ATV

Category: Lajme

  • I dyshuari për vrasjen e Enver Bajraktarit dërgohet në gjykatë

    I dyshuari për vrasjen e Enver Bajraktarit dërgohet në gjykatë

    I dyshuari për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit është dërguar në Gjykatë.

    Ndaj tij do të mbahet sot seanca për caktimin ose jo të paraburgimit.

    Ai e ka pranuar fajësinë.

    T.K., u arrestua të martën, pas kontrolleve të kryera në fshatin ku ndodhi edhe vrasja.

    “Pas ndalimit në Polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale”, u tha në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.

    Më 4 gusht, Bajraktari ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij. Një ditë më vonë, në Baicë ishte gjetur një trup i pajetë i varrosur në një arë. Më pas u konfirmua se viktima ishte Enver Bajraktari.

  • Hoti reagon pasi Gjykata Komerciale i dha të drejtë ZRRE-së: Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon

    Hoti reagon pasi Gjykata Komerciale i dha të drejtë ZRRE-së: Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon

    Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka miratuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike.

    Rreth këtyre zhvillimeve ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se “çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur”.

    “Çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur, ku çmimi është disa herë më i shtrenjtë se çmimi që paguajnë tani?! Çfarë apatie e Qeverisë për këtë situatë të krijuar?! Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon”, ka pohuar Hoti.

    Ndryshe, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) kanë shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ndryshoi masën e sigurisë duke lejuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

    OEK, në një njoftim zyrtar thekson se “do të vazhdojë betejën ligjore nëpërmjet mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe për këtë do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës”.

    Po ashtu, OEK kërkon nga ZRrE që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRrE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Një burrë dhe dy gra arrestohen në Deçan, iu gjetën armë, municion e thika

    Një burrë dhe dy gra arrestohen në Deçan, iu gjetën armë, municion e thika

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj – pasi iu janë gjetur armë, fishekë e substancë e dyshuar narkotike e llojit, marihuanë në pronat e tyre.

    Arrestimet janë kryer në fshatin Gramaçel të komunës së Deçanit.

    Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me leje me 16 fishekë, një pushkë, një tjetër pistoletë me leje me karikator dhe 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtjen e armëve, një pushkë tjetër, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika, si dhe rreth 1.5 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Po ashtu, janë sekuestruar edhe dy automjete të dyshuara për shmangie doganore, të cilat janë dorëzuar tek Dogana e Kosovës për procedim të mëtejmë.

    Të ndaluarit janë liruar.

    Njoftoi i plotë:

    MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

    Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhekonfiskuar;  një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë,  një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Gjermania kërkon proces të drejtë ligjor për kosovarët e arrestuar në Serbi

    Gjermania kërkon proces të drejtë ligjor për kosovarët e arrestuar në Serbi

    Shteti i Serbisë, gjatë këtij viti ka shpeshtuar dhe rritur numrin e rasteve të kosovarëve të ndaluar dhe të arrestuar nga autoritetet serbe, derisa ata po e përdornin Serbinë si tranzit për të hyrë apo dal nga Kosova.

    Një rast i tillë, është edhe ai i ish pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut i cili u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare Hungari-Serbi derisa po vinte nga Gjermania për në Kosovë.

    Autoritetet e drejtësisë atje i kanë shqiptuar fillimisht masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”, ndërsa më 9 korrik i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj.

    Dyshimet lidhen me incidentin në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Por, pas arrestimit të tij, Policia e Kosovës pati deklaruar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë – ai “ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”.

    Në lidhje me arrestimin e tij, ministri i Shtetit gjerman, Gunther Krichbaum ka thënë për lajmi.net se po e monitorojnë nga afër arrestimin e Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe.

    “Ne gjithashtu po monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë, e cila thotë se procedurat penale për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, ka thënë Krichbaum.

    Përveç Spahiut, ministri gjerman ka përmendur edhe arrestimin e Ndihmësdrejtorit të Serbisë, Igor Popoviç nga Policia e Kosovës, arrestim ky për të cilin ka thënë se po e monitorojnë gjithashtu.

    “Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Evropian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër arrestimin e fundit të Ndihmësdrejtorit të Serbisë, Igor Popović, në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”, ka thënë ministri gjerman Krichbaum.

    Ai iu ka kujtuar të gjithë akterëve të përfshirë si në Kosovë edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore evropiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e pranimit në BE, shkruan lajmi.net.

    Pas Arbnor Spahiut, nga autoritetet e Serbisë në Kosovë është arrestuar më 4 gusht Behar Preniqi.

    Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, kanë thënë se ai është ndaluar në kufirin serbo-kroat.

    “Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e MPJD.

    Në korrik të vitit 2025 nga autoritetet e Serbisë është arrestuar edhe Lulzim Halili nga qyteti i Pejës.

    Ai u ndalua nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë, e njohur si BIA, në qytetin e Svilanacit, në Serbi.

    Siç raportuan meidat serbe, ai u arrestua nën dyshimin për krime lufte ndaj popullatës serbe gjatë luftës në Kosovë, megjithëse detajet konkrete nuk janë bërë ende publike zyrtarisht.

    Sipas këtyre raportimeve, Halili kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Këtë e mohuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Kosovë, të cilët thanë se Halili nuk gjendet në asnjë nga listat e ushtarëve që ata posedojnë, e as në atë të Pejës.

    “Sa i përket rastit konkret, arrestimit dje, kemi informacione të sakta nga burimet tona dhe nga regjistrat tonë, se personi në fjalë nuk është pjesë e organizatës së veteranëve të luftës, dhe nuk ka qenë pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë”, ka thënë Fatmir Sopi, Nënkryetar i OVL-UÇK-së.

    Arrestimet e kosovarëve në Serbi muajve të fundit janë bërë të shumta, ndërkaq si nga institucionet në vend ashtu edhe nga organizatat e dala nga lufta iu është bërë thirrje në vazhdimësi, ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë mërgimtarëve që t’i shmangen udhëtimeve nëpër Serbi.

  • Evropa Jugore kaplohet nga moti i nxehtë, të paktën tre të vdekur

    Evropa Jugore kaplohet nga moti i nxehtë, të paktën tre të vdekur

    Të paktën tre persona kanë vdekur në një valë të nxehtë përvëluese që po nxit dhjetëra zjarre në pjesë të Evropës Jugore, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

    BBC raporton se alarme të kuq nga vapë janë lëshuar në pjesë të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, duke paralajmëruar rreziqe të konsiderueshme për shëndetin, ndërsa temperaturat kalojnë mbi 40 gradë Celsius.

    Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se temperaturat mund të arrijnë 44 gradë Celsius në Sevilje dhe Kordoba, ndërsa edhe Portugalia jugore mund të arrijë 44 gradë Celsius.

    Në Spanjë, një punonjës i një qendre hipizmi vdiq pasi pësoi djegie të rënda në Tres Cantos, pranë Madridit, ku erërat mbi 70 km/orë shkaktuan flakë pranë shtëpive, duke detyruar qindra njerëz të largoheshin.

    Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha të martën se shërbimet e shpëtimit “po punojnë pa u lodhur për të shuar zjarret”.

    “Jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje. Ju lutemi të jeni shumë të kujdesshëm”, shtoi ai në një postim në X.

    Në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Castile dhe Leon, u evakuuan pothuajse 4,000 persona dhe u raportuan më shumë se 30 zjarre, ndërsa njëri kërcënonte Las Médulas, i listuar në UNESCO, i njohur për minierat e tij të lashta të arit.

    2,000 persona të tjerë u evakuuan nga hotelet dhe shtëpitë pranë qendrës turistike të Tarifës në rajonin jugor të Andaluzisë.

    Pothuajse 1,000 ushtarë luftuan me zjarret në të gjithë vendin, tha të martën në mëngjes njësia kombëtare e emergjencës ushtarake e Spanjës.

    Në Portugalinë fqinje, zjarrfikësit luftuan me tre zjarre të mëdha, ku më seriozi pranë Trancoso-s u kontrollua në qendër të vendit të martën.

    Më shumë se 1,300 zjarrfikës dhe 14 avionë u vendosën në vendngjarje. Maroku dërgoi dy aeroplanë pasi bombarduesit me ujë portugezë u prishën, raportoi Reuters. Autoritetet paralajmëruan se rajonet jugore mund të arrinin 44 gradë Celsius, me temperaturën që nuk pritet të bjerë nën 25 gradë Celsius.

    Një fëmijë vdiq nga goditja nga nxehtësia në Itali të hënën, ku temperaturat pritet të arrijnë 40 gradë Celsius më vonë këtë javë. Alarme të kuqe për vapë ishin në fuqi për të paktën 10 qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen.

    Një djalë katërvjeçar rumun, i cili u gjet pa ndjenja në një makinë në Sardenjë, u transportua me helikopter në një spital në Romë, por vdiq për shkak të dëmtimit të pakthyeshëm të trurit, që thuhet se është shkaktuar nga goditja nga nxehtësia, thanë autoritetet mjekësore për AFP.

    Pothuajse tre të katërtat e Francës janë nën alarm për vapë, me temperaturat që parashikohen të arrijnë 36 gradë Celsius në rajonin e Parisit dhe 40 gradë Celsius në Luginën e Ronës.

    Ministrja franceze e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, tha se spitalet ishin të përgatitura për pasojat e valës së dytë të të nxehtit që ka goditur vendin brenda vetëm pak javësh.

    Greqia po lufton me më shumë se 150 zjarre në të gjithë vendin, të përkeqësuara nga erërat e forta, me gati 5,000 zjarrfikës dhe dhjetëra avionë që po merren me shuarjen e flakëve.

    Evakuime masive janë duke u zhvilluar në ishullin turistik Zakynthos dhe në Akainë perëndimore, ku flakët kanë shkatërruar shtëpi, automjete dhe biznese.

    Grigoris Alexopoulos, kryebashkiaku i Akaisë perëndimore, tha se zjarret në rajon ishin jashtë kontrollit, duke shtuar se disa zona bregdetare janë “dëmtuar në mënyrë të pariparueshme”.

    Anijet e shpëtimit kanë evakuuar plazhistët e bllokuar nga flakët që përparojnë në Kios dhe autoritetet kanë kërkuar disa avionë zjarrfikës të BE-së. Autoritetet greke paralajmërojnë se kushtet mund të bëhen edhe më sfiduese në ditët në vijim.

    Turqia ka vënë nën kontroll disa zjarre të mëdha, përfshirë ato në Çanakala dhe Izmir, pasi qindra persona u evakuuan dhe Ngushtica e Dardaneleve dhe aeroporti i Çanakalasë u mbyllën.

    Në Mal të Zi, një ushtar vdiq dhe një tjetër u plagos kur cisterna e tyre e ujit u përmbys ndërsa po luftonte zjarret pranë kryeqytetit Podgoricë.

    Zjarret në Shqipëri i detyruan njerëzit të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre të hënën, ndërsa në Kroaci një zjarr i madh shpërtheu në Split dhe u vu nën kontroll të martën.

    Pjesë të Mbretërisë së Bashkuar po përjetojnë valën e katërt të të nxehtit të vitit, me temperatura që arrijnë në 33 gradë Celsius dhe alarme shëndetësore për nxehtësinë ngjyrë qelibar dhe të verdhë në fuqi për të gjithë Anglinë.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po i bën verat mesdhetare më të nxehta dhe më të thata, duke nxitur sezone zjarresh më të gjata dhe më intensive.

  • Lufta me zjarret/ Zjarrfikësit heronj të rraskapitur, flenë në tokë pas natës së tmerrit në Delvinë

    Lufta me zjarret/ Zjarrfikësit heronj të rraskapitur, flenë në tokë pas natës së tmerrit në Delvinë

    Delvina kaloi mbrëmë një natë të vështirë, ku zjarri i madh kërcënoi banorët dhe infrastrukturën lokale.

    Lufta me flakët ka qenë heroike, me pjesëmarrjen e forcave zjarrfikëse të bashkive të jugut, ekipeve të ardhura nga Tirana, forcat e ushtrisë dhe banorët lokalë, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit pranë qytetit.

    Sikurse duket edhe në foton e mësipërme, të rraskapitur pas zjarrit apokaliptik në Delvinë, zjarrfikësit janë shtrirë për të pushuar në stole e në tokë. /Tch

  • Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarin që u kap në flagrancë me kokainë në Prizren

    Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarin që u kap në flagrancë me kokainë në Prizren

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për posedim të substancave narkotike në një aksion të zhvilluar në rrugën “William Walker” në Prizren.

    Operacioni është ndërmarrë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.

    Sinjali mësoi se i arrestuar është Hivzi Krabaj.

    Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Krabajt, i cili ndodhet në ndalim 48-orësh.

    Sipas kërkesës së prokurorisë, nga koha e pavërtetuar deri me datë 11.08.2025, në Prizren, i pandehuri H.K., pa autorizim, shpërndanë, shet, transporton, ndërmjetëson, dërgon, substanca narkotike apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që i njëjti posedon narkotikë ë llojit “Kokainë”, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes tek përdorues e substancave narkotike, ku me datë 12.08.2025, policia pas marrjes së informatave lidhur me të pandehurin se ishte duke ofruar për shitje dhe shpërndarje narkotikë, realizon bastisje në banesën e të pandehurit në rrugën “ëilliam ëalker”, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

    “Tri (3) tulla të mbështjella me foli dhe qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej: 3.3 kg, 1kg të substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me mbetje të saj, nëntëmbëdhjetë (19) qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej: 1.1 kg,
    njëqind e tridhjetë e tre (133) qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej 36,62 gram, një (1) qese najloni me substancë te dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej 0,32 gr., dy (2) peshore elektronike; të holla (para) në vlerë prej 260 euro; një (1) pajisje për vakumim të qeseve plastike; një (1) motoçikletë PIAGGIO VESPA; një (1) telefon mobil iPhone 15 Pro Max;, një (1) skalper; sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.

    Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kap vlerën deri në 300,000 (treqind mijë) euro.“, thuhet tutje në njoftim.

  • Zelensky shkon në Berlin për takimin me Trumpin

    Zelensky shkon në Berlin për takimin me Trumpin

    Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Berlinin të mërkurën për t’u bashkuar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz për bisedime me udhëheqësit evropianë dhe amerikanë përpara samitit Trump-Putin më vonë këtë javë, ka thënë qeveria gjermane.

    Merzi ka organizuar një seri takimesh virtuale të mërkurën në një përpjekje për të dëgjuar zërin e udhëheqësve evropianë dhe ukrainas përpara një samiti nga i cili ata janë lënë mënjanë, raporton AP.

    Zelensky pritet të takohet fillimisht me udhëheqësit evropianë, në përgatitje të një telefonate virtuale me presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance rreth një orë më vonë.

    Një telefonatë midis udhëheqësve të vendeve të përfshira në “koalicionin e të vullnetshmëve” – ata që janë të përgatitur të ndihmojnë në kontrollin e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Moskës dhe Kievit, do të zhvillohet e fundit.

    Të mërkurën, Merzi është zotuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë veprimi që do të jenë të lira nga çdo kufizim i imponuar nga Perëndimi në përdorimin dhe objektivat e tyre, ndërsa qeveria e Kievit lufton për të sprapsur pushtimin e Rusisë.

    Zelensky ka vizituar për herë të fundit Berlinin në fund të majit.

    Takimi Trump-Putin do të zhvillohet të premten në Alaska.

  • Valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre shkatërruese në Mesdhe/ Tre të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre shkatërruese në Mesdhe/ Tre të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Një valë e nxehti ekstreme që ka përfshirë rajonin e Mesdheut ka shkaktuar të paktën tre viktima dhe ka detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve që po përhapen me shpejtësi.

    Zjarret po vazhdojnë të përhapen në shumë vende, ndërsa temperaturat kanë kaluar 40°C në disa zona. Në Spanjë, një burrë rumun rreth të pesëdhjetave humbi jetën pasi pësoi djegie në 98% të trupit teksa përpiqej të shpëtonte kuajt nga një stallë që po digjej pranë Madridit, sipas The Guardian.

    Në Itali, një fëmijë 4-vjeçar ndërroi jetë në Romë pasi pësoi dëmtime të parikuperueshme në tru nga goditja e të nxehtit, pasi ishte lënë në makinë në Sardenjë.
    Ndërkohë, në Mal të Zi, një ushtar humbi jetën dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur kur një autobot u përmbys gjatë luftës me flakët në veri të Podgoricës, transmeton Top Channel.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se vala e të nxehtit po krijon kushte ideale për përhapjen e zjarreve dhe është një tjetër dëshmi e urgjencës klimatike. “Falë ndryshimeve klimatike, tashmë jetojmë në një botë shumë më të nxehtë”, tha studiuesi Akshay Deoras nga Universiteti i Reading.

    Në Spanjë, zjarri në Tres Cantos, afër Madridit, që u përhap nga erërat prej 70 km/h dhe dogji mbi 1,000 hektarë tokë, ishte ende jashtë kontrollit të martën në mbrëmje. Janë gjetur 150 dele dhe 18 kuaj të ngordhur në zonë. Mbi 3,700 persona janë evakuuar nga 16 bashki në Castilla y León, ku një zjarr tjetër ka dëmtuar një sit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Les Médulas.

    Në Galici, një zjarr i madh dogji mbi 3,000 hektarë tokë në provincën Ourense, ndërsa në qytetin jugor Tarifa, 2,000 persona u evakuuan pas një zjarri që shpërtheu të hënën.

    Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për viktimën e zjarrit në Tres Cantos dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për përkushtimin e tyre. “Rreziku i zjarreve është ekstrem,” paralajmëroi ai.

    Në Portugali, zjarrfikësit po përballen me tre zjarre të mëdha në veri dhe në qendër të vendit. Ndërkohë, në Greqi, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga BE, pasi erëra të fuqishme kanë përhapur flakët në Peloponezin Perëndimor, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

    Zjarret kanë prekur edhe ishujt turistikë të Jonit, Zakynthos dhe Kefalonia, ku hotelet në zonat Agala dhe Keri janë urdhëruar të mbyllen, duke detyruar turistët të largohen. Në total, dhjetëra zjarrfikës të mbështetur nga avionë dhe helikopterë vazhduan të luftonin flakët deri të martën në mbrëmje.

    “Nevojitet më shumë mbështetje ajrore,” tha kryetari i bashkisë së Zakynthos. Zjarre po raportohen edhe në Epir, rreth Prevezës, dhe në rajonin e Aetolia-Acarnania.

    Në Shqipëri, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qindra zjarrfikës dhe ushtarë kanë vënë nën kontroll shumicën e 40 zjarreve që shpërthyen në 24 orët e fundit, megjithatë mbi 12 janë ende aktive. Që prej korrikut janë djegur rreth 34,000 hektarë, ndërsa policia ka arrestuar mbi 20 persona për zjarrvënie të qëllimshme.

    Në Kroaci, 150 zjarrfikës punuan gjatë natës për të mbrojtur banesat pranë qytetit portual të Splitit. Ndërsa në Turqi, në provincën Çanakkale, mbi 2,000 persona u evakuuan dhe 77 u trajtuan në spital për shkak të thithjes së tymit. Mbi 760 zjarrfikës dhe mbi 200 mjete janë angazhuar për të përballuar flakët.

    Franca Jugore gjithashtu është prekur, me temperatura rekord të regjistruara në Bordeaux (41.6°C) dhe qytete të tjera, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë të lartë.

  • Haziri: Kosova nuk ka pasur koalicion më popullor e më të dashur se ai LDK-VV

    Haziri: Kosova nuk ka pasur koalicion më popullor e më të dashur se ai LDK-VV

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka vlerësuar se koalicioni mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka qenë më popullori dhe më i dashuri për qytetarët e Kosovës.
    Haziri në Tëvë1 ka thënë se në vitin 2019 të dy partitë ishin shumë pranë krijimit të një liste të përbashkët parazgjedhore.

    “Koalicion më popullor dhe më të dashur se koalicioni LDK-LVV Kosova nuk ka pasur. Por tani kjo është situatë e re politike. Pse po them nuk ka pasur? Sepse i pari dhe i dyti kanë ndërtuar platformë të përbashkët. Ne kemi qenë shumë afër për ta bërë një listë të përbashkët parazgjedhore në 2019″, ka thënë ai.

    Mirëpo, sipas tij, kjo marrëveshje nuk është realizuar për shkak të refuzimit të Albin Kurtit për t’i dhënë pozitën e parë në listë Vjosa Osmanit.
    “Kemi qenë të gatshëm me hy por a e dini kush nuk e ka lejuar të bëhet një listë e vetme? Albin Kurti sepse nuk ia ka dhënë Vjosës numrin një, pra nuk ka pranuar që Vjosa Osmani të dal me numrin 1 në listë se e ka dashur vetë. Kjo ka qenë e gjitha, vetëm problem i numrit asgjë tjetër nuk ka pasur”, ka deklaruar Haziri.