ATV

Category: Lajme

  • Rekord historik: 3 milionë pasagjerë në Aeroportin e Prishtinës deri në gusht

    Rekord historik: 3 milionë pasagjerë në Aeroportin e Prishtinës deri në gusht

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” po shënon rritje të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve dhe zgjerim të hartës së destinacioneve.

    Vetëm gjatë periudhës janar–gusht 2025, përmes aeroportit kanë udhëtuar rreth 3 milionë pasagjerë, një rritje prej 16% krahasuar me vitin e kaluar. Gushti ka rezultuar muaj historik, me gjysmë milioni udhëtarë, shifër që konsiderohet rekord.

    Nga 1 tetori, pritet të nisë edhe linja e re direkte për në Xheda të Arabisë Saudite, duke e pasuruar listën e destinacioneve ndërkombëtare. Vetëm pak muaj më parë, aeroporti shtoi linja të reja për në Paris dhe Lion të Francës, ndërsa gjatë shtatorit fluturimet drejt Lionit do të realizohen edhe nga një kompani tjetër ajrore.

    Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka theksuar se pavarësisht fluksit të madh të udhëtarëve, nuk ka pasur vonesa apo anulime fluturimesh, falë implementimit të shërbimit auto check-in, i cili ka shmangur radhët e gjata.

    Në vitin 2024, aeroporti u mbyll me mbi 4 milionë pasagjerë, ndërsa për këtë vit pritet që numri të arrijë në mbi 4.5 milionë udhëtarë.

  • Grafite kërcënuese kundër Kurtit, Ibishi: Pjesë e luftës hibride para zgjedhjeve lokale

    Grafite kërcënuese kundër Kurtit, Ibishi: Pjesë e luftës hibride para zgjedhjeve lokale

    Ditë më parë, në veri të Mitrovicës janë shfaqur grafite kërcënuese kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, i cilësoi ato si pjesë të një lufte hibride që po intensifikohet para zgjedhjeve lokale.

    Sipas Ibishit, kërcënimi duhet të merret seriozisht nga institucionet e sigurisë.

    “Tani para zgjedhjeve është një sistem i luftës hibride që realisht ky është kërcënim pasi që ka të bëjë me jetën e kryeministrit në detyrë dhe deputetit, por duhet marrë seriozisht ngase jemi në një situatë para zgjedhjeve lokale, sidomos në pjesën veriore që kemi paraqitje të vazhdueshme të grafiteve dhe mbishkrimeve të ndryshme të elementeve kërcënuese, por edhe që përkasin edhe veprave të tjera penale. Duhet të merret seriozisht. Policia e Kosovës ka arritur njërin prej atyre ta kap dhe mendoj që së shpejti duhet përveç mbulimit të terrenit prej policisë, duhet edhe të ndërmerren masat edhe në sistemin e sigurisë teknike, që ta mbulojnë terrenin. Kjo do të vazhdojë duke parë tendencat e vazhdueshme të qeverisë së Serbisë për strategjinë shqiptare, sidomos në këtë kohë kur akoma nuk i kemi krijuar institucionet as Kuvendin as Qeverinë”, deklaroi Ibishi.

    Ai kërkoi që rasti të merret seriozisht nga institucionet e sigurisë dhe të rritet bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar incidente të tilla.

    “Kjo tregon që duhet të vihet vëmendje dhe vlerësimi të bëhet në mënyrë të vazhdueshme, dhe gjithë sektori i sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare të jetë në bashkëpunim të vazhdueshëm të parandalojë. Kërcënimi duhet të adresohet tek institucionet përkatëse në polici dhe prokurori, sepse kërcënon direkt. Çdo kërcënim duhet të merret me seriozitet, për këtë arsye duhet të merren masa të hetimit. Serbia përherë po vazhdon me sistemin e luftës hibride në forma të tjera dhe në këtë mënyrë duhet me shumë seriozitet të merret, dhe me me mbulu terrenin me sistemin e sigurisë dhe me bashkëpunimin me prezencën e ndërkombëtarëve dhe të tjerëve të sigurisë në Kosovë”, tha ai për EO.

    Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi se nuk ka vend për shqetësim, ndonëse ende nuk ka të dyshuar.

  • Rama padit në Kushtetuese Ministrinë e Financave, pretendon bllokim politik të 35 milionë eurove për kryeqytetin

    Rama padit në Kushtetuese Ministrinë e Financave, pretendon bllokim politik të 35 milionë eurove për kryeqytetin

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesë-padi kundër Ministrisë së Financave, për cenim të buxhetit të Komunës së Prishtinës. Sipas Ramës, kjo ministri bllokuar 35 milionë euro që i takojnë ligjërisht Kryeqytetit.

    Pas dorëzimit të kërkesës, Rama e ka akuzuar Ministrinë dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj kryeqytetit.

    “Kjo qeverisje vetëm bllokada ka bërë për çështje puro politike, ky ministër e ka blloku procesin kur e kanë parë që si kryeqytet po transferohemi. Kanë parë zhvillim dhe si rezultat kanë marrë masa të tjera ilegale. Ato fonde janë tonat dhe të taksapaguesve te kryeqytetit. Ne kemi përgatitur padi të tjera për ministra të tjerë”, është shprehur Rama.

    Rama theksoi se bëhet fjalë për 35 milionë euro, mjete që sipas tij i takojnë ligjërisht kryeqytetit.

    “Fondet të cilat me ligj i takojnë Kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin,” shtoi Rama.

    Manaj ka thënë Ministria për 9 muaj e ka bllokuar buxhetin e Komunës.

    “Siç jeni në dijeni, tash e nëntë muaj kjo ministri e ka bllokuar buxhetin për Komunën e Prishtinës. Në argumentin tonë, kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës, sepse cenohet buxheti por edhe jeta e qytetarëve. Kjo është bllokadë puro politike,” tha Manaj.

  • Theret me thikë një mësuese në Gjermani, Bild: Sulmuesi dyshohet se është një 18 vjeçar nga Kosova

    Theret me thikë një mësuese në Gjermani, Bild: Sulmuesi dyshohet se është një 18 vjeçar nga Kosova

    Në një shkollë në Essen të Gjermanisë, një nxënës goditi me thikë një mësuese. Autori i dyshuar u qëllua gjatë arrestimit të tij, raportojnë mediat gjermane.

    Sipas këtij raportimi një nxënës sulmoi një mësuesE me thikë në kolegjin arsimor në Nordviertel të Essenit ( North Rhine-Westphalia ). Plaga me thikë thuhet se ka qenë në stomak. Viktima është plagosur rëndë dhe është planifikuar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente në spitalin universitar. Ende nuk është e qartë nëse është në rrezik për jetën.

    Sipas BILD, sulmuesi është një 18-vjeçar kosovar. Ai është nxënës në shkollë. Nëse ai ishte në klasë apo hyri pastaj është ende e paqartë. Dyshohet se ai iu afrua mësueses dhe e goditi me thikë. Ai iku menjëherë pas sulmit.

    Menjëherë pas krimit, policia mori një raport për një person të dyshimtë në një park që përputhej me përshkrimin e autorit. Kur policia u përpoq ta kontrollonte të dyshuarin, ai dyshohet se vrapoi drejt e në drejtim të oficerëve me një thikë. Më pas, policia dyshohet se e qëlloi.

    Frika ende mbizotëron brenda shkollës. Edhe pse policia ka shoqëruar tashmë shumë nxënës jashtë ndërtesës, dhjetëra nxënës janë ende në klasa. Ata kanë barrikaduar dyert – siç kërkohet në rast të ndonjë të shtëne me armë në shkollë.

    Siç shkroi policia e North Rhine-Westphalia në X, ata janë në vendngjarje me një numër të madh oficerësh. Aktualisht është e paqartë nëse persona të tjerë janë plagosur në sulmin me thikë. I dyshuari i dyshuar tani është gjetur dhe identifikuar pozitivisht nga policia, siç shkroi policia në një përditësim.

    Gjatë arrestimit, oficerët përdorën armë zjarri. Studenti u plagos dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor.

  • Tri kompani të reja licencohen për furnizim me energji elektrike

    Tri kompani të reja licencohen për furnizim me energji elektrike

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka miratuar disa kërkesa për licencim dhe autorizime për furnizim, prodhim dhe vetëkonsum të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

    Janë miratuar aplikimet për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike për kompanitë Norwegian PX Kosovë SH.P.K., BE Power SH.P.K. dhe Energy for Change L.L.C.

    Anëtari i Bordit të ZRrE-së, Ymeridin Misini, tha se kompanitë kanë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore.

    “Kompania ka dorëzuar aplikacion për marrjen e licencës për furnizim. Dokumentet i kanë plotësuar në përputhje me kërkesat, po ashtu edhe dëshmitë. Konsideroj se aplikacioni është vlerësuar sipas rregullave dhe në përputhje me legjislacionin për një periudhë 5-vjeçare, si licencat tjera,” tha Misini.

    Po ashtu, u miratua licencimi i aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike për Energy Development Group Kosova L.L.C.

    “Kompania në fjalë ka aplikuar pranë ZRrE-së. Projekti konsiderohet i ndërtuar, pasi janë plotësuar kushtet ligjore dhe janë dorëzuar dokumente nga komuna përkatëse. Janë sjellë të gjitha dëshmitë, është kryer edhe publikimi në gazetat online. Mbështetur në Ligjin për ZRrE për prodhimin e energjisë elektrike, licenca lëshohet për një periudhë kohe deri sa pajisjet të jenë funksionale. Propozohet që kësaj ndërmarrjeje t’i lëshohet licenca për një periudhë 25-vjeçare,” tha Misini.

    Në këtë mbledhje, Bordi ka miratuar edhe dhënien e autorizimit për ndërtim për subjektin juridik Lindja Solar L.L.C., me kapacitet prej 100 MW në zonën kadastrale Kramovik dhe Petkoviq të Rahovecit.

    “Lokacioni është në zonën kadastrale Kramovik dhe Petkoviq. Në kuadër të parkut solar është planifikuar të ndërtohen stacioni qendror, objekti administrativ teknik, si dhe nënstacioni brenda parkut. Bordit i propozohet të lëshohet autorizim për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhim të energjisë elektrike nga panelet solare me kapacitet 100 MW,” tha Misini.

    Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, theksoi rëndësinë e këtij projekti.

    “Është një nga projektet e para që ka kaluar përmes procedurave konkurruese, që është kërkesë e BE-së që të kalohet sa më parë në këtë procedurë. Ky është projekti i parë dhe shpresojmë që nuk do të jetë i fundit. Është nevojë për sektorin e energjisë dhe kemi nevojë për kapacitete shtesë,” tha Fejzullahu.

    Bordi miratoi gjithashtu autorizimet për subjektet juridike Qazim R. Gashi B.I. – Babimoc 1, 2 dhe 3 në Komunën e Obiliqit, me kapacitet prej 4 MW, si dhe për EBE Energy SH.P.K.

    Ndër vendimet tjera, u miratuan edhe dhjetëra kërkesa për autorizime për vetëkonsum, për kompani dhe persona fizikë, përfshirë: New Diamond SH.P.K., Magic Ice L.L.C., Nora Market, Liridoni Distribution (Depo 1 dhe Depo 2), Bau Market – Çagllavicë, Motel Delphini (1 dhe 2), Shkolla Fillore “Hasan Prishtina”, Horizon School Kosova SH.P.K., Kosmonte Foods SH.P.K., Shkolla Fillore “Ibrahim Rugova”, Jaffa Plus SH.P.K., Eling Grup SH.P.K., Cotex SH.P.K., Saba Group, OSA Termosistemi – Bernjak, si dhe disa persona fizikë me iniciale.

  • Aksion kundër fajdesë në Prishtinë, bastisen disa lokacione

    Aksion kundër fajdesë në Prishtinë, bastisen disa lokacione

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me njësitë relevante dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar një aksion policor në Prishtinë, duke zbatuar urdhër-kontroll të lëshuar nga gjykata.

    Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bastisjet janë kryer në vendbanimet e personave të dyshuar, në lidhje me veprat penale fajde dhe shpëlarje parash.

    “Operacioni Policor është realizuar mbi dyshimet për veprat penale Fajdeja dhe Shpërlarja e Parave. Pas përfundimit dhe kompletimit të veprimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë.”, tha Kelani për Sinjalin.

  • Aksident fatal në Sri Lanka: Autobusi rrëzohet nga një shkëmb 300 metra – vdesin 15 persona

    Aksident fatal në Sri Lanka: Autobusi rrëzohet nga një shkëmb 300 metra – vdesin 15 persona

    15 persona kanë humbur jetën në Sri Lanka pasi një autobus pasagjerësh ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar nga një shkëmb i lartë 300 metrash.

    Sipas një zëdhënësi të policisë, 16 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, përfshirë pesë fëmijë. Aksidenti ndodhi në një rrugë malore pranë qytetit Wellawaya, rreth 280 km lindje të kryeqytetit Colombo, të enjten në mbrëmje, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    Zëdhënësi tha se hetimi fillestar i policisë ka treguar se autobusi po lëvizte me shpejtësi të madhe kur drejtuesi i tij humbi kontrollin. Autobusi u përplas me një mjet tjetër dhe me gardhet e rrugës, para se të binte nga gremina.

    Pamjet televizive lokale treguan autobusin e dëmtuar rëndë në fund të greminës, ndërsa ekipet e shpëtimit – përfshirë ushtarë, policë dhe vullnetarë – nxirrnin personat e lënduar gjatë gjithë natës.

  • Osmani: Nënë Tereza ishte zëri i të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve – rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz

    Osmani: Nënë Tereza ishte zëri i të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve – rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar trashëgiminë e Shën Terezës përmes një postimi në Facebook, duke theksuar ndikimin global dhe humanin e veprës së saj, raporton Gazeta Sinjali.

    Osmani theksoi se Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.

    “Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore“, thuhet mes të tjerash.

  • Joe Biden i nënshtrohet operacionit për kancer të lëkurës

    Joe Biden i nënshtrohet operacionit për kancer të lëkurës

    Ish-presidenti amerikan, Joe Biden iu nënshtrua një operacioni për kancerit të lëkurës të enjten.

    Zëdhënësja e tij, Kelly Scully, konfirmoi operacionin pasi “Inside Edition” publikoi një video të Bidenit duke u larguar nga kisha në Delaware me një shenjë në ballë.

    Ajo tha se Biden iu nënshtrua operacionit Mohs, një procedurë që bëhet me qëllim që të mos mbeten më shenja të kancerit.

    Dy vjet më parë, ndërsa Biden ishte në detyrë, atij iu hoq një lezion nga gjoksi. Në maj, zyra e Bidenit njoftoi se ai ishte diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës.

  • Pratipati: Qeveria e Kosovës duhet të garantojë sigurinë dhe përfaqësimin e serbëve

    Pratipati: Qeveria e Kosovës duhet të garantojë sigurinë dhe përfaqësimin e serbëve

    E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë Anna Pratipati, në një intervistë me një grup mediatik në gjuhën serbe, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj dhe se Kushtetuta dhe ligjet garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

    “Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të mund të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës.”

    Ajo tha se në të njëjtën kohë, pritet që serbët e Kosovës të marrin përgjegjësinë për ndihmë në ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të begatë.

    “Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”, tha zyrtarja amerikane duke shtuar se çdo ndryshim që prek serbët në Kosovë duhet të zbatohet në konsultim me serbët në Kosovë. Nuk ka alternativë tjetër për këtë, dhe nuk ka proces të njëanshëm, shtoi ajo.

    Duke folur mbi institucionet paralele të Serbisë në Kosovë – arsimi dhe shëndetësia, zyrtarja e lartë amerikane tha se ato do të duhet të përfshihen në sistemin e Kosovës, raporton KosovaPress.

    “Institucionet paralele të drejtuara nga serbët duhet përfundimisht të përfshihen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është me rëndësi thelbësore. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë në lidhje me ofrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor për komunitetin serb të Kosovës dhe ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësime në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura. Ky nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Varet nga komuniteti serb i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të punojnë së bashku, me një theks të veçantë në sigurimin që institucionet të ruajnë ose përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve”, tha Pratipati./ATVLIVE/