ATV

Category: Lajme

  • Nisin urimet e para për Dimal Bashën, presidenti i Shqipërisë përshëndet zgjedhjen e tij

    Nisin urimet e para për Dimal Bashën, presidenti i Shqipërisë përshëndet zgjedhjen e tij

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Dimal Bashën për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës.

    Në urimin e tij, ai ka shkruar se bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri.

    “Urime, Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, ka deklaruar Begaj.

  • Limaj: VV duhet të shpjegojë pse e vonoi vendin

    Limaj: VV duhet të shpjegojë pse e vonoi vendin

    Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj ka folur pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.

    Limaj ka thënë se pret që VV të japë shpjegim se përse e kanë vonuar vendin deri më tani.

    “Pres që të jepet një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri më tani. Votim pa marrëveshje politike këtë kanë mundur me bë ditën e parë. Shpresoj që do të kenë një shpjegim për qytetarët pse kanë vonuar deri sot..”, tha Limaj.

    I pyetur nëse do të hyjë në qeveri tash, Limaj nuk u përgjigj.

  • Daut Haradinaj: Votova për Dimal Bashën, ky është realiteti politik në Kosovë

    Daut Haradinaj: Votova për Dimal Bashën, ky është realiteti politik në Kosovë

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit.

    Haradinaj tha se ia dha votën Bashës.

    “Ne kemi pasur një votim të lirë si grup parlamentar. Unë personalisht jam kam dhënë votën. I pyeta se a e keni seriozisht që ky është kandidati më i preferuar i VV-së thanë po, dhe kështu vepruam e votuam”, tha Haradinaj.

    Ai shtoi se ky është realiteti i Kosovës.

    Haradinaj tha se tash sfidë do të jetë zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    “Tash sfida e radhës do të jenë zgjedhja e nënkryetarëve”, tha Haradinaj.

  • Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar, Abdixhiku: Fitore e injorancës, ky është niveli i tyre!

    Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar, Abdixhiku: Fitore e injorancës, ky është niveli i tyre!

    Lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit. Abdixhiku ka thënë se kjo është një fitore e injorancës, një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj.

    Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar, Abdixhiku: Fitore e injorancës, ky është niveli i tyre!
    Lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit. Abdixhiku ka thënë se kjo është një fitore e injorancës, një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj.

    “Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”, ka shkruar Abdixhku në Facebook.

  • Kjo është biografia e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha

    Kjo është biografia e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha

    Pas zgjedhjes së tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës, vëmendja publike është përqendruar tek Dimal Basha, figura më e re në krye të institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

    Biografia e plotë e Bashës e publikuar nga LVV:

    Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
    Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

    Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

    Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
    Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.

    Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje!

    Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

  • Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit

    Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës është konstituuar sot, pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar të tij. Në seancën plenare, Basha mori 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, duke siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votash.

    Ai u propozua për herë të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi në tentativën e kaluar nuk arriti të merrte më shumë se 57 vota. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë edhe partitë e ish-opozitës votuan në favor, duke i hapur rrugë përfundimit të procesit të konstituimit.

    Me këtë vendim, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur krizën disa mujore të bllokimit institucional dhe ka zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa pritet që së shpejti të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe formimin e komisioneve parlamentare.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.

    PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

    Basha, tashmë nga posti i kryeparlamentarit, shpalli një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit. Me zgjedhjen e tyre, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë.

    Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre.

    Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.

    “Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.

    Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.

    “Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.

    Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.

    “Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.

    Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës.

    Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

    Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i kishte hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

    Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.

  • Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

    Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje e konsideron deputetin Dimal Basha si përfaqësues të denjë, atëherë partia e tij do ta votojë pro për postin e kryeparlamentarit.

    Në prag të seancës së re të Kuvendit, Krasniqi ka kërkuar që grupet parlamentare të takohen për t’u koordinuar për votimin e një kandidati për kryeparlamentar për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.

    Sipas tij, kjo edhe për t’u siguruar që VV-ja është e sigurt se ai është kandidat i denjë për ta votuar për kryeparlamentar.

    Ka shtuar se Dimal Basha nuk i plotëson kriteret dhe as nuk është i denjë për kryekuvendar.

    “Mënyra se si e kanë propozuar në mënyrë tendencioze të befasishme nuk ishte për ta zgjedhur në të vërtetë ishte më shume taktizim. Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë që e votojmë një kandidat qe nuk ka qenë pseë e ekzekutivit por kërkesa jonë si sot si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon”, ka thënë ai. “Megjithatë nëse LVV-ja vertetë e konsideron se një kandidat i tillë si Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë i tyre atëherë PDK e voton. Kërkojmë që të bëhen të përgjegjshëm dhe të propozojnë një kandidat më të denjë. Nëse nuk na lejojnë pauzën, do të ishte arbitraritet”.

    “Qëllimi është i përgjegjshëm. Nuk e besoj që Basha është i përfaqësuesi më i mirë i VV-së për të qenë në krye të Kuvendit. Ne para dy ditësh kemi dashur t’u themi që nëse e keni taktizim mos e bëni, se nuk luhet me Kuvendin siç keni luajtur deri më tash”, ka shtuar Krasniqi.

    Ai ka thënë se i kanë diskutuar emrat e VV-së, porse sipas tij, Basha nuk është i duhuri.
    “Bashën ua votojmë edhe sot, por edhe ata e dinë që ai nuk është i duhuri”, ka thënë ai.

  • Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës – LIVE

    Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës – LIVE

    Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot edhe njëherë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

    Përpjekjet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë dështuar të dielën, pasi asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të udhëhequr institucionin më të lartë legjislativ të vendit.

    Lëvizja Vetëvendosje propozoi tre kandidatë për postin e kryeparlamentarit: Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha. Të tre kandidaturat dështuan. Murati mori 55 vota, Nagavci po ashtu siguroi 55 vota për. Kandidati i fundit, Dimal Basha, arriti të marrë 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime, por as ai nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë.

    Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Pas dështimit të të gjitha kandidaturave, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet sot, të martën.

    Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mbetet një hap kyç për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të tjera.
    Punimet e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, mund t’i ndiqni në transmetim të drejtpërdrejtë këtu.

  • Kurti uron qytetarët: Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër

    Kurti uron qytetarët: Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për hapjen e urës së re mbi lumin Ibër.

    Përmes një postimi në facebook, Kurti ka pohuar se më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër.

    “Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.
    Përfundimi i ndërtimit të urave ishte planifikuar të bëhej në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.

    Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Klinë, s’dihen shkaqet

    Gjendet i vdekur një burrë në Klinë, s’dihen shkaqet

    Një burrë është gjetur pa shenja jeta në Klinë.

    Rastin njoftohet se e ka raportuar një grua.

    Nuk dihen motivet e vdekjes, derisa Policia po e heton rastin.

    “Ankuesja ka raportuar se viktima mashkull dyshohet se është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit përkatëse ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim./ATVLIVE/