ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Policia nuk i la shans krimit e terrorizmit në veri

    Kurti: Policia nuk i la shans krimit e terrorizmit në veri

    Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, tha se ky përvjetor nuk është vetëm një datë për t’u shënuar, por një dëshmi e rrugës së përbashkët të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës.

    “Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i një date por dëshmi e rrugës tonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës,” theksoi Kurti.

    Ai vlerësoi Policinë e Kosovës si themel të sigurisë së vendit dhe u zotua për mbështetje të vazhdueshme institucionale. “Ajo ka treguar se është themeli i sigurisë sonë dhe për këtë arsye ne si institucione do të jemi gjithmonë krahas saj duke e mbështetur atë me të gjitha mjetet.”

    Kryeministri veçoi edhe sukseset e këtij viti, duke përmendur veprimet në veri të vendit. “Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, në veri ajo sërish nuk i la shans krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia,” tha Kurti.

    Ai përmendi aksionet konkrete: “U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj.”

    Kurti foli edhe për luftën kundër krimeve të luftës. “Policia jonë nuk ndalet as para krimeve të së kaluarës, arrestimet e personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës janë dëshmi se drejtësia edhe kur vonon, ajo megjithatë vjen një ditë. Kjo është përgjegjësi ndaj kujtesës tonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë.”

    Ai vlerësoi rolin e grave dhe vajzave në Policinë e Kosovës: “Vajzat dhe gratë në uniformë shërbejnë sy pa trembur në çdo cep të Republikës së Kosovës, që nga menaxhmenti i lartë, krimet e luftës, njësitë speciale, krimet e rënda, inteligjenca, dhuna në familje e policimi në bashkësi, ato kanë thyer barriera të vazhdueshme duke dëshmuar që asnjë profesion nuk ka gjini kur si i tillë përbrendësohet me vullnet e përkushtim për shërbim.”

    Kurti theksoi përfshirjen e komuniteteve në Policinë e Kosovës: “Dhjetë për qind e policisë tonë janë pjesëtarë nga komunitetet dhe mbi gjysma e tyre i përkasin komunitetit serb, ky është vizioni ynë për integrim dhe bashkëjetesë.”

    Në fund, ai e krahasoi këtë me situatën në Serbi: “Ndërkohë Serbia vazhdon t’i diskriminojë shqiptarët në Luginë të Preshevës duke mos u dhënë vend në institucionet e saj të sigurisë. Ky kontrast e tregon qartë dallimin mes Republikës sonë demokratike dhe politikave diskriminuese të një shteti autoritar si Serbia.”

    Kurse ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se integriteti mbetet vlerë themelore për Policinë e Kosovës, e cila ka dëshmuar se është në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.

    Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka folur mbi rrugëtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

  • Osmani: Uniforma e Policisë akt atdhetarie dhe simbol i dinjitet shtetëror

    Osmani: Uniforma e Policisë akt atdhetarie dhe simbol i dinjitet shtetëror

    Në ceremoninë e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart rolin, guximin dhe përkushtimin e kësaj force që nga themelimi e deri më sot.

    “Ne kremtojmë historinë e policisë, e cila është histori e kurajos, përkushtimit dhe përballjes me sfidat që ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë,” tha Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e Policisë së Kosovës si një ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    Ajo theksoi se besnikëria e Policisë së Kosovës ndaj Republikës ka qenë e palëkundur në të gjitha rrethanat, krizat dhe kërcënimet me të cilat është përballur vendi ndër vite. “Nga ditët e para të themelimit e deri më sot, ju keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besnikërinë tuaj ndaj Republikës”, theksoi Presidentja.

    Duke u ndalur në sfidat e sigurisë në veri të vendit, Osmani vlerësoi profesionalizmin dhe guximin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. “Sidomos gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim të pashoq duke e garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim,” tha ajo.

    Presidentja Osmani theksoi se shërbimi në Policinë e Kosovës nuk është vetëm një detyrë ligjore, por mbi të gjitha është një akt i thellë atdhetarie. “Çdo uniformë e Policisë së Kosovës është shërbim, është simbol i rendit, i ligjit dhe i dinjitetit tonë shtetëror,” u shpreh ajo.

    Ajo përmendi edhe rolin ndërkombëtar të policëve të Kosovës, duke thënë se ata janë të gatshëm të kontribuojnë në misione të sigurisë globale. “Policët tanë janë të gatshëm që krahas garantimit të sigurisë brenda vendit, të kontribuojnë edhe në misione ndërkombëtare të sigurisë, duke e vendosur kështu Kosovën në hartën e partneritetit global,” deklaroi Osmani.

    Në fund, Presidentja ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë. “Për këtë arsye, mbetet domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, sepse aty e ka vendin Policia jonë – në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë,” përfundoi ajo.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj për shpëlarje parash dhe keqpërdorim të kartelave bankare

    Ngrihet aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj për shpëlarje parash dhe keqpërdorim të kartelave bankare

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – tre shtetasve të Turqisë dhe një shtetasi të Maqedonisë së Veriut – për veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” si dhe “shpëlarja e parave”.

    Sipas Prokurorisë, të pandehurit A.S., A.S., S.O. dhe S.E., gjatë periudhës 11 nëntor 2024 – 20 shkurt 2025, në intervale të ndryshme kohore dhe në bashkëkryerje, kanë regjistruar biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe kanë hapur llogari bankare të këtyre bizneseve dhe individuale në banka të Kosovës. Përmes POS terminaleve, ata kanë keqpërdorur qindra kartela bankare ndërkombëtare, duke klonuar kartela të shtetasve të Danimarkës dhe shteteve të tjera, me ç’rast kanë kryer transaksione në llogaritë e tyre personale. Nga kjo veprimtari, sipas aktakuzës, ata kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme 372,900.42 euro.

    Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se kanë shpëlarë paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, duke i tërhequr ato në para të gatshme nga bankomatet e bankave në Kosovë dhe duke i transferuar jashtë vendit, kryesisht në Turqi, me qëllim të fshehjes së origjinës së mjeteve dhe shmangies nga pasojat ligjore.

    “Të akuzuarit ndodhen në masën e paraburgimit. Prokuroria ka propozuar që kjo masë të vazhdohet deri në përfundim të procedurave gjyqësore”, ka njoftuar Prokuroria.

  • Hoti: Shteti s’arriti t’ia ofrojë mbrojtjen e nevojshme Policisë, atyre iu mungojnë shujtat e rregullta, veshmbathjet cilësore për verë e dimër

    Hoti: Shteti s’arriti t’ia ofrojë mbrojtjen e nevojshme Policisë, atyre iu mungojnë shujtat e rregullta, veshmbathjet cilësore për verë e dimër

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës tha se shteti ende s’ka arritur të ofrojë mbrojtjen e nevojshme për pjesëtarët e këtij institucioni, përfshirë këtu sigurimin shëndetësor dhe sigurimin e jetës, pensionin dinjitoz, të parakohshëm dhe të rregullt.

    Hoti tha se përveç këtyre, policëve iu mungojnë shujtat e rregullta, veshmbathje cilësore për verë e dimër, transport adekuat, vetura pune të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të gjithë.

    ”Respekt dhe mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj institucionit simbol dhe identitar të Republikës së Kosovës – Policisë. Mirënjohje dhe përulje ndaj të gjithë atyre policëve që ranë në krye të detyrës dhe atyre që u lënduan në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve. Ndjehem keq që pas kaq vitesh shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të ofrojë mbrojtjen e nevojshme për pjesëtarët e këtij institucioni, përfshirë këtu sigurimin shëndetësor dhe sigurimin e jetës, pensionin dinjitoz, të parakohshëm dhe të rregullt. Është e papranueshme edhe fakti se ju mungojnë kushtet dhe mjetet e punës adekuate, siç janë: shujta e rregullt dhe e plotë,veshmbathje cilësore për verë e dimër, transport adekuat, vetura pune të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të gjithë”, ka shkruar Hoti.

  • Bajrami: Kurti po e zhyt vendin në krizë, është bërë aleat me Listën Serbe në bllokimin e institucioneve

    Bajrami: Kurti po e zhyt vendin në krizë, është bërë aleat me Listën Serbe në bllokimin e institucioneve

    Shefja e deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami, thotë se Kosova po zhytet drejt një krize të thellë ekonomike. Bajrami thotë se e gjithë kjo po ndodh derisa institucionet po vazhdojnë të jenë të bllokuara nga Kurti dhe aleatët e tij.

    Bajrami në reagim thotë se norma e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 4.3%, derisa për shportën bazë të konsumit ai kap numra dyshifror.

    Shefja e Grupit Parlamentar dhe ish-ministrja Bajrami ka përmendur edhe ngritjen e çmimit të rrymës për bizneset dhe mungesën e investimeve kapitale nga Qeveria.

    Bajrami ka akuzuar Kurtin se ka faktorizuar Listën Serbe dhe sipas saj, Kurti dhe Lista Serbe janë bërë aleatë në bllokimin e institucioneve të Kosovës.

  • Haradinaj: Policia e Kosovës, një nga arritjet më të mëdha të shtetit

    Haradinaj: Policia e Kosovës, një nga arritjet më të mëdha të shtetit

    Me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vlerësuar lartë kontributin e këtij institucioni, duke e cilësuar atë si një nga sukseset më të mëdha të shtetit të Kosovës.

    “Policia e Kosovës është një nga arritjet më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit”, ka shkruar Haradinaj, duke theksuar përkushtimin dhe guximin e pjesëtarëve të saj ndër vite. Ai ka shtuar se është detyrë e shtetit të sigurojë kushte dinjitoze për këtë institucion jetik.

    “Në këto 25 vjet, policët tanë kanë dëshmuar përkushtim dhe uguxim në shërbim të qytetarëve dhe rendit publik. Andaj, është detyrë e shtetit që t’u krijojë kushte dinjitoze, në përputhje me misionin e rëndë e fisnik që mbajnë”, ka shkruar Haradinaj.

  • Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit në Novi Sad

    Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit në Novi Sad

    Policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe mjete tjera për t’i shpërndarë protestuesit kundër Qeverisë në qytetin serb të Novi Sadit të premten, teksa mijëra persona vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

    Protesta e 5 shtatorit është pjesë e serisë së organizimeve të udhëhequra nga studentët në Serbi, të cilët protestojnë kundër keqmenaxhimit qeveritar.

    Protestat janë nxitur pas rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë të vdekur 16 persona. Protestuesit kërkojnë nga institucionet përgjegjësi politike dhe penale për këtë rast.

    Ata besojnë se ka pasur korrupsion në projektin e rindërtimit të stacionit. Ndërkohë i kanë rritur kërkesat, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

    Organizimet kanë qenë kryesisht paqësore deri në mesin e muajit gusht kur protestuesit i kanë akuzuar zyrtarët policorë për taktika të ashpra kundër protestuesve.

    Në protestën e së premtes janë përsëritur thirrjet për zgjedhje të parakohshme.

    Disa agjenci lajmesh në Serbi kanë raportuar se protestuesit kanë hedhur shishe dhe gjësende tjera në drejtim të policisë.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar protestuesit se kanë tentuar të “kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Serbisë” dhe “t’i zaptojnë objektet universitare në Novi Sad”.

    Ai ka thënë në një konferencë për media se 11 zyrtarë policorë janë plagosur në hyrje në Fakultetit Filozofik.

    Sipas tij, dhjetëra persona janë arrestuar dhe disa prej tyre do të jenë në mbajtje.

    “Njerëzit në Serbi duhet ta dinë se shteti është më i fuqishëm se cilido, dhe që kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë presidenti serb, duke paralajmëruar se marshe pro Qeverisë do të organizohen ditën e diel.

    Të hënën kanë marshuar mijëra njerëz në Beograd, Novi Sad dhe qytete tjera për të shënuar 10 muaj prej tragjedisë në Novi Sad.

    Vuçiqi i ka hedhur poshtë kërkesat për zgjedhje të parakohshme dhe i akuzon protestuesit se janë të nxitur nga faktorë të jashtëm.

    Partia e tij, Partia Përparimtare Serbe, është në pushtet prej vitit 2012.

  • Sot mbahet ceremonia qendrore për shënimin e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës

    Sot mbahet ceremonia qendrore për shënimin e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës

    Me rastin e 26 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, sot do të zhvillohet Ceremonia Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
    Në këtë ceremoni, e cila pritet të fillojë nga ora 19:00, do të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore, drejtues të Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë. Policia e Kosovës, e themeluar më 6 shtator 1999, mbetet një nga institucionet kyçe të vendit, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
    Ceremonia vjen si një moment për të nderuar punën dhe angazhimin e gjithë punonjësve të saj gjatë dy dekadave e gjysmë të shërbimit ndaj qytetarëve.

  • Të shtëna në Vushtrri, burrit i plagoset këmba teksa qëndronte në oborrin e shtëpisë

    Të shtëna në Vushtrri, burrit i plagoset këmba teksa qëndronte në oborrin e shtëpisë

    Një burrë nga Vushtrria ka raportuar një rast të pazakontë.

    Sipas raportit 24-orësh, viktima derisa ishte në oborr të shtëpisë, ka dëgjuar një të shtënë dhe më pas ka ndier një goditje mbi gju.

    “Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Paralajmërohet rritje e çmimit të rrymës – qytetarët tash e sa muaj jetojnë në krizë

    Paralajmërohet rritje e çmimit të rrymës – qytetarët tash e sa muaj jetojnë në krizë

    Në prill të këtij viti, qytetarët e vendit panë shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike. Pavarësisht protestave, çmimi i rrymës u rrit. Një vendim i tillë, ashtu edhe siç u paralajmërua gjatë protestave s’u prit aspak mirë nga qytetarët. Megjithatë, sot, u bë e ditur se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) s’e përjashton mundësinë që deri të fund të vitit të bëjë sërish shqyrtimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, duke paralajmëruar se mund të ketë sërish rritje të çmimit të rrymës.

    Sipas kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, shqyrtimi i këtyre tarifave nënkupton se mund të ketë ngritje, por edhe ulje të tarifave të energjisë.

    ‘‘Ekziston mundësia ne mund të themi që ajo do të jetë shqyrtimi i ardhshëm tarifor në dhjetor të këtij viti pastaj do të shikojmë stafi i ZRRE-së do t’i shikoj kostos e sistemit varet se sa është kosto e sistemit do ketë mundësi edhe të rritjes, por nuk përjashtohet mundësia edhe e zbritjes në rast kursimeve…jo domosdoshmërisht në mënyrë arbitrare të kemi rritje dhe zbritje ato varen nga kosto e sistemit”, ka thënë Fejzullahu.

    Për shumë kë, rritja e çmimit të rrymës që është bërë disa herë gjatë qeverisë së Albin Kurtit, ka dëmtuar ekonomitë familjare, duke shkaktuar krizë tek to.

    Por, tarifat e larta të energjisë, s’kanë qenë problemi i vetëm me të cilin janë përballur qytetarët gjatë këtyre muajve.

    Të njëjtit kanë qenë dëshmitarë të një krize të thellë politike e institucionale. Qe nga zgjedhjet qendrore, që janë mbajtur me 9 shkurt, Kosova ende s’ka institucione e saja. Kuvendi ende nuk ka arritur të konstituohet.

    Përveç si krizë politike, situata e krijuar tashmë disa muajshe ka ndikuar edhe në aspektin ekonomik.

    Ndryshe, dje Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme për ndalimin e çdo veprimi nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës pas ankesës së Listës Srpska. E njëjta, ka urdhëruar që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025