ATV

Category: Lajme

  • “Mbijetesa në ujë” – fotografi nga trajnimi sfidues i ushtarëve të FSK-së

    “Mbijetesa në ujë” – fotografi nga trajnimi sfidues i ushtarëve të FSK-së

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka ndarë fotografi nga trajnimi “Mbijetesa në ujë”.

    Maqedonci në një postim në Facebook shkruaj se qëllimi i trajnimit të ushtarëve të FSK-së ishte përgatitja profesionale për operacione në ujë, duke ndërtuar aftësi praktike dhe teknike të domosdoshme për situata mbijetese në kushte të rënda ujore.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Qendra Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpetim e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të Kapacitetet Ushtarake për Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile, ka realizuar trajnimin sfidues “Mbijetesa në ujë”, një trajnim i specializuar qe synon përgatitjen e pjesëtarëve të FSK-së për përballje me situata të ndërlikuara në mjedise ujore.

    Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte përgatitja profesionale e pjesëtarëve të FSK-së për operacione në ujë, si ne nivel individual ashtu edhe në nivel ekipor, duke ndërtuar aftësi praktike dhe teknike të domosdoshme për situata mbijetese në kushte të rënda ujore.

    Gjatë këtij trajnimi, pjesëtarët u aftësuan në teknika të mbijetesës në ujë, not taktik, improvizimin e mjeteve për të mbijetuar në zona ujore, si dhe improvizimin e mjeteve për kalimin e zonave të rrezikshme ujore.

  • Ndahet nga jeta Faik Hima, spikeri i parë i RTP-së

    Ndahet nga jeta Faik Hima, spikeri i parë i RTP-së

    Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Prof. Dr. Sc. Faik Hima, njëri nga emrat e njohur të jetës akademike dhe mediale në Kosovë.
    Hima ishte spikeri i parë i Radio Televizionit të Prishtinës në vitin 1975, së bashku me bashkëshorten e tij, Vera (Gjevori) Hima. Përveçse figurë publike në hapësirën mediale, ai ishte edhe kardiolog dhe internist i dalluar, duke lënë pas një kontribut të çmuar në fushën e mjekësisë.
    Lajmin për ndarjen nga jeta të Faik Himës, e kanë bërë të ditur familjarët e tij. Në njoftim thuhet se mbledhja komemorative do të mbahet sot, më 9 shtator 2025, në orën 11:00 në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet po sot në orën 14:00 në varrezat e qytetit.

  • Kryeqyteti rikthen parkimin me pagesë, ‘Prishtina Parking’ nis nesër

    Kryeqyteti rikthen parkimin me pagesë, ‘Prishtina Parking’ nis nesër

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar pas vendimit të Gjykatës Supreme, nga e mërkura hyn në fuqi rregullorja për rregullimin e parkingjeve në kryeqytet, duke i hapur rrugë rikthimit të funksionalitetit të plotë të shërbimit “Prishtina Parking”.

    Rama ka njoftuar se parkimi në hapësirat publike të menaxhuara nga “Prishtina Parking” do të bëhet me pagesë, sipas tarifave zyrtare të përcaktuara në rregullore.

    “Njoftojmë qytetarët se shfrytëzimi i parkingjeve publike të menaxhuara nga ‘Prishtina Parking’ bëhet me pagesë, sipas tarifave zyrtare”, ka shkruar Rama.

    Kryetari i Prishtinës ka theksuar se ky vendim synon të rrisë rendin dhe efikasitetin në përdorimin e hapësirave publike në kryeqytet.

    “Çdo parkim pa pagesë sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Prishtina, qytet ku hapësira publike u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë”, ka shkruar Rama.

  • Arrestohen dy persona për bixhoz në Klinë, sekuestrohen katër vetura

    Arrestohen dy persona për bixhoz në Klinë, sekuestrohen katër vetura

    Janë arrestuar dy persona në Klinë nën dyshimet se bashkë me disa persona tjerë kanë organizuar bixhoz të paligjshëm.

    Ngjarja raportohet të ketë ndodhur mbrëmë, ku sipas policisë në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe katër vetura.

    “Po ashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar katër vetura që dyshohet se u takojnë personave që janë të implikuar në rast dhe me të vërejtur policinë kanë ikur nga vendi i ngjarjes”.

    “Në konsultim me prokurorin pas inicimit të rastit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Bllokada në Kuvend: Presidentja sot i drejtohet Kushtetueses me komentet

    Bllokada në Kuvend: Presidentja sot i drejtohet Kushtetueses me komentet

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot pritet t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me bllokadën në Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht zgjidhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

    Kështu deklaroi për EO Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.

    “Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin.

    “Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, theksoi Kupina.

    Të premtene kaluar, Kushtetuesja e aprovoi kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

    Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025.

    Sipas këtij aktvendimi, masa e përkohshme ka për qëllim të ndalojë rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar në një nga aktgjykimet e mëhershme të Kushtetueses.

  • Reuters: Varri i një romaku të pasur zbulohet në Shqipëri

    Reuters: Varri i një romaku të pasur zbulohet në Shqipëri

    Arkeologët në Shqipëri kanë zbuluar një dhomë të madhe varri romak që daton nga shekulli i tretë deri në të katërt pas Krishtit, e para e këtij lloji e gjetur në vendin ballkanik që dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake, shkruan Reuters.

    Të njoftuar nga vendasit që kishin vënë re disa gurë të pazakontë në një pllajë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, stafi i Institutit të Arkeologjisë filloi gërmimet në fillim të gushtit dhe gjeti strukturën nëntokësore, pllakat e mëdha prej guri gëlqeror të së cilës ishin të gdhendura me shkronja greke, transmeton Telegrafi.

    “Mbishkrimi na tregon se personi i varrosur këtu quhej Gelliano, një emër tipik i periudhës romake. Jemi të pasigurt për identitetin e individit të dytë, por ka të ngjarë të jetë një anëtar i familjes”, tha Erikson Nikolli, arkeologu kryesor i projektit.

    Varri, i cili mat nëntë metra me gjashtë, është zbulimi i parë në Shqipëri i asaj që ekspertët besojnë se është vendi i prehjes së një personi të pasur, më madhështor se vendet e tjera të varreve të gjetura në zonë.

    Autoritetet lokale në Shqipëri, ku turizmi po lulëzon, tashmë po planifikojnë ta zhvillojnë vendin në një atraksion turistik, ndërsa banorët u dyndën në zonë pasi dëgjuan lajmin e zbulimit.

    Javën e kaluar, ekipi i Nikollit përdori furça për të zbuluar skajet e gdhendura me hollësi të gurëve të bardhë të çatisë dhe mureve të varrit.

    “Ne zbuluam gjithashtu një copë pëlhure të qëndisur me fije ari, e cila konfirmon bindjen tonë se kemi të bëjmë me një anëtar të klasës së lartë”, tha ai.

    Gjetje të tjera përfshijnë pllaka qelqi dhe thika. Nikolli tha se varri ishte plaçkitur të paktën dy herë – një herë në antikitet dhe më vonë kur makineri të rënda u përdorën për të lëvizur një shkëmb masiv në majë të dhomës.

    Ai shpjegoi se emri i banorit ishte shkruar me shkronja greke, por mbante një kuptim latin, ndërsa një mbishkrim i dytë tregon se varri i ishte kushtuar perëndisë Jupiter.

    Ekspertët ende nuk kanë deshifruar mbishkrime shtesë në gurët e gjetur aty pranë, të cilat besohet se i përkisnin një monumenti tjetër tani të rrethuar nga fusha misri dhe një gurore.

  • Moti i ditës – Çfarë na pret sot?

    Moti i ditës – Çfarë na pret sot?

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se moti sot në vendin tonë do të jetë me diell dhe me vranësira të pjesshme.

    Temperaturat minimale do të jetë 11– 14°C ndërsa maksimalja 27-32°C

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.

  • KQZ kundërpërgjigjet ndaj akuzave të Listës Serbe

    KQZ kundërpërgjigjet ndaj akuzave të Listës Serbe

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u është kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga Lista Serbe lidhur me përbërjen e këshillave të vendvotimeve dhe për listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Më herët gjatë 8 shtatorit, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit – e akuzoi KQZ-në për “manipulim politik” për shkak të përbërjes, siç tha “të pabarabartë” të këshillave të vendvotimeve për numërimin e votave për zgjedhjet lokale.

    “KQZ sqaron se vendimi për përcaktimin e formulës për përbërjen e këshillave të vendvotimit që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, është i mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore. Në këtë proces zgjedhor, ashtu si në të kaluarën, KQZ ka ndjekur edhe parimin e gjithëpërfshirjes, duke krijuar hapësirë përfaqësimi edhe për subjektet e reja politike, si iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Përgjigjet e detajuara për formulën e përbërjes së këshillave të vendvotimit, KQZ do t’i dërgojë brenda afatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa [PZAP]”, u tha në reagimin e KQZ-së të lëshuar mbrëmjen e së hënës.

    Lista Serbe tha se i është drejtuar me ankesë PZAP për këtë çështje.

    Ky subjekt pretendoi se KQZ-ja i ka shkaktuar dëm kësaj partie edhe sa i përket përbërjes të këshillave të vendvotimeve.

    “Në komunën e Novobërdës ka 23 vendvotime. Lista Serbe në zgjedhjet parlamentare fitoi 60 për qind të votave, por ne nuk kemi asnjë kryesues në vendvotim [në këtë komunë]. Dhe jo vetëm kaq, na mungojnë nëntë anëtarë të këshillave të vendovotimeve, që do të thotë se në nëntë klasa Lista Serbe nuk do të mund të kontrollojë këtë proces zgjedhor”, tha zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë një konference për media.

    Si shembull të “shkeljes së ligjit” dhe të ashtuquajturit “manipulim politik”, Lista Serbe përmendi edhe komunën e Parteshit, ku kjo parti tha se ka vetëm një kryesues në një nga shtatë vendvotimet, edhe pse, siç tha Simiq, në zgjedhjet parlamentare kishte fituar afërsisht 90 për qind të votave.

    Kjo po ashtu pati kritika për listën zgjedhore në komunat me shumicë serbe. Simiq tha se krahasuar me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti, është vërejtur një numër më i vogël i votuesve në disa komuna, veçanërisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut.

    Lidhur me këto kritika të Listës Serbe, KQZ-ja tha se të gjitha veprimet e bëra për krijimin e listës së votuesve për zgjedhjet lokale dhe pastrimin e listës nga emrat e personave të vdekur janë bërë në mënyrë transparente dhe në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

    “Zvogëlimi i listës së votuesve prej 6.770 votuesve, krahasuar me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, është i shprehur në 30 komuna të Republikës së Kosovës dhe nuk ndodh vetëm në ndonjë komunë të caktuar. Ndërkaq, në tetë komuna të tjera numri i votuesve është më i lartë në krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe këto ndryshime vijnë për shkak të aktivizimit të sistemit të adresave nga Agjencia për Regjistrimin Civil. Ky proces ka reflektuar natyrshëm në caktimin e qendrës së votimit sipas adresës së banimit të secilit qytetar”, tha KQZ-ja.

    Sipas pretendimeve të Simiqit, në Leposaviq në listën e votuesve janë rreth 1.500 më pak votues, ndërsa në Mitrovicën e Veriut rreth 1.200.

    “Arritëm të konstatojmë se votuesit në Mitrovicën e Veriut janë fshirë nga qendra e votimit në shkollën fillore ‘Sveti Sava’, ku votojnë qytetarët serbë. Ky është një numër i madh votuesish që mund të ndikojë në mënyrë drastike në rezultatet e zgjedhjeve si për asamblistë, ashtu edhe për kryetar komune”, deklaroi Simiq.

    Ai shtoi se në komunën e Graçanicës, afër Prishtinës, është “rritur në mënyrë drastike” numri i votuesve, përkatësisht se ka mbi 2.000 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

    Lidhur me përbërjen e këshillave të vendvotimeve, Lista Serbe kishte pasur pakënaqësi edhe para zgjedhjeve të shkurtit, duke e akuzuar KQZ-në se i kishte shkaktuar dëm, pasi në shumë komuna nuk kishte anëtarë “për të kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator konfirmoi listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.

    “Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, u tha në njoftim.

    KQZ gjithashtu bëri të ditur se për zgjedhjet lokale do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

    Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

  • Aksident i rëndë trafiku në rrugën Prishtinë–Pejë, kamioni i rrokullisur shihet në mes të rrugës

    Aksident i rëndë trafiku në rrugën Prishtinë–Pejë, kamioni i rrokullisur shihet në mes të rrugës

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, ku dyshohet se drejtuesi i një automjeti transportues (kamion) me targa vendore ka humbur drejtimin e mjetit, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe ka goditur katër automjete të tjera. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    “Sot, rreth orës 14:35, në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku , ku dyshohet se drejtuesi i një automjeti transportues (kamion) me targa vendore ka humbur drejtimin e mjetit, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe ka goditur katër automjete të tjera”, ka thënë Hoxha.

    Si pasojë e këtij aksidenti, deri në këto momente raportohet se dy persona kanë pësuar lëndime të rënda dhe një tjetër ka marrë lëndime të lehta, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që ne veqanti shoferët të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve, në mënyrë që të shmangen ngjarje të tilla të rënda që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve

  • Presidentja Osmani nesër dërgon komentet e saj në Kushtetuese: Askush s’ka të drejtë t’i bllokojë institucionet

    Presidentja Osmani nesër dërgon komentet e saj në Kushtetuese: Askush s’ka të drejtë t’i bllokojë institucionet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, proces ky po tejzgjatet.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Sinjalin këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

    Kupina nuk dha detaje për përmbajtjen e komenteve, mirëpo tha se qëndrimi i presidentes është që askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet.

    “Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve.”
    Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime. Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re. Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

    Kryetari i ri i kuvendit, Dimal Basha në seancën 30 gushtit e kishte konsideruar të mbyllur seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Kjo e kishte shtyrë Listën Serbe që t’i drejtohet Kushtetueses.