funksional bashkëpunimi për vendet joanëtare të NATO-s, duke kontribuuar në stabilizimin e rajonit dhe reduktimin e hapësirës për tensione të sponsorizuara nga aktorë të jashtëm.

    “Për Kosovën, e cila ende nuk është anëtare e NATO-s, kjo iniciativë krijon një mekanizëm funksional të mbrojtjes kolektive joformale. Edhe pse nuk e zëvendëson Nenin 5 të Kartës së Atlantikut të Veriut, ajo është në përputhje me Nenin 4, i cili parasheh konsultime të menjëhershme mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj sigurisë, integritetit territorial apo pavarësisë politike. Duke qenë se dy nga tri shtetet (Shqipëria dhe Kroacia) janë anëtare të NATO-s, kjo aleancë e vendos Kosovën nën një ombrellë sigurie të përforcuar, me implikime direkte për krahun jugor të Aleancës”, ka thënë Gashi.

    Sipas tij, Marrëveshja adreson tri objektiva strategjike kryesore: rritjen e interoperabilitetit të forcave të armatosura përmes standardizimit të procedurave dhe trajnimeve të përbashkëta në përputhje me doktrinën e NATO-s; krijimin e një kapaciteti rajonal reagues ndaj krizave dhe kërcënimeve hibride; si dhe reduktimin e hendekut të armatimit ndaj shteteve me investime të përshpejtuara në mbrojtje, duke e garantuar balancën strategjike në Ballkan.

    “Deklarata e përbashkët parashikon shkëmbim të ekspertizës profesionale, zhvillim të trajnimeve individuale dhe kolektive, si dhe ngritje të kapaciteteve rezerviste, përfshirë përmirësimin e logjistikës, menaxhimin e operacioneve dhe sistemet e mbështetjes tekniko-ushtarake. Harmonizimi i procedurave komanduese, i kombinuar me ushtrime të tipit ‘joint-combined’, e rrit aftësinë për reagim të koordinuar në skenarë krize, përfshirë operacione paqeruajtëse, menaxhim emergjencash dhe misione të mbrojtjes kolektive”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ky proces e afron Kosovën me standardet ndërkombëtare të NATO-s dhe BE-së jo vetëm në nivel taktiko-operacional, por edhe në kornizën e planifikimit strategjik, doktrinës dhe ndërveprimit civil-ushtarak.

    “Praktikat e ngjashme të adoptuara nga vendet aspirante për NATO kanë treguar se stërvitjet e integruara dhe harmonizimi i procedurave komanduese e rrisin kapacitetin e njësive për të vepruar nën komandë të përbashkët, e përmirësojnë shkëmbimin e informacionit dhe e zvogëlojnë kohën e reagimit ndaj kërcënimeve hibride. Për Kosovën, ky bashkëpunim përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një kapaciteti mbrojtës kolektiv, duke e forcuar besueshmërinë e vendit si partner sigurie në rajon dhe kontribuuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

    Serbia është ajo që e kërcënon paqen

    Edhe Nureedin Ibishi i sheh të domosdoshme aleancat e tilla në kontekstin aktual gjeopolitik.

    “Po gjithsesi, mendoj që këto nuk janë ndonjë rrezik, flas për shtete që kanë aspekte paqësore sikur që tash po flasim për tri shtete, duke filluar nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, nuk kanë pretendime territoriale, as në të kaluarën, historikun e fundit, nuk kanë ndonjë agresion ndaj ndonjë shteti. Kanë çdo herë synimin edhe qëllimin mbrojtjen, sidomos Kosova çdo herë e ka aspektin defensiv apo mbrojtës. Vetë koncepti i doktrinës dhe strategjisë është i përkufizuar dhe i përcaktuar në mbrojtje”, ka potencuar Ibishi.

    Tek ka folur për reagimet në Serbi pas nënshkrimit të Deklaratës, Ibishi thotë se është pikërisht ajo që ka iniciuar në të kaluarën aleancë që paraqet edhe rrezik dhe i ka prishur marrëveshjet e paqes.

    “Po, Serbia ishte e para që prishi marrëveshjen e Dejtoni, atëherë kur s’përcaktuan kuota lidhur me numrin e ushtarëve, kapaciteteve njerëzore, armatimit, pra pas marrëveshjes apo përfundimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë me 1995. Ajo i tejkaloi duke iu referuar çështjeve që ajo thirret në neutralitet, ndërsa u armatos gjithandej. Ndërsa tash po e akuzon këtë aleancë e cila, siç dihet, ka qëllime mbrojtëse dhe të tria shtetet nuk kanë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti. Gjithashtu, në vitin 2023 Serbia arriti një marrëveshje të përbashkët në fushën e mbrojtjes me Republikën e Hungarisë”, ka thënë ai.

    Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon të anëtarësohet. Por, aktualisht, brenda kësaj organizate janë katër shtete që nuk ia njohin shtetësinë Kosovës.

    Deklarata e nënshkruar në Tiranë lë mundësinë që edhe vendet e tjera t’u bashkohen, teksa është bërë e ditur se ftesë ka marrë Bullgaria.

  • Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se ia vuri zjarrin një garazhe ku ishin dy vetura dhe disa mjete pune

    Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se ia vuri zjarrin një garazhe ku ishin dy vetura dhe disa mjete pune

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për një zjarr në fshatin Katund i Ri në Pejë më 14 gusht.

    Ai dyshohet se ia ka vënë zjarrin një garazhe ku ishin dy vetura dhe disa mjete pune.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë nё Pejë, Stacioni Policor në Pejё, me datën 14.08.2025, rreth orёs 05:20, ёshtё njoftuar pёr njё zjarr i cili ka ndodhur ne fshatin Katundi i ri-Pejё. Policia menjëherë i është përgjigjur rastit, dhe me tё arritur nё atё lokacion kanё vërejtur se ishte pёrfshirё nga flakёt njё garazhё, ku brenda saj kishte dy vetura me targa vendore dhe disa mjete tё punёs, janё njoftuar ekipi i zjarrfiksёve tё cilёt kanё dalur nё vendin e ngjrjёs, gjithashtu edhe eksperti i zjarreve. Pas njё pune intensive tё hetuesve tё Sektorit Rajonal pёr Hetime, sot me datё 14.08.2025, rreth orёs 10:00, ёshtё identifikuar dhe arrestuar i dyshuari i cili dyshohet se e ka kryer kёtё vepёr penale. Pas intervistimit nga hetuesit, nё prezencën e avokatit mbrojtёs i dyshuari, me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48- orё.”

  • Gjermania ndan 500 milionë dollarë për armë për Ukrainën, pjesë e nismës së re të NATO-s

    Gjermania ndan 500 milionë dollarë për armë për Ukrainën, pjesë e nismës së re të NATO-s

    Gjermania ka njoftuar një mbështetje të re ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 500 milionë dollarësh, në kuadër të nismës së re të NATO-s “Lista e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën” (PURL), raporton SkyNews.

    Ministria e Jashtme gjermane bëri të ditur se vendi është i përgatitur të financojë “një nga paketat e para gjithëpërfshirëse të mbështetjes” për Ukrainën, si pjesë e përkushtimit të saj të vazhdueshëm për mbrojtjen e këtij shteti që po përballet me agresionin rus.

    “Paketat e mbështetjes do të përfshijnë pajisje ushtarake që ose nuk prodhohen nga industria evropiane e mbrojtjes ose që mund të dorëzohen në shkallën e synuar më shpejt nga Shtetet e Bashkuara sesa nga partnerët evropianë ose Kanadaja,” thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme gjermane.

    Përfshirë në këto paketa janë edhe “aftësitë kritike të mbrojtjes ajrore”, theksoi ministria.

    Çfarë është PURL?

    Nisma PURL (Priority Ukraine Requirements List) është krijuar më 14 korrik si një mekanizëm i NATO-s për të përshpejtuar mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës. Ajo u mundëson aleatëve evropianë dhe Kanadasë që të kontribuojnë financiarisht për blerjen e armëve dhe pajisjeve në sasi të mëdha nga SHBA-të.

    Furnizimet më pas mblidhen nga NATO dhe dërgohen në Ukrainë përmes paketave të koordinuara.

    Kjo nismë u konfirmua pasi Donald Trump njoftoi se SHBA-të do të furnizonin Ukrainën me pajisje ushtarake dhe municione përmes NATO-s.

    Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Ukraina ka siguruar gjithashtu 1.5 miliardë dollarë armë amerikane të blera nga aleatët evropianë.

  • Aktakuzë ndaj dy personave, propaganduan ideologji ekstremiste fetare sipas metodave të ISIS-it

    Aktakuzë ndaj dy personave, propaganduan ideologji ekstremiste fetare sipas metodave të ISIS-it

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy aktakuza të ndara në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj M.M. dhe A.B., për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Të pandehurit M.M. dhe A.B., akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstremiste fetare, sipas metodave të propagandës së ISIS-it.

    Në njoftimin për media të Prokurorisë thuhet se M.M., ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, duke publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, foto dhe video të personave të radikalizuar dhe duke shfaqur në publik thirrje për ekstremizëm fetar.

    Ndërsa, A.B, akuzohet se ka bërë thirrje që të respektohen ligjet e “Sheriatit”, e të kundërshtohet sistemin demokratik, simbolet shtetërore dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, A.B, nga vitit 2019 e deri më 22.05.2025 përmes rrjetit social “Facebook”, në profilin e tij me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse, përmes së cilave ka bë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.

    “Prokuroria Speciale riafirmon përkushtimin e saj në ndjekjen dhe hetimin e këtyre veprave penale, të cilat cenojnë rëndë vlerat demokratike dhe bashkëjetesën mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Punëtorët e RTK-së që dy javë pa paga, AGK i bën thirrje Qeverisë për ndarjen e buxhetit

    Punëtorët e RTK-së që dy javë pa paga, AGK i bën thirrje Qeverisë për ndarjen e buxhetit

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar që 700 punëtorët e RTK-së vazhdojnë të mbesin pa pagë për muajin korrik.

    AGK-ja është e brengosur për mirëqenien ekonomike të gjithë kolegëve, që nuk janë paguar për punën e tyre, që vazhdojnë ta kryejnë edhe gjatë muajit gusht.

    AGK-ja e fton Menaxhmentin e RTK-së që të intensifikojë përpjekjet për të siguruar buxhetin, dhe të jetë transparent për veprimet e veta me të punësuarit e RTK-së.

    AGK-ja e sheh mosalokimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit për RTK-në, si formë të presionit të shtuar politik ndaj Transmetuesit Publik nga ana e Qeverisë në detyrë Kurti.

    Është koha e fundit që Qeveria të eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për të alokuar mjetet që i takojnë RTK-së.

    AGK-ja qëndron në solidaritet me kolegët e RTK-së dhe njeh punën e tyre të rëndësishme për informim në interes të publikut.

  • Serbia arreston dy persona, dyshon se me pjesëtarë të UÇK-së kidnapuan një serb në luftë

    Serbia arreston dy persona, dyshon se me pjesëtarë të UÇK-së kidnapuan një serb në luftë

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten se i ka ndaluar dy persona me inicialet X.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Në komunikatën e ministrisë nuk është përmendur nacionaliteti i të ndaluarve.

    Në të, autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që më 1999, të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

    Ministria serbe ka thënë se i ka ndaluar dy personat për 48 orë dhe më pas ata do të dalin para prokurorit të rastit.

    UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

    Më herët gjatë këtij muaji është ndaluar edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

    Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

  • Ukraina sulmon me dronë dy qytete ruse, raportohet për 16 të plagosur

    Ukraina sulmon me dronë dy qytete ruse, raportohet për 16 të plagosur

    Dronët ukrainas goditën dy qytete ruse të enjten dhe së paku 16 persona u lënduan, thanë autoritetet lokale, një ditë para një samiti mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë për luftën në Ukrainë.

    Trembëdhjetë persona u lënduan, dy prej tyre seriozisht, kur një dron goditi një objekt banimi në qytetin jugor rus, Rostov-on-Don, tha guvernatori rajonal në detyrë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Tre civilë u plagosën në qytetin Belgorod afër kufirit me Ukrainën, sipas guvernatorit të atij rajoni, i cili publikoi një video ku dukej se shfaqej një dron duke goditur një veturë në qendër të qytetit.

    Në një rast tjetër, kreu i rajonit Volgograd të Rusisë tha se mbetjet nga dronët ukrainas kishin shkaktuar një zjarr në një rafineri nafte.

    Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të takohen të premten në Alaskë, përderisa kreu i Shtëpisë së Bardhë po mundohet që ta sjellë fundin e luftës në Ukrainë.

    Ukraina ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të rajoneve lindore të saj, ndërsa Rusia ka thënë se kushtet e saj për ndaljen e luftimeve nuk kanë ndryshuar: tërheqja e forcave ukrainase nga katër rajonet lindore dhe heqja dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO.

  • Situatë e tensionuar në Gramsh: Riaktivizime dhe vatra të reja zjarri

    Situatë e tensionuar në Gramsh: Riaktivizime dhe vatra të reja zjarri

    Situata nga zjarret në bashkinë e Gramshit vijon të jetë e tensionuar, me vatra të reja që janë shfaqur gjatë ditës dhe riaktivizime të zjarreve ekzistuese në disa zona malore dhe pyjore të njësive administrative të bashkisë.

    Që në orët e para të mëngjesit, forcat zjarrfikëse kanë nisur punën për shuarjen e flakëve në fshatin Kullollas, Njësia Administrative Skënderbegas, ku një sipërfaqe e madhe pyjore është përfshirë nga zjarri.

    Aktualisht, zjarre aktive raportohen në fshatrat Sojnik, Mukaj dhe Snosëm, duke e mbajtur situatën në nivel alerti. Forcat operacionale në terren janë të shumta: 30 zjarrfikës me 11 automjete nga MZSH-të e Gramshit, Elbasanit, Cërrikut dhe Librazhdit; 60 punonjës të bashkisë; 80 vullnetarë dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse. Në operacion janë përfshirë gjithashtu dy helikopterë – një çek dhe një sllovak – të cilët po ndihmojnë nga ajri në zonat më të vështira.

    Një tjetër vatër e përmasave të mëdha është regjistruar në zonën e Kodovjatit, pranë fshatit Posnovisht, ku pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve në terren, zjarri është izoluar dhe po monitorohet gjatë natës.

    Ndërkohë, në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, në Njësinë Administrative Kukur, vazhdon djegia e një sipërfaqeje me shkurre dhe ferra. Fatmirësisht, nuk raportohet rrezik për banesat.

    Sot janë regjistruar gjithashtu vatra të reja zjarri përballë fshatit Snosëm, mbi fshatin Sarasel dhe në zonën e Teqes së Dushkut, ku ndërhyrja është duke u zhvilluar me mbështetjen e Forcave të Armatosura.

    Sipas autoriteteve, pavarësisht përhapjes së flakëve, aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e banorëve, ndërsa operacionet tokësore dhe ajrore pritet të vijojnë me intensitet gjatë gjithë ditës për të vënë nën kontroll të gjitha vatrat aktive.

  • Gjendja në pikat kufitare – Qytetarët përballen me pritje të gjata për të dalë nga Kosova

    Gjendja në pikat kufitare – Qytetarët përballen me pritje të gjata për të dalë nga Kosova

    Qytetarët janë duke u përballur me pritje të gjata në pikat kufitare për të dalë nga Kosova.

    Siç tregojnë të dhënat, pritjet në Merdarë shkojnë mbi dy orë e gjysmë. Të Dheu i Bardhë janë mbi një orë, kurse në Jarinje rreth 40 minuta.

    Sa i përket pritjeve për të hyrë, ato nuk zgjasin më shumë se 20 minuta.