ATV

Category: Lajme

  • Lëshohet për qarkullim njëra nga urat e reja mbi lumin Ibër

    Lëshohet për qarkullim njëra nga urat e reja mbi lumin Ibër

    Kanë përfunduar punimet në njërën nga urat që ishin duke u ndërtuar mbi lumin Ibër.

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, ka publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka uruar të gjithë qytetarët për këtë urë.

    “Urime Mitrovicë!Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar Durmishi mbi videon e publikuar në Facebook.

    Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
    Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.

    Përfundimi i ndërtimit të urave ishte planifikuar të bëhej në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.
    Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

  • Sveçla publikon pamje të urës së re në Mitrovicë

    Sveçla publikon pamje të urës së re në Mitrovicë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një fotografi të njërës nga urat mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

    Ai ka uruar qytetarët për urën e re, ndërsa në pamje duken edhe veturat që po qarkullojnë.

    “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

  • Thaçi kërkon rrëzimin e aktakuzës së dytë

    Thaçi kërkon rrëzimin e aktakuzës së dytë

    Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Hagë.
    Kjo për të kërkuar rrëzimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë.
    Kërkesa është nisur më 18 gusht nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

    Në të i kërkohet Apelit që të anulojë vendimin e gjykatës, dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk ishte kompetent për nxjerrjen e kësaj aktakuze.
    Shkalla e parë ia kishte refuzuar kërkesën, pavarësisht se Thaçi ishte ankuar edhe për vështirësitë financiare.

    Tutje mbrojtja e ish-drejtorit politik të UÇK-së, argumenton se Prokuroria Speciale nisi procedurat e rastit 12-të në mënyrë të njëanshme, para vetëm të një gjykatësi.
    Siç theksohet ndër tjera, kjo duke anashkaluar kompetencat ekskluzive që i përkasin Panelit të Gjyqtarëve për mbikëqyrjen e çështjeve të cilat lidhen përkitazi me gjykim të drejtë ndaj Hashim Thaçit.

    Tutje, mbrojtja argumenton se gjyqtarja e caktuar paraprakisht ka ushtruar dy funksione të ndryshme brenda të njëjtit rast, konkretisht, si gjyqtare e fazës hetimore dhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas avokates ligji e ndalon qartë.

    Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit.

    Në anën tjetër, pikërisht e njëjta gjyqtare, ia kufizoi Thaçit vizitat nga 11 persona, por e refuzoi kërkesën për ndalimin e vizitave me vëllezër.
    Për dallim nga ankesa në Apel për rrëzimin e aktakuzës, Thaçit nuk i është lejuar ankesa për këtë vendim të vizitave.

    Kështu tha zëdhënësja e Speciales, Angel Griep.
    “Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi dhe rrëzoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për ndalimin e vizitave të personave të caktuar për zotin Thaçi në objektin e paraburgimit. Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi kërkesën lidhur me persona konkretë, duke konstatuar se masa është e domosdoshme duke marrë parasysh se personat në fjalë dalin në audioincizime të bëra nga Prokuroria më 2023 që tregojnë se z. Thaçi u zbuloi në mënyrë të përsëritur informacion konfidencial vizitorëve të tij”, tha ajo.
    “Sidoqoftë Gjykatësja e Procedurës Paraprake e rrëzoi kërkesën në lidhje me tre vëllezërit e z. Thaçi. Ndonëse Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se vëllezërit kishin diskutuar për dëshmitarë të mbrojtur, ndër të tjera edhe se si duhej të dëshmonte një dëshmitar dhe rrjedhimisht ka të ngjarë të kenë marrë pjesë në zbulimin e informacionit konfidencial për palë të treta, ajo gjithashtu kujtoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies së ngushtë me familjen dhe pranoi argumentin e Mbrojtjes se tre vëllezërit i japin zotit Thaçi mbështetje morale të vyer. Gjykatësja e Procedurës Paraprake mbajti parasysh se kontakti me familjen është edhe më i rëndësishëm duke qenë se babai i zotit Thaçi u nda nga jeta kohët e fundit”, tha ajo më tutje.

    “Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se kufizimet e urdhëruara në vendimin e saj duhet të mbeten në fuqi për aq kohë sa i shërbejnë një synimi legjitim dhe vazhdojnë të jenë të domosdoshme dhe proporcionale dhe informoi se do të rishikojë domosdoshmërinë e këtyre masave në çdo tre muaj. Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e Mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar si nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial. Ajo arriti në përfundimin se pikat e ngritura nga z. Thaçi nuk ishin të apelueshme dhe se Mbrojtja thjesht shprehte mospajtim me vendimin e saj”, theksoi zëdhënësja Griep.

  • Hoti: BE-ja pezulloi mbi 600 milionë euro projekte për Kosovën, 7.1 milionë janë të humbura përgjithmonë

    Hoti: BE-ja pezulloi mbi 600 milionë euro projekte për Kosovën, 7.1 milionë janë të humbura përgjithmonë

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë pasur ndikim të thellë financiar për vendin, me një kosto të përgjithshme që arrin në 613.4 milionë euro për periudhën qershor 2023 – prill 2025.

    Kështu thotë ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, sipas të cilit kjo shifër përfshin projektet që janë pezulluar për një afat të pacaktuar si pjesë e sanksioneve të vendosura nga Brukseli.

    “613.4 mln euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar”, ka shkruar Hoti.Por sipas tij, nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë fonde të humbura përfundimisht.

    “Nga kjo shumë, 7.1 mln euro janë të humbura plotësisht, të cilat parashiheshin për bujqësi, turizëm rural, ndërmarrje etj. Sektorët më së shumti të ndikuar janë: mjedisi 351 mln euro, energjia 114 mln euro, digjitalizimi 57 mln euro, kultura 15 mln euro etj” /ATVLIVE/

  • PSRK kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm kundër KFOR-it dhe Policisë

    PSRK kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm kundër KFOR-it dhe Policisë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin Lj.M. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, “huliganizëm” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

    Hetimet e deritanishme tregojnë se më 29 maj të vitit 2023, para komunës së Zveçanit, i dyshuari në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka sulmuar me gurë, mjete shpërthyese dhe armë zjarri pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët në vendngjarje. Gjatë bastisjes në banesën e tij janë sekuestruar prova materiale, përfshirë uniforma ushtarake dhe pajisje elektronike.

  • SBAShK: Subvencioni prej 80 eurosh nuk mjafton

    SBAShK: Subvencioni prej 80 eurosh nuk mjafton

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka vlerësuar se subvencioni prej 80 eurosh nga Ministria e Arsimit nuk mbulon shpenzimet reale për tekste dhe materiale mësimore.

    Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, ka thënë se procesi i aplikimit ka nisur me vonesë dhe prindërit kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës elektronike. /atvlive.tv

  • Nis asfaltimi në “Rrugën B” që lidhet me “Rrugën A”

    Nis asfaltimi në “Rrugën B” që lidhet me “Rrugën A”

    Ka nisur sot asfaltimi i “Rrugës B” në Prishtinë, e cila lidhet me “Rrugën A”. Punimet, të cilat kanë filluar disa javë më parë, janë në fazën përfundimtare.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga terreni, ku punëtorët dhe makineritë po përmbyllin procesin e asfaltimit. Ai ka bërë të ditur se projekti është planifikuar për të lehtësuar qarkullimin në këtë zonë.

    Sipas Komunës së Prishtinës, rruga pritet të shkarkojë komunikacionin në segmentet përreth, duke krijuar lidhje më të drejtpërdrejta për automjetet dhe duke zvogëluar ngarkesën në rrugët kryesore të qytetit. /atvlive.tv

  • Bie fluksi në pikat kufitare, deri gjysmë ore pritje në dalje

    Bie fluksi në pikat kufitare, deri gjysmë ore pritje në dalje

    Janë përditësuar të dhënat mbi fluksin në kufi, nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare, aktualisht pritjet për të hyrë në Kosovë janë të shkurtra përveç se në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Jarinje, transmeton KosovaPress.

    Në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” pritjet në hyrje raportohen deri në 40 minuta, teksa në Jarinjë deri në 10 minuta, kurse në pikat tjera pritjet në hyrje raportohen nga 3 deri në 5 minuta.

    Në anën tjetër pritjet në dalje raportohen, deri në 15 minuta në Bërnjak, deri në 10 minuta te Dheu i Bardhë dhe deri në gjysmë ore në Merdarë.

    Përditësimi i fundit ishte në ora 13:05./kp

  • Kurti bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij

    Kurti bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë të tij, bëri sot homazhe pranë varrit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandantit Ismet Jashari – Kumanova në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.

    Kurti theksoi se përmes kujtimit dhe përkujtimit të dëshmorëve të kombit, ne tregojmë respektin dhe nderimin tonë për gjakun e derdhur për liri, i cili ndodhet në rrënjët e shtetit e të Republikës

    Ai shtori se vetëm me idealet e tyre mund të bëjmë progres për popullin tonë edhe në aspektin e lirisë e të demokracisë, po edhe të zhvillimit ekonomik e të mirëqenies sociale.

  • Durmishi: Pas 54 ditësh punë, nis asfaltimi i urës së re mbi lumin Ibër

    Durmishi: Pas 54 ditësh punë, nis asfaltimi i urës së re mbi lumin Ibër

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se sot ka filluar asfaltimi i urës së re mbi lumin Ibër, së bashku me rrugët lidhëse në të dy anët – në jug dhe në veri të lumit.

    Përmes një postimi në Facebook, Durmishi tha se tashmë kanë kaluar 54 ditë që nga fillimi i punimeve dhe projekti po ecën me ritëm të mirë.

    “Vetëm 54 ditë prej kur filluam. Sot po shtrohet asfalti në urë dhe rrugët që e lidhin urën në jug e veri të Ibrit”, shkroi ai, duke publikuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes./ATVLIVE/