ATV

Category: Lajme

  • Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të blejnë bashkë armatim nga SHBA-ja

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të blejnë bashkë armatim nga SHBA-ja

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po ndërmarrin hapa konkretë për të jetësuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, të formalizuar pesë muaj më parë me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët më 18 mars në Tiranë.

    Tani, vendet po kalojnë në një fazë tjetër, duke ndërtuar një aleancë më të fortë dhe më të qëndrueshme në fushën e sigurisë.

    Ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve po angazhohen që blerja e parë e armatimit të jetë ajo e kapaciteteve mbrojtëse, përmes një marrëveshjeje të koordinuar për armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Madje, në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës kanë konfirmuar për RTK-në se një takim i tillë trelateral tashmë veçse është mbajtur.

    “Është mbajtur takimi i përbashkët për hartimin e aktiviteteve trelaterale në kuadër të marrëveshjes, ku përfshihet edhe çështja e blerjeve të përbashkëta bazuar në kërkesat e forcave të secilit shtet. Me të përfunduar ky plan do të nënshkruhet nga secili shtet për të vazhduar më pas tutje”, konfirmoi Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Lidhur me këtë, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë se kjo marrëveshje është tejet e mirë, duke treguar për rëndësinë e blerjes së përbashkët të armatimit.

    “Kur blejnë tre shtete për njëherë, është kostoja shumë më e vogël, liferimi është shumë më i lehtë, dhe çdo prodhues i çdo armatimi ushtarak do të jetë më joshës për t’i furnizuar përnjëherë. Kur e kanë betimin edhe të NATO-s edhe të Uashingtonit, atëherë normal që prodhuesit do të jenë shumë të lumtur dhe shumë ekspeditivë në liferimin e armatimeve shumë më shpejt dhe shumë më mirë”, tha Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së.

    Duke u nisur nga rëndësia strategjike e partneritetit me SHBA-në për sigurinë dhe zhvillimin e Forcës së Kosovës, ish-koloneli i FSK-së konsideron se aleanca me SHBA-në është jetike për të ardhmen e ushtrisë.

    “Krerët që e udhëheqin shtetin, cilido qoftë ai, duhet paraprakisht të kenë interesin kombëtar dhe nacional të vendit, sidomos në kuptim të mbrojtjes, sepse nëse nuk ke fuqi mbrojtëse, ti fare s’ki asgjë. Ushtria është ajo që ta mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe rendin kushtetues të saj, dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse jemi në partneritet të fuqishëm me SHBA-në,” tha Afrim Veseli, ish-kolonel në FSK.

    Ndërkohë, në kuadër të blerjeve dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, para dy javësh në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është bërë dorëzim-pranimi i kontingjentit të dytë prej 50 autoblindave të blera nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për FSK-në./ATVLIVE/

  • OVL e UÇK-së thërret konferencë për media

    OVL e UÇK-së thërret konferencë për media

    OVL e UÇK-së, ka thirrur sot konferencë për media.

    Sipas njoftimit të lëshuar, konferenca do të mbahet me fillim nga ora 14:00.

    Thirrja e kësaj konference vjen një ditë pasi doli në pah një punim i Dimal Bashës, i cili theksonte se UÇK-ja është financuar nga paratë e grupeve të drogës./ATVLIVE/

  • Deputetët mblidhen në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e dytë

    Deputetët mblidhen në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e dytë

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot (e enjte), në përpjekjen e radhës për të konstituuar Kuvendin, e që tash po përballet me bllokadën e re. Konstituimi i Kuvendit ka mbetur peng i zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi paraprakisht u zgjodhën kryetari, nënkryetarët nga partitë shqiptare, si dhe ai i komuniteteve pakicë joserbe.

    Tashmë ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga ky komunitet. Por votimi u ndërpre pasi votat nuk arriti t’i marrë as deputeti i vetëm serb e që s’i takon grupit të Listës Serbe, Nenad Rashiq. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

    Për shkak të insistimit për ta kandiduar vetëm Slavko Simiqin për nënkryetar, Lista Serbe e refuzoi votimin brenda seancës konstituive. Simiq në tri tentime nuk i mori votat e mjaftueshme për të marrë postin. E kryeparlamentari Dimal Basha u shpreh të martën se në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses, një kandidati i lejohet të votohet vetëm deri në tre herë në përpjekje për të marrë detyrën e kryeparlamentarit apo nënkryetarit të Kuvendit.

    Pasi nuk propozoi emra të tjerë, Basha konstatoi se duhet të shkohet në votim me short. Në disa tentime nuk pati vota për deputetët e Listës Serbe, e më së afërmi numrit të shumicës ishte deputeti Nenad Rashiq. Përkrahje i dha Vetëvendosje dhe komuniteti joserb, ndërkaq PDK-ja abstenoi e LDK-ja u përmbajt nga votimi. Në votim s’morën pjesë deputetët e AAK-së dhe të Nismës.

    E njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese kanë vlerësuar po ashtu se kryeparlamentari Basha ka bërë shkelje kur ka ndarë procedurën e votimit të dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve.

    “Në rast se nuk votohet asnjë kandidat nga komuniteti joshumicë, përfshirë edhe Nenad Rashiqin, atëherë ka një moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e që përgjegjësia bie mbi kryetarin e ri të Kuvendit, për shkak se ai e ndërroi mënyrën e votimit. Kemi një gjendje të re jokushtetuese”, ka thënë Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Seanca e sotme nis në orën 11:00. Konstituimi nuk konsiderohet i mbyllur pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

    Pas konstituimit kalohet në rrugën për formimin e Qeverisë.

     

  • Jana Arsovska: Dimal Basha është përgjegjës vetëm për një kapitull të artikullit, unë jam autorja e të gjitha pjesëve të tjera

    Jana Arsovska: Dimal Basha është përgjegjës vetëm për një kapitull të artikullit, unë jam autorja e të gjitha pjesëve të tjera

    Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay” dhe autore e artikullit të vitit 2012 “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Ndërkombëtar, Islami Fundamental dhe Aleancat e Pahijshme”, ka reaguar pas diskutimeve në Kosovë për përmbajtjen e artikullit pasi njëri nga autorët e tij është edhe kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

    Arsovska në një reagim dërguar mediave ka thënë se Basha është përgjegjës vetëm për kapitullin tre të këtij artikulli, dhe se për pjesën tjetër është ajo autorja.

    “Meqenëse unë jam autorja e pjesës më të madhe të punës në këtë studim, do të doja t’ia bëja të qartë publikut se Dimal Basha është përgjegjës vetëm për kapitullin e tretë “Zgjerimi i islamit radikal” dhe asnjë nga kapitujt e tjerë nuk janë punë e tij. Shkurt, z. Basha paraqiti vetëm kapitullin e tretë për botim, një pjesë që shqyrton përhapjen e islamit fundamentalist në Europën Juglindore me një fokus të veçantë në Kosovë”- ka shkruar ajo në reagimin e saj.

    Ky artikull i publikuar në vitin 2012 ka gjithsej katër kapituj, ‘Shpërbërja e Jugosllavisë’, ‘Rritja e krimit të organizuar ndërkombëtar’, ‘Zgjerimi i Islamit radikal’ dhe ‘Globalizimi, konflikti kulturor dhe tendosja ekonomike: një diskutim’.

    Artikulli ka zgjuar diskutim në Kosovë për shkak të përmbajtjes së tij.

    Në kapitullin dy të këtij artikulli thuhet se “ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë etnikë shqiptarë brenda dhe jashtë Kosovës”… “Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Europën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

    Artikullin e plotë e gjeni këtu.

  • Sorenseni thekson rëndësinë e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë

    Sorenseni thekson rëndësinë e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë

    Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka folur pas vizitës në Serbi ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Ai në një postim në rrjetin social X ka theksuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se të njëjtën gjë e ka bërë edhe gjatë vizitës në Beograd.

    “Pas vizitës time në Kosovë në fillim të gushtit, isha në Beograd për bisedat përgatitore para takimeve të radhës të dialogut. I dëgjova me kujdes bashkëbiseduesit e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të qytetarëve”, ka thënë ai.

    Sorensen gjatë vizitës në Kosovë më 6 gusht ku ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, ka kërkuar implementimin e marrëveshjeve.

    Ai në një adresim për media, pas takimeve, pati deklaruar se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë gjërat mund të marrin më shumë kohë.

    Kurti pas takimit me Sorensenin pati deklaruar se ka kërkuar më shumë mirënjohje për përpjekjet e Kosovës në integrimin e komunitetit serb./ATVLIVE/

     

  • Liburn Aliu jep dorëheqje si Ministër, shkak zgjedhja e Dimal Bashës Kryeparlamentar

    Liburn Aliu jep dorëheqje si Ministër, shkak zgjedhja e Dimal Bashës Kryeparlamentar

    Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje si Ministër, pas zgjedhjes së Dimal Bashës si Kryeparlamentar.

    Aliu ka thënë se zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua.

    “Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua.”

  • Abduxhiku-Emisarit të Francës: S’mbështesim praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues, po shkaktojnë kriza me vetëdije

    Abduxhiku-Emisarit të Francës: S’mbështesim praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues, po shkaktojnë kriza me vetëdije

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Emisarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trocaz, si dhe Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilët ka diskutuar rreth zhvillimeve të djeshme në Kuvend.

    Abdixhiku ka thënë se me Trocaz dhe Guerot ka diskutuar për “bllokadën institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste”.

    Ai ka thënë se LDK nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit.

    “Ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije”, ka shkruar Abdixhiku.

    Në fund, ka thënë se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese dhe për rolin e rëndësishëm të saj në mbështetjen e integrimit evropian të vendit tonë./ATVLIVE/

  • MASHTI me njoftim të rëndësishëm për prindërit rreth teksteve shkollore

    MASHTI me njoftim të rëndësishëm për prindërit rreth teksteve shkollore

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të ditur se disa prindër janë duke hasur në vështirësi gjatë procesit të aplikimit për tekste shkollore.

    MASHTI u ka bërë thirrje prindërve që nëse hasin në vështirësi të tilla teknike, t’i drejtohen kësaj ministrie nga ora 08:00 deri në orën 16:00 përmes numrave të telefonit +383 (0) 38 200 65 058 dhe +383 45 834 248, ose edhe përmes postës elektronike, në [email protected].

    Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

    Të nderuar mësimdhënës, prindër dhe koordinatorë,

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se, në rast se gjatë procesit të aplikimit për tekste dhe mjete shkollore hasni në ndonjë vështirësi teknike, mund të na kontaktoni në këta numra të telefonit dhe adresë elektronike:

    +383 (0) 38 200 65 058

    +383 45 834 248

    [email protected]

    Orari i kontaktit: 08:00 – 16:00

    Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj!

     

  • 51 vatra zjarri në Kosovë, katër prej tyre mbeten aktive

    Në Kosovë të martën janë regjistruar gjithsej 51 vatra zjarri, ndërsa prej tyre katër vazhdojnë të jenë aktive, ka njoftuar Agjencia e Menaxhimit Emergjent.

    47 vatra zjarri janë lokalizuar.

    “Agjencia e Menaxhimit Emergjent njofton opinionin se sipas të dhënave të pranuara sot në nivel vendi janë regjistruar gjithsej pesëdhjetë e një (51) vatra zjarri. Prej tyre katër (4) vatra vazhdojnë të jenë aktive ndërsa dyzet e shtatë (47) vatra janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Agjencia apelon tek qytetarët që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr të denoncojnë pranë organeve ligjzbatuese çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme dhe të raportojnë rastet në numrat 112 193 dhe 192. Agjencia shpreh mirënjohje dhe falënderim për përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit”, ka njoftuar AME-ja.

     

  • Oda Amerikane diskuton tarifat 0% për mallrat amerikane

    Oda Amerikane diskuton tarifat 0% për mallrat amerikane

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë do të mbajë një forum me temën “Largimi i barrierave, ndikimi ekonomik i tarifave 0% për mallrat amerikane”, që synon të trajtojë përfitimet ekonomike dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të politikave të tregtisë së lirë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

    Ngjarja do të zhvillohet në selinë e Odës Amerikane, më 26 gusht 2025, në ora 15:30, dhe pritet të mbledhë përfaqësues të institucioneve shtetërore, bizneseve vendore, investitorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë.

    Forumi do të ofrojë një hapësirë për diskutim të politikave aktuale tregtare dhe mundësive që krijohen për bizneset vendore përmes heqjes së barrierave dhe aplikimit të tarifave 0% për mallrat amerikane./ATVLIVE/