ATV

Category: Lajme

  • DhTIK i kërkon ZRrE-së që ta shtyjë liberalizimin deri në vendimin përfundimtar të gjykatave

    DhTIK i kërkon ZRrE-së që ta shtyjë liberalizimin deri në vendimin përfundimtar të gjykatave

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, duke thënë se situata e krijuar ka sjellë sfida të reja për bizneset, të cilat kanë pritur një vendim “të drejtë dhe meritor”, siç e kishte dhënë Shkalla e Parë e kësaj gjykate.

    Sipas DhTIK-së, afati i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) deri më 16 gusht për bizneset që të lidhin kontrata për furnizim është “shumë i shkurtër” dhe po shkakton probleme të mëdha për qindra biznese që nuk kanë nënshkruar ende me asnjë kompani të licencuar.

    Në reagim thuhet se një numër i madh kompanish janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Komerciale, ku kanë dorëzuar padi kundër këtij procesi, ndërsa të tjerat janë në procedurë të përgatitjes së ankesës edhe në instancat tjera gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

    Me këtë rast, DhTIK njofton se i është drejtuar sërish ZRrE-së me një kërkesë për ta pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë deri në një vendim përfundimtar të instancave gjyqësore.

    “E ritheksojmë edhe njëherë se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i qëndron prapa qëndrimit të saj që Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike duhet të pezullohet në tërësi dhe të nisin menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit. Vlerësojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE për ta realizuar Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrikë është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nga ky hap, rrezikohen shumë vende pune, ulje të kapaciteteve prodhuese, rënie të konkurrueshmërisë në treg dhe mbyllje të bizneseve”, thuhet në reagimin e DhTIK-së.

    ZRrE ka paralajmëruar sot bizneset që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale për furnizim me energji elektrike që ta bëjnë këtë deri më 16 gusht të këtij viti.

  • Aksion policor në Klinë dhe Prishtinë, sekuestrohen armë e municion – arrestohen tre persona

    Aksion policor në Klinë dhe Prishtinë, sekuestrohen armë e municion – arrestohen tre persona

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe me mbështetjen e njësive të tjera policore, më 13 gusht 2025 ka realizuar një aksion të bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente.

    Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar tri lokacione në Klinë dhe një në Prishtinë, raporton Sinjali.

    Në lidhje me rastin, tre persona janë shoqëruar nga Policia mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

    Si dëshmi materiale, gjatë kontrollit janë sekuestruar: Një armë e gjatë snajper, dy karikatorë me 40 fishekë të armës, një pistoletë me një karikator dhe 8 fishekë, një pistoletë me dy karikatorë dhe 4 fishekë, një pistoletë me një karikator dhe 14 fishekë, një pistoletë me një karikator dhe 52 fishekë, një pushkë ajrore me 5 fishekë, 14 fishekë të pistoletës me gas, një pushkë gjuetie, një automatik AK-47 me dy karikatorë, tre telefona mobile, një thikë, një shpatë e arteve marciale, dhe një antiplumb.

    “Disa nga dëshmitë janë me leje dhe janë sekuestruar me qëllim të verifikimit dhe procedurave të mëtutjeshme.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Afati i dytë, maturantët mund të paraqesin provimin e maturës në e-Kosova

    Afati i dytë, maturantët mund të paraqesin provimin e maturës në e-Kosova

    Në platformën e shërbimeve e-Kosova është hapur aplikimi për paraqitjen e provimit të maturës, në afatin e dytë.

    “Të gjithë maturantët e shkollave të mesme të larta që janë të interesuar të marrin pjesë në afatin e dytë të provimit të maturës shtetërore kanë mundësinë të aplikojnë përmes platformës e-Kosova nga data 13 – 22 gusht 2025”, thuhet në njoftim.

    Mes tjerash thuhet se – Ky shërbim është krijuar për të lehtësuar procesin e aplikimit, duke ju mundësuar të kryeni të gjitha procedurat online, pa pasur nevojë të paraqiteni fizikisht në shkollë apo institucione tjera.

  • Izraeli bombardon Gazan, mbi 120 të vdekur vetëm në 24 orët e fundit

    Izraeli bombardon Gazan, mbi 120 të vdekur vetëm në 24 orët e fundit

    Të paktën 123 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve të fundit izraelite në Rripin e Gazës, të cilat janë intensifikuar teksa grupi militant Hamas po zhvillon bisedime të mëtejshme me ndërmjetësuesit egjiptianë për një armëpushim.

    Numri i të vdekurve brenda 24 orëve është më i keqi brenda javës. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lënë të nënkuptohet se fundmi se përpjekjet për armëpushim në Gaza tani janë përqendruar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të lironte pengjet e mbetura menjëherë, në vend që kjo të bëhej në faza, siç parashihej deri më tani.

    Netanyahu ka përsëritur idenë të propozuar me entuziazëm edhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që palestinezët të largohen nga enklava.

  • AIP apel qytetarëve: Kujdes, mos i jepni të dhënat personale e bankare tek faqe dhe platforma të paverifikuara dhe të dyshimta

    AIP apel qytetarëve: Kujdes, mos i jepni të dhënat personale e bankare tek faqe dhe platforma të paverifikuara dhe të dyshimta

    Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos dërgojnë dokumentet e tyre personale (letërnjoftim, pasaportë, numër të kartelës bankare) tek faqe apo platforma të paverifikuara dhe të dyshimta.

    AIP thekson se para se të ndani të dhënat tuaja, sigurohuni që faqja apo kompania është zyrtarisht e licencuar për të operuar në Kosovë dhe lexoni me kujdes politikat e privatësisë.

    Dërgimi i dokumenteve personale te palë të panjohura mund të shkaktojë:

    Vjedhje të identitetit

    Mashtrime financiare

    Keqpërdorim të të dhënave për aktivitete të paligjshme

    AIP tutje thekson se nëse dyshoni se të dhënat tuaja janë keqpërdorur, kontaktoni menjëherë Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

    “Mbrojtja e të dhënave personale është e drejta juaj – kujdesi fillon nga ju!”, shkruan AIP.

  • AME: 633 zjarre të raportuara javën e fundit, nëntë vatra aktive

    AME: 633 zjarre të raportuara javën e fundit, nëntë vatra aktive

    Agjencia për Menaxhim të Emergjencave ka njoftuar sot se gjatë javës së fundit janë raportuar 633 zjarre në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa aktualisht nëntë vatra janë aktive.

    Në një konferencë për media, drejtori i AME-së, Genc Metaj tha se gjendja është stabile, por e brishtë shkak i temperaturave të larta dhe zjarrëvënieve të qëllimshme.

    Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se deri më sot janë arrestuar 23 persona për zjarrëvënie të qëllimshme.

  • ZRrE: Nga 16 gushti, konsumatorëve pa kontratë u ndërpritet furnizimi me rrymë

    ZRrE: Nga 16 gushti, konsumatorëve pa kontratë u ndërpritet furnizimi me rrymë

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka thënë se që nga 16 gushti, konsumatorët të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar në treg të lirë, do t’u ndërpritet furnizimi me rrymë.

    Në një njoftim për media, ZRRE-ja ka njoftuar se e ka marrë aktvendimin e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, që ka refuzuar shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

    ZRrE-ja u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit me energji elektrike, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar të publikuar në faqen zyrtare.

    Në mars të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë njoftoi për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset e mëdha.

    Ky vendim prek mbi 1000 kompani private, të cilat qw nga atwherw kanë vazhduar të ankohen ndaj këtij vendimi.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen dhe varrosjen e Enver Bajraktarit në Lipjan

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen dhe varrosjen e Enver Bajraktarit në Lipjan

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masa e paraburgimit prej një muaji Top Kolshit, i arrestuar për vrasjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Është caktuar masa e paraburgimit një muaj ndaj të pandehurit”, tha Gashi.

    Ditë më parë, i dyshuari me inicialet T.K shtë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.

    Viktima Enver Bajraktari ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.

  • Çitaku reagon pas emërimit të drejtorit të ATK-së: Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?

    Çitaku reagon pas emërimit të drejtorit të ATK-së: Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?

    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi pas emërimit të Mentor Hysenit në krye të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Ajo tha se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit.

    “Albin Kurti paska emëruar militantin partiak, ish-kandidatin për deputet Mentor Hyseni, drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin. Ende besoj se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit. Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?”, shkroi në Facebook, Çitaku.

    LEXONI EDHE:

    Mentor Hyseni bëhet drejtor i ATK-së, ishte kandidat i VV-së për deputet

  • Mentor Hyseni bëhet drejtor i ATK-së, ishte kandidat i VV-së për deputet

    Mentor Hyseni bëhet drejtor i ATK-së, ishte kandidat i VV-së për deputet

    Mentor Hyseni është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, njoftoi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Facebook.

    “Pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni”.

    Ministria thotë se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë.

    “MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”.

    Hyseni në vitin 2019 kishte kaluar në Vetëvendosje, për ç’ gjë pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.

    “Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.

    Hyseni, në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i bordit në këtë institucion.

    Hyseni ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.