ATV

Category: Lajme

  • 350 ushtarë britanikë me 70 automjete ushtarake, arrijnë në Kosovë

    350 ushtarë britanikë me 70 automjete ushtarake, arrijnë në Kosovë

    Në kampin Bondsteel kanë mbërritur rreth 70 automjete ushtarake dhe personel mbështetës, duke shënuar përfundimin e dislokimit të përkohshëm të forcave rezervë në kuadër të KFOR-it.

    Kontingjenti britanik, i përbërë nga mbi 350 trupa të “Scots Guards”, do të zhvillojë aktivitete stërvitore së bashku me pjesëtarë të KFOR-it.
    NATO njofton se ky aktivitet është pjesë e trajnimeve të rregullta që synojnë të rrisin gatishmërinë operacionale dhe aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive zhvillimeve të sigurisë.

    Operacionet zhvillohen në përputhje me mandatin e KFOR-it të bazuar, me qëllim të garantimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    Pas përfundimit të stërvitjes, “Scots Guards” do të kthehen në bazën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

  • Quni i përgjigjet Gërvallës: Unë u besoj vetëm atyre që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen

    Quni i përgjigjet Gërvallës: Unë u besoj vetëm atyre që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i është përgjigjur deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, që e përmendi si një prej personave që sipas saj “kanë pasur më shumë se një arsye” për ta votuar si kandidate për kryeparlamentare të mërkurën.

    Të premten, Gërvalla-Scharwz u shpreh se ish-bashkëpartiakët e saj në LDK kanë pasur disa arsye për ta votuar për kryeparlamentare. Këtu përmendi si arsyetim se “nuk ka person në skenën politike në Kosovë që është angazhuar më shumë për zbardhjen e krimeve të pasluftës”. Si deputetë që është dashur ta votonin ajo përmendi Besian Mustafën si djalin e Xhemajl Mustafës, Armend Zemajn si nipi i Tahir Zemajt dhe komandantët e Koshares, Anton Quni e Fadil Hadërgjonaj.

    E në përgjigje, Quni ka thënë se u beson vetëm njerëzve besnikë edhe kur vështirësohen gjërat.

    “Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schwarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.

    Donika Gërvalla ishte larguar nga LDK-ja më 2018 duke thënë se kjo parti ka humbur parimet e konceptet. Ajo tash është bashkëkryetarë e partisë Guxo dhe ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për deputete. Deri tash ka shërbyer edhe si ministre e Punëve të Jashtme.

    Donika Gërvalla të mërkurën i mori 56 vota pro. Madje ajo nuk e mori mbështetjen as të deputetes së VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që tha se nuk votoi për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.

  • Gërvalla: Deputetët e LDK-së kanë pasur më shumë se një arsye për të më votuar

    Gërvalla: Deputetët e LDK-së kanë pasur më shumë se një arsye për të më votuar

    Donika Gërvalla, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që të mërkurën nuk mori votat e partive që deri tash ishin në opozitë, ka thënë se të paktën deputetët e ish-partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar.

    Pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin edhe të premten, në propozimin për Hekuran Muratin, Gërvalla ka thënë se kjo tregon se bllokimi s’lidhet me emra, por me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në fazë të re.

    “Frika e opozitës nga Qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur muajve të fundit dhe s’ka asnjë arsyetim që mund ta bindë cilindo qytetar të republikës që qenka çështja për emra të përveçëm”, ka thënë ajo, teksa ka lidhur sërish emrat e partive opozitare shqiptare me atë të Listës Serbe. “Kushtetuta e thotë shumë qartë, propozimi është i subjektit fitues. Subjekti fitues sot ka dhënë emrin e tretë me radhë dhe përsëri reagimi i njëjtë. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe… AAK-ja sot mësoi nga gabimet e kaluara dhe të paktën abstenoi nga frika se mos përsëri po identifikohet nga qytetarët me Listën Serbe, por këto tri subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe që s’është parti serbe, por që synimin e saj thelbësor e ka zhbërjen e Kosovës… S’e ka vendin në Kuvend, s’e ka vendin në udhëheqje komunale dhe prandaj jemi këmbëngulës që të mos ndodhë certifikimi i saj për zgjedhje dhe nuk do të guxojë të ndodhë”, ka thënë ajo.

  • Edukimi fillor shqip në Luginë të Preshevës përballë rrezikut të zbrazjes

    Edukimi fillor shqip në Luginë të Preshevës përballë rrezikut të zbrazjes

    Nga viti shkollor 2020/21 deri më 2025/26, numri i nxënësve shqiptarë në shkollat fillore ka rënë nga 4059 në vetëm 3650, pra 409 nxënës më pak, ose rreth 10% rënie.
    Sipas Kryetarit ë Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ky trend është pasojë e emigrimit, natalitetit të ulët, kushteve të vështira ekonomike, mosnjohjes së diplomave dhe pasivizimit të adresave, që po e rrezikon seriozisht të ardhmen e shkollës shqipe në Luginë.
    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rexhepi ka paraqitur statistikat e rënies së numrit të nxënësve në shkollimin fillor në Luginën e Preshevës.

    Ky rrezik që na kanoset, i cili prek drejtëpërdrejt brezat e ardhshëm të nxënësve dhe gjeneratat e reja shqiptare në Luginë të Preshevës, duhet të na shtyjë drejt një qasje më të guximshme, më të përbashkët dhe më të vendosur për mbrojtjen dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, ka shkruar Rexhepi.

  • Mbyllet seanca, Hekuran Murati nuk arrin votat për Kryetar të Kuvendit

    Mbyllet seanca, Hekuran Murati nuk arrin votat për Kryetar të Kuvendit

    Kandidati i sotëm i VV-së. Hekuran Murati nuk arriti të votohet për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
    Pas propozimit nga deputetja Donika Gërvalla Schwartz, Murati arriti të ketë 57 vota, duke mos dhënë zgjidhje për kryetarin e ri të legjislaturës së nëntë.
    Seanca do të vazhdojë me një tjetër përpjekje, të dielën më 24 gusht 2025, nga ora 11.00.

  • AAK kërkon takim konsultativ mes partive para seancës konstituive

    AAK kërkon takim konsultativ mes partive para seancës konstituive

    Para seancës së radhës konstituive të së premtes, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar takim konsultativ në mes të partive politike për të diskutuar se kush mund të jetë një kandidati unifikues për Kryetar të Kuvendit.

    Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, para gazetarëve në hyrje të Kuvendit.

    “Përmes Time Kadriajt do të kërkojmë një konsultë para seancës me shefat e grupeve dhe kryesuesin – nëse ka gatishmëri edhe në nivel kryetarëve, partive – që të diskutojmë për kandidaturat. Pra, kush mundet me qenë një kandidaturë unifikuese”, ka thënë Haradinaj.

  • Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryetare të Kuvendit, do të shihet kush do të jetë

    Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryetare të Kuvendit, do të shihet kush do të jetë

    Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha se ajo nuk do të jetë sot kandidate e propozuar për kryetare të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
    E pyetur se kush do të jëtë ajo tha se do të shihet gjatë seancës.
    Seanca do të mbahet nga ora 11:00.

  • Qalaj: Shumica parlamentare krijohet me marrëveshje

    Qalaj: Shumica parlamentare krijohet me marrëveshje

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, bëri të qartë se pozicioni i partisë së tij mbetet i njëjtë dhe se nuk do të votojnë për asnjë subjekt që ka qenë pjesë e qeverisë aktuale të Kosovës.

    Ai gjithashtu ka përjashtuar mundësinë që PDK-ja të hyjë në një koalicion me Vetëvendosjen, raporton Ekonomia Online.

    “Ne jemi në pritje të një iniciative të qartë që të krijohet shumica parlamentare dhe shumica parlamentare krijohet me marrëveshje. Qëndrimi jonë mbetet i njëjtë, nuk e votojmë asnjë që ka qenë pjesë e qeverisjes së Kosovës, ndërsa për të tjerat do të shihet,” tha ai.

  • Gjashtë viktima brenda pesë ditëve në rrugët e Kosovës

    Gjashtë viktima brenda pesë ditëve në rrugët e Kosovës

    Kosova po përballet me një situatë alarmante në trafikun rrugor, ku brenda vetëm pesë ditëve kanë humbur jetën gjashtë persona si pasojë e aksidenteve.

    Të hënën, në rrugën Prishtinë–Pejë, konkretisht në fshatin Llapushnik, humbën jetën një çift bashkëshortor nga Drenasi. Ndërkohë, djali i tyre 19-vjeçar, i cili mbeti i lënduar rëndë nga aksidenti, ndërroi jetë katër ditë më vonë, transmeton Telegrafi.

    Të enjten, në orët e hershme të mëngjesit, ndodhi një tjetër aksident i rëndë në fshatin Dollc të Klinës. Në aksident u përfshinë një veturë dhe një autobus. Si pasojë, humbi jetën shoferi 23-vjeçar i veturës, ndërsa pesë persona të tjerë u lënduan.

    Po të njëjtën ditë, një person tjetër humbi jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, pasi u vetaksidentua me automjetin e tij.
    Ndërkohë, të premten në mëngjes, një tjetër viktimë u regjistrua në qytetin e Pejës, kur një person u aksidentua dhe u përplas me një shtyllë elektrike.

    Për gjatë këtyre ditëve, u shënuan edhe aksidente tjera trafiku me disa persona të lënduar.

    Policia në vazhdimësi ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat në komunikacion.

  • Lista Serbe paralajmëron hapa ligjorë pas refuzimit nga KQZ-ja

    Lista Serbe paralajmëron hapa ligjorë pas refuzimit nga KQZ-ja

    Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, deklaroi sot se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të refuzuar certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit është i paligjshëm dhe diskriminues.

    Elek theksoi se Lista Serbe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar certifikimin e kandidatëve të saj.

    Në një konferencë për media, Elek reagoi ndaj vendimit të KQZ-së për të mos konfirmuar të drejtën e pjesëmarrjes së Listës Serbe dhe kandidatëve të saj në zgjedhjet lokale më 12 tetor.

    Ai tha se, megjithëse Zyra për Regjistrim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike më 20 gusht kishte dhënë një rekomandim pozitiv për konfirmimin e kandidatëve të Listës Serbe, rekomandim me karakter detyrues, KQZ-ja e hodhi poshtë këtë rekomandim dhe refuzoi certifikimin e kandidatëve të partisë.

    “Lista Serbe i ka përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet parazgjedhore dhe ka ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për verifikimin e kandidatëve tanë për kryetarë komunash dhe këshilltarë”, theksoi Elek.