ATV

Category: Lajme

  • Sot vazhdon përpjekja e 60-të e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

    Sot vazhdon përpjekja e 60-të e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, duke filluar nga ora 11:00. Kjo do të jetë përpjekja e 60-të me qëllim të kompletimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

    Seanca konstituive sot do të vazhdojë në tentimin e radhës për të zgjedhur nënkryetarin e pestë të Kuvendit, pozicion që i takon komunitetit serb të përfaqësuar në Kuvend.

    Në dy seancat e fundit, atë të 26 gushtit, kur u zgjodh kryetari dhe katër nënkryetarët, dhe në seancën e 28 gushtit, dështoi zgjedhja e nënkryetarit të komunitetit serb.

    Lista Serbe, si parti me 9 deputetë, ka insistuar në emrin e Slavko Simiqit për këtë pozitë. Emri i tij doli për votim tri herë, por nuk mori votat e mjaftueshme. Derisa Lista Serbe kishte të vetmin emër Slavko Simiqin, kryekuvendari Basha sqaroi se ai nuk mund të dilte më në votim bazuar në aktgjykimin e ri të Kushtetueses.

    Bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit vendosi që zgjedhja e nënkryetarit serb të bëhej përmes shortit, por as me këtë formë nuk arriti të zgjidhej ai.

    Në garë për nënkryetar në dy seancat e fundit ishte edhe Nenad Rashiq, i cili e propozoi vetën për këtë post dhe emri i tij u tërhoq edhe përmes shortit, por as ai nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme. Nenad Rashiq ka vetëm edhe një mundësi, meqë ka dështuar dy herë të marrë këtë mandat.

    Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që urgjentisht të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet Qeveria.

  • Në kryeqytet shfaqen grafite “Albin dorëzohu në Prokurori”

    Në kryeqytet shfaqen grafite “Albin dorëzohu në Prokurori”

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ende nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale për rastin e rezervave shtetërore përkundër që është i urdhëruar nga gjykata që të paraqitet atje.

    Që të zbatojë këtë urdhër Kurtit i është kërkuar edhe përmes disa grafiteve që janë vendosur në disa pjesë të kryeqytetit e që duket se lidhen me këtë çështje.

    “Albin dorëzohu në prokuori”, shkruhet në to.

    Kurti refuzon të shkojë në Prokurori me arsyetimin se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror”, që kinse kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni.

    Ai ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit të shkojë te ai në zyre.

     

  • 35 Vjet nga Vizita Historike e Senatorëve Amerikanë në Kosovë

    35 Vjet nga Vizita Historike e Senatorëve Amerikanë në Kosovë

    Përkujtohet vizita e Bob Dole dhe delegacionit amerikan më 29 gusht 1990

    Sot, më 29 gusht 2025, shënohet 35-vjetori i një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës – vizita e delegacionit të senatorëve amerikanë të kryesuar nga miku i madh i shqiptarëve, Senator Bob Dole.

    Ky delegacion, që mbërriti në Prishtinë më 29 gusht 1990, përbëhej edhe nga senatorët John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack. Vizita e tyre u zhvillua në një periudhë të errët të shtypjes dhe mohimit të të drejtave themelore të shqiptarëve, duke u bërë një dritë shprese dhe një mesazh i fuqishëm se zëri i Kosovës po dëgjohej në botën demokratike.

    Një moment kthesë në kauzën e Kosovës

    Prania e senatorëve amerikanë i dha legjitimitet ndërkombëtar aspiratave të shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje. Vizita e tyre përforcoi strategjinë e rezistencës paqësore të udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe rriti besimin e qytetarëve të Kosovës në të ardhmen.

    “Vizita e senatorëve amerikanë në Prishtinë ishte një dëshmi se demokracia amerikane dhe populli shqiptar ndajnë të njëjtat vlera të lirisë, paqes dhe drejtësisë,” u theksua sot në mesazhet përkujtimore.

    Kontributi i diasporës shqiptare

    Në këtë përvjetor u nënvizua edhe roli i pazëvendësueshëm i veprimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, si Jim Xhema, kongresmeni Joseph DioGuardi dhe shumë të tjerë, të cilët ngritën çështjen e Kosovës në qendrat vendimmarrëse të politikës amerikane. Përkushtimi i tyre bëri që Kosova të trajtohej në arenën ndërkombëtare si një çështje e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

     

    Mirënjohje për miqtë amerikanë

    Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe të mbarë komunitetit shqiptar në SHBA, kryetari i saj, Dr. Elmi Berisha, shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për senatorin Bob Dole dhe kolegët e tij, si dhe për të gjithë ata që ndihmuan që zëri i Kosovës të dëgjohej.

    “Ky përvjetor na kujton se miqësia shqiptaro-amerikane është një lidhje historike dhe e pathyeshme – një aleancë që mbetet themeli i paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë. Lavdi kujtesës së atyre që punuan për lirinë e Kosovës! Mirënjohje të përjetshme miqve tanë amerikanë,” u shpreh Berisha.

  • Brahimaj: Rashiqi nuk është më i mirë se Lista Serbe

    Brahimaj: Rashiqi nuk është më i mirë se Lista Serbe

    Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj ka shpjeguar arsyet pse partia e tij nuk e mbështeti Nenad Rashiqin.

    Ai theksoi se Rashiq nuk dallon nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

    “Po flitet shumë herë, se shumë njerëz kanë bërë dëme të mëdha ndaj UÇK-së, por edhe zoti Rashiq nuk është më i mirë se sa të tjerët nga Lista Serbe. Zoti Rashiq, është një serb që e keni parë para disa muajsh me ato përshëndetje me tre gishta” – ka thënë Brahimaj.

  • Osmani, Basha e Kurti bëjnë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur

    Osmani, Basha e Kurti bëjnë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur

    Osmani, Basha e Kurti bëjnë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari i ri Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

    Homazhe bënë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, familjarë të të zhdukurve dhe qytetarë.

  • “Ujku shigjetë”, FSK njofton se do të stërvitet për gjashtë ditë në rajonin e Gjakovës

    “Ujku shigjetë”, FSK njofton se do të stërvitet për gjashtë ditë në rajonin e Gjakovës

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se nga data 31 gusht deri më 5 shtator 2025 do të zhvillojë ushtrimin fushor “Ujku Shigjetë”, në kuadër të përgatitjeve për validimin e Regjimentit të Tretë.

    Gjatë kësaj periudhe priten lëvizje të konvojeve ushtarake nga vendbanimet e FSK-së drejt rajonit të Gjakovës, konkretisht në Aeroportin e Gjakovës dhe Poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftojmë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se nga data 31 gusht deri më 05 shtator 2025 ,Forca e Sigurisë së Kosovës do të realizoi ushtrimin fushorë “ Ujku Shigjetë”, në kuadër të përgatitjeve për validimin e Regjimentit të tretë.

    Gjatë kësaj periudhe do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbanimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe Poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    E gjithë kjo lëvizje do bëhet me qëllim të realizimit të ushtrimit, andaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët./ATVLIVE/

  • Të shtunën vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit

    Të shtunën vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet të shtunën nga ora 11:00.

    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, sot ndërpreu seancën pasi deputeti serb Nenad Rashiq nuk mori votat e nevojshme për t’u bërë nënkryetar nga minoriteti serb.

    Ai e ndërpreu seancën me arsyetimin se Rashiq “ka gjasat më të mëdha” që të zë këtë pozitë meqë, sipas tij, mori më shumë vota sesa kandidatët tjerë të Listës Srpska.

    Kjo e fundit s’ka marrë pjesë në votim meqë tha se zgjedhja me short, që u përcaktua nga Basha pasi i propozuari i Listës Srpska për nënkryetar, Slavko Simiq, s’mori votat për të tri herë radhazi nga Kuvendi, është jokushtetuese./ATVLIVE/

  • Haradinaj: Ndërhyrja në procedurën e votimit për nënkryetarin serb – jokushtetuese, kritika edhe Abdixhikut

    Haradinaj: Ndërhyrja në procedurën e votimit për nënkryetarin serb – jokushtetuese, kritika edhe Abdixhikut

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar jokushtetuese ndarjen e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Sipas tij, zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë është dashur të bëhet në pako.

    Haradinaj i cili doli nga seanca e sotme para se të hidhen në votim kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, tha se Kurti qëllimshëm po tenton të vazhdojë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë si kryeministër në detyrë.

    “Ne kemi ardhë në seancë që të zbatohet procedura e njohur. Ka ndodhur ndërhyrje në procedurë në mënyrën e votimit për kandidatët për Kryesi të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë. Ndërhyrja në procedurë është jokushtetuese. Pra, ne kemi përvojë paraprake që na obligoi Gjykata Kushtetuese me u kthye në procedurë dhe që me respektu Rregulloren e Kuvendi. Është problem me u bë pjesë e kësaj loje në vazhdimësi. Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues në mënyrë që me i fitu edhe dy-tre muaj kohë që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë. Ai e ka në dorë ai po e bën këtë”, tha ai.

    Ai adresoi kritika sërish për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.

    “Nuk ka fajësi Aleanca, me numrin e votave që ka i ka kryer detyrat e veta. I është drejtuar gjykatës dhe ka marrë veprimet e veta. Kanë fajësi ata që po vendnumërojnë dhe ata që janë bërë shkaktar që opozita të mos jetë e bashkuar dhe mos të kenë një shumicë të vetën”, tha Haradinaj.

    Ndërkaq, për një hulumtim në bashkautorësi të kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili fliste kundër UÇK-së, Haradinaj tha se e ka thënë me kohë që Vetëvendosje s’i shërben agjendës së Kosovës.

    “Sa i përket shkrimeve të Dimalit dhe atyre, ju e dini se qëndrimet i kam të qarta se nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës këta njerëz, e kam deklaruar me kohë. Ka edhe shumë tjerë që në momente të caktuara kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më. Nuk mund të ankohemi pasi të ndodhë. Ne duhet më herët të marrim masat që të mos lejohen njerëz të tillë. P.sh pse të certifikohet dikush që ka thye një vlerë kombëtare. Është dashur herët këto procedura, pasi s’mund të thuash tash është deputet, po s’bën me qenë kryetar Kuvendi. Si i ka kaluar të gjitha këto procedurat ligjore”, tha ai./EO/

     

  • Bekë Berisha: Dimal Basha është qytetar i Kosovës, nuk duhet të bullizohet

    Bekë Berisha: Dimal Basha është qytetar i Kosovës, nuk duhet të bullizohet

    Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka folur për kritikat që janë drejtuar në adresë të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke thënë se ato janë të padrejta dhe të papranueshme.

    Berisha deklaroi se situata politike në të cilën gjendet Kosova po reflektohet edhe në reagimet e ndryshme që po bëhen kundër Bashës.

    “Kjo çka ka ndodhë është rezultat, produkt, reflektim dhe monument i kësaj situate në të cilën gjendet Kosova sot. Tash që paska folë diçka kundër UÇK-së, goxha do njerëz kanë folë keq kundër UÇK-së. Tashti po dalin kundër Dimal Bashës, sikur po e mbrojnë UÇK-në” – tha Berisha.

    Ai përmendi edhe deklaratat e disa figurave publike, përfshirë Mehmet Krajen dhe ish-kryeministrin Isa Mustafa, duke thënë se kërkesat e tyre për shkarkime janë të tepruara.

    “Kqyreni çka ka folë ky Mehmet Kraja i Akademisë së Shkencave. Isa Mustafa që po thotë duhet me i shkarku krejt ata që e kanë zgjedh Bashën… Edhe Dimal Basha është qytetar i Kosovës edhe duhet me mbajt gojën pak, nuk duhet me bullizu deri në atë formë. Është deputet i zgjedhur i Kosovës” – u shpreh ai.

    Ndërkohë, i pyetur nëse deputeti Adem Hoxha është pjesë e grupit parlamentar të AAK-së, Berisha u përgjigj shkurt:

    “Herë është, herë nuk është. Në seancën e fundit nuk ke.”

     

  • Arrin në 17 numri i të vdekurve nga sulmet masive ruse mbi Kiev

    Arrin në 17 numri i të vdekurve nga sulmet masive ruse mbi Kiev

    Ka shkuar në 17 numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve masive ruse mbi Kiev të enjten në mëngjes, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.

    Në mesin e të vdekurve janë katër fëmijë.

    Rusia ka sulmuar me dronë dhe raketa në disa zona të Kievit, duke lënë po ashtu rreth 50 të plagosur.

    Sulmet përveq dëmeve në njerëz, kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, përfshirë dëmtimin e ndërtesës së Këshillit të Britanisë dhe po ashtu atë të delegacionit të BE-së në Kiev.

    Për këtë arsye Komisioni Evropian ka njoftuar se do të thërras të dërguarin e Rusisë në BE.

    Ndërkaq edhe ministria e Jashtme britanike ka bërë të ditur se ka thirru ambasadorin e Rusisë në Londër.

    Kremlini ka deklaruar ndërkohë se ka sulmuar infrastrukturën ushtarake dhe ka shtuar se vazhdon të jetë i interesuar për bisedimet e paqes