ATV

Category: Lajme

  • Izraeli godet një spital në Gaza, 15 të vrarë, përfshirë 4 gazetarë

    Izraeli godet një spital në Gaza, 15 të vrarë, përfshirë 4 gazetarë

    Sulmet izraelite në Spitalin Nasser në Gaza të hënën vranë të paktën 15 persona, përfshirë katër gazetarë, njëri prej të cilëve punonte për Reuters, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

    Sipas tyre, kameramani Hussam al-Masri, kontraktor i Reuters-it, u vra në sulmin e parë. Fotografit Hatem Khaled, i cili po ashtu ishte kontraktor i Reuters-it, iu shkaktuan plagë në një sulm të dytë.

    Ushtria izraelite dhe Zyra e Kryeministrit nuk dhanë asnjë koment të menjëhershëm lidhur me sulmet. Dëshmitarët thanë se sulmi i dytë ndodhi pasi shpëtimtarë, gazetarë dhe persona të tjerë kishin shkuar në vendin e ngjarjes pas goditjes së parë. Transmetimi i drejtpërdrejtë i Reuters-it nga spitali, i cili operohej nga Masri, u ndërpre papritur në momentin e sulmit fillestar, treguan pamjet e Reuters-it.

    Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thanë se tre gazetarët e tjerë të vrarë janë Mariam Abu Dagga, Mohammed Salama dhe Moaz Abu Taha. Një punonjës shpëtimi ishte gjithashtu mes viktimave, shtuan ata.

    Sipas Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, më shumë se 240 gazetarë palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023./ATVLIVE/

     

  • Presidentja Osmani u bën thirrje partive që ta vendosin interesin e vendit para

    Presidentja Osmani u bën thirrje partive që ta vendosin interesin e vendit para

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet.

    Në një intervistë për televizionin polak “TVP World”, ajo tha se partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin interesin e vendit para.

    “E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, tha presidentja Osmani.

    Osmani tha se shkaku i kësaj bllokade politike, po humben projekte të Bashkimit Evropian, po humben dritare të mundësive me administratën e re të SHBA-së, për të cilat është punuar.

    “Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për t’u ratifikuar e në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”.

    Ajo shtoi se Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë aq gjatë pa institucione.

    “Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveria, Austria ka 6 muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin me prit aq gjatë. Ne duhet vërtetë të ecim para me reforma, me anëtarësim në organizata”, tha Osmani.

    Ajo ka shtuar se nuk beson se ka ndikim nga jashtë në partitë e mëdha politike në Kosovë, në mënyrën se si reagojnë.

    “Është besim i tyre personal, se me kë duan të punojnë. Është shumë lokale”, tha Osmani

  • Osmani: Rritja e kapaciteteve mbrojtëse, një hap drejt NATO-s

    Osmani: Rritja e kapaciteteve mbrojtëse, një hap drejt NATO-s

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në Forumin Evropian të mbajtur në Austri ditën e djeshme, ku diskutimet u fokusuan tek hapat e Kosovës drejt së ardhmes, zhvillimet gjeopolitike që ndikojnë në vend, si dhe perspektivat e Bashkimit Evropian.

    Osmani theksoi rëndësinë e integrimit të shpejtë të Kosovës në aleancat ndërkombëtare.

    “Është e rëndësishme të ecim përpara shpejt në përparësitë strategjike, e që është anëtarësimi në NATO”, tha Osmani.

    Ajo shtoi se vendi po fuqizon kapacitetet e mbrojtjes, duke përfshirë armatimin dhe trajnimin e ushtarëve.

    “Ne po punojmë shumë në industrinë tonë të mbrojtjes dhe madje kemi edhe njerëz të aftë për këtë. Për vendet që ende kanë sfida sigurie, është shumë e rëndësishme që brezi i ri të edukohet vazhdimisht se si liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk është e dhënë. Demokracia nuk është kurrë e garantuar dhe kurrë e dhënë. Këto janë vlera ndaj të cilave duhet të luftoni”, vijoi ajo.

    Osmani foli gjithashtu për luftën e fundit në Kosovë dhe rolin e aleatëve në parandalimin e gjenocidit në vend.

  • Moti sot, me diell e vranësira

    Moti sot, me diell e vranësira

    Për ditën e sotme, moti parashikohet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin mes 9 deri 12 gradë Celsius.

    Ndërsa ato maksimale do të jenë mes 24 deri në 27 gradë Celsius.

  • Pas Muratit e Nagavcit, as Dimal Basha nuk arrin të zgjedhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Pas Muratit e Nagavcit, as Dimal Basha nuk arrin të zgjedhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës

    57 deputetë kanë votuar për deputetin Dimal Basha, në propozimin e tretë të VV-së për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
    Në dy tentimet e para, nuk siguruan vota të mjaftueshme as Hekuran Murati dhe as Arbërie Nagavci, për të cilët për votuan vetëm 55 deputetë nga 106 sa ishin të pranishëm në seancën e sotme, të 57-tën me radhë në tentim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
    Seanca do të vazhdojë sërish, të martën më 26 gusht 2025, nga ora 11.

  • VV propozon Arbërie Nagavcin për kryetare të Kuvendit, pas dështimit të dytë të Hekuran Muratit

    VV propozon Arbërie Nagavcin për kryetare të Kuvendit, pas dështimit të dytë të Hekuran Muratit

    Me 55 vota për, Hekuran Murati nuk ka arritur të ketë votat e mjaftueshme për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
    VV në tentimin e dytë në seancën e sotme propozoi deputeten Arbërie Nagavci, e cila po ashtu mori 55 vota për, duke mos arritur të zgjedhet kryetare e Kuvendit.

  • Përpjekja 57-të për konstituimin e Kuvendit, Hekuran Murati sërish propozohet për kryetar të Kuvendit

    Përpjekja 57-të për konstituimin e Kuvendit, Hekuran Murati sërish propozohet për kryetar të Kuvendit

    Kjo është seanca e tretë radhazi pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e ku Kuvendi i Kosovës ende s’ka arritur ta zgjedh për kryeparlamentar emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Pas këtij aktgjykimi, i cili i ka obliguar deputetët që ta konstituojnë kuvendin brenda 30 ditësh, VV-ja herën e parë e pati propozuar Albulena Haxhiun për kryetare kuvendi, e cila i mori vetëm 57 vota.

    Menjëherë pas dështimit për ta zgjedhur këtë të fundit kryetare, VV-ja provoi me Donika Gërvallën.

    Në votim ra në sy Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila nuk mori fare pjesë në votim për Gërvallën.

    Shkak tha se ishin dy statuse të Gërvallës të vitit 2020, në të cilat ajo e akuzonte bashkëshortin e Shqipes, Rexhep Selimin si njeri të botës së krimit.

    Ndërsa, në seancën e së premtes, Lëvizja Vetëvendosje tentoi me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, por që edhe ai i mori vetëm 57 vota.
    Edhe në këtë seancë emri i propozuar nga VV, është Hekuran Murati.

  • Rekord i remitancave nga diaspora, por ekspertët paralajmërojnë: Ekonomia në krizë

    Rekord i remitancave nga diaspora, por ekspertët paralajmërojnë: Ekonomia në krizë

    Sipas BQK-së, remitancat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 kanë arritur në 651.7 milionë euro – një rritje krahasuar me vitin e kaluar. Por ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje nuk është shenjë zhvillimi, por e përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Kosovë.

    Diaspora dërgon mbi 651 milionë euro në Kosovë

    Në periudhën janar-qershor 2025, vlera e remitancave të dërguara nga diaspora në Kosovë ka arritur në 651.7 milionë euro, sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kjo paraqet një rritje prej 21.6 milionë eurosh.

    Të dhënat për muajin qershor janë ende preliminare, por trendi i përgjithshëm tregon një rritje të vazhdueshme të remitancave në katër vitet e fundit.

    Ekspertët: Kjo nuk është shenjë zhvillimi ekonomik

    Pavarësisht vlerave të larta, ekspertët e ekonomisë e shohin këtë rritje si një reaksion ndaj krizës së brendshme ekonomike, e jo si rezultat të përparimit ekonomik të vendit.

    Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thekson se remitancat janë “jetike për stabilitetin social”, por që shpenzohen kryesisht për konsum, dhe jo për investime afatgjata.

    “Mjerimi më i madh është që këto para nuk përkthehen në zhvillim produktiv. Janë ndihmë për mbijetesë, jo për përparim ekonomik,” deklaron Gërxhaliu.

    Remitanca më e lartë = Ekonomi më e dobët?

    Ekonomisti Arton Muhaxhiri vlerëson se rritja e remitancave është tregues i përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Kosovë.

    “Sa më shumë që rriten remitancat, aq më e dobët është ekonomia e brendshme. Kjo është ndihmë për të mbijetuar, jo për të zhvilluar”, thekson ai.

    Sipas tij, që nga viti 2021, treguesit kryesorë ekonomikë si inflacioni, deficiti tregtar dhe çmimet e produkteve bazë kanë qenë në përkeqësim të vazhdueshëm.

    Florin Aliu: Remitancat mbajnë në këmbë mirëqenien, por çfarë ndodh nëse bien?

    Eksperti Florin Aliu nënvizon se remitancat luajnë një rol të rëndësishëm në kërkesën agregate dhe në ruajtjen e mirëqenies familjare. Por ai paralajmëron për varësinë e rrezikshme që po ndërtohet ndaj këtyre mjeteve.

    “Çka nëse këto remitanca bien? Kjo do të nënkuptonte një rënie të menjëhershme të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thekson Aliu.

    Statistikat e viteve të fundit:

    Viti Janar-Qershor
    2022 555+ milionë €
    2023 633 milionë €
    2024 630.1 milionë €
    2025 651.7 milionë €

     

    Ndërsa diaspora vazhdon të mbajë gjallë ekonominë familjare në Kosovë, ekspertët theksojnë nevojën për politika publike që kanalizojnë remitancat drejt sektorëve prodhues dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

  • “Hëna e zezë” do ta errësojë qiellin sonte

    “Hëna e zezë” do ta errësojë qiellin sonte

    Në natën e 23 gushtit, qielli do të errësohet më shumë se zakonisht me ardhjen e një fenomeni të rrallë – Hënës së Zezë, që është hëna e tretë e re në një stinë që në mënyrë të pazakontë ka katër të tilla. Ky fenomen ndodh vetëm një herë çdo 33 muaj, duke e bërë një ngjarje të veçantë për vëzhguesit e qiellit.

    Pse është unike?
    Gjatë një Hëne të Zezë, Hëna bëhet plotësisht e padukshme pasi ana e ndriçuar e saj është e kthyer larg Tokës. Pa dritën e saj për të ndriçuar natën, qielli shpalos bukurinë e fshehur — Rruga e Qumështit shtrihet qartë sipër, yjësitë e zbehta dallohen më lehtë dhe madje edhe meteorët e vonshëm të shiut Perseid bëhen më të dukshëm.

    Ku mund ta shihni?
    Hëna e Zezë e 23 gushtit do të jetë e dukshme në Shtetet e Bashkuara Lindore, Amerikën e Jugut, Evropë, Afrikë, Azi, Australi dhe Zelandë të Re.

    Këshilla për vëzhgim:
    Gjeni një vend të errët larg dritave të qytetit.
    Përdorni dylbi ose teleskop për një pamje më të qartë.
    Jepni syve tuaj 20–30 minuta kohë për t’u mësuar me errësirën.

    Kjo Hënë e Zezë e rrallë ofron një nga netët më të kthjellëta të vitit, një mundësi e përkryer për të përjetuar universin në detajet e tij më mahnitëse.

  • “Paralajmërohet zhvendosja e disa bizneseve në rajon…”, Zeka: Ngërçi politik mban peng zhvillimin ekonomik

    “Paralajmërohet zhvendosja e disa bizneseve në rajon…”, Zeka: Ngërçi politik mban peng zhvillimin ekonomik

    Pasiguria politike dhe mungesa e institucioneve funksionale po dëmtojnë klimën e të bërit biznes në vend. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, sipas të cilit vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së re po e mbajnë peng reformimin ekonomik dhe nxisin pasiguri tek investitorët.

    Në një intervistë Zeka nënvizon se mungesa e institucioneve funksionale për më shumë se gjashtë muaj, po pamundëson reformën legjislative që është e domosdoshme për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

    “Problemin më të madh këtu e shoh te aspekti i konfidencës së bizneseve. Meqenëse bizneset, qoftë investitorët e brendshëm ose të jashtëm presin derisa të krijohen rrethana të reja, të cilat, nuk reflektojnë pasiguri juridike, situatat aktuale natyrisht që mund të reflektohet një pasiguri të madhe juridike, edhe për investitorët e brendshëm. Askush nuk dëshiron të rrezikojë kapitalin e tij në rrethana të tilla. Tashmë po bëhen mbi gjashtë muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, edhe ne nuk kemi as Kuvend të konstituar e as nuk mund të mendohet krijimi i qeverisë së re. Në rrethana tjera, Qeveria do të ndryshonte ligje, do të shkruante ligje të reja, do t’i dërgonte të njëjtat në Kuvendin dhe Kuvendi do të ndihmonte në procesin e reformimit të mjedisit për të bërë biznes. Këto rrethana aktuale, reforma e mjedisit, të bërit biznes, thjesht nuk është diçka nga të cila mund të presim që të kemi ndonjë sukses”, nënvizon Zeka.

    Zeka flet edhe për përkeqësimin e deficitit tregtar në Kosovë, i cili thekson mungesën e politikave fiskale të qëndrueshme gjatë viteve të fundit.

    Sipas Zekës, pas vendilmit për liberalizimin e tregut energjetik, mund të ketë zhvendosje të bizneseve ose aktivitetit të prodhimit të tyre në shtetet e rajonit, e cila sipas tij çon në thellimin e mëtejm të degicitit tregtar.

    “Nga ajo që po shohim nga të dhënat e Doganës, nga raportet edhe e rregullta të cilat publikohen nga ana e Doganës edhe ASK, po e shohim se ka një përkeqësim për sa i përket deficitit tregtar. Pas vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, reduktimit ose rritjes së kostos së operimit për bizneset prodhuese, largimit të një pjese të tyre, ashtu siç është paralajmëruar, zhvendosjes së aktivitetit të prodhimit të tyre në shtetet e rajonit, pres që deficiti tregtar të thellohet edhe më tej. Baza jonë industriale të reduktohet edhe më tej, aktiviteti i prodhimit vendor, të reduktohet më tej edhe rrjedhimisht në tregun tonë që të ketë rritje të qarkullimit ose rritje të importit nga vendet e tjera…Në katër vite nuk është se kemi pa ndonjë politikë substanciale fiskale”, thotë Zeka.

    Ai po kritikon qeverinë në detyrë për neglizhencën në përmbylljen e projekteve infrastrukturore dhe mungesën e investimeve kapitale, duke e cilësuar këtë si humbje për sektorin privat dhe qytetarët.

    “Një shqetësim të cilin e kemi thënë tash e sa kohë duke e ditur që investimet kapitale njëra ndër dy shtyllat më të rëndësishme që ndikojnë në rritjen ekonomike e cila ne e kemi pasur përgjatë viteve të fundit, atëherë është pa përgjegjësi, që mos të investohet, që mjetet e tatimpaguesve të mos investohen në projekte kapitale dhe rrjedhimisht shohim multiplikim më të madh ekonomik nga këto investime. Humbet sektori privat, humbet tatimpaguesi qytetar, për aq kohë sa shërbimet ndaj nesh, ndaj tatimpaguesve nuk shënojnë ndonjë përmirësim të dukshëm, po ashtu po shohim një degradim të infrastrukturës fizike ose të mos përmbylljes së disa prej projekteve që kanë pasur në fokus infrastrukturën fizike. Po flasim për nja dy-tri autostradat, të cilat ndoshta gjatë mandatit të parë do të duheshin i inauguruar tashmë”, potencon Zeka.

    Përveç kësaj, sipas kreut të kësaj ode, heqja e detyrimeve doganore për tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e importeve dhe forcimin e partneritetit ekonomik mes bizneseve të Kosovës dhe atyre amerikane.

    Zeka thekson se ky vendim i Qeverisë së Kosovës do të ketë jehonë pozitive në tregun amerikan dhe mund të hapë rrugë edhe për rritje të eksporteve nga Kosova në të ardhmen.

    “Po janë hequr detyrimet doganore për tregtinë me atë shtet të caktuar, atëherë pritshmëritë mund të jenë që tash që do të ketë rritje të importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fuqizimi i raporteve ose partneritetit ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe bizneseve amerikane, pashmangshëm që do të ndikojë në promovimin më të madh të Kosovës në mesin e sektorit privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo mund të qojë edhe në rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, por të njëjtën kohë krijimi i besimit, fuqizimi i besimit ndërmjet bizneseve, këtu edhe bizneseve atje, por natyrisht edhe promovimi i këtij vendimi si një vendim pozitiv, të cilin e ndërmori Qeveria e Kosovës në mbështetje të ekonomisë tonë edhe si mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin po strategjik. Do të ketë jehonë pashmangshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në një të ardhme jo shumë të largët mund të qoj edhe në rritjen e eksporteve të Kosovës, po qe se aq më tepër nëse vendimi i njëjtë pasohet edhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Zeka.

    Kujtojmë se, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë, kishte thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, më 1 gusht.