ATV

Category: Lajme

  • Punëtori humb jetën në vendin e punës në Suharekë, arrestohen dy persona

    Punëtori humb jetën në vendin e punës në Suharekë, arrestohen dy persona

    Dy persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pas vdekjes se një punëtori në vendin e punës, ditën e djeshme në Suharekë.

    Siç bën të ditur policia e Kosovës, rasti është iniciuar si “asgjësim dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Viktima ka pësuar lëndime që kanë qenë vdekjeprurëse në rrethane ane të paqarta, thotë policia.

    “ASGJËSIM, DËMTIM OSE HEQJE E PAJISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIM I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS

    Suharekë 01.09.2025-14:30. Raportohet se në emergjencën e Suharekës është dërguar pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Dyshohet se viktima në vendin e punës në rrethana ende të pa njohura ka pësuar lëndime trupore. Të gjitha njësitë përkatëse kanë dal në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit , dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit janë dërguar ne mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Ndërkohë, siç u raportua ditën e djeshme, 35 vjeçari me inicialet P.O, dyshohet se është goditur nga një vinç në kokë derisa po punonte.

  • Ministri gjerman i Mbrojtjes kritikon Ursula von der Leyen

    Ministri gjerman i Mbrojtjes kritikon Ursula von der Leyen

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i kritikoi ashpër komentet e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në lidhje me garancitë për siguri ushtarake që kërkon Ukraina kundër sulmeve ruse si pjesë të një zgjidhjeje të mundshme për paqen.

    Sipas njoftimeve të mediave dhe deklarave të publikuar nga gazeta britanike Financial Times von der Leyen është shprehur, se po hartohen “plane të sakta” për dërgimin e një trupe shumëkombëshe në Ukrainë. von der Leyen i tha Financial Times se planet tashmë janë madje mjaft të detajuara.

    Pistorius tha se sipas tij diskutimi publik i temave të tilla përpara se Kievi dhe Moska të ulen në tryezën e negociatave është “krejtësisht i gabuar”.

    BE nuk ka kompetencë për dërgimin e trupave

    “Përveç faktit që Bashkimi Evropian nuk ka asnjë autoritet apo kompetencë në lidhje me pozicionimin e trupave – pavarësisht se për kë ose për çfarë – unë do të tregohesha i kujdesshëm dhe i përmbajtur sa i përket konfirmimit apo komentimit të planeve të tilla në çfarëdolloj mënyre”, tha Pistorius.

    Megjithatë, Pistorius aludoi se ka diskutime të vazhdueshme rreth asaj se “çfarë mund të jetë e mundur, çfarë jo dhe nën cilat kushte dhe apo me ç’rezerva diçka mund të jetë e imagjinueshme”. “Por të diskutosh publikisht për këto gjëra në këtë moment, mendoj se është krejtësisht e gabuar”, tha ai. DW

  • Rritje e manganit në liqenin e Badocit – këto janë zonat në Prishtinë e Graçanicë ku ndalohet pirja e ujit

    Rritje e manganit në liqenin e Badocit – këto janë zonat në Prishtinë e Graçanicë ku ndalohet pirja e ujit

    Qytetarët që jetojnë në disa zona të Prishtinës dhe Graçanicës janë udhëzuar të mos e përdorin ujin për pije, pas rritjes së përqendrimit të manganit në rrjetin shpërndarës që furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

    Zonat e prekura përfshijnë: Graçanicën dhe fshatrat përreth, Hajvalinë, Veternikun, Lagjen 038, Lagjen Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, fshatin Preoc, Çagllavicën, rrugët Behar Begolli, Richard Holbrooke, Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, Lagjen Qershia, Lagjen NIC, Matiçanin (drejtimi nga Pallati i Drejtësisë), fshatin ndërkombëtar, rrugën Muharrem Fejza, Enver Maloku, Lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, dhe zona të tjera si Bregu i Diellit (qendra dhe rreth Albi Mall), shkolla Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala, dhe pjesa “te Xhambazët”.

    Sipas komunikatës së përbashkët nga IKSHPK dhe KRU “Prishtina”, analizat e fundit laboratorike kanë treguar rritje të nivelit të manganit në ujin e liqenit Badoc dhe në rrjetin e furnizimit.

    Edhe pse kjo tejkalon kufijtë teknikë të cilësisë së ujit për konsum, deri tani niveli nuk ka arritur në pragun e rrezikshëm për shëndetin.

    Megjithatë, si masë parandaluese, qytetarët këshillohen që të mos e pijnë ujin deri në njoftimin e radhës.

    IKSHPK thekson se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin, pasi bëhet fjalë për ndotje kimike.

    Uji mund të përdoret vetëm për pastrim dhe mirëmbajtjen e higjienës personale e ambientale. /Telegrafi/

  • Rasti i gazit lotsjellës në Kuvend – Haxhiu, Kadaj e Lekaj dalin para gjykatës

    Rasti i gazit lotsjellës në Kuvend – Haxhiu, Kadaj e Lekaj dalin para gjykatës

    Sot me fillim nga ora 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj deputetes Albulena Haxhiu dhe ish-deputetëve Donika Kadaj dhe Pal Lekaj, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.

    Të akuzuarit përballen me veprën penale “armëmbajtje pa leje”, pasi sipas aktakuzës në shkurt të vitit 2016 kishin futur bombola me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, gjatë kohës sa ushtronin funksionin e deputetit.

    Në maj të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm për mungesë provash.

    Por pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit në tetor 2022 e rrëzoi vendimin dhe urdhëroi rigjykim të plotë të çështjes.

    Ky rast kishte nxitur reagime të mëdha publike dhe politike në atë kohë, pasi hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend ishte bërë si formë proteste ndaj proceseve të brendshme politike, përfshirë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe dialogun me Serbinë.

    Seanca e sotme pritet të mbahet në prani të të akuzuarve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe mjaft i nxehtë veror.

    Temperaturat do të kenë rritje si ato minimale edhe ato maksimale dhe pritet të lëvizin nga 14 minimalet deri në 31 gradë Celsius ajo maksimale.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e marta sjellë stabilitet të plotë atmosferik dhe kthjelltësi.

    Do të ketë mot me diell dhe të nxehtë veror në të gjitha viset.

  • OVL-UÇK nuk pranon kërkimfaljen e Dimal Bashës: Qëndrimi ynë mbetet i qartë

    OVL-UÇK nuk pranon kërkimfaljen e Dimal Bashës: Qëndrimi ynë mbetet i qartë

    Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ndaj kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke thënë se kërkimfalja e tij publike nuk është e mjaftueshme.

    Në reagimin e tyre thuhet se qëndrimet e Bashës, të shprehura në një punim shkencor të vitit 2012, cenojnë luftën çlirimtare dhe UÇK-në, duke rënë ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit.

    “Respekti ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë, është i panegociueshëm. Për këtë arsye, Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagim.

    Organizatat njoftuan se tashmë u kanë dërguar një kërkesë zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Bashës dhe janë në pritje të veprimeve të tyre.

  • IKSHPK apelon të mos përdoret për pije uji që vjen nga Badoci, janë rritur vlerat e manganit

    IKSHPK apelon të mos përdoret për pije uji që vjen nga Badoci, janë rritur vlerat e manganit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka apeluar te qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit e Liqenit të Badocit që të mos e përdorin ujin për pije, shkaku i rritjes së vlerave të manganit.
    IKSHPK ka njoftuar se ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

    “Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut. Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”, është njoftuar në një komunikatë të përbashkët të IKSHPK-së dhe KRU “Prishtinës”.

    IKSHPK-ja ka theksuar se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin dhe se uji mund të përdoret vetëm për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës personale, por jo edhe për pije.
    “IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët. KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme: Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit; Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar. Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania”, thuhet në reagim.

    Zonat e prekura: Graçanica, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga liqeni i Badocit, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fshati Preoc, Çagllavicë, Rr. Behar Begolli, Rr. Richard Holbrooke, Qendra tregtare Albi Mall, Rr. Shkupi, Rr. Holger Petersen, Rr. Malush Kosova, Lagja Qershia, Lagja NIC, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza, Rr. Enver Maloku, Lagja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, Rr.Ferat Dragaj, Rr. Hajrullah Abdullahu, Rr. Hilmi Rakovica, Rr. Vëllezërit Gërvalla, Rr. Afrim Zhitija, Rr. Armend Daci, Rr. Dervish Rozhaja, Rr. Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, Rr. Sali Nivica, Rr. Norbert Jokl, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, Rr. Mehmet Gradica, Rr. Hyzri Talla, Rr. Qamil Bala.

  • VV-ja bëhet gati për ta çuar emrin e Kurtit si mandatar te presidentja, Haxhiu: Hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë

    VV-ja bëhet gati për ta çuar emrin e Kurtit si mandatar te presidentja, Haxhiu: Hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë

    Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se situata pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nuk është ideale, por Kuvendi ka legjitimitet dhe kapacitet për të ushtruar mandatin e tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e pakicës serbe.

    “Situata nuk është ideale. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk është ideal. Ideale do të ishte mes Kuvendit të arrinte që të zgjidhej nënkryetari Nenda Rashi si nënkryetar të Kuvendit dhe po të merrte pjesë opozita e disa po të merrnin pjesë e disa po të votonin për unë mendoj që Rashiq do të ishte zgjedhur si anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Por kjo nuk ndodhi, nuk i gjetëm 6 deputet sa nevojiteshin,” tha Haxhiu.

    Ajo shtoi se pavarësisht këtyre rrethanave, Kuvendi duhet të vazhdojë punën e tij dhe nuk duhet të bllokohet nga një parti.

    “Por në këto rrethana ne duhet të jemi të qartë, ne duhet të vazhdojmë, Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin për të ushtruar mandatin e vet. Sepse përveç kryetarit të Kuvendit janë edhe katër kryeanzat që janë zgjedhur, nëse vetëm një ta kishim pasur prej tyre do të mund ta mbanim mbledhjen e Kryesisë sepse nevojiten 4 anëtarë që mbledhja të vazhdojë. Ne nuk duhet që të ndalim punën e institucionit më të lartë përfaqësues të Kosovës, pra Kuvendit. Nuk mund që ky Kuvend të mbetet peng i Listës Serbe,” tha Haxhiu./ATVLIVE/

  • Dëshmitë speciale: Mbretëria e Bashkuar ia konfirmon lejen mbrojtjes së Thaçit për një dëshmitar në Gjykatën Speciale

    Dëshmitë speciale: Mbretëria e Bashkuar ia konfirmon lejen mbrojtjes së Thaçit për një dëshmitar në Gjykatën Speciale

    Dëshmitë speciale në Hagë, pritet të kthehen në qendër të vëmendjes që nga 15 shtatori.

    Pas marrjes së lejeve për disa dëshmitarë amerikanë, jozyrtarisht diplomatë të njohur, mbrojtjes së Thaçit ia ka dhënë ‘aminin’ edhe Mbretëria e Bashkuar.

    Britania ia ka konfirmuar lejen avokatëve për një dëshmitar.

    “Kjo kërkesë është në kohën e duhur. Po bëhet sa më shpejt të jetë e mundur pasi Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (“UK FCDO”), një ofrues i Rregullit 107, i dha leje Mbrojtjes për të zbuluar Deklaratën e 1DW-006 dhe që ajo të përdoret në gjyq. Siç u përmend më parë, Mbrojtja nuk mundi ta përfshinte Deklaratën në Listën e Provave të paraqitur më 15 gusht 2025, pasi nuk ishte lejuar ta bënte këtë nga Ofruesi i Rregullit 107, me të cilin ka qenë në një proces për ca kohë për të marrë leje që 1DW-006 të dëshmojë dhe të finalizojë dhe zbulojë deklaratën e tij. Leja zyrtare nga ofruesi i Rregullit 107 u mor më 22 gusht 2025, siç u parashikua nga Mbrojtja në Konferencën e Përgatitjes së Mbrojtjes. 8 UK FCDO autorizoi 1DW-006 të paraqitej si dëshmitar në këto procedura, dhe që deklarata e tij me shkrim të përdoret në gjyq si bazë për provat e tij më të gjera, në varësi të kushteve të caktuara. Pas marrjes së këtij autorizimi, Mbrojtja e ftoi menjëherë 1DW-006 të nënshkruante deklaratën e tij. Mbrojtja e mori Deklaratën e tij të nënshkruar më 24 gusht 2025 dhe ua zbuloi të gjitha palëve dhe pjesëmarrësve ditën tjetër të punës, më 25 gusht 2025”, thuhet në parashtresë.

    Avokati i Thaçit ka treguar edhe disa kërkesa nga Mbretëria e Bashkuar për këtë dëshmitar, dhe ky i fundit pritet të dëshmojë më 22 shtator.

    “Lidhur me shkakun e fortë, 1DW-006 ofron prova shumë të rëndësishme, të cilat janë provuese të çështjeve në këto procedura. Siç u tregua më parë, Mbrojtja nuk ka ndërmend të paraqesë Deklaratën në përputhje me Rregullin 154, pasi 1DW-006 do të dëshmojë drejtpërdrejt. Prandaj, kjo deklaratë ofrohet si mirësjellje për të gjitha palët dhe pjesëmarrësit. Përveç kësaj, në përputhje me paragrafin 82 të Urdhrit mbi Kryerjen e Procedurave, Mbrojtja kërkon shtimin e Deklaratës në Listën e Provave Ekspozuese pasi mund të përdoret gjatë marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë të 1DW-006, për shembull, për të rifreskuar kujtesën e dëshmitarit nëse është e nevojshme. Pa mundësinë për të përdorur këtë Deklaratë, cilësia, saktësia dhe plotësia e provave të dëshmitarit dhe shpejtësia e procedurave do të dëmtoheshin. Së fundmi, nuk do të kishte asnjë paragjykim të tepruar nga shtimi i Deklaratës në Listën e Provave Materiale. Deklarata është vetëm 17 faqe, dhe një përmbledhje e gjerë është dhënë më parë që pasqyron kryesisht (me detaje të gjera) përmbajtjen e Deklaratës. Palët dhe pjesëmarrësit janë njoftuar për fushëveprimin e provave të 1DW-006 që të paktën më 8 gusht 2025, shumë kohë përpara dëshmisë së tij të parashikuar në javën që fillon më 22 shtator 2025. Prandaj, duke marrë parasysh fushëveprimin dhe madhësinë e kufizuar të Deklaratës, si dhe njoftimin në kohë të dhënë, palët dhe pjesëmarrësit do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe gjithashtu do të kenë mundësinë të shqyrtojnë 1DW-006”, thuhet në dokument.

    Gjykata Speciale në Hagë po hyn në një fazë të re nga 15 shtatori, kur mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të fillojë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj. Por, kjo fazë do të ketë një element krejtësisht të veçantë: pritet prani e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sallën e gjyqit.

    Më 18 gusht, ekipi mbrojtës i Thaçit mori miratimin nga SHBA-të për dëshminë e dëshmitarit të koduar “1DW-003” – një figurë e mbajtur ende në anonimitet për publikun, por e njohur për trupin gjykues. Nuk mbaron këtu: amerikanët kanë vendosur një listë të gjatë kushtesh për mënyrën se si ky person do të dëshmojë.

    Sipas dokumentit të avokatit Luka Misetiç, SHBA-të kanë kufizuar fushën e pyetjeve që mund t’i bëhen dëshmitarit, kanë lejuar refuzimin e përgjigjeve për arsye konfidencialiteti, si dhe kanë kërkuar të jenë vetë prezentë gjatë marrjes në pyetje.

    Në të njëjtën kohë, mbrojtja e Thaçit ka konfirmuar se është në pritje të miratimit edhe për katër dëshmitarë të tjerë. Për W04174 tashmë është dhënë drita e gjelbër nga amerikanët, ndërsa për 1DW-007 dhe 1DW-008 po vazhdojnë diskutimet. Miratimi për 1DW-010 mbetet ende i bllokuar.

    Këto zhvillime nënvizojnë rolin vendimtar të SHBA-ve në procesin e Hagës, jo vetëm si vëzhgues nga jasht, por tashmë edhe si garantues të kushteve mbi të cilat dëshmitarë kyç do të flasin. Një realitet i cili i jep garancione shtesë procesit./ATVLIVE/

     

  • Basha zhvilloi takim konsultativ me presidenten

    Basha zhvilloi takim konsultativ me presidenten

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka zhvilluar një “takim konsultativ dhe njoftues” me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, pak para se të mbledh Kryesinë e Kuvendit.

    Sipas njoftimit të Kuvendit, Basha e ka informuar Presidenten “lidhur me përfundimin e seancës konstituive dhe bartësit institucionalë kanë diskituar për hapat e nevojshëm për t’u ndërmarrë më tej”.

    “Takimi është mbajtur pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ku kryetari Basha e ka informuar Presidenten Osmani lidhur me përfundimin e seancës konstituive dhe bartësit institucionalë kanë diskituar për hapat e nevojshëm për t’u ndërmarrë më tej. Kryetari Basha dhe Presidentja Osmani kanë biseduar për domosdoshmërinë që proceset kushtetuese dhe ligjore të ecin me dinamikën e paraparë kohore, në mënyrë që të mundësohet zgjedhja sa më e shpejtë e Qeverisë së re të vendit, si përgjegjësi e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
    Po ashtu, në takim është nënvizuar domosdoshmëria e funksionalitetit të institucioneve dhe stabilitetit politik.

    Basha rikonfirmoi përkushtimin që Kuvendi të ushtrojë rolin e tij të plotë kushtetues, ndërsa Osmani ritheksoi gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit.

    “Kryetari i Kuvendit, z. Dimal Basha, rikonfirmoi përkushtimin e tij që Kuvendi i Kosovës të ushtrojë rolin e vet të plotë kushtetues pas konstituimit, ndërsa Presidentja Osmani ritheksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e vendit në të mirë të qytetarëve të Kosovës2, thuhet në njoftim.