ATV

Category: Lajme

  • Lista Serbe do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Lista Serbe do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

    Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij, janë shkelur të drejtat themelore të popullit serb dhe dispozitat kushtetuese e rregullorja e Kuvendit.

    “Është ndërprerë seanca, seanca konstituive e Kuvendit, siç e dini. Arsyeja është, para së gjithash, sepse po shkelen të drejtat themelore të njeriut të popullit serb, po shkelet rendi kushtetues, po shkelet edhe rregullorja në punën e Kuvendit. Ata janë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë. Në seancën e kaluar disa herë kam biseduar me përfaqësuesin e Kuvendit, i kam tërhequr vërejtjen për lëshimet dhe për gjithçka që po shkelin. Po shkelin nenin 67, paragrafin 4 të Kushtetutës, po shkelin rregulloren e Kuvendit, nenin 12, paragrafin 6.1, i cili qartë thotë se nënkryetari, kushdo që kandidohet për vendin e nënkryetarit që i takon popullit serb, duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë,” ka thënë Simiq.

    Ai ka theksuar se kandidati i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka fituar mandat të ligjshëm me 12.355 vota dhe gëzon mbështetjen e nëntë nga dhjetë deputetët serbë, ndërsa ka akuzuar pushtetin se po synon vendosjen e Nenad Rašić në këtë post në kundërshtim me rregullat.

    “Në këtë rast është zoti Slavko Simiq, i cili ka mandat të ligjshëm dhe legjitim të fituar në zgjedhjet demokratike dhe këtë rast e ka fituar me 12.355 vota. Për fat të keq, po shkelet rregullorja, po shkelen rregullat, gjithçka me qëllim që, falë mbështetjes së partisë në pushtet dhe regjimit të Albin Kurtit, në atë vend të vendoset Nenad Rashiq dhe këtë të gjithë duhet ta dinë mirë. Në kundërshtim me të gjitha rregullat, njëkohësisht duhet të dihet se ai Nenad Rashiq nuk ka mbështetjen as të deputetëve serbë, e as të popullit serb, sepse ka fituar më shumë se pesë herë më pak vota sesa që ka fituar kandidati Slavko Simiq,” është shprehur ai.

    Deputeti i Listës Serbe ka njoftuar se partia e tij do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Dua t’ju njoftoj se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, sepse rregullat janë shkelur. E shfrytëzoj rastin që t’i ftoj deputetët e partive të tjera shqiptare dhe të komuniteteve të tjera jo shumicë që të mos votojnë kundër një vendimi kushtetues,” ka theksuar Simiq.

    Ai ka shtuar se Slavko Simiq gëzon mbështetjen e nëntë nga dhjetë deputetët serbë dhe se vendi i nënkryetarit i takon atij.

    “Pra, edhe një herë, ne do të vazhdojmë me qëndrimin që është i qartë. Zoti Slavko Simić ka nëntë nënshkrime mbështetjeje nga dhjetë dhe e meriton atë vend. Ka edhe një gjë që duhet ta dini. Në momentin kur është zgjedhur nënkryetari i dytë që i takon një komuniteti jo shumicë, jo serb, gjithashtu është shkelur,” ka përfunduar deputeti i Listës Serbe./ATVLIVE/

  • Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku në Brod, tërhiqet zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë

    Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku në Brod, tërhiqet zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, që sipas familjarëve është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë.

    Sipas njoftimit, ajo ka lëndime në gjoks dhe shpinë.

    Gjendja e saj thuhet se është stabile, por se do të vazhdojë të trajtohet në QKUK.

    “Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare. Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile. Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës. Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet në njoftim.

  • Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: Do të ishte mirë të bëhet pjesë e zhbllokimit, e kam lut me bo qeverinë e ish-opozitës

    Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: Do të ishte mirë të bëhet pjesë e zhbllokimit, e kam lut me bo qeverinë e ish-opozitës

    Kryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka adresuar deklaratat e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikur, pasi ky i fundit i cilësoi si ‘’gabim trashanik’’ votat e PDK dhe AAK për zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit.

    Krasniqi ka thënë se do të ishte mirë që Abdixhiku dhe partia që ky i fundit drejton të bëhen pjesë e zhbllokimit.

    ‘‘Partitë politike funksionojnë ndamas. E mira kish me qenë edhe zoti Abdixhiku edhe LDK me qenë pjesë e zgjidhjes edhe pjesë e zhbllokimit’’, ka thënë ai.

    Tutje, i pari i PDK-së ka përmendur si mundësi të mirë lutjen që ai ia ka bërë Abdixhikut për krijimin e një qeverie të ish-opozitës.

    Krasniqi ka thënë se nëse kjo do të ndodhte atëherë pagat e pensionet do të rriteshin dhe se bizneset s’do të përballeshin me rritje të tarifave të energjisë.

    ‘‘Një mundësi ideale e kemi pas prej 10 shkurtit, të cilin e kom lut ‘’hajde e bojmë qeverinë e ish opozitës’. Deri tash ju garantojë që e kishit pas Bedri Hamzën kryeministër, dhe katër muajt e fundit i kishin pas qytetarët pagat e rrituna, pensionet e rrituna, nuk kish pas shanse me u rritë tarifat e energjisë 300% për bizneset, edhe shumë prej probleme tjera ishin zgjidh deri tash. Vendimet e partive politike janë individuale, por pastaj edhe përgjegjësia ndaj qytetarëve është individuale apo edhe grupore’’, ka thënë ai./ATVLIVE/

  • Blendi Fevziu i bashkohet Kolegjit AAB si profesor në Fakultetin e Komunikimit Masiv

    Blendi Fevziu i bashkohet Kolegjit AAB si profesor në Fakultetin e Komunikimit Masiv

    Një nga figurat më të njohura të gazetarisë shqiptare, Blendi Fevziu, i bashkohet stafit akademik të Fakultetit të Komunikimit Masiv në AAB si profesor!

    Përmes këtij zhvillimi, AAB edhe një herë dëshmon përkushtimin e saj për cilësinë më të lartë në arsim, duke sjellë në auditorë profesionistë të mirënjohur, me përvojë të jashtëzakonshme në media dhe komunikim.

    Studentët tanë do të kenë mundësinë të mësojnë nga një prej gazetarëve më me ndikim në hapësirën shqiptare, duke marrë njohuri dhe përvoja praktike që lidhen drejtpërdrejt me realitetin e medias sot.

    Në AAB, ne besojmë se arsimi cilësor ndërtohet me staf akademik të përkushtuar, eksperiencë reale profesionale dhe një vizion të qartë për të ardhmen e studentëve tanë.

    Zgjedhja e AAB është zgjedhja për të qenë pjesë e një universiteti që sjell ekspertët më të mirë në auditorë dhe hap rrugë drejt suksesit profesional.

  • Deputetja e Nismës për Bashën: Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë, dorëheqje ose shkarkim

    Deputetja e Nismës për Bashën: Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë, dorëheqje ose shkarkim

    Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka reaguar pas konferencës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, ku tentoi të arsyetohej për shkrimin skandaloz ndaj UÇK-së.

    Ajo ka thënë se ky turp nuk kalon me një konferencë dhe duhet dorëheqje ose shkarkim.

    Reagimi i saj:

    Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë për shtyp!

    Dorëheqje ose shkarkim!

    Kërkoj që jo vetëm ne që ngritëm dorën kundër, por edhe njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe ata që e duan vendin e sakrificën e UÇK-së, edhe brenda VV-së, të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Dimal Bashës.

    Një njeri që ka bashkautorësi në punime shkencore kundër UÇK-së, në linjë me Serbinë, Dik Martyn dhe Rusinë, nuk mund dhe nuk guxon të udhëheqë Kuvendin e Kosovës.

    PDK dhe AAK duhet të japin llogari për këtë shkarje të rëndë!

    Punimet shkencore nuk botohen me bashkautorësi pa besim dhe pa përputhje në qëndrime.

    Me votën e tyre, ata e bënë këtë narrativë pjesë të institucionit më të lartë të vendit.

  • IKD: Vetëpropozimi i Nenad Rashiq për nënkryetar, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren

    IKD: Vetëpropozimi i Nenad Rashiq për nënkryetar, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren

    Më 26 gusht, Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh Kryetar i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve.

    Në të njëjtën seancë u votuan dhe u zgjodhën tre nënkryetarët nga radhët e grupeve më të mëdha parlamentare, si dhe deputetja Emilja Rexhepi si nënkryetare nga komunitetet jo-shumicë.Megjithatë, procesi nuk u përmbyll me sukses sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, pozitë e garantuar me Kushtetutë dhe Rregullore për përfaqësim të barabartë të komuniteteve jo-shumicë.

    Pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën si është trajtuar zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

    Melos Kolshi, hulumtues në IKD ka thënë për “Front Online” se rasti paraqet një shkelje të thellë të rregullave kushtetuese dhe parlamentare, duke krijuar një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit.

    Ai thotë se procesi është zhvilluar në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta e rregullorja e Kuvendit.

    “Shkelja e Kushtetutës, Rregullores, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës parlamentare në lidhje me nënkryetarët nga radhët e Komuniteteve paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit. IKD ka monitoruar procesin e zhvillimit të seancës konstituive më 26 gusht dhe ka vërejtur se Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zhvilluar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika e deritanishme parlamentare”, tha ai.

    Në veçanti, Kolshi i referohet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet ku thuhet se “zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën e deritanishme parlamentare”.

    Kolshi ka deklaruar se edhe procesi i propozimit të Emilja Rexhepit për nënkryetare është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

    “Kjo Rregullore kërkon formën me shkrim të propozimit për nënkryetarë të Kuvendit, e cila formë nuk u respektua në rastin e Emilija Redžepi. Për këtë arsye, si procesi i propozimit të kandidatit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, ashtu edhe zgjedhja e deputetes Emilija Redžepi në pozitën e nënkryetares së Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në mungesë të transparencës. Marrëveshjet politike të cilat u prezantuan nga deputeti Elbert Krasniqi nuk mund të bëhen pjesë e një procesi kushtetues e ligjor. Shkelja e radhës në këtë proces ishte procesi i votimit”, u shpreh ai.

    Shkelje është evidentuar edhe në mënyrën e votimit, pasi, thotë Kolshi.

    “Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë dy (2) paragrafë të ndarë në lidhje me çështjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. Këta dy (2) paragrafë flasin për dy (2) procese të vetme të votimit: votimi i tre (3) nënkryetarëve nga grupet më të mëdha parlamentaren dhe votimi i (2) nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë. Sikurse nuk mund të ndahet procesi i votimit të nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare, njëashtu nuk mund të ndahet as procesi i votimit të nënkryetarëve nga komunitetet. Kështu ka qenë edhe praktika parlamentare e deritanishme, përfshirë praktika e vitit 2021 e udhëhequr nga vet LVV”.

    IKD: Kuvendi duhet të përsërisë votimin për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve

    Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi ka deklaruar për “Front Online” se Kuvendi i Kosovës duhet të përsërisë votimin për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve përsëri pasi sipas tij, ka bërë shkelje të rendit kushtetues.

    “IKD kërkon nga Kryetari i ri i Kuvendit që në vazhdimin e seancës konstituive më 28 gusht, të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Kolshi.

    Kolshi thotë se nënkryetarët nga komuniteti serb dhe jo-shumicë duhet të votohën së bashku.

    “Nënkryetari nga komuniteti serb dhe nënkryetari nga komunitetet tjera jo-shumicë, pas pranimit të propozimeve me shkrim, duhet të votohen së bashku, në pako. Kjo është e domosdoshme për të garantuar respektimin e rendit kushtetues dhe për të siguruar që procesi i konstituimit të Kuvendit të zhvillohet mbi bazën e rregullave të qarta ligjore e kushtetuese dhe brenda afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

    Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi është shprehur për “Front Online” se kandidatura e Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

    “Në lidhje me propozimin për votim të deputetit Nenad Rašić si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, ai nuk është i propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, të cilën shumicë e përbën Lista Serbe me 9 deputetë. Vetëpropozimi është i ndaluar si për nga forma që kërkohet me shkrim ashtu edhe për nga materia, që kërkohet të jetë përfaqësim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”, deklaroi ai.

    Kolshi nga IKD ka kritikuar mënyrën se si Kryetari i Kuvendit ka trajtuar këtë proces, duke thënë se ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

    “IKD vëren se Kryetari i Kuvendit ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ngase shorti aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në këtë rast kishte propozime konkrete nga deputetët e komunitetit serb, të cilat nuk morën votat e nevojshme, dhe në anën tjetër, vet deputetët e këtij komuniteti, refuzuan me të drejtë shortin, për arsye se mënyra e realizimit të votimit për të dy nënkryetarët ishte jo kushtetuese”, potencoi Kolshi.

  • Basha për dorëheqjen e Aliut: Komplet e natyrshme me pas pakënaqësi, e çmoj kontributin e tij në VV dhe punën në Ministri

    Basha për dorëheqjen e Aliut: Komplet e natyrshme me pas pakënaqësi, e çmoj kontributin e tij në VV dhe punën në Ministri

    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, është deklaruar lidhur me dorëheqjen e Liburn Aliut nga pozita e Ministrit në detyrë, shkaku i zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit.

    Basha tha se është komplet e natyrshme që të këtë pakënaqësi, teksa shtoi se e çmon kontributin e Aliut në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Sa për informacionin tuaj, unë lexova në media që ka dhënë dorëheqje nga pakënaqësia e tij me rastin e votimit tim si kryetar të Kuvendit. Nuk dua të komentoj shumë, përveç që e çmoj kontributin si aktivist i VV’së, siç e çmoj konmtributin e secilit activist tjetër që ka dhënë shumë për Lëvizjen Vetëvendosje. Por, gjithashtu e respektoj punën që e ka ba si ministër. Është komplet e natyrshme me pas pakënaqësi mes vete Unë edhe si deputet kam pas pakënaqësi me ministra dhe kemi pas debat të hapur në Kuvend. Kjo është demokracia. Edhe në familje ke pakënaqësi kajherë, por me rëndësi është që të vazhdojmë rrugëtimin para. E çmoj kontributin e tij si në Lëvizje dhe në Ministri”, deklaroi Basha.

    Aliu, përmes një postimi në Facebook, tha se dorëheqjen e ka dorëzuar dje te Kurti.

    “Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Aliu.

    Ai tha se zgjedhja e Bashës në krye të institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.

    Liburn Aliu jep dorëheqje si Ministër, shkak zgjedhja e Dimal Bashës Kryeparlamentar

     

  • Reagon Basha: E çmoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit për liri

    Reagon Basha: E çmoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit për liri

    Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se e çmon lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit për liri, në një reagim të mërkurën në mbrëmje, pas raportimeve se ai kishte shkruar para 12 vjetëve një artikull kundër UÇK-së.

    Në një reagim në rrjete sociale ai i ka cilësuar shkrimet si raportime të rreme dhe sulme ndaj tij. Basha, emri i të cilit figuron në punimin “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e pashenjta”, ka thënë se përgjegjësia e tij në këtë artikull qëndron vetëm për kapitullin për depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.

    “Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime  lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”, ka shkruar ai në Facebook.

    Basha ka thënë se ai nuk ka bërë asnjëherë përmbajtje që bie ndesh me vlerat e UÇK-së dhe luftën për liri.

    “Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë. I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

    Në rrjete sociale të mërkurën është nxitur diskutim mbi Bashën pas publikimit të një artikulli ku thuhet se Basha kishte shkruar kundër UÇK-së. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar shkarkimin e Bashës, teksa ka publikuar një pjesë të artikullit. E reagim më pas pati edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së që ka vlerësuar se është “e pafalshme që Kuvendi të udhëhiqet nga një njeri që ka fyer e sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët”.

    Jana Arsovska: Dimal Basha është përgjegjës vetëm për një kapitull të artikullit, unë jam autorja e të gjitha pjesëve të tjera

  • Murati: I vetmi opsion për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit është Rashiq, votojmë kundër të gjithë deputetëve nga Lista Serbe

    Murati: I vetmi opsion për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit është Rashiq, votojmë kundër të gjithë deputetëve nga Lista Serbe

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka shkruar në lidhje me rrjedhën e mundshme të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës e cila do të mbahet sot nga ora 11:00.

    Në këtë seancë pritet të zgjidhet edhe nënkryetari i 5-të, i cili duhet të jetë nga komuniteti serb,

    Murati ka thënë se para deputetëve janë dy opsione:

    “- Të zgjedhin njërin nga 9 deputetët e Listës Serbe, që nënkupton dikush i dirigjuar nga terroristi Milan Radojçiq në kryesi të Kuvendit, apo

    – Të zgjedhin një deputet si z. Nenad Rashiq që nuk është nga Lista Serbe”, ka shkruar Murati.

    Ai ka thënë se vota e VV-së është kundër për cilindo nga Lista Serbe që “punon kundër Republikës së Kosovës”. Për këtë, Murati ka thënë se i vetmi opsion mbetet për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, Nenad Rashiq.

    “Për cilin opsion janë deputetët e opozitës?” ka shkruar Murati.

  • Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, thërret konferencë për media

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, thërret konferencë për media

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, sot do të mbajë konferencë për media.
    Konferenca do të mbahet në orën 10:00, para sallës së mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Kuvendit.